HYSNI NDREU – BILINGUIZMI NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE
HYSNI NDREU
BILINGUIZMI NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE
1. Hyrje
Në korpusin letrar që shënon letërsinë bashkëkohore arbëreshe, më konkretisht poezinë, haset edhe fenomeni i bilinguizmit. Bilinguizmi në këtë poezi është një fenomen sa i ndërlikuar, po aq edhe i vlertë. I ndërlikuar sepse kemi të bëjmë me dy sisteme ligjërimi gjuhësor e letrar, të cilat, pavarësisht nivelit e arritjeve, ruajnë veçoritë e tyre karakteristike. I vlertë sepse bashkëprania dhe bashkëshkrimi dygjuhësor, jep dorë për të prekur nuancat e secilës gjuhë, si dhe për të hetuar dritëhijet e tyre.
Çështja e bilinguizmit ka qenë dhe vazhdon të jetë një problem që lidhet jo vetëm me fatin ekzistencial të arbërishtes, por edhe me nevojën për hapje dhe afirmim ndaj kulturës dhe gjuhës më të madhe, italishtes.
Punimi më poshtë është përqendruar kryesisht te poezia bashkëkohore arbëreshe, për shkak se rrethanat kulturore dhe zhvillimet e ndryshme globale, e kanë vendosur këtë poezi në një situate më të vështirë ekzistenciale sesa letërsia pararendëse, madje herë-herë ajo po shihet si një shenjë gjuhësore gati ekzotike.
Por, duke qenë se ky fenomen nuk ka lindur në bashkëkohësi, do të na duhet të rrugëtojmë pak më përtej kësaj periudhe, për të vajtur te letërsia e traditës, ku hasen edhe fillesat e bilinguizmit.
2. Bilinguizmi në periudhën e romantizmit arbëresh
Bilinguizmi si fenomen nis në periudhën e romantizmit arbëresh, më konkretisht me De Radën[1], i cili të gjitha veprat e tij i shkroi në dy gjuhë, gjë që e shohim edhe te poetët e tjerë që e pasuan atë, si te Skiroi a Serembe. Konteksti kur shkruan këta poetë ishte i tillë që identifikimi gjuhësor, kulturor e letrar, çonte në kërkesën e pashmangshme për liri të qenies shqiptare, e cila për shekuj me radhë pati hyrë në natën e sundimit otoman. Kjo bëri që identifikimi si arbër, identifikimi si gjuhë arbërishte, identifikimi si letërsi shqipe, të sjellë në skenë ekzistencën e një kombi dhe të një qenieje që kishte kulturën e vet, zakonet e veta, gjuhën e vet.
Studiuesi Francesco Altimari, i shpjegon kështu shkaqet e fenomenit të bilinguizmit në këtë periudhë: “Me arritjen e bashkimit të Italisë në vitin 1861 shumë intelektualë arbëreshë… i përqendruan energjitë e tyre letrare, kulturore dhe politike në frontin shqiptar duke krijuar sinergji të forta me intelektualët e tjerë të diasporës dhe të atdheut amë përmes shoqatave, gazetave, tubimeve dhe botimit të librave që patën meritën ta shndërronin bilinguizmin në një praktikë koherente dhe sistematike. Kjo është një konfermë e mëtejshme e vizionit të hapur me anë të të cilit këta intelektualë përçonin mesazhet e tyre letrare, ideologjike dhe politike, duke respektuar të dyja gjuhët e komunitetit të tyre, shqipen, gjuhën amtare, si shenjë identiteti kombëtar, dhe italishten, gjuhën e mjedisit kulturor ku ata ishin formuar dhe vepronin.”[2]
Në periudhën për të cilën po flasim, arbërishtja flitej e shkruhej gjerësisht ndër arbëreshët. Vërtet gjendej nën trysni të ndryshme, që i kërcënonin ekzistencën, por kushtet për ruajtjen e saj ishin, sidoqoftë, më të favorshme sesa në bashkëkohësi. Ka një hollësi që shkon në mbështetje të këtij argumenti, e cila lidhet me faktin se shkrimtarët romantikë i shkruani veprat e tyre fillimisht në shqip dhe pastaj i përkthenin në italisht.
