Arshi Pipa – PËR NJI KRITIKË LETRARE

Arshi Pipa – PËR NJI KRITIKË LETRARE
Arshi Pipa

PËR NJI KRITIKË LETRARE*

Mungesa e nji kritike të vërtetë tek neve asht shkaku përmbledhës i pa-siguris letrare në të cilën endè ndodhemi e i gabimeve të gjykimeve t’ona vleftësuese. Do të thohet: letratyra e jonë asht e ré dhe e kufizueme, e zakonisht kritika zhvillohet mbas nji periode pjekunije o së pakut mbas nji prodhimi letrar të mjaftueshëm. Ka kohë për kritikë, mundet me shtue ndokush, tash nji herë të pjellim sa ma tepër, të grumbullojmë landë, kritika vjen vetiu ma vonë, ajo asht nevojë qi shfaqet në kohen e duhun me saktësi matematike.

Zanet t’ona në kët rasë do të dukeshin trazuese të kota, o, ma zí, të damshme. Pse çka asht ma e damshme se me ndalë hovet e dalldisuna qi na premtojnë me siguri kapjen e qiellnave, çka asht ma e damshme se me vue pengesa ndër vrapimet e fuqishme kah caqet e lakmueme?

Por kritika nuk don me qenë pengesë e as új i pa mëshirshëm qi hiedhet në zjarrin e dalldisjes. Don me qenë vetëm drejtuese e ndriçuese. Ambicja e vetme e kritikës asht vetë ideali i veprimevet: sigurija, persosmënija, fryti i tyne. Kritika asht matja, asht pesha e nji prodhimit spiritual, asht shkurt bota e vlerave. E në qoftë se ndonji herë përgjegja e sajë asht mohuese e e vrashtë, asht kot me i u rebelue, njisoj si me i u rebelue vendimeve të preme të nji gjyqtarit të pa gabueshëm.

Por ktu asht prekë nji pikë themelore: Për qi kritika të ketë kët dinjitet duhet qi ajo të mos t’a trathtojë vetvehten, duhet të tregohet e zonja për me fitue pëlqimin e mendjeve qi e kanë vendue ate mbi atë fron aq të naltë. Kritika vlen deri sa përmbushë nji mision spiritual e në botën e spiritualitetit nuk mund të flitet veç se për vlera absolute e universale. Në kët kuptim kritika unjisohet me vetë filosofin. E kështu kritika e artit nuk asht tjetër veç se filosofija e artit.

Nji herë tjetër kemi me e zhdrivillue ma thellë kuptimin e kritikës artistike. Sot deshtme vetëm me e shtrue bisedën. E kjo hyemje ishte e nevojshme për mos me lanë të lindin qysh në fillim keq-kuptìme në qëllimet e kritikës s’onë.

Nevoja e nji kritike të ktillë shifet tash qartazi e kurkush nuk mund t’a vej në dyshim frytin e saj shum të madh. Por deri tashti a kemi pasë na me të vërtetë nji kritikë artistike? Jo, absloutisht jo. E jo vetëm qi nuk kemi pasë nji kritikë artistike, por as së pakut nji kritikë letrare. E jo vetëm qi nuk kemi pasë nji kritikë sistematike letrare, por as tentativa serioze letrare të pjestueme.

Po spjegohemi: Jemi nji ndër popujt ma të vorfen në pikpamjen artistike. Ndër llojet e shumta të artit historija e jonë kufizohet ke letërsija. Piktura, skulptura, muzika janë aq të lanuna sa mund të përfshihen nën emnin e përgjithshëm të arteve primitive. E mbasi artet e ndryshme influencojnë njeni tjetrin kuptohet lehtazi pse edhe letërsija e jonë asht aq fminore. Kjo mbrapambetje e artit tek neve spjegohet, përveç se me temperamentin t’onë fisi Ballkanas, me qyshket e hidhuna të së kalumes s’onë: Çdo art presupozon nji pregatitje shpirtnore të arrijtun, nji kulturë të shëndoshë. Kjo n’anë të vet presupozon nji vetëdije të qartë të mundësive e të fuqive kombëtare. E na si komb jemi formue dje.

Thojshim se na mungon nji kritikë letrare sistematike. E njimend deri tashti asnji punë serioze nuk asht ba rreth historis së letratyrës Shqiptare. I gjith përfundimi mbetet ke ndonji libër i gjymët profesori e ke do fleta të shtampueme ngutsisht për nevojat shkollore. Edhe ktu si ndër anët tjera punimet ma të mira janë të bame prej të huejsh.

