ALI PODRIMJA – METAFORA E JETËS SIME (cikël me poezi)

ALI PODRIMJA – METAFORA E JETËS SIME (cikël me poezi)
ALI PODRIMJA

METAFORA E JETËS SIME (cikël me poezi)

ME JETUE

Tim bir, Lumit

Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh

Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kosmos.

NJË DITË

një ditë heshtja
do të më gjuajë
me eshtra të mia
ose do çmendem duke rrënuar.

BUKURIA

Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
“Mos – fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!

Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
“Mos! – përsëri m’u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.

Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m’u bë.
“I lumi ti!” – dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva.

Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.

TI DHE UJI

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.

Metafora e jetës sime
SHTAT LËSHON NJË LULËKUQ

heshtja ime është më e vjetër
se unë e më e fortë
se vdekja ime

ajo është pamundësia ime

heshtja kur fle
numëroj yjet
luaj me hije luaj me thika

e një fushë të bardhë
shtat lëshon
një lulkuq

se heshtja ime
ka peshën e gurit të mallkuar
dhe gjuhën e njeriut të gozhduar në shkëmb.

VRIMA E PARË FYELLIT TIM

ç’gurron guri në gurinë
gur guri ndër gurë më i guri

gur i gurëzuar pranë gurit
gurth i nguruar rreth gurit

gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë

ç’guri pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.

METAFORA E JETËS SIME

nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi

fiala ime bëhu Unë

heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri

nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

plaga ime
le të marrë
frymë thellë

EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
-Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…

Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!

GURI

(Pres me ditë tres përditë)

hudh gurin në hapësi
sizifi plak me mund
prapë e hudh dhe e hudh
valë e më valë e i gjallë

pres me ditë tres përditë

hapësi e hapësi kërkon

rrënjë lëshon në mundësi
në pamundësi erna tremb

hudh gurin në hapësi
hapësi çpon e çpon

kohëra e kohëra përgjak
dhe mund Sizifin plak.

Metafora e jetës sime
UNË BIRI YT

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.

RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarë jemi…

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.

HIJA E TOKËS

Ara e misrit është kallur

(nata si kalë hamshor vrapuar ka
jashtë e brenda shtëpisë sime
me mua vrapuar ka
e ara e misrit kallur është)

dhe livadhi rrëzë shtëpisë
dhe vreshta ime e vogël
dhe plepi.
gjithë natën e lume kallur janë

me sytë e mi të përgjakur
Ara e misrit është herrur
Plepi ka rënë
Dhe zogu im i mbramë.

Unë kam kafshuar etjen
Deri sa vdekja pikon

– O, si ta ndjell atë zog të bardhë,
si të bëhem dritë, o vëlla, mbi varrin tënd?

Medet, na i dogj krejt
Fushat e bukës
Dhe livadhet tona.


Dy fjalë për autorin*

Ali Podrimja lindi më 28 Gusht 1942 në Gjakovë ku edhe kaloi rininë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat.
E vatrat shkimbur deri më një…

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik Hija e tokës, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum Lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj.. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare “Jeta e Re”, kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja, Esad Mekulin, të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet.

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ’60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë.  https://anatakti.wordpress.com/2011/03/24/paiania-poems/

Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.

Veprat

Ndër veprat më të njohura të tij janë : “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!