ALISA VELAJ – KONFIGURIMI I ATDHEUT NË POEZINË BASHKËKOHORE ARBËRESHE

ALISA VELAJ – KONFIGURIMI I ATDHEUT NË POEZINË BASHKËKOHORE ARBËRESHE
ALISA VELAJ

KONFIGURIMI I ATDHEUT NË POEZINË BASHKËKOHORE ARBËRESHE

Poezia bashkëkohore shqipe e arbëreshëve të Italisë formësohet në gjysmën e dytë të shekullit të XX me daljen në dritë të veprës “Burbuqe të egra” (1946) të poetit Dushko Vetmo. Nga ajo kohë e deri më sot, prej këtyre ngulmimeve që kanë hyrë në shekullin e gjashtë të ekzistencës së tyre në Gadishullin Apenin, janë shfaqur emra poetësh me një potencial artistik të një niveli të lartë në letrat shqipe.

Madje kjo periudhë shënon një rilindje të dytë të poezisë arbëreshe, pas rilindjes së saj të parë që nis nga mesi i shekullit XIX me korifenj të tillë të poezisë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe. Po ndërsa kjo poezi vjen me një nivel të lartë sasior dhe cilësor në ditët tona, tematika e saj nuk është e njëjtë me poezinë që shkruan poetët e Rilindjes Kombëtare, ngase edhe kushtet historike kur u zhvillua kjo e fundit ishin të ndryshme nga ato të gjysmës së dytë të shekullit të XIX.

Ashtu siç thekson edhe profesor Rexhep Ismajli: “Nga aspekti tematik poezia e sotme arbëreshe është mjaft e ndryshme nga ajo e kaluara: gati-gati mungon tematika historiko-romantike e kthimit ne periudhën e Skënderbeut. Poezia arbëreshe sot ndjek rrugën e Serembes, pra është në radhë të parë lirike”. Poetët bashkëkohorë arbëreshë janë lëvrues të një lirike moderne ku tanimë thirrja që vjen nga gjaku dhe koncepti i lirisë shihen ne këndvështrime të tjera.

Konfigurimi i atdheut në poezinë bashkëkohore arbëreshe

Poezia patriotike vazhdon të jetë e ngjizur me embrionin mall, por është ky një mall ekzistencial që ka çdo qenie njerëzore për rrënjët e veta. Mëmëdheu është në këtë poezi rrënja e gjithsecilit prej poetëve, themeli pa të cilin vihet në pikëpyetje identiteti i çdo njeriu.

Nëse në poezinë romantike iu këndua atdheut te shtypur e të robëruar, poetët bashkëkohorë arbëreshë kërkojnë tek atdheu rrënjët e tyre të të qenit. “Je një vetijë që i thërret përmallimet e veta/me të njëjtin tërbim të stuhisë”, shkruan poeti Agostino Giordano. Në këtë lloj lirike lihet mënjanë krenaria për të kaluarën e lavdishme (pikërisht këtu ndryshon edhe tematika e poezisë së tyre prej asaj të Serembes) dhe nuk është poeti që i këndon gjithë etnisë, por janë njerëzit që duke mos braktisur rrënjët e veta, bëjnë që kjo etni të jetë përherë po aty, e patjetërsuar nga koha dhe ndikimet e vendit ku ata jetojnë.

Kështu në poezinë “Një katundi që nuk flet më arbërisht” Buzëdhelpri nënkupton se një qenie që ka bjerrur kuptimin e dheut të të parëvë, ka humbur tragjikisht një pjesë të vetvetes. Për Vorea Ujkon, dashuria për atdheun është një gjendje së cilës ai nuk mund t’i japë dot një shpjegim konkret, është fshehtësi që çelet nga gjaku. Vetë poeti, si njëri prej të mërguarve në shkretëtirë, mezi sa pret të shkelë në Tokën e Premtuar.

Atdheu shndërrohet kështu në Burimin që do të shuajë etjen e shpirtit të tij të zhuritur nga malli. “Kam një grusht dhe/të tokës sime/që më thërret në dorë” Në aeroport “Nëpër rrugët e tua/Unë gjeta rrugët e mia/e nuk e di fshehtësinë/që çelet nga gjaku”. Në Ulqin Vorea Ujkon si poet e shquan lirika patriotike shume moderne, ku mungojnë pathosi dhe ndjenjat ekzaltuese, por ka “një logjikë të fortë genetike”, e cila e pagëzon rendjen drejt tokës stërgjyshore, si përmbushjen e një misioni të shenjtë, ku të gjithë arbëreshët si kolektivitet shpallen misionarë.