Në bashkëkohësi ka ndodhur një përmbysje: vepra shkruhet e mendohet në italishte, pastaj përkthehet në shqipe. Kjo tregon se gjuhë parësore, pra, gjuha në të cilën mendojnë poetët bashkëkohorë, nuk është arbërishtja, por italishtja. Si rezultat, arbërishtja e folur është thuajse në grahmat e fundit të ekzistencës së saj. Ndërsa si ligjërim i shkruar, për shkak se ka qenë dhe vazhdon të jetë e rrethuar nga një gjuhë e madhe, siç është italishtja, gjendet në një pozitë dytësore, duke qenë se në shumicën e rasteve është variabël i kësaj të fundit.
Për shkak të konteksteve të ndryshme që karakterizojnë periudhën romantike dhe atë bashkëkohëse, hetohen edhe vlera të ndryshme estetike ndërmjet krijimtarisë së këtyre dy periudhave. Gjuha e artit, pra edhe gjuha e poezisë, mundësitë më të mëdha për të sendërtuar vlera shpirtërore dhe estetike i ka në gjuhën amë, në gjuhën e shpirtit, ku qenia ndihet si në shtëpinë e vet. Zgjerimi i hapësirës së komunikimit në gjuhët e mëdha, në këtë rast në italisht, sjell përthyerjen kulturore dhe shpirtërore. Kjo bën që poeti, në këtë rast ai arbëresh, të realizojë më tepër vokacionin e italishtes, duke e kaluar arbërishten gati në sfond ekzotik. Dhe ky ekzotizëm i gjuhës, i fjalës poetike, është përgatitja për ta shkëputur nga përdorimi, për ta mbyllur, po ta themi metaforikisht, në muze.
Në romantizëm, shkrimi në shqip i veprës bëhej për të ruajtur variantin e arbërishtes si gjuhë amtare, e cila, krahas ritit fetar bizantin, traditave, zakoneve dhe kulturës, ishte elementi thelbësor që mbante të ndezur pishtarin identitar të tyre, ndërsa shkrimi i veprës edhe në italishte “… përcaktohej nga nevoja e komunitetit të vogël arbëresh për të mos u mbyllur në vetvete dhe për të mos u vetëpërjashtuar nga konteksti shoqëror dhe politiko-kulturor ku bënte pjesë.”[3]
3. Bilinguizmi në periudhën bashkëkohore
Dëshminë bilingue, poezia e sotme arbëreshe e përjeton me jo pak problematika, ku midis tyre do të veçonim:
Së pari, nevojën për mbijetesë që ka gjuha e poezisë së sotme arbëreshe, duke pasur parasysh se gjendet e rrethuar nga deti i një kulture të vyer për nga arritjet, që është italishtja, gjuha e Dantes, Petrarkës, Bokaçios etj. Për më tepër që, gjatë kësaj periudhe, varësia kulturore, ekonomike, sociale, globalizmi në përgjithësi, ndikojnë të gjitha që kjo shenjë gjuhësore të gjendet përballë një rreziku ekzistencial, me pasojë asimilimin e tërësishëm. Këtë rrezik për asimilim e gjejmë të shprehur në shumë poezi të autorëve bashkëkohorë arbëreshë, por këtu do të do të veçoj njërën prej tyre, atë me titull “Çervikati/Cervicati”, të Giuseppe Schirò di Maggio-s, në të cilën paraqitet, nga njëra anë arbërishtja në grahmën e saj të fundit, nga ana tjetër italishtja, si perëndi fitimtare dhe furtunë e tmerrshme:
…04 (Çervikati/Cervicati)
E di, mos rri e mërijtur!
S’ke nevojë të nkuqesh!
Kjo botë e jona s’është
bota e çudirave!
Një ditë të erdhi turp
për veten tënde e për fjalët e tua
dhe lipe shkurorëzim nga gjuha jote e parë!
