ASDRENI – HIMNI I FLAMURIT (cikël me poezi)

ASDRENI – HIMNI I FLAMURIT (cikël me poezi)

ASDRENI

HIMNI I FLAMURIT (cikël me poezi)

HIMNI I FLAMURIT

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

Himni i flamurit
DUA

Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;

të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njerzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;

bilbili t’ia thotë
nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqiperinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nepër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;

për këtë kam dëshirë
dhe s’dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!

SA TË DUA O SHQIPËRI

Sa të dua, o Shqipëri,
sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!
Se për mua, o Atdhè,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhè
shpirtin tim për të ushqyer!

I DASHUR ATDHÈ

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhè,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhè,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

VLORËS

Ti je balli me florinj,
ti je lulja e Shqipërisë
dhe trumbeta e lirisë.
Pleq që ngjalle dhe të rinj,
tërë kombi të sjell nder,
me lavd emrin ta ka shkruar
se ti trime vet’ me duar
fij’t e flamurit ke tjerr!

Je kurora me shkëlqim
gurështrenjt’, margaritarë,
që do mjeshtër magjistarë
t’i radhuan me qëllim.
Zjarr lëshojnë, që verbon,
si yj rrotull të shëndrisin,
rreze njyrash, llamburisin,
për sy bërë që lakmon!…

…Rrotull fqinjët sa fuqi,
sa mënyra nuk përdorin,
me pahir që të na korrin
çdo send, Vlorë, mban në gji!
Mund e bij ke pas’ armiq,
me syt’ katër gjith’ pas arit,
jasht’ zakonit të shqiptarit,
që s’shet besën për ca fiq.

Por ti, Vlorë, mos u dro!
Mbaj mburojën me qëndresë,
se kush vetes i zë besë,
e mat grushtin me këdo.
Se dhe Deti mik kur fle,
n’ëndrrat kryen një dëshirë
mbret të jet’ e zot i lirë
veç për tokën q’i dha bè.


Dy fjalë për autorin

Aleko Stavre Drenova, i njohur me pseudonimin Asdreni, lindi më 11 prill 1872 në Drenovë (Pipa e cilëson fshat bullgar), 5 km larg Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në Korçë kur i ati i vet Stavri Thimiu vdiq duke e lënë kësodore trembëdhjetëvjeçarin jetim.

Vjeshtën e 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj mbërritën në Bukuresht. Punoi në fillim si qymyrxhi e çirak, më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe, për një kohë të shkurtër, pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëvet shqiptarë, i cili në mars 1902 u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij shkrimtar Kristo Dako.

Verën e vitit 1899, kur ishte njëzet e shtatë vjeç, u kthye në Korçë duke kaluar nga Stambolli për ta vizituar vendlindjen për herë të parë si i rritur. Pasi ndenji pesë muaj në vatrën dhe mjedisin e fëminisë, u kthye në Bukuresht.

Më 1905 ishte mësues në një shkollë shqipe në Konstancë, kurse një vit më vonë u bë kryetar i degës së re të shoqërisë Dija në kryeqytetin rumun, shoqëri e cila qe themeluar së pari në Vjenë. I entuziazmuar nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, zbriti në Durrës pranverën e 1914 për të përshëndetur kryetarin e sapocaktuar të shtetit, princin Vilhelm Vid, nga i cili shpresonte të emërohej si arkivist në administratën e re mbretërore.

Pas një vizite të shkurtër në Shkodër, u kthye në Bukuresht në korrik 1914. Vitet më pas vazhdoi të marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në Rumani, pasi u hap konsullata shqiptare në mars 1922, u emërua sekretar i konsullatës. Bëri një vizitë tjetër në atdhe në nëntor 1937 me rastin e njëzet e pesë vjetorit të pavarësisë, me shpresë se pas kaq vjetësh shërbimi ndaj shtetit shqiptar do të merrte pension shtetëror. Ndenji ca kohë në Tiranë dhe pastaj bëri një vizitë në Shkodër, ku takoi Gjergj Fishtën në shkurt 1938.

Në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 1939 dhe shkroi Credere, obedire, combatere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Prandaj u kthye përsëri në Bukuresht në korrik të vitit 1939, ndërkohë që Evropa po përgatitej përsëri për luftë. Vdiq në skamje më 11 dhjetor të vitit 1947, në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare.

Vepra

Asdreni kishte nisur të shkruante poezi dhe të botonte artikuj që në fillim të shekullit të XX. Pjesë e poetëve që zbuloi apo botoi Konica tek Albania. Më 1904 botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetenëntë vjersha, Rézé djélli, të cilën ia kushtoi Skënderbeut. Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.

Vëllimi i dytë i Asdrenit Endra e lote, Bukuresht 1912, i botuar tetë vjet më pas, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me nëntëdhjetë e nëntë vjersha si e para, ndahet në tre cikle: atdheu, natyra, mendimi dhe bukuria, dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham.

Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psallme murgu, po në kryeqytetin rumun më 1930. Vepër kjo që sipas Elsie, shënjon hyrjen e frymës moderniste në letërsinë shqiptare.

Përgatiti vëllimin e katërt Kambana e Krujës, të cilin nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vepër pathosi patriotik u rikthye si në veprën e parë, duke mpakur elementin universal të veprës pararendëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!