Prend BUZHALA – POEZIA DHE QENIA (ese leximesh)

Prend BUZHALA – POEZIA DHE QENIA (ese leximesh)

Prend BUZHALA

POEZIA DHE QENIA

(Ese leximesh; Ali Podrimja, me qenë)

E tillë është jeta njerëzore, bota shpirtërore e qenies… gjithë çaste, laryshi ndjesish krejtësisht të kundërta, situatash e meditimesh krejtësisht paradoksale… Qenia-kufomë (shenjë poetike e boshllëkut emocional të qenies së tjetërsuar) – ringjallet nga hiri i vet feniksian dhe jepet pas një misteri; i shfaqet dëshira për një serenatë kujtimesh pasionante; jepet pas një grishjeje ndjesish të forta “mes shpirtit të trishtuar e nostalgjisë”; jepet në kërkim të një rezonance metaforike, të përshpirtshme, të feksjeve shpirtërore, për ta mundur rrënimin e brendshëm; mbërthehet pas dëshirave rebeleve të mëkatit të qëllimshëm , për t’iu kundërvënë botës me vetminë e vet heretike; së andejmi e përjeton ringjalljen e lulëzimit, nëpërmes simbolit të këputjes së trëndafilave (këputjes së të bukurës, afshit erotik)… deri të caqet më të thyeshme, më delikate e më të thërrmueshme të qenies: brishtësi, ëmbëlsi, ngrohtësi. Rishfaqen ato ndjesi të kundërta meditative: humnerat e vdekjes e parajsa që ta ofron emocioni i dashurisë. Në fund, si një kapak të artë alternativash jetësore-meditative, poeti zgjedh, mu në vorbullën e vdekjes dhe parajsës, atë emocionin më sublim – dashurinë.

1.

Obsesioni lirik me mallin, e shtyn poetin në kërkime të hapësirave të reja të komunikimit. Nëse malli shënjon të kaluarën, është poezia ajo që i ndërlidh kohet në këtë ndërkomunikim. vetëm me anë të imagjinatës figurativ-shprehëse të poezisë mund të zbresësh shkallëve të antikitetit, këtij mallëngjimi antik të shenjës së harmonisë së humbur ndër shekuj… Prandaj na vjen afër një Hije Loti… një gjurmë tej gjurmës… Poeti gjithnjë arrin të depërtojë diku PËRTEJ, një si LIRIKË METAFIZIKE e qenies, e thelbit të qeniesimit tonë… Kjo gjurmë dhe hije loti, kjo ëndërr dhe sirtar shpirti, e shoqërojnë muzën e frymëzimit poetik. Folësin lirik nëpër poezi shPesh e shohim në kërkim të një TJETËR udhe, për ta çliruar vazhdimisht poezinë nga hijet e hijeve të saj…në kërkim të hapësirave të reja të lirisë, të lirisë dhe poezisë… ashtu natyrshëm, pa të shtirur!

Ali Podrimja

ME QENË

Të jesh shqiptare vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është
Të jesh shqiptar

e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është
Shqiptar të jesh

botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur
Në trupin tim

plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë

POEZIA DHE QENIA
Ali Podrimja

Të jesh shqiptar! Aty na ligjërojnë varret, përndjekjet, vdekjet, vrasjet pas shpine. Të vazhdosh jetën me lëndimin, si shpirt i lënduar – kjo do të thotë ta fisnikërosh qenien tënde, sepse e njeh më mirë të vërtetën. Njeriut i duhet të ecën përpara, ta dojë jetën… Dhe, si ngushëllim, i vjen zëri i përvojës: është i humbur ai që të shkakton lëndime! Paradoks jetësor, apo jo!

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë

Qenia eternale e personazhit lirik, personifikohet të E VERTETA biblike…dhe kjo nuk ka se si të arrije ndryshe, përveçse nëpër errësirën e ekzistimit tonë, si një ëndërr e mbuluar “nga bukuritë e natës”…vjen si një VEGIM (poetik) për ta ndarë lumturinë personale me të tjerët…Sigurisht, një poezie të mirë mund t’i bëhen edhe lexime të tjera – sepse E VERTETA për qeniet njerëzore, është ai identifikimi i bukur i dy qenieve që përafrohen emocionalisht, nëpërmes emocionit të bukur të dashurisë…).

2.

E atëherë poeti e këndon një kategori tjetër estetike, atë të të shëmtuarës… Dhe mungesa e të bukures të shpie së andejmi… kurse burimet e realitetit, fatkeqësisht, janë të pasura me këtë “kategori”, me artificialitetin e flashkët të qenies, me iluzionet tragjike, me realen e hidhur, me njerëzit që zhvishen nga virtytet njerëzore, kurse njeriu gjithnjë është në humbje… Dhe përsëri gjakimet njerëzore për të bukurën, nuk prajnë. E, për ta krijuar atë, për të arritur tek ajo, për ta gjetur të bukurën, ajo shfaqet në horizont parptitmas, në horizontet e muzës…

Hajdeger thoshte nse “: “qenia” është termi më i përgjithshëm dhe më i zbrazët. Si i tillë, ajo i reziston çdo përpjekjeje për ta përcaktuar. Ky term është tejet i përgjithshëm, dhe për këtë arsye i papërcaktueshëm, nuk ka nevojë as për një përkufizim. Të gjithë e përdorin atë vazhdimisht, dhe gjithashtu tashmë e kuptojnë se çfarë kuptoj unë me të.” Së këndejmi, poetët shpalosin pakufishëm thesaret e qenies…

(6 dhjetor 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!