HYSNI NDREU – DE RADA PËRMES PËRTHYERJEVE DIDAKTIKE NË TEKSTET SHKOLLORE TË VITEVE ’89-‘92
HYSNI NDREU
DE RADA PËRMES PËRTHYERJEVE DIDAKTIKE NË TEKSTET SHKOLLORE TË VITEVE ’89-‘92
1. Hyrje
Fati i shkollës shqipe në lidhje me lëndën e letërsisë është i pandarë nga fati i pranisë së De Radës në pothuajse të gjitha tekstet mësimore, pavarësisht nivelit të shkollimit. Figura e tij zë një hapësirë të konsiderueshme edhe në të dyja disiplinat e mësimdhënies: në historitë e letërsisë dhe në antologjitë e letërsisë, hartuar posaçërisht për shkollat e mesme. Kjo prani, që bashkëshoqëron këtë figurë, edhe si jetëshkrim, por kryesisht si vepër letrare, lidhet ngushtësisht me dy momente:
Nga njëra anë, vepra e gjerë letrare, kulturore, publicistike e studimore shënon një pikë kthese thelbësore në identifikimin e qenies arbnore, por edhe në identifikimin e gjuhës shqipe si gjuhë arti dhe kulture.
Nga ana tjetër, poema “Këngët e Milosaos”, përveçse vepra e parë dhe njëherësh kryevepra e De Radës, është po kaq edhe e para vepër e letërsisë shqipe që botohet në nivel koherent me letërsinë romantike europiane e botërore. Një tjetër cilësi e saj ka të bëjë me faktin se ajo vjen e çliruar nga marrëdhënia me fetaren, gjë që e dallon qartësisht nga e ashtuquajtura letërsi e vjetër.
Duke pasur këto përmasa përveçuese përfaqësimi, është e kuptueshme që çdo studiues apo hartues tekstesh mësimore ndalet e përzgjedh figurën dhe krijimtarinë e De Radës, jo vetëm si përmasë kualitative, por edhe si një tregues të piketave referenciale për vlerat letrare të krijuara në gjuhën shqipe.
2. Prania e De Radës në pesë pamje
Në tekstet mësimore të periudhës që kemi marrë në shqyrtim (vitet 1989-1992), prania e De Radës na vjen në pesë forma:
Së pari, si përmasë jetëshkrimore, e cila mundëson njohjen e jetës së kësaj figure. Thuajse në të gjitha tekstet i kushtohet hapësirë e veçantë jetëshkrimit të tij. Në tekstet historishkruese, nxënësi njihet me të dhëna të përgjithshme mbi biografinë e poetit, formimin shkollor, personalitetin, ndikimet në krijimtari etj.
Së dyti, si profil poeti, esteti, folkloristi apo veprimtari atdhetar, e cila zbulon anët e ndryshme të figurës dhe personalitetit të Jeronim De Radës. Në këtë hapësirë përmenden veprat që ai ka botuar, kryesisht ato letrare, por edhe ato gjuhësore, politike, estetike apo folklorike. Këtu vlen të theksohet edhe një përmasë tjetër, që e gjen të shqiptuar te thuajse çdo tekst: ajo e De Radës publicist, ku veçohet kontributi i dhënë me botimin e gazetës “L’Albanese D’Italia” (Shqiptari i Italisë), e para gazetë në historinë e periodikut shqip. Po ashtu, edhe kontributi si botues e drejtues i një tjetër periodiku, “Fiamuri i Arbërit”, i cili me të drejtë, në tekste të ndryshme konsiderohet si tribunë e atdhetarizmit për kohën kur doli.
Së treti, nëpërmjet këngëve/fragmenteve të shkëputura nga poemat e tij, sidomos nga “Këngët e Milosaos”, të cilat janë të pranishme në çdo tekst ku është përfshirë emri i De Radës, por edhe fragmente nga “Serafina Topia”, poema tjetër e tij. Nga pikëpamja sasiore, pra e nivelit të përfaqësimit, vendi që zë figura e De Radës dhe krijimtaria e tij, në pothuajse të gjitha tekstet mësimore është gati-gati e përputhur me vendin që zë Çajupi, Ndre Mjeda, Noli apo Migjeni, por duke u afruar ndonjëherë edhe me përfaqësimin e Naim Frashërit.
Së katërti, De Rada na vjen në tekstet shkollore të viteve ’89-’92, tashmë edhe nëpërmjet interpretimeve që u bëhen veprave të tij. Madje, përmes kësaj forme paraqitjeje zë edhe një hapësirë të konsiderueshme. Në këtë hapësirë, gati në të gjitha tekstet merret në analizë vepra “Këngët e Milosaos” dhe theksohet si vepra e parë dhe më e njohura epiko-lirike e De Radës. Në asnjë rast, nga sa ofrojnë tekstet mësimore të kësaj periudhe, nuk anashkalohet dhënia e subjektit, temat e trajtuara, idetë që shtrohen, përshkrimi i karaktereve të heronjve, duke theksuar edhe mbështetjen në krijimtarinë popullore etj.
