ERVIN HATIBI – DAL NGA PORTA (poezi)
ERVIN HATIBI
DAL NGA PORTA
Kalimtarë çarçafët
Që qëndrojnë më gjatë se për të ndezur një cigare
Iki e vij vonë nga jeta ime
Ca të brendshme gjeli kullojnë djersë të varura
Fikur tek llampa e dhomës
Pastaj drita ndizet, edhe dritaret:
Kjo është nëna, domethënë, që shkon në punë
Me të vluarin e saj si një çajnik i madh prej leshi
(Duhen heshturazi sikur dikujt t’i vënë brirë)
Nuk ndihem, ata dalin
Ha pjatën e egër të mëngjesit ku dështon e skuqur
Pula, kjo shpesëri militare
(Prapë me tavolinë katër këmbët e saj)
Nuk shkoj në shkollë
Hidhem me vrap gjer tek këmbët e tua të shtrembëra
Të më hedhin si një hobe në një gjumë që s’të rrit
S’të qetëson të keqen nëna, s’të nevojitet
Por s’të ndahet ama fare
Gjithë natën në gjumë.