ARSHI PIPA – KONCEPTI I SË VËRTETËS
ARSHI PIPA
KONCEPTI I SË VËRTETËS
E vërteta është një proces që bëhet mendim me anë të veprimit, për mendimin e veprimin.
Mendimi dhe veprimi janë së pari mendimi im dhe veprimi im.
E vërteta nuk fitohet, nuk dhurohet.
E vërteta nuk është një send drejt të cilit lëviz një tjetër send, deri sa të arrijë ta përqafojë për një kohë të gjatë, të pandërprerë. Përqafim ka, sigurisht, por është një përqafim i atij që bën për vete një qenie të gjallë ose, së paku, të lëvizshme, një përqafim regëtues epshi i një çasti, që, sapo të shuhet, do të rilindë si dëshirë për një përqafim tjetër. E vërteta nuk është një objekt fiks ku drejtohet shigjeta e mendimit tim; do të ishte shumë e lehtë që ta arrija. Ajo është një objekt i lëvizshëm që nuk qëndron kurrë në një vend; edhe po të qëndrojë pa lëvizur për një çast, e bën vetëm për të më dhënë iluzionin e palëvizshmërisë, që të më joshë për t’i rendur përsëri pas. Madje, shpesh, nuk është aspak një objekt, por është një subjekt, sikurse unë, një shigjetë më shumë ose më pak e shpejtë, fshikulluese në drejtimin tim.
E vërteta fitohet në luftën ndërmjet meje dhe një tjetri. Sa më e vështirë, sa më impenjuese të jetë kjo luftë, aq më tepër jeton dhe ndrit e vërteta. Po të zbutet lufta, kjo e vërtetë bëhet më e zbehtë, më e shuar. Kurse, po të ofrohet në mënyrë pasive, pa asnjë mundim nga ana ime, atëherë çfarë kam zotëruar unë në këtë rast? Një trup të vdekur: jo të vërtetën, por hijen e saj.
Mendimi e gjen të vërtetën e vet në kontrast me të vërtetën e një mendimi tjetër. Vetëm me kundërvënien ai ndërgjegjësohet për veten. Duhet zgjedhur një kundërshtar për ta luftuar dhe për ta kapërcyer. Mundet që kundërshtari të jetë më i fortë dhe unë të dal i mundur. Po ç’rëndësi ka? Mos kam besuar unë se do të fitoja gjithmonë, pa u mundur asnjëherë? Keq, shumë keq e kam kuptuar atëherë domethënien e jetës. Vetëm nëpërmjet humbjeve mund të arrihet te fitorja. E vërteta ime ka rezultuar e gabuar? Nuk është rasti të shkurajohem. Gabimi është vetë tharmi i së vërtetës: të vërtetën time do ta krijoj duke korrigjuar gabimet dhe duke i kapërcyer ata. Guxim pra! Duhet të kem guxim, shumë guxim për ta arritur të vërtetën. Duhet guxim për të kërkuar të vërtetën, ashtu si duhet për ta thënë, ashtu si duhet për ta mbrojtur. Dhe, a nuk është maksimumi i guximit që të pranosh gabimin tënd? Një element guximi i domosdoshëm për ta ndërtuar të vërtetën.
Po si do ta kem këtë guxim? Do ta kem po të mos kem besim te vetja, po të besoj me të gjitha forcat e mia atë që kërkoj, në atë që krijoj, në atë që bëj. Besimi është kusht i guximit, ashtu sikurse guximi është kusht i fitores. Po të nisem me zemër të ngrirë, me krimbin e dyshimit brenda saj, nuk do të arrij kurrë asgjë pozitive. Dyshimi duhet të më shoqërojë, por ashtu si hija shoqëron udhëtarin, si dyshimi im pra, si projektimi i besimit tim para dhe prapa meje, si nevojë për të matur hapat e mi, për të mos shpërdoruar energjitë e mia kot. Ky dyshim, si një moment kritik brenda mendimit tim, është i justifikueshëm, madje i kërkuar. Por, jo përtej këtij kufiri. Ai nuk duhet të më paraprijë si hija që nuk është e imja, si hija “në vetvete”, të cilën unë e ndjek dhe nuk mund ta arrij kurrë. Nëse dyshimi do të shfaqet larg nga mendimi im, unë do të jem i humbur, asnjë përpjekje nuk do të ma zhdukë, meqenëse unë e kam imagjinuar jashtë meje, përtej meje.