Një perëndi fitimtare veproi mbi ty shndërrimin
e sot ke vetëm gjuhën tënde të dytë.
Mund të mburresh me kaq për ndonjë
pikë qëndrese:
ca pleq belbëzojnë edhe sot
ndonjë shprehje të gjuhës së parë!
Por rri në pritë – ka qenë përherë në pritë –
furtuna e tmerrshme e asaj perëndie fitimtare
një vrundull më të vendosur
e as dhe pleqtë do të të qëndrojnë më.
Por ti mos rri e mërijtur![4]
Së dyti, poezia arbëreshe e pas viteve ’45 (pararendësja po ashtu), atëherë kur mendohet dhe pranohet se ka filluar të hyjë në hullitë e modernitetit, nuk duhet kundruar thjesht e vetëm si mjet, nëpërmjet të cilit shfaqet, dallohet, ruhet a përvijohet identiteti i një bashkësie të caktuar. Krahas kësaj, ajo duhet parë fillimisht e kryesisht si shenjë letrare, si estetikë, si letërsi e mirëfilltë, gjë që e dëshmon niveli i lartë që kanë arritur me veprat e tyre disa poetëve të atjeshëm, të tillë si Vorea Ujko (pseudonim i Domenico Bellizzi), Lluka Perone, Giuseppe Schirò di Maggio etj..
Në fillimet e kësaj periudhe, por edhe në vijim, shkrimtarët duket se u gjendën nën një presion të disafishtë gjuhësor: të shkruajnë vetëm në italishte apo vetëm në variantin e arbërishtes? Të shkruajnë fillimisht në arbërishte dhe më pas ta përkthejnë në italishte, apo e kundërta? Të vënë përballë njëri-tjetrit variantet arbërisht dhe italisht të poezisë së tyre, apo të përshtaten me gjuhën e teksteve që vinin prej vendit mëmë, Shqipërisë, e me të cilat binin në kontakte?
Sido që të jetë, ky presion gjuhësor nuk mund e as duhet të thjeshtohet në thjesht dilemën se cilën gjuhë, variant gjuhësor apo dialekt duhej të përdornin shkrimtarët e asaj treve. Shkrimtari arbëresh i kësaj kohe donte të ishte i receptueshëm nga bashkësia e vet, madje ta zgjeronte sa më shumë vatrën e receptimit, por, njëkohësisht, përpiqej edhe të “ngujohej” brenda kësaj vatre sociolinguistike, me qëllim që ta ruante si tipar identitetruajtës e identifikues ndaj tjetrit, t’i shërbente për mosasimilim.
Dilemat e mësipërme krijuan jo vetëm dallime sa i përket gjuhës, me të cilën shkruanin poetë të ndryshëm, por çuan edhe në tri prirje kryesore të shkrimit të poezisë:
– një prirje për të shkruar në variantin e arbërishtes, e cila me kalimin e viteve ka shkuar drejt një bjerrjeje thuajse të plotë,
– prirja për të përdorur shqipen standarde të vendosur nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, e cila po zbatohet tashmë në masë të gjerë,
– dhe një prirje për të vënë përballë poezisë shqip, edhe variantin në gjuhën italiane.
Sa i përket poezisë së shkruar në variantin e arbërishtes, ajo paraqet një farë vështirësie në të kuptuar, pasi leksiku i saj vjen shpesh i përzier me fjalë italiane, turke e greke; në raste të tjera, rrënja e fjalës është në greqishte, ndërsa prapashtesa apo mbaresa në shqipe/arbërishte, ose rrënja e fjalës në italishte, ndërsa prapashtesa a mbaresa në shqipe. Këtë përzierje në të shkruar e vëren edhe studiuesi Rexhep Ismajli, i cili shprehet: “Kështu për shembull aty gjejmë shprehje thjesht arbëreshe, pastaj fjalë turke të përbashkëta vetëm për dialektet e trungut, pastaj elemente morfologjike-leksikore të gegërishtes, prosede sintaksore të toskërishtes që dallojnë nga arbërishtja, e të tjera.”[5]
Në ndonjë rast, ka edhe përzierje leksikore të variantit të arbërishtes me toskërishten e gegnishten. Është fjala për Dushko Vetmon (pseudonim i Francesco Solano), në poezinë e të cilit gjenden vargje edhe në variantin e arbërishtes, edhe në dialektin tosk, edhe në atë geg. Për këtë të fundit, një rol do të ketë luajtur jo vetëm revista “Shejzat”, që botohej në gegnisht, e ku Vetmoja botoi disa nga poezitë e tij, por edhe vetë drejtuesi i saj, Ernest Koliqi, dhe kryeredaktori, Martin Camaj, me të cilët shkrimtari në fjalë kishte shoqëri.