Së pesti, figura e De Radës shfaqet rëndom edhe në vështrimet e përgjithshme që bëhen për periudhën e Rilindjes Kombëtare. Në këto paraqitje, kryesisht përshkrimore, ai përmendet për kontributin gjuhësor, folklorik, publicistik, apo si veprimtar atdhetar. Për më tepër, cilësitë dhe veçoritë e veprës së tij, shihen në një kontekst më të gjerë, si bërthamë e drejtimeve, dukurive apo karakteristikave letrare të periudhës që përfaqëson. Nuk mungon as vlerësimi për pasurinë letrare që la De Rada, sidomos për “Këngët e Milosaos”, e cila, nga hartuesit e teksteve konsiderohet si e tillë sa të mbërrijë të jetë vepër që gjendet në themel të kulturës sonë kombëtare. Ky përfundim ka si bazë faktin se në të trajtohen probleme që lidhen me fatin e kombit, me të shprehet ideali i kohës, ideali i Rilindjes sonë kombëtare, por edhe sepse, nga pikëpamja e vlerave letrare, karakterizohet prej veçorish ideore dhe artistike të afërta dhe të ngjashme me poezinë romantike europiane.
3. Prania e De Radës në të dyja anët e kufirit (Kosovë/Shqipëri)
De Rada është i pranishëm gati me të njëjtën përmasë në tekstet shkollore në Shqipërinë politike dhe në tekstet shkollore në Kosovë. Në tekstet e botuara këndej kufirit, vepra e tij shpjegohet dhe interpretohet kryesisht në bazë të metodës sociologjiko-strukturore, duke theksuar sidomos tematikat që shtron vepra, ideshmërinë që përcjell dhe figurat letrare të përdorura. Në tekstet e botuara matanë kufirit, krahas këtyre metodave, ka dhe interpretime në pikëpamje të stilit dhe formës, por ndërkaq, theksohet edhe tipologjia zhanrore e veprës.
Aparati “Pyetje dhe detyra”, që gjendet në fund të fragmenteve të teksteve, na ndihmon të përvijojmë edhe arsyet se pse hartuesit e tekstit, në të dyja anët e kufirit, kanë përzgjedhur disa fragmente këngësh apo këngë të plota dhe jo disa të tjera. Përveç shijes dhe këndvështrimit personal të hartuesve, kjo duket se lidhet edhe me orientimin në interpretimin e këtyre fragmenteve, që duan të japin te nxënësi. Në Kosovë është parë e rëndësishme që nxënësit të dinë mbi zhanrin e veprës, parimet krijuese estetike të autorit, idetë që transmeton poema, çështjet që shtron dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre. Për dallim, në tekstin e hartuara për shkollën e Shqipërisë politike, theksi vihet tek idetë që pëcjell fragmenti i përzgjedhur, mënyra e zgjidhjes së konflikteve, lloji i vargut, mbështetja në folklor etj.
Vlen për t’u theksuar edhe se sqarimet në fund të faqes që shoqërojnë tekstet mësimore të hartuara për shkollat këndej kufirit, janë dukshëm më të shumta e më të larmishme krahasuar me sqarimet në tekstin e hartuar për shkollat e Kosovës. Arsyet janë të paqarta, por kundruar në thellësi, burojnë edhe nga faktura e sociologjizimit, që merrej edhe me aspektet e leximit apo kufizimet ideore e zhanrore.
4. Poezia si prani e papranishme
Në të gjitha tekstet mësimore, duke përfshirë edhe antologjitë apo historitë e letërsive, fragmentet e poemave të De Radës vijnë të përshtatura në gjuhën e sotme shqipe. Termi të përshtatura, në rastin e veprës së këtij autori, por edhe të autorëve të tjerë arbëreshë, nuk lidhet shumë me aspekte të transkriptimit, por me sjelljen në gjuhën e sotme, pra si një nivelim ligjërimi gjuhësor. Kjo rrethanë e ka zgjeruar hapësirën e komunikimit të veprës letrare, por njëkohësisht ka humbur jo pak nga shenjat unike, estetike dhe gjuhësore të arbërishtes, si dhe të gjuhës së autorit.
Vlen të theksohet se në asnjërin prej teksteve të periudhës që kemi marrë në shqyrtim nuk thuhet se nga cili variant janë marrë pjesët e përshtatura e as cili është autori i përshtatjes. Po ashtu, nuk jepet asnjë shënim që t’i informojë nxënësit se varianti që po lexojnë vjen i përshtatur nga teksti origjinal. Këto elemente dhe të tjera të pranishme në tekstet mësimore e bëjnë të pashmangshme situatën e një analize të thellë lidhur me aktin e përshtatjes, duke zbehur magjinë e artit, gjë që e ka larguar nxënësin nga vepra origjinale e autorit.
Nëse, deri më tani, për shkak të përshtatjes kemi pasur zgjerim të komunikimit të veprës me lexuesin, tashmë mendojmë se ka ardhur momenti që lexuesi të zgjerojë komunikimin me veprën, gjë që mund ta mbërrijë duke shkuar tek origjinali.