Për poetin më të shquar bashkëkohor arbëresh, Zef Skiro Di Maxhon, Toka e Premtuar e Vorea Ujkos, është Itaka prej së cilës u largua ajo pjesë e etnisë shqiptare, por një Itakë akoma më mitike dhe më tragjike në rastin e arbëreshëve, pasi odiseja e tyre nuk e njohu më kurrë rikthimin në Mëmëdhe. Është ëndrra që ata nuk mundën të ëndërritnin , e cila mbart ende kujtimet e pëtej Adriatikut, pasi atje lanë Laertët që nuk i panë më kurrë bijtë e tyre. Është pengu i tyre i përhershëm, ndaj edhe ardhja e poetit në Shqipëri përshkruhet prej tij si një emocion i papërshkrueshëm.

Fryma që e mbështjell është afshi stërgjyshor që rri pezull në qiejt e mallit për bijtë që ikën dhe mbyllën sytë larg tokës së tyre. Odisetë që nuk e panë më kurrë Itakën, në këtë rast Trojet e tyre. Ndaj themi se në poezinë e Di Maxhos, Itaka shfaqet troll përjetësisht i pranishëm, përkatësisht, shfaqet përjetësisht troll i pagjetur.

Miti i Laertit del po aq i përmbysur sa ai i Odisesë, duke bërë që këto dy mite të gjenerojnë brenda një miti të vetëm, duke lindur atë që mund ta quajmë Miti i Ikanakut. Ikanaku në lirikën e poetit tonë është trashëgimtar i vajit të braktisjes. “Itaka e braktisur na bën të qajmë/ E vajin e braktisjes ua lëmë bijve trashëgim”. Në poezinë e Mario Belizzit, Miti i Ikanakut përthyhet në Mitin e se Bukurës More.

Edhe për këtë poet, moti i largimit nga trojet e të parëve ishte një fat i ogurzi. “Popo çë fati i lig/të humbën meqenëse nuk frynte voreja!” Por ironia e këtij fati në poezinë e Belizzit qëndron në përsëritjen e historisë për shqiptarët. Kështu shohim se E Bukura More nga njëra anë dhe Moti nga ana tjetër shndërrohen në dy simbolet bërthamë të poezisë së tij.

Simboli i Motit, disa herë i përsëritshëm përgjatë teksteve të tij poetike është dhe çelësi për t’i zbërthyer këto të fundit. Kjo përsëritje nuk është gjë tjetër veçse, ardhja e të njëjtit fat në periudha të ndryshme të historisë së kombit shqiptar. Janë lindjet dramatike të atyre hapësirave që poeti tjetër Di Maxho i pagëzon me emrin “atdherave të shumta tona”. Më shume se sa një emër, ky përcaktim do të ishte një gjetje gjeniale për ndonjërën nga aktet e dramës “Shqipëria”.

Në esenë e tij me titull “Gjeo-poezi mërgimesh të pandalshme nga Historia në eterotopi” Mario Belizzi shkruan: “Topos-e që shkatërrojnë sintaksën dhe pjellin Arbëri të tjera në Gjermani, në Zvicër, në Amerikë, …një farë eterotopie. Nuk dimë më as cili të ketë qenë vendi i nisjes së tyre, as ai i arritjes, Shqipëria e tyre e Arbëria e tyre, aq më pak cila është “e Bukura Moré” e të mërguarve shqiptarë, kosovarë që jetojnë në Gjermani, Zvicër, në botë; cila është krahina e tyre e shpirtit”.

Kjo ese është një çelës i mrekullueshëm për të depërtuar në poezinë e Belizzit, pasi aty gjejmë limfën e korpusit të tij poetik. Këto Arbëri që lindin pas eksodesh të njëpasnjëshme, përveçse janë drama më e madhe e popullit shqiptar, kërcënohen edhe nga një tjetër rrezik në kohën e sotme të globalizmit: kërcënimi i bjerrjes së tyre në grackën e një dukurie të tillë si eterotopizmi.

