AGRON TUFA – RUDIANI I ERRËT

AGRON TUFA – RUDIANI I ERRËT
AGRON TUFA

RUDIANI I ERRËT

Është shumë e vështirë të flasësh për poezinë në përgjithësi, por për poezinë e Rudian Zekthit kjo bëhet thuajse e pamundur. Kjo – ngase lipset një gjuhë tjetër, e cila të komentojë të pakomentueshmen, proceset e ndërlikuara që shkaktojnë ndërmendjet, aludimet dhe referencat e dendura nga kultura dhe gjenealogjia e saj: lypset të shpiket, siç e dimë, një mbigjuhë, e cila të jetë në gjendje të shpjegojë një gjuhë që nuk është gjuha jonë e përditshme, që është dhe s’është ajo gjuhë që njohim. Pra lypset një metagjuhë për poezinë, e cila për rastin e poezisë së Zekthit, prapë nuk është ngushëlluese.

Që nga viti 1990 kur botoi ciklin e parë në “Zëri i Rinisë”, kohë që përkon edhe me libërthin e tij të parë – “Poezi” (Elbasan, 1990) – gjer në përmbledhjen prej 26 poezish-poemtha “Poezi” (“Marin Barleti”, 1995), sikundërse edhe në prozat e tij të shkurtra ose novelëzat didaktike – poezia e Zekthit vetëmse e ka dendësuar atmosferën e mistikës gjuhësore. Është kjo atmosferë që i përjashton lexuesit e sipërfaqshëm, duke ua lënë këtë privilegj vetëm një numri të kufizuar lexuesish, kryesisht poetëve. A nuk është ky një ndër tiparet që i kanë shoqëruar avangardistët në krye të çdo lloj lëvizjeje apo rryme? Avangardizmi i tij përqendrohet kryesisht në procedetë e tij me gjuhën dhe vizionin, duke e radikalizuar procedimin në tre sfera të shprehjes poetike: në formë (sintaksë), përmbajtje (semantikë) dhe pragmatikë (demonstrimi i risisë si gjuhë në veprim). Kjo e vështirëson komunikimin, po të marrim parasysh se lexuesi ynë vjen prej përvojash leximore jo ekstremale. Si një nga poetët më të spikatur të avanguardës së viteve nëntëdhjetë, krijimtaria e Zekthit dallon qysh në fillimet e saj për metaforën e zgjatur, ambivalente dhe asketike, e cila shpesh herë kalon në alegori. Njësia e poezisë së tij bie menjëherë në sy për sintaksën tejet të koklavitur, ndërsa semantikisht ajo është e nginjur përplot asociacione verbale, abstrakte me arketipe të pavetëdijes kolektive, duke krijuar kësisoj, tablo surreale, makthe, nonsense, por edhe mikrodrama lirike, ku të gjitha komponentët – përfshij dhe sendorësinë – bashkëveprojnë sipas një logjike ankthi, vegmi e ëndrre. Maniera stilistike e Zekthit për t’i vënë në një rrafsh të ndërsjelltë veprimi gjësendet e perceptueshme me ato abstrakte e mistifikon kodin komunikativ dhe e bën ligjëratën poetike të ngjashme, herë me fragmentet e teksteve të lashta apokrifike, herë me procedurat verbale të alkimistëve.

Letërsia, ashtu si dhe matematika, është gjuhë – dhe gjuha në vetvete nuk reprezanton asnjë të vërtetë, anipse ajo mund të përftojë mjete për shprehjen e një sasie të panumrt të vërtetash. Prandaj teksti letrar e ka në natyrën e vet tautologjizmin: ai shenjon vetveten. Simboli poetik, në thelb, shenjon vetveten, në lidhje me një veprë të dhënë poetike. Kur e pyesin poetin se çfarë ka dashur të thotë në x element të veprës së tij, ai gjithnjë duhet të përgjigjet: “domethënia e tij është – të jetë një element i veprës”. Struktura e poemthave të Rudian Zekthit paraqet një ngrehinë të studiuar matematikisht, brenda së cilës kemi lëvizje konceptesh metafizike, herë natyrshëm e herë sforcueshëm, por me synimin për t’u realizuar në një tërësi të vetme ku vizualja dhe verbalja të shenjojnë, sipas Mihaill Bahtinit, një kronotop të përbashkët. Këtu personazhi kryesor – Gjuha, e ngjashme me gjeometrin K të romanit “Kështjella” të Kafkës, bën çape sizifiane në gjakim për të rrokur të parrokshmen – energjinë ejdosiane të fjalës me derivatet e saj, zigzaket, hijezimet, asociacionet – të gjitha këto, të përllogaritura me një mastrar magjistari: kësodore logjikja me alogjiken identifikojnë njëra-tjetrën në funksion të tërësisë poetike. Ajo që e vështirëson komunikimin e lexuesit e poezisë së Zekthit është shkapërcimi abstrakt alogjik dhe karakteri fragmentar i vargut, i cili bën dendur aludime të brendshme eksplicite me citime, duke i dhënë poezisë ngjyresë të theksuar fantastike.

Së këndejmi shpjegohet dhe fakti që leximi i parë dhe i dytë i teksteve të tij, të lë mbresa të ndryshme; se nën leximin e dytë identifikimi tashmë është i pamundur dhe leximi shndërrohet pashmangshëm në metalexim. Nisur nga këto cilësi të poetikës së tij, më pëlqen ta quaj “Rudiani i errët”, sikundër thonin bashkëkohësit antikë për fragmentet e Heraklitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!