ASDRENI – MYSTER (POEZI)
POEZI E BOTUAR (NDOSHTA SË PARI) NË PERIODIKUN “DIALËRIA”, E PËRKOHSHME E SHOQËNISË SË STUDENTËVET SHQIPTARË ALBANIA, VIENË, NË NUMRIN V TË SAJ, VJETI IV, VOLUM II, NR. V, MARS 1928.
ASDRENI
MYSTER !
Nuk di, në trupin t’em në kam
Një shpirt, dikûr që munt ka rrojtur,
Që munt ka qeshur a ka vojtur:
Nuk di, në brumi-i tija jam!
E shoh, e ndjenj se si levis
Njê frymë tjetër, frym’e huaj;
Lirisht kur dua që të luaj
Më vênd më mban gjêsend po nis!
I zoti s’jam që t’a kuptonj
Në trut’e mij sadô kulluar,
Fuqi t’a njoh s’më rri nër duar:
Përbrênda ç’kam t’a përjashtonj!
Ky shpirt që gjakun m’a pushton
Nuk di, ç’krijesë vall ka qênë;
Nj’i pasur a po nj’i pa ngrênë
A një që botën njohu von!
Nuk di, në mbret ka qên’a rob
Mundonjës apo i munduar,
Në shkoj një jetë mê udob
A po n’u-shojt i deshpëruar!
S’di si t’a marr e si t’a nis
Të di dhe unë se s’jam unë,
Dhe si ç’e nis ashtuth e gris
Kur shoh se fund mê s’ka kjo punë!….
Shpesh herë vehten e pyes
Por, një përgjigje kurrë s’marr;
Myster që mbetet gjer sa vdes
Që tretet bashk me ty në varr!