Për nji kritikë letrare
Pasqyra e lëndës e numrit 2-3 të revistës “Shkëndija”,
ku ky punim i Pipë
s u botua për herë të parë

Nuk kërkojmë me përdhuni, nuk kërkojmë qi të dali pa i i ardhë koha nji De Sanctis qi t’i fali Shqipnis monumentin e vet të pa vdekshëm. Por nji seriozitet pune lypet sidoqoftë. E qi ky seriozitet, pengu ma vogël qi mund të kërkohet prej studimtarve, ka mungue, janë provë shkrimet e ndryshme të botueme kohë mbas kohe përmbi kte o ate ndër ma të mdhajt përfaqsuesa të letërsisë s’onë. Përveç ndonji kritike të mirë shum të rrallë, tjera janë kronika të thata, diskutime të kota pa kuptim arti e rreshtime të pa mbarueshme erudicioni e filologije qi ma keq ngatrrojnë gustin e pa prishun të lexuesit.

Çmojmë punen e atyne studimtarve, erudita e filologë, deri sa merren me gjurmimet e monumentave t’onë ma të vjetër, deri sa zbulojnë dokumenta të pa njoftun, e i pasunojnë në kët mënyrë radhat e letratyrës s’onë e ndriçojnë mendet tona me njoftunina të reja. Çmojnë gramatikët e linguistat për frytet e pa-pagueshme qi i kanë sjellë gjuhës s’onë, për zellin e tyne shembulluer në shoshitjet e në caktimet e kufijvet të fjalës. Por nuk njofim të vlefshme mendimet e tyne të pa-organizueme rreth estetikës së letratyrës dhe gjykojmë të gabueshme e kotë përziemjen e tyne në kritiken artistike.

Kritika artistike asht diçka e ndryshme: Nuk asht as erudicion linguistik, as kulturë filologjike, as kronika faktesh artistike të shkoqituna e të skematizueme. Këto kalojnë në radhë të dytë për kritikun e vertetë qi e shikon kritiken letrare si kritikë estetike e përnjiheri kritikë historike.

Qëllimi i vërtetë i kritikës letrare asht me zbulue vleren intrinsekte të shprehjes, me vue në pah bukurin, me e da prej shëmtimit e prej shprehjevet tjera extra-poetik, me studjue se si landa asht ba poezi, me dallue pjesët ku poeti asht poet e ato tjerat (në se janë) ku poeti asht endé njeriu që nuk ka muejtë me u zbulue prej prangavet të pasioneve e m’u naltue me flatrat e poezis. E për me i arrijtë qëllimit duhet qi ma parë të jetë i zoti m’e ripordhue në vetvehte vepren artistike, me e mbrendsue, me e përvehtësue. Vetëm kështu do të mundet me e kuptue. I duhet pra gusti, elementi themeluer i çdo ndërmarrjeje kritike.

Por gusti vetëm nuk mjafton. Gust mundet me pasë edhe nji lexues i thjeshtë. Me gust mund të jemi vetëm lexuesa. Por kritiku i vërtetë ma tepër se lexues, asht historik. Duhet qi konsiderimi i vepres letrare të transportohet në spiritualitetin e artistit. Duhet qi të kuptohet krejt mentaliteti i tij, krejt ambienti i tij, qyshket ndër të cilat ai shkroi, pengesat e jashtme e të mbrendshme qi ai shkaperceu për me e shkrí landen në formen poetike. Arti asht edhe aj nji prodhim i kohës. Nuk mund të kuptojmë kurr nji vepër arti po nuk kuptuem ma parë vetë artistin. Për kte kritika duhet të jetë me deomos historike.

Ktu kemi vizatue vetëm sferen në të cillen duhet të shtjellohet nji kritikë arti e dêjë për kët emën. Vështirsija e saj përban meriten e saj. Mos të goditet Shqiptari prej novitetit të ktij lajmi e as mos të tutet prej vështirsis së nji kritike të tillë : ka ardhë koha tashma me i aklimatizue disa idena të frytshme lindun me idealizmin e sotshëm, ka ardhë tashma koha me qenë ma të çelun kah frymat e nji kulture të re letrare, ma sistematike e ma filosofike.

Ka ardhë koha me na u mbushë mendja nji herë e mirë se letratyra nuk duhet da prej jetës si t’ishte ajo nji mjeshtri, o, ma keq, nji argtim, nji lojë e thjeshtë. Deri sa mos të kuptohet letratyra si nji mënyrë jetese, si nji rrojtje e plotë e e pa pjestueme, e vështirë e madje flijuese, arti nuk asht aj zot i pa-mvarun që pretendon me qenë e rrjedhimi ma i pari asht shterpesija e degeneracioni i tij. Përmbi kët pikë ka m’u dashtë me u insistue shpesh e shpesh.

Por nevoja ma e madhe qi i paraqitet problemit letrar shqiptar asht ri-shikimi i vlerave. Ky problem nuk asht aspak i zgidhun e, çka asht ma zí, ky problem asht i zgidhun keq. Gjykimet e sotshme bazohen ma të shumten ndër gabime trashanike mbi të cilat peshon nji autoritet i pa vuem në dyshim. Nuk mundemi të vijojmë ma me pranue verbësisht traditat e arkivave letrare veç për hater të disa qyshkeve praktike extra-poetike. Me pranue nji flije ose nji zvoglim adhurimi për hir të së vërtetës; me guxue me u shprehë pa paragjykime edhe në se në kët mënyrë i biem ndesh krenaris s’onë kombëtare; me depertue raportet midis poetit e atdhetarit, midis qëllimit  e kufinit estetik të arrijtun; shkurt me da shapin prej sheqerit: qe çka duhet me u ba. Iluzionet në fushen kritike janë po aq të damshme sa gjetiu.

