AGRON GASHI – URA E SIRATIT

AGRON GASHI – URA E SIRATIT
AGRON GASHI

URA E SIRATIT

Kur pata dëgju një fjalim të diktatorit Enver Hoxha, më kish mbetë n’krye nji frazë: “Do ta bëjmë Shqipërinë lule, nga Vërmoshi në Konispol”. Madje, për moshën që kisha, pata kuptu se bahej fjalë për dy skajet e Shqipnisë, pa ditë se cili i takonte Jugut, e cili Veriut. Një ditë, as vetë s’e di se si m’u kish pikë n’krye me e pyetë mësuesin, se ku i bie Vermoshi e ku Konispoli. Më shau, pastaj me çoi dhe më uli përballë mësuesit serb, i cili pa një pa dy shante n’Zot, n’Dillë e n’Hanë.

(Kurrë nuk e kam kuptu mirë, pse serbët e kanë pasë zakon me sha n’Zot, n’Dillë e n’Hanë)!

Po në vjeshtën e 98-tës, ditën që kaluem kufinin malazezo-shqiptar, ushtari i parë që pamë, “ushtar i Shqipnisë së re”, në njanën kambë kish mbathë një çizme, e në tjetrën një patike “Adidas” t’çame dyzash, me farmerka t’shkyeme dhe setër ushtarake krejt të dalë boje, tha:

– Tash íni n’Shqipni. N’Vërmosh. A kini ndoji gja?

Me vete thashë: “Eh, Shqipni he luleee!”

Megjithatë, njerëzia filluan ta ndienin njëfarë lirie shpirtënore, por njëkohshëm një robni të re prej teshave e batanijeve t’mbushuna ujë.

Toka e premtueme, papritmas u ba një baltë e mallkueme. Nuk ka ma vështirë se t’i ngjitësh majës se Vërmoshit kur ban mot i lig.

Papritmas para nesh, si bishë e tërbueme, doli lumi i rrëmbyeshëm i Vermoshit, mbi t’cilin ishte improvizu një urë e hollë gjysmë e zhutyr n’ujë.

A ishte kjo ura e Siratit?

Jo, kjo nuk ish ashtu si thonë librat e shenjtë: nuk ish ma e hollë se kimja dhe ma e mprehun se shpata, po kime na bahej, dhe përderisa uji e përshkonte herë mbas here sipër, vringëllonte si tehu i shpatës. Na duhej të kalonim nëpër ujë, jo shpejt si një kapsallitje e syve, jo sikur vetima e era, as shpeni fluturues, as si kalorësi me at të mirë, por kamba dorës, t’lidhun duersh fort për njani -tjetrin.
– Mos le bre djalë, merrma gruen dhe qitma andej,- njeva një za që m’lutej mbrapa.
Ishte ai, mësuesi im.

Një e këputun m’erdhi deri te fyti e m’dogj gjatë gjithë krahnorit t’kranisur, si të vinte prej Konispoli.

– Qite vetë! Dhe, kur t’pyesin nxanësit, mbaje mend mirë Vermoshin!

E lashë matanë lumi.

Ura e Siratit
Agron Gashi
N’ISTIKAM

Isha i shtrimë n’isitikam. Se kush e kish groposun sa një gjysmë vorri, sa me zanë një t’dekun t’kthyem n’njanin krah. Skaj meje dy hajlazë, që i njihja nga shkolla e mesme, të cilët, dikur, nuk linin vajzë po ia pre rrugën, e që m’banin me u lutë me ua pa dekën, gati kishin harru pse ishin aty.
I pari: Me ba me u vra, veç nji punë m’jetë marak: qysh s’e shkërdheva Jelenën ditën që erdh me na tregu se po largohen për n’shehër.

I dyti: Po pse bash Jelenën, tuj pasë me dhjeta çika e nuse t’reja, që iu kanë ikë burrat prej lufte. Bile me këto tonat kishim ba dy t’mira: edhe ua kishim hek hujin, edhe iu kishim kallezu se burrat i kanë tuca.

– Paj, puna është se Jelena, sa herë shkonim te Bistrica, vetë na thirrke me u la me top n’ujë, palonte e shpalonte brektë herë në të djathtë e herë në të majtë, deri sa gjaku na hipte n’kry. E në mbramje na çonte babën me policë te dera: “Djemtë tuej kanë dashtë me ma dhunue ҫikën”, bre nanën mos e lasha pa ia shkërdhy. Beso, as dajtë nuk na majshin prej frike.

I dyti, tash duke ndërru krahun dhe me dorë n’xhepin e shkyem, tuj grimcu thojtë me dhambë ia priti:

– Si të vjen ndërrimi i nats due me shkue bash te shatorrat ku ka refugjatë, dhe kanë ta gjej, ka me i kcye!

I pari: A trimni po bajke! A kjo asht lufta jote për kët’ ven a?

I dyti: Po bre dost, po unë po e mbroj venin tem e të tyne, e ky ven, as dy gisht bir s’po i jep për mu!

Jep njani, e merr tjetri, nji gjyle topi si me shkrep moti ra skaj nesh e na bani pikë e pesë.

Pas nja ni jave, deri sa po ngjiteshim përpjetë bjeshkës, n’mes t’karvanit t’rreknuem, pashë njanin që ia kishin ngarku nji grue n’shpinë.
U ndala për t’i dhanë krahë, kur një dorë me gishta t’lidhun me fashë t’përlyeme n’gjak, më tërhoq mbrapa:

Leee! Mos i nimo! Dy gisht i ka lypë e shtatë konopë i ka dalë!


Bibliografi e shkurtër e autorit*

Agron Y. Gashi (1977) është doktor i letërsisë, studiues, shkrimtar dhe mësimdhënës. Vepra e tij studimore shquhet për kërkimet sistematike në analizën e formave letrare, me theks të vecantë format autobiografike në letërsinë shqipe, njëkohësisht si prozator i brezit të tij i cili në romanin e tij trajton tema tabu duke ndërlidhur tradicionalen me moderne, ndërsa si shkollë modernizmin në postmodernizmin.

Agron Y. Gashi u lind në Papiq të Deçanit më 1977, ku ndoqi shkollimin fillor dhe te mesëm. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku mori titullin Magjistër i Shkencave Filologjike me temën “Autobiografia në letërsinë shqipe”.. Njëkohësisht ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Shkencave Politike dhe e Administratës publike. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës mori gradën Doktor i Shkencave për studime letrare.

Është ligjërues bashkëpunëtor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re (2013-).[1] Punon si mësimdhënës në Shkollën Jopublike “Mileniumi i Tretë”. [2] Një kohë ka drejtuar revistën për art, kulturë dhe letërsi “ProCult”(2007). Shkrime e tij studimore dhe artistike janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj. Romani i tija “Talianka” konsiderohet si romani i parë i Kosovës i përkthyer në gjuhën italiane.

Veprat e autorit

1. Autopoetika – Modelet narrative autobiografike (studim, 2009);
2. Mizanteksti – Poetika, sisteme, autorë, vepra (studim, 2012);
3. ‘Talianka – Intermexo nga jeta e një heroi (roman, 2012);
4. Rrëfimet e maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70-të – Musa Ramadanin (2014);
5. Talianka – Intermezzo sulla vita di un eroe, Enseble, Romë, 2016;
6. Proza autobiografike- Poetika dhe modele (studim, 2017).

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!