AGRON TUFA – BANESA
AGRON TUFA
BANESA
Fill pasi përshkuam gjysmën e korridorit të katit përdhes që kutërbonte duhmë perimesh të kalbura, kujdestari ndaloi, ndau njërin prej çelësave që kishte tringëlluar gjer atëherë dhe hapi pa shumë sforcim derën më të afërt. Gjithë pa e hequr çelësin nga brava, shtyu derën. Ajo u dha epshëm e pa zhurmë as me qenë prej buke peshku. Përpos një krevati me sustë të ndryshkur dhe një vandaku të shfytyruar gazetash “Sporti” përtroll, lakuriqësia e asaj dhome qe nginjur me ajër të ndenjur e të lagësht. Dritarja e vetme, flegrën e së cilës hapën duart neje-neje të kujdestarit, u shkul me një kërcimë të mbytur, mu si rrënjë shqope në palcë të butë torfe. Frushkujt e freskët që vërshuan qenë poaq të lagështirtë, sa memzi trazuan paksa avullimën e turbullt e të ndezur të dhomës.
Dritarja shihte symrrolur kah lindja. E vendosur fare pranë tavanit, ajo binte pothuaj rrafsh me tokën përjashta dhe drita depërtonte me shpirt ndër dhëmbë përmes xhamave të pistë, gjithë të dhjera mizash, penguar edhe prej një grumbulli të stërmadh rrangullash, konstrukte kaba kamionësh të prishur, kapur si ndoca mamuthë me vertebra të thyera vinçash e ekskavatorësh, ndër të cilët spikasnin më të rrallë qafa të ngrefosura e hutaqe makinash silazhi me vështrime gëlldëqe, si xhirafa të zëna gafil.
Muret, me një lagështirë të njëtrajtshme, qenë llangosur me një hirrë të sëmurë myku: igrasia e tyre të çonte ndërmend ideografinë e masiveve alpine, sikundër i paraqesin në hartat fizike, ndërkaq që në vende të tjera – ngjashmëria vriste me lëkurën e irrun të ndonjë inoplanetiani, djegur aty-këtu nën diellin e plazheve marsiane.
Pa e mposhtur njëfarë tundimi, zgjata gishtat dhe preka me mpllëza muret e jargëta: pashë si lëkura e tyre e ndjeu prekjen dhe si reaguan indet e epidermës. Një si farë tkurrjeje më shtrëngoi t’i largoj gishtat. Diç e ngjitshme, frymore, si prej përçikjes me ndonjë butak, ma përqethi kurmin. Mandej, sytë e mi ndeshën ende në dy-tri vatra të dendura myku të bardhë, çka më ngjiti përfytyrimin e leshit ndën sqetullat dhe gjoksin e inoplanetianëve.
– Kjo do të jetë banesa jote,- tha kujdestari dhe për herë të parë më zgjati panxhën e tij duke m’u prezantuar, thuajse më kish pranuar në shtëpi të vet.– Çfarëdo halli të kesh,- vijoi ai,- drejtohu tek unë: quhem kujdestar Vektori. Mos harro, fshije e pastroje dhomën, ndryshe të piu veremi.
Mandej, kujdestar Vektori fshiu kokën e djersitur gjysmëtullace me një shami hundësh. Nuk m’u duk djersë ajo çka fshiu. Edhe vetë kisha ndjesinë veshtullore të një djersitjeje të ftohtë në zverk, nësa një trokth djegësire kalëronte përmes diafragmës dhe furrej në gabzher. Tëmthat e faqet zunë të më kullonin. I fshiva me mëngë. Para se të dilte, kujdestar Vektori u mëdysh një grimë dhe në çastin e mbramë, u rrotullua ballë meje, shtriu dorën me një gjest gjithëpërfshirës, si të dëftente një hapësirë të pamatë sarajesh dhe tha me të pshërëtirë:
– Ka qenë kësmeti yt! Këtu kam pasë nijet me vendue tim nip, por, ajme! I prunë fletëthirrjen për ushtar. Çelësin e ke në derë,- tha, nësa kapërcente pragun.
E ndoqa ngathët në korridor, me të vetmin rreshk, ta pyesja për emrin, pse e quanin Vektor e jo Viktor, po dhe kjo kureshtí m’zvordh. Në vend të saj, qita e thashë:
– Po nevojtore, ka në këtë korridor?
– Ec drejt,- tha ai pas një gjysmërrotullimi,- të merr për dore vetë tahma e të çon drejt e në vend!
Se sa të sakta qenë fjalët e kujdestar Vektorit, këtë m’u dha ta vërtetoja saora: aq i mprehtë, aq shpues qe kutërbimi, sa kur hyra në derën e paderë në fund të korridorit, sytë m’u përlotën, laringun, qiellzën e flegrat m’i përzhiti djegësira e amoniakut të ndenjur prej jashtëqitjeve, të cilat, të kuqërreme, ngjyrë terrakote, mulate, të zeza e të gjelbra, shtriheshin gjithkah, jashtë kabinave, si statueta luftëtarësh tataro-mongolë në Shkretëtirën e Gobit, nësa për muresh, në dysheme, por ama, gjithnjë jashtë vendit të caktuar për këtë punë, verdhonte bujarisht kripa e tharë precipituese e shurrosjes pa kriter, duke lehtësuar soje qindra e qindra veshka anonime.
Shurra ime, tepara me drojë, mandej me currila gjithë e më të sigurt, rrodhi e la mbresën e vet në këtë arenë të Krijimit Popullor.
03. 12. 01
Biografi e shkurtër e autorit
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.