RRAHMAN DEDAJ – ÇDO GJË ISHTE VETËM NJËHERË E NJËJTË
RRAHMAN DEDAJ (1939 – 2005)
ÇDO GJË ISHTE VETËM NJËHERË E NJËJTË
Po mbyllem në një kujtim
Si në guacën që solli vala
Pranë rërës, pranë detit.
Tërë ajo që kisha
S’i duhet më askujt.
Çdo gjë ishte
Vetëm njëherë e njëjtë,
Asnjë ëndërr s’diti të përsëritej.
Në një pëlhurë le të pikturohet
Vetëm zemra mbi një hekur
Dhe etja pranë një kroi.
Era do të fryjë e asgjë s’do të ikë,
Bari do të qajë si shiu
E shiu do të këndojë si pikëllimi.
Çdo gjë do të ngjasojë në vetvete,
Që t’i kthehet humbjes së vet.
RRAHMAN DEDAJ
Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penuhë të Besjanë Podujevës. Shkollën fillore e ka kryer në Besjanë, kurse shkollën Normale në Prishtinë. Studioi gjuhë dhe letërsi në fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Ishte gazetar në Radion e Prishtinës dhe në Redaksinë e Botimeve “Rilindja”.
Është shkrimtar i shquar i letërsisë shqipe. Vjershën e parë e ka shkruar në vitin 1955, në moshën 16-vjeçare. Disa nga veprat e tij janë:
- “Zogu dhe Kulla”,
- “Me sy kënge”,
- “Simfonia e fjalës”,
- “Balada e fshehur”,
- “Etje”
- “Fatkeqësia e urtësisë”
- “Medaljoni”
- “Dielli”
Vdiq më 21 gusht 2005.