E vërteta, konceptin e së cilës e skicova, nuk është sigurisht e Vërteta, në kuptimin e një gjëje të arrirë “ad aeterno”, që unë duhet ta gjej të njëllojtë tek unë dhe te të tjerët, në çdo subjekt që mendon. Kjo lloj e vërtete transcendentale ngjason shumë me Zotin e fesë. Jo, e vërteta, para së gjithash është personale, është e imja, është jotja, është fitore e personit njerëzor dhe, pra, është njerëzore.
Por, pikërisht për këtë arsye, e vërteta nuk mund të jetë ekskluzivitet, në kuptimin se ajo duhet të jetë vetëm e imja ose e jotja dhe e askujt tjetër. Kush mendon se vetëm ai është zotërues i së vërtetës, ndërsa gjithë të tjerët që nuk e mendojnë si ai gabohen, ai jep provë intolerance. Mirëpo, e vërteta është tolerante. Ajo asnjëherë nuk do t’i kapërcejë kufijtë e tolerancës për të kaluar në dogmatizëm. Dogmatizmi është binjak me fanatizmin. Mendja ;që nuk arrin t’u njohë të tjerëve të drejtën e së vërtetës së tyre, është e dënuar që të mos e prekë kurrë të vërtetën e saj. Nëse dua të respektohem, do të filloj të respektoj të tjerët.
Por, nëse e vërteta është personale, ajo nuk do të jetë, për këtë arsye, edhe individuale: ajo është imja, jotja, por jo vetëm imja dhe jotja. Dhe nuk është as e vërteta njerëzore, në kuptimin se është vetëm e njeriut dhe e asnjë qenieje tjetër jashtë tij. E vërteta ime plotëson tënden dhe e vërteta e njeriut plotëson atë të një qenieje tjetër racionale. Shuma e të gjitha të vërtetave individuale fuqizon të vërtetën njerëzore dhe e vërteta njerëzore, bashkë me atë të çdo lloj specieje të arsyeshme të mundshme, fuqizon të vërtetën universale.
Por kjo është njëra nga përmasat e së vërtetës, ajo që ka të bëjë me shtrirjen e saj në hapësirë dhe në kohë. Mirëpo ka një përmasë tjetër të së vërtetës, sipas së cilës ajo paraqitet jo më si një shumë të vërtetash të veçanta, por si një harmoni vlerash. Gjithçka që ekziston ka një vlerë, por vlerat vendosen në hierarki rreth një vlere themelore. Një e vërtetë njerëzore është e vërteta e një vlere. E vërteta njerëzore do të jetë tërësia harmonike e të gjitha vlerave. E vërteta njerëzore do të jetë integrale.
E vërteta, pra, nuk është bërë, por duke u bërë, jo e përfunduar, por duke u përfunduar. Sado që unë të mundohem të arrij një të vërtetë që të më kënaqë njëherë e përgjithmonë, nuk do ta arrij kurrë; pas çdo çasti vërtetësie, do të vijë një çast tjetër, më i përparuar, më i pasur. Një e vërtetë që të më kënaqte njëherë e përgjithmonë do të ishte mohimi i përsosmërisë sime të mëtejshme, do të ishte fundi i jetës së mendimit.