Sa i përket prirjes së dytë, në bashkëkohësi lind edhe një problem shtesë, që lidhet drejtpërdrejt me standardizimin e shqipes, gjë që ka ndikuar edhe në gjuhën e poezisë së poetëve arbëreshë, të cilët, thuajse të gjithë i kanë shkruar veprat e tyre kryesisht në shqipen standarde. Ky devijim gjuhësor, me një ndikim të konsiderueshëm në modelimin e poezisë së sotme arbëreshe, ka anët e veta pozitive dhe negative. Pozitive sepse duke përdorur standardin, gjuha e poezisë së tyre pasurohet më tej edhe për nga figuracioni, edhe për nga leksiku, por zgjerohet njëkohësisht edhe hapësira dhe numri i recipientëve të saj. Negative sepse përdorimi i standardit zbeh, madje çon në eliminim tërësor të variantit të arbërishtes, duke shkërmoqur kështu jo vetëm nuancat gjuhësore e letrare që ofron ky variant, por ndërpret, në mënyrë artificiale, një trashëgimi që u ruajt si relikte për pesë dhe më shumë shekuj.
Në kategorinë e shkrimtarëve që shkruajnë në standard, mund të përmendim Giuseppe Schirò di Maggio-n, Giuseppe Schirò di Modica-n, Kate Xukaro-n, Enza Scutari-n, Mario Bellizi-n etj. Poetët arbëreshë që i përkasin kësaj prirjeje, sidomos ata që përbëjnë kulmet e poezisë bashkëkohore, vërtet shkruajnë në shqipen e sotme, por nuk e lënë krejtësisht jashtë elementin arbëresh. Gjuha e poezisë së tyre pasurohet me fjalë, shprehje e ndonjëherë edhe struktura sintaksore të variantit gjuhësor të arbërishtes.
Prirja e tretë ka të bëjë me situatën e botimit dygjuhësh, duke vënë përballë tekstit shqip, atë në italishte. Shquhet për këtë, njëri ndër kulmet e kësaj letërsie, Giuseppe Schirò di Maggio, pjesa më e madhe e veprës së të cilit, është e shkruar në variante dygjuhëshe. Sa i përket këtij fenomeni, studiuesja Blerina Suta, ndërsa merr në shqyrtim poezinë e Di Maggio-s, ndër të tjera thekson se “… imazhi poetik, falë luksit të shprehjes nëpërmjet shenjave të dy idiomave, shqiptare dhe italiane, krijon shpesh penelata të ndryshme në secilën prej gjuhëve. ‘Bota jonë’, siç e quan autori (Giuseppe Schirò di Maggio – shënim i imi, H. N.), në kushtet e bilinguizmit, dhe në kushtet e modelit gjuhësor shqiptar, transmetohet nëpërmjet imazhesh poetike shpesh të pazakonta për shqipen.”[6]
4. Përfundime
Letërsia e arbëreshëve të Italisë, kryesisht poezia, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë hegjemone, është zhvilluar në një terren të vështirë gjuhësor e social dhe në kushtet e një rreziku për asimilim tërësor nga kultura dhe gjuha italiane. Kjo ka bërë që shkrimtari arbëresh të zhvillojë e përdorë forma të ndryshme për t’i mbijetuar këtij asimilimi, siç është rasti i shkrimtarëve të romantizmit, të cilët, me qëllim që vepra e tyre të kishte një receptues sa më të gjerë, por edhe për arsye jashtëletrare (politike, patriotike/atdhetare), i shkruan veprat e tyre në arbërishte, por duke i shoqëruar edhe me italishten.