“Gjitonitë – eshtra të bardhë fluturash
- shpërngulen ndaj gjeografive të tjera.
Unë e di pse i pagjumë
dëgjova lehmitë e qenve dhe zërin vajtues e qyqeve
më të thekët në thellësinë e Motit”.
“Nga pesë shekuj i njëjti pathos
i njëjti ritëm të foljes bukë.
O e Bukura More që kur të lashë, kurrë më s’të pashë!
Të Bukurën More kërkojmë ende, unë dhe Zefi,
tokë e lashtë mërgimesh të pandalshme”.

A do të jenë marrëdhëniet me gjitonitë e reja, një rrezik për bjerrjen e etnisë shqiptare? Pasi siç nënvizon poeti teksa i referohet C. Magris-it: ‘Odisea’ është një udhëtim drejt pafundësisë në zbrazëti, i një njeriu që nuk gjen më rrugën e tij e, duke ndërruar thellë fizionominë e vet, bëhet një tjetër pa më tipare vetjake”.

Urojmë që me odisetë e shqiptarëve në kohën e globalizmit të mos ndodhë ky fenomen! Koha do të jetë dëshmitarja më e pamëshirshme… Koncepti i Lirisë është një tjetër karakteristikë e rëndësishme në poezinë e Di Maxhos dhe Mario Belizzit. Spastrimi enik ndaj popullit shqiptar të Kosovës merr përmasa gati apokaliptike në krijimtarinë e poetëve arbëreshë. Në vargjet e tyre shkrihen në një simbiozë të mrekullueshme pikëllimi i thellë dhe ironia ndaj luftës si akti më çnjerëzor.

Sidomos në poezitë e Di Maxhos ironia merr përmasat e sarkazmës, teksa përshkruan ditët e përgjakura të vitit 1999, ku të duket se Njeriu ka vdekur brenda atyre që i shkaktojnë këto tragjedi dhe në shpirtin e tyre jeton tashmë Ulku. Pashpirtmëria ka zënë rrënjë të thella në ndërgjegjet e tyre prej njerëzish barbarë dhe ka lindur në trupin dhe mendjet e tyre të mbrapshta instinktet e shtazës! Ironi e hidhur në agimet e kohëve moderne, në prag të mijëvjeçarit të tretë, ku trumbetohet me zë të lartë për paqe e vëllazëri ndërmjet popujve, dhe mbahen sa e sa ligjërata kundër fenomenit të racizmit.

Konfigurimi i atdheut në poezinë bashkëkohore arbëreshe

Kjo është koha e humanizmit të Antinjeriut dhe “koha moderne” nuk qenka gjë tjetër veçse një simotër e Mesjetës së Hershme! “Çfarë loje është kjo e ulkut që pi/në mal e të fajëson sei turbullon ujin/që ti në luginë prek kalimthi me buzët pa gjak” “Mesjeta e Hershme kthehet e barbarët/ngejnë doll/me kupat-kafkat e kosovarëve” Në këtë kontekst, liria në poezinë e Di Maxhos shndërrohet në dimensonin e katërt të mijëvjeçarit të tretë,dimensionin më jetik të tij.

Ditët apokaliptike të vitit 1999 nuk duhet të përsëriten më në asnjë vend, në asnjë komb, pasi siç shkruan me dhimbje therëse poeti tjetër Mario Belizzi: “Vetëm në Prekaz shkëlqente drita e atyre diamantëve/dhe në Rrotën e Kohës jeta hidhte valle me Vdekjen”. Asnjë Prekaz tjetër më në hartën e botës! “Jeta është jetë jetoje” apelon në këtë shekull luftërash dhe tragjedish të tmerrshme Gonxhe Bojaxhiu.

Mesazh që duhet ta kuptojnë të gjithë njerëzit, të gjithë popujt, pasi jo rastësisht Zoti zgjodhi për ambasadore të paqes në botë, bijën e një populli, të cilit ndër shekuj i është mohuar padrejtësisht paqja! Politikat ndërkombëtare duhet t’i peshojnë më me maturi çështjet e kufijve, duke mos lejuar atë që ka thënë njëqind vjet më parë Ismail Bej Vlora se “Fatet e kombeve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”. Për ironinë e hidhur të fatit vazhdojmë të jemi ende një kombi copëtuar, por nuk ka për të dalë kurrë askush që t’u vërë kufij zemrave tona!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!