Krahas përshtatjes në shqipen e sotme, deri në standardizim të skajmë, të gjitha pjesët e përzgjedhura për lexim a analizë shoqërohen edhe me shënime sqaruese në fund të faqes, të cilat, përgjithësisht janë tri llojesh: fjalorth për shpjegimin e atyre fjalëve që i përkasin vetëm fondit leksikor të variantit gjuhësor të arbërishtes; sqarime/të dhëna për emra konkretë, kryesisht toponime, të cilat janë menduar se shkojnë përtej nivelit të njohurive të nxënësve që u drejtohen; po ashtu edhe shpjegime për vargje të caktuara, figura letrare, informacione kontekstuale etj., çka në fakt nuk i ka shpëtuar tekstet nga përthyerja e përfaqësimit të autorit, si një vlerë unike. Kjo, me qëllim që teksti të bëhet sa më i receptueshëm për nxënësin, të shkojë sa më pranë tij.
5. Dallimet para dhe pas viteve ‘90
Duke qenë se vitet ’89-’92 i përkasin një periudhe në kapërcyell, kemi hetuar edhe për ndryshime sasiore, cilësore apo të metodave të interpretimit, që mund të kenë ndodhur pas viteve ‘90, atëherë kur filloi një proces reformimi edhe në tekstet shkollore. Tekstet që mundëm të gjejmë për konsultim janë “Leximi letrar” për klasën e 8-të të shkollës 8-vjeçare, botim i 1990-s dhe “Leximi letrar” për klasën e 8-të të shkollës 8-vjeçare, botim i viti 1992. Në këto tekste, rezulton se, të dhënat mbi jetën dhe veprën e De Radës mbeten të pandryshuara. I pandryshuar mbetet edhe aparati “Pyetje dhe detyra”, fragmenti i përzgjedhur për ilustrim, si dhe shënimi që pason këtë fragment, në të cilin jepen disa hollësi mbi poemën “Këngët e Milosaos”.
Hartuesit e këtyre teksteve, të cilët janë të njëjtit në të dyja rastet, e kanë parë të arsyeshme të ndërhyjnë vetëm në pjesën ku sqarohet dhe jepet me ilustrime paralelizmi figurativ si figurë letrare. Në tekstin e botuar në vitin ’90, paralelizmi figurativ shpjegohet nëpërmjet tri shembujsh: me anë të fragmentit që është shkëputur nga “Këngët e Milosaos”, nëpërmjet një strofe të një kënge popullore dhe nëpërmjet një poezie të Kadaresë, me titull “Vitet gjashtëdhjetë”. Në tekstin e botuar në vitin ’92, është hequr e gjithë poezia e Kadaresë që shërbente për ilustrim, por edhe sqarimet e autorëve të teksteve në lidhje me paralelizmin figurativ që hetohej në këtë poezi. Arsyet e këtij ndryshimi lexohen lehtë: në të dyja rastet, qoftë te poezia, qoftë te interpretimi i autorëve për të, përmendet emri i Enver Hoxhës. Kjo e dhënë na evidenton faktin se edhe tekstet mësimore lidheshin me kontekstualitetin e kohës.
Ndryshime të tjera sa i përket pranisë së De Radës nuk vihen re, përveçse një konceptimi të ri të lëndës në përgjithësi, ku janë hequr të gjitha pjesët e shkruara, me gjasë, prej Enver Hoxhës dhe ato pjesë ku përmendet emri i tij. Siç duket, kjo është kompensuar duke shtuar, nga ana tjetër, autorë shqiptarë më parë të ndaluar, të tillë si Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prenushi, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Martin Camaj, Trifon Xhagjika, Ekrem Kryeziu, por edhe autorë të huaj, të tillë si Franc Kafka, Gijom Apolineri etj. Këtu mendojmë se hetohen edhe piketat e para të ndryshimeve thuajse rrënjësore që do të pasonin tekstet shkollore të viteve të mëpastajmë.
Tekstet e shfrytëzuara
- Grup autorësh, Antologjia e letërsisë shqiptare 1 (deri në vitin 1939) – Për shkollat e mesme (maket), Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1989.
- Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare 1 – Për shkollat e mesme (maket), Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1990.
- Grup autorësh, Leximi letrar – Për klasën e 7-të të shkollës 8–vjeçare, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1990.
- Grup autorësh, Leximi letrar – Për klasën e 8-të të shkollës 8–vjeçare (maket), Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1990.
- Grup autorësh, Leximi letrar – Për klasën e 8-të të shkollës 8–vjeçare, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1992.
- Kelmendi, Ramiz, Leximi letrar – Me pasqyrë të letërsisë (Për klasën III të arsimit të mesëm të orientuar, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë 1989.
One thought on “HYSNI NDREU – DE RADA PËRMES PËRTHYERJEVE DIDAKTIKE NË TEKSTET SHKOLLORE TË VITEVE ’89-‘92”