Faqja e pare e "Shkendija" ku u botua punimi i Pipes "Per nji kritike letrare.
Faqja e parë e botimit të parë të këtij punimi

Duhet sidomos me e luftue pa mëshirë dilektantizmin. Damet e tija janë ma të ndíeshme sot qi prodhim letrar asht i shumfishuem në krahazim me vjetet e parandejshme. Në se disa ndërtime të quellta të së kaluemes janë ngurosë tashma e ka me u dhashtë do mundë për me i rrenue, duhet me çelë syt qi ato mos të përsëriten ma. Asht kjo nji detyrë morale kundrejt ardhmenis.

Pse sot ma tepër se kurr, në etin djaloshar për misteret e letratyrës, mund të gabohet. Shpërthimi i përnjihershë i fuqive të reja të nji kombi asht ugúr i mirë për rilindjen e tìj e për fitimin e vetëdijes së vet. Por aj rrebesh forcash asht edhe mjaft domethanës e paralajmues: me të njajten lehtësi të gurgullimit, ato forca munden me u shtrembnue e me u bjerrë.
Gjith aftësija asht me dijtë me i drejtue e me i kanalizue.

E sidomos me i pastrue e me i qirue. Pse jo të gjitha fuqit e sotshme janë të caktueme për thezarin e letërsisë. I riu asht porsi prroni qi don me shfrye dikund, e zakonisht shfren aty ku ka ma pak pengesa, në rasen t’onë medét! në lamen e letratyrës. Nuk asht gja ma e natyrshme se me e çlirue zemren nga pasionet e para në nji copë letër! E përsëri, asht gadi gjithaq e natyrshme me i shikjue shkrimet e veta me sy admirimi për talentin letrar të vetvehtes! Detyra e kritikës asht me zgjue ndër kto mendje të përkulshme djaloshare kontrollin e vetvehtes, masen e forcave të veta, shkurt me pregatitë auto-kritikën.

Nuk i njofim kritikës ndonji ambicje ma të madhe se sa sherbimin qi ajo i ep auto-kritikës. Kjo asht detyra e parë e saja. Detyrë shoqnore e njerzore, moraliteti i së cilës vetëtin në ballin e çdo filosofije të shëndoshë. Kështu kritika letrare skjaron fushen e favorshme në të cilen ka me u formue mentaliteti i letrarit qi përmes sa vetprovimesh arrin në sigurinë e vetvehtes e përnjiherit në kuptimin e dobis së përgjithshme të punës së vet.

Për ksi letrarësh, për ksi artistash kemi nevojë na. Jo për dilektanta qi shkarravisin kot e qi ekspozohen për reklam të vetvehtes. Dilektanta e parasita letrarë ka me pasë gjithmonë (ndoshta edhe janë të nevojshëm!), por numri i tyne ka me shkue tue u rrallue gjithnji ma tepër, pse ka me ardhë dita në të cilen kan me e pa vehten të luhatun ndërmjet qesharaksis e përbuzjes.

Kjo asht kritika letrare qi na kerkojmë. E zanet e tyne – si thojshe në fillim –qi kan me u çue kundërshtarë të ksaj kritike, zanet e atyne qi kan me dashtë nji pjellje (sa pare ban sikur edhe të deshtueme!) letratyre sa ma të bollèkshme, e qi mendojnë me kritere të stervjetrueme se aty ku ka bollèk duhet (!) të ket edhe mall të mirë, se prej gjithasaj egjre ka me dalun mjaft grunë sa me ngi barqet e tyne, atyne zaneve na u përgjegjemi ose tue buzqeshë – e atëherë i falim për injorancën e tyne, e cila e ka fajin qi ata t’a shikjojnë poezin  si nji nevojë barku! –, ose tue i perbuzë, e në kët rasë janë ata vetë dilektantat  e parasitat letrarë qi dojnë me u perzi e me humbë në shumicë, janë egjra qi kerkon me mbytë grunin e frytshem.

Përsërisim për të mbramen herë: letratyra e jonë duhet të pasunohet me nji kriter kualitativ, duhet të ndiqet kamba kambës prej kritikës ma serioze, prej kritikës së vertetë qi asht kritika estetike-historike.

Prej asaj kritike qi asht në kët mënyrë nji provim i vetëdijes.

ARSHI PIPA

* Ky artikull u botua për së pari në numrin 2-3 të revistës “Shkëndija” (gusht-shtator 1941), e cila dilte një herë në dy muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!