Kjo prirje vihet re edhe te disa poetë bashkëkohorë, si te Giuseppe Schiro di Maggio, pjesa dërrmuese e veprës së të cilit është shkruar pikërisht në këtë formë. Në poezinë e ditëve të sotme është zhvilluar edhe një prirje tjetër, ajo e shkrimit të poezisë në shqipen standarde, një prirje kjo që ruan anët e veta pozitive dhe negative, të cilat i trajtuam shkurtimisht më sipër.
Në periudhën bashkëkohore, të gjitha këto prirje e zhvillime, të lidhura sa me arsye subjektive e po aq edhe objektive, sa letrare, po aq edhe jashtëletrare, janë pasojë e faktit se letërsia që krijohet në ato treva, e ka të nevojshme ta zgjerojë komunikimin e vet, në rastin konkret, me italishten; po ashtu, duke u shkruar edhe në variantin e arbërishtes, kërkon dhe e ka të nevojshme që të mbetet shenjë e veçantë, për të mbijetuar, pra, edhe në këtë trajtë, duke shërbyer kështu si një mjet që mban gjallë vetëdijen etnike, gjuhësore e kulturore, së cilës i përkasin autorët e saj.
Literaturë
1. Altimari, Francesco: Urat e arbërit – studime filologjike dhe kritiko-letrare midis botës arbëreshe dhe botës shqiptare, shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2015.
2. Berisha, Anton, Nikë: Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, me paraqitje të Domenico Corradini H. Broussard, Luigi Pellegrini Editore – Cosenza, Italy, 2008.
3. Grup autorësh: GJUHA DHE LETËRSIA E ARBËRESHËVE, Aktet e Simpoziumit Ndërkombëtar për Arbëreshët, Tetovë, 28-29 prill 2008, Universiteti i Europës Juglindore – Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, Tetovë 2011.
4. Ismajli, Rexhep: Poezia e sotme arbëreshe, ndërmarrja botuese RILINDJA, Prishtinë 1990.
5. Suta, Blerina: Zef Schiro di Maggio: Bilinguizmi i poezisë moderne arbëreshe dhe kanoni letrar shqiptar, tekst i botuar si pjesë e materialeve të punimeve të Seminarit XXX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë 2011.
[1] Në veprën me studime filologjike dhe kritiko-letrare, me titull “Urat e arbërit”, studiuesi Francesco Altimari pohon: “Duke filluar nga Jeronim De Rada për të vazhduar me Zef Skiroin letërsia e arbëreshëve është paraqitur përmes një qasjeje bilinguizmi letrar. Këta shkrimtarë nuk shkruanin kurrë vetëm në gjuhën amtare, por i përkthenin edhe në italishte veprat e tyre. (faqe 32)
[2] Altimari, Francesco, Urat e arbërit – studime filologjike dhe kritiko-letrare midis botës arbëreshe dhe botës shqiptare, shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2015, faqe 31-32.
[3] Altimari, Francesco, vepër e cituar, faqe 31-32.
[4] Shkëputur nga vëllimi poetik Metaforë – vjersha, botim dy gjuhësh, shqip dhe italisht, Prima edizione giungo 1990: Botoi “Mondo Albanese”. Prefazione dell’Autore; Seconda edizione luglio 2005: Botoi Salvatore Sciascia, Caltanissetta. Prefazione ala seconda edizione Matteo Mandalà.
[5] Ismajli, Rexhep, Poezia e sotme arbëreshe, ndërmarrja botuese RILINDJA, Prishtinë 1990, faqe 30.
[6] Suta, Blerina, Zef Schiro di Maggio: Bilinguizmi i poezisë moderne arbëreshe dhe kanoni letrar shqiptar, tekst i botuar si pjesë e materialeve të punimeve të Seminarit XXX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë 2011.
2 thoughts on “HYSNI NDREU – BILINGUIZMI NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE”