AGRON TUFA – MBIJETESA E POEZISË (ese)

AGRON TUFA – MBIJETESA E POEZISË (ese)
AGRON TUFA

MBIJETESA E POEZISË

ese

Si për të sfiduar të vërtetën e një vargu të Bertold Brehtit – Është kohë e keqe për lirikën, – poezia ka vazhduar të shkruhet edhe para, edhe pas poetit gjerman. Edhe në kasaphana të mëdha, edhe në paqen e plogët e vanitoze të shekujve të qetë. Madje kanë qenë pikërisht këto epoka me bollëk e mirëqenie që na janë shfaqur me një zemër më të ndjeshme e lot, më të dhimbshme se gjyshet më sentimentale.

Por a është menjëmend, siç qe shprehur Brehti, “kohë e keqe për lirikën”? Nuk është vetëm imazhi dhe atmosfera e petaleve të brishta të lulekumbullave, të cilat e thellojnë raportin tëhuajësues në ajrin e nginjur me kutërbim të athët baruti; nuk është shkëlqimi i bajonetave, as i të shtënave të largëta të artilerisë dhe uturimës së kamionëve të luftës; pra, nuk janë vetëm këto peizazhe mortore që e bëjnë të pamundur kohën e lirikës, krejt ashtu siç e ndiente poeti gjerman. Bertold Brehti nuk kishte si t’i parashikonte kohërat tona, që e vrasin jo më pak lirikën.

Sepse armiqtë e saj janë shtuar e shtohen dita-ditës në masën e topitjes së shqisave të qytetërimit tonë; në masën e parajsave përtace të konsumit; në masën e vdekjes së ndjenjave autentike të përvujtnisë dhe përgjegjësisë.

Armiqtë e poezisë shtohen përditë, e shpeshherë, brenda vetë “dashamirëve” të saj, të cilët me buzëqeshje recitojnë poezi, shkruajnë ndonjëherë vargje, botojnë dhe e ligjërojnë atë. Por që të gjithë, pas shpinës së saj, ngrenë dorën me kamën, si dora vdekjeprurëse e Brutit mbi Cezarin.

Armiqtë e poezisë shtohen përditë dhe rreziku me të cilin përballet ajo bëhet përditë e më i vështirë, ashtu sikurse bëhet më e vështirë qëndresa e organizmit njerëzor përballë viruseve të reja. Poezisë nuk i duhet më të luftojë vetëm me armiqtë e saj të vjetër – shtetin, diktaturat, muzën e vënë në shërbim të ideologjive, burokracive dhe morgut të studiuesve e lektorëve nëpër universitete.

Poezisë i duhet të përballojë mefshtësinë dhe përtacinë shpirtërore të ferrit komunikativ bashkëkohor. Poezisë i duhet të luftojë me informacionin dhe automatizimin e
shpirtit njerëzor, me gjithë atë masë të trashë viskoze që izolon shqisat tona për ndjenjën e perspektivës dhe projektimit tonë në të Vërtetat e Epërme.

Poezisë i duhet të mbijetojë vetveten. Të shpikë format e mbijetesës së saj. Të gjejë aleatët e një gjaku me të. Të heshtë, të ruajë higjienën e saj, të ëndërrojë e strukur në zhguallin e saj më të thellë. Poezisë i duhet të jetë më e guximshme se vetë ndërgjegjja e flijimit.

Poezia sot duhet të dëshmojë se nuk është dobësi, siç mendon turma e pamend. Nuk është çmenduri, siç beson turma e panerv. Nuk është humbje kohe, siç mendon turma e pakohë. Nuk është e padobishme dhe praktike, siç mendon turma grykëse dhe anonime.

Të gjithë poetët e njëmendët që i shërbejnë tempullit të vet, vetvetes në radhë të parë, përnaltësojnë atë ngrehinë të shenjtë që Hyu e krijoi prej balte dhe qielli, harmonizojnë idenë e Demiurgut mbi trupin dhe shpirtin njerëzor, unitetin e lashtë trup-e-shpirt. Përndryshe, ata neutralizojnë vërshimin dhe marrjen përpjetë të një zanafille mbi tjetrën.

Mbijetesa e poezisë

Nga na vjen kjo bezdisje dhe kjo vrajë në shpirt ne, bashkëkohësve që jemi rritur me Homerin, Katulin, Danten, Pushkinin apo Montalen? Sepse motivi i të gjitha lëvizjeve dhe rraskapitjeve të përditshmërisë sonë përreth nesh ka një origjinë trupore. Trupi është bërë idoli i ri, idhujtaria e re.
Poezisë i duhet të mbijetojë në një garë të pabarabartë realitetesh të ashpra e agresive. Rruga e saj duhet të kalojë në shmang, si rruga e oshënarit, jashtë kompromiseve dhe kompromentimeve. Rruga e saj është sakrifica, askeza, karantina, që garanton pastërtinë e llojit.

Poezia duhet të shpëtojë zërin e vet, kordat e këtij zëri, instrumentet që e nxjerrin atë nga memecëria, thënë në një formë më të thjeshtë – gjuhën, e cila, para se të bëhet dallëndyshe e zezë që kapërcen ujërat e Stiksit për në Had (para se të shndërrohet thjesht një hije, një lëmsh i zi sa një grusht, një mellan terrinë që përhapet tejendanë), ajo duhet të vdesë më parë si gjuhë. Gjuha pra, vdes nga shterpësia dhe paaftësia e prodhimit të dy-tri imazheve që, të kombinuara me alkiminë e fjalës, përbëjnë qarkun elektrik të poezisë.

Fjala i ka të gjitha zonat gjeologjike të shekujve që kaluan, apo, siç thotë Osip Mandelshtami, “të gjithë frymën e lashtë e të re të epokave”. Por fjala po shndërrohet në një bar fals të përtacisë sonë mendore dhe të plogështisë sonë shpirtërore. Fjala është e paaftë më të shenjojë diç menjëmend të vërtetë, që të na rrëqethë dhe të na trandë themelet e qenies sonë të dembelosur, të na shkundullojë qenien tonë me gjithë zinxhirin e shkaqeve dhe pasojave. Fjala s’ka ç’t’i thotë imagjinatës sonë të thatë. Ajo e ka humbur “petkun e saj mbretëror” dhe, duke mos bërë jetë origjinale e të papërsëritshme, i shëmbëllen veshjes së stisur ekzibicioniste të një lavireje.

Fjalët nuk e ndryjnë më vullnetin pëlcitës dhe urinë për realitete të reja, të mistershme, por paraqesin urnën me hirin e një të vdekuri qyshkur. Fjala është e stërfryrë me realitete horizontale. E stërfryrë dhe e flluskët, ajo pëlcet, bën spektakël në sipërfaqe, duke shprazur gjithandej jetëra parazitare nomadësh, fise endacake bjerraditësish, fantazma ekzotike kuptimesh.

Poezia duhet të shpëtojë gjuhën dhe përmes saj, vetveten. Sepse e vetmja mundësi shpëtimi e gjuhës është poezia. Jo format e vetëshprehjes naive e megalomane, jo nevojat sublimuese që e shpërdorojnë po njësoj fjalën dhe, aspak jo, vesi pervers i onanizmit populist a çikërrimtar me fjalën. Poezia njësoj vritet si nga keqkuptimi i pandërgjegjshëm me të, si nga keqkuptimet tragjike e të ndërgjegjshme.

Por pavarësisht se poezisë i shtohen ditë për ditë armiq të rinj; pavarësisht se bota skematizohet në një inxhinieri imazhesh të gatshme me parafabrikate fjalësh; pavarësisht se gjuha i është nënshtruar një linje robëruese manifakture dhe se produktet e saj paraqesin konstrukte të montueshme e të çmontueshme lodrash virtuale, – diku, në një plasaritje të përditshmërisë sonë fizike, për një grimëkohë të beftë përshkon vetëtimë qiellin tonë mërzimadh ajo, poezia e vërtetë. Saora, aq sa zgjat intervali i blicit të një fotoaparati, rishfaqet drita e shkrepjes së saj për të na kujtuar se çfarë kemi humbur, për të shkëputur në atë kohëshkrepje tërë “radiografinë” e shpirtit tonë të sëmurë.

Edhe kaq mjafton për bindjen tonë, se gjithmonë poezia do të ketë mbrojtësit e saj, se muza e saj, që u ka mbijetuar ditëve të luftës, do të dijë të mbijetojë edhe në ditët vdekjeprurëse të paqes.

Pasthënie e vëllimit poetik “Fragmentet e Gjësë”, OM, Prishtinë, 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!