Unë mund të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi. Kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime më absolute. E, tashti që kuptoj se ligji i mendimit është të bërit e tij në vazhdimësi, duke pasur momente ndalese si të përfunduara, unë nuk mundem në asnjë mënyrë t’i shmangem këtij ligji. Është interesi im më i lartë ai që më shtyn t’i kundërvihem me të gjitha forcat çdo përpjekjeje, në çfarëdo forme që kjo të jetë e maskuar, për ta penguar, ose për ta mohuar këtë ligj. Edhe nga vetë jeta do të jem gati të heq dorë, nëse ajo arrin t’i kundërvihet ligjit thelbësor të mendimit. Çfarë vlere mund të ketë një jetë që nënvleftëson, korrupton, vret mendimin tim? Një jetë e tillë shëmbëllen me sëmundjen që shkatërron shëndetin. Unë flas këtu për shëndetin e shpirtit, të cilit duhet6 t’i nënshtrohet çdo shëndet tjetër. Edhe pse e di mirë që shëndeti i shpirtit kushtëzohet nga ai i trupit, megjithatë, jam i prirë ta gjykoj inferioren nga pikëpamja e superiores dhe jo anasjellas.
Nëse tani mendoj të nxjerr përfundimet për çka parashtrova më sipër, gjej që e vërteta, të cilën jam duke e kërkuar, bëhet në kohë e hapësirë, dhe, prandaj, ajo është e natyrës historike. Duke qenë se historia është mendim i çdo forme të mundshme të eksperiencës, unë do të kërkoj, së pari, të përvijoj format e ndryshme themelore, të dalloj përmbajtjen e njërës nga përmbajtja e tjetrës, të kap ligjet specifike që kryesojnë eksperiencat që përmbajnë, dhe të gjej më në fund marrëdhëniet dhe lidhjet mes tyre. Nuk do t’i shkoj në fund, sigurisht, përshkrimit të veçorive, ky është objekt i historisë, jo i filozofisë së historisë. Filozofia ka si fushë të vetën vetëm mendimin e formave të ndryshme ku shfaqet shpirti, si teori dhe si praktikë, si soditje e si besim, duke dhënë për secilën fizionominë e veçantë dhe duke e përfshirë në sintezën unitare të shpirtit. Është e qartë që, në secilën prej tyre, filozofia do të gjejë një vulë të njëjtë vërtetësie, që ndryshon vetëm për sa i përket shkallës e formës me të cilën shpirti vulos të gjitha shfaqjet e veta.
Do të jetë detyrë e saj që të vërë në dukje analogjitë dhe t’i rendisë sipas një filli logjik që nuk mund të mungojë. Filozofia nuk mund të jetë tjetër, përpos filozofi e mendimit. Duke u nisur nga mendimi, ajo do të përshkojë të gjithë fushën e realitetit për të arritur përsëri te mendimi. Ajo që është e rëndësishme këtu, është pikënisja dhe drejtimi i saj. Suksesi i filozofisë do të varet shumë nga metoda e saj. Sigurisht, nga cilado pikë që të niset, mjafton që kjo të jetë e vendosur në mendimin (vetëm naivët mund të mendojnë ndryshe), do të arrihet tek e vërteta. Por kjo e vërtetë do të jetë më pak universale, më pak integrale se sa ajo që do të arrihet duke nisur nga pika e saktë, e cila mund të jetë veçse unike. Ekziston vetëm një mundësi, që distanca ndërmjet dy pikave të jetë më e shkurtra, ekziston vetëm një metodë me të cilën mund të arrihet maksimumi i mundshëm i së vërtetës.
Le ta provojmë këtë metodë. Shumë të tjerë, përpara meje, mendje të shquara, në krahasim me të cilat kjo imja është e parëndësishme, janë përpjekur me më shumë ose më pak fat. A do të arrij më pak se ata? A do të dështoj krejtësisht? S’ka rëndësi. Nëse nuk do të kem arritur maksimumin e mundshëm të së vërtetës – për këtë as që ëndërroj – edhe po të mos kem kapur shumë prej saj, të paktën do të kem fituar të vërtetën time.
Shkëputur nga “Skicë e një konceptimi mbi jetën”