AGRON TUFA – MARSHI I VDEKJES

AGRON TUFA – MARSHI I VDEKJES

AGRON TUFA

MARSHI I VDEKJES

Ky vend popullohet më shumë me të vdekur;
Me të vdekur të lashtë, me të vdekur të rinj:
Janë të vdekur qytetesh me brengë të thekur-
Dhe të vdekur fusharakë e të vdekur – barinj.

Një popull të vdekurish gëlon kësoane;
Të vdekur qyshkuri, të vdekur tani…
Çfarë i mban gjallë vallë, çfarë kambane
I mbledh dhe i derdh nëpër rrugë mizëri?

Të vdekurit ngatërrohen pa pra midis vedit…
Po kush këtë makth do mundë ta zgjidhë vallë?
Vdes ngapak dhe shpresa tek të vdekurit e shtetit –
Më shumë gjysmëvdekur, se sa gjysmëgjallë.

Të vdekurit e lashtë nuk gjejnë dot paqe
Nga të vdekurit mbi dhe, që ngrenë pallate
Mbi eshtra fëmijësh, mbi plazmën e ardhme,
Mbi truallin që zhytet përditë në mëkate.

Dhe ngrenë rebelimin të vdekurit e vjetër,
Braktisin qimitret, mallkojnë me tërbim
Të vdekurit e rinj, bastardë, kokëngjeshur,
Dhe kthehen qimitresh të pangushëllim.

Ky marrsh i të vdekurve nuk paska të sosur,
Me shenjat e tyre, me këngët, me shkrimet,
Që shuhen, rishkruhen dhe mbesin vulosur
Prej bëmave të tyre, gjithsej, vetëm krimet…

Të vdekurit tanë, s’e dinë që kanë vdekur
Dhe s’gjendet i gjallë vdekësinë t’u provojë;
Kësoane të gjallët kanë ngrirë të mekur
Nën grushtin e vdekjes që kthen në rrënojë –

Lotët, kujtimet, atë shpresë të pakët
Që gjallë mbet dëshirash në urna, saksi…
Të gjallët tash janë, ah, kurme të vakët
Kufomash të gjalla, nxjerrë në liri…

(Nga romani “Gurit të varrit ia rrëfej”, 2015)

MARSHI I VDEKJES

Shënim. Të tjera poezi, prozë e materiale kritike/studimore nga Agron Tufa mund të gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!