AGRON TUFA – EPILOG NË PERSPEKTIVË
AGRON TUFA
EPILOG NË PERSPEKTIVË
Vjen një moment që për burrat quhet “Ora e ligë”. Nuk është lufta, nuk është qëndresa, karakteri, dobësia. Nuk është mungesa. Është Boshi. Burrat ndihen bosh. Vetvetiu. Ose me shkak. Ndërpriten rrëkezat e mendimit; vullneti si Polifem i verbër endet në tahmin, duke kaluar pëllëmbët mbi shpinat leshtore të deleve që ikin n’arrati. Mbetet vetëm shpella. Shpella e errët me mure të shurdhër. Mbetet hapësira përbrenda dhe Përbrenda, prej së cilës, prore diçka ikën n’arrati.
Burrat ndihen bosh. Të boshatisur. Nuk është se i ka braktisur kush, as se kanë braktisur kënd. Hapet zbrazëtia si një verë e zezë. Përbri burrit flitet me pathos për politikën, femrat, futbollin, udhëtimet, skandalet. Përbri a kundruall tij tregohen anekdota, barsoleta. Burri vë buzë në gaz dhe ndihet edhe më bosh. Nuk është ky shkaku. Nuk ka shkak. Shkaqe. Burri ndihet krejtësisht i përpirë në boshin e tij dhe kaq befasisht në shmang prej së gjithash përrotull. Trajektorja e mendimit të tij vetëm sa prek truallin e fortë të shkakësisë dhe qysh më parë e di: zbrazëtia që hapet brenda tij, nuk ka shkaqe sociale, frojdiste, inferiore etj…
Burri është analitik. Ai e di se po të marrë të flasë me bashkëbiseduesit, po të marrë në duar një libër çfarëdo, po të vërë muzikë, po të hapë televizorin a po t’i telefonojë dikujt – gjendja e boshit do të zmbrapset, do të zhduket si fantazmat fiktive të file-ve në kompjuter. Megjithatë, burri nuk e merr mundin. Ai kundron rënien në vetvete, rënien e patrazuar, të pashpresë, si rënien e lirë të trupave. Tëhuajësim prej gjithçkaje. Më së pari – prej vetvetes. Ai e ndien se kjo nuk është gjendje dëshpërimi. Dëshpërimi është ndjenjë. Ai e di se nuk është frikë. Frika është përjetim. Frika është mundësi lirie, vetëm se frika edukon në mënyrë absolute fuqinë e besimit, derisa ajo mbllaçit gjithçka të fundme dhe zbulon gjithë mashtrueshmërinë e saj.
Pse ndihen bosh burrat?
Ç’është boshatisja, shkretimi, zbrazëtia e beftë e burrit?
Pezullia e mendimit ka kohë të shohë kotësinë e lulimit, pjekjes dhe kalbjes së frutit majë dege. Shkuptimësohet qëllimi i mendimit dhe trajektorja e tij shprishet. Boshi i burrave çatis me zbrazëtinë që hapet si një verë e zezë. Boshi i burrave është veleritja dhe zvetënimi nga krijimi – momenti, kur thika e ngritur e Abrahamit do të bjerë mbi qafën e pafajme të të birit, Isaakut. Është boshi pas krimit të atij burrit sakson, kur dhe ideja e “Unit” të tij del kotësi kotësish:
“Jo” asgjë serioze s’ka në jetën vdektare:
Gjithqysh – sall lodër, të vdekura janë lavdia dhe mëshira”.
Boshi i burrave është pikëllimi i Zotit për krijesën e papërsosur, momenti i dyshimit të krijimit, momenti i pendimit të Tij për jetëgjatësinë e krijesave dhe këmbënguljen e arsyes tokësore. Boshi i burrave është mbigjendja e paperceptueshme e pasioneve tokësore. Boshi nuk është e dhënë njerëzore.
Ja, si ky burrë, tash që na i rrëfeu të gjitha, si ky burrë në restorant me pjatën e paprekur përpara, që vetëm emrin ka përjetësisht të pandryshueshëm, jashtë pushtetit të gjalljes a vdekjes: Martin Balla.
Në tavolinën përkarshi – një damë e re me dekolte të hapur. Përnën cohën pikëlore – gjinjtë e ndrysur të saj gufmojnë ndërmjet intervaleve t’frymimit. Prajshëm. Ajo kundron burrin. Ose pjatën e tij të paprekur. Burri – gjithashtu – s’ia ndan sytë. Kryesisht cipës së lëbyrtë të gushës së saj dhe perspektivës së gjinjve që fshihet përposh… Dama ndez një cigare. Lëvizjet i ka të ngeshme. Burri kundron portretin e saj: mollëza paksa të mprehta, buzë të holla levarashe që nëpërdridhen në trajtën e një fluture të hapur; ka mjekër ideale trajtë mushmolle, hundë të drejtë që mbaron me çip nazik; sytë i ka ngjyrë sheqeri të djegur me hije të dendur qerpikësh përnën; ajo ka flokë të zeza drudhë, tepër të gjata, të mbledhur e të kapur prapa në modën e viteve ‘30-të, ndërsa përanash tëmthave hardhojnë gjarpërueshëm fije gërshetash. Meduzë.
Burrit i duket se e ka parë të panjohurën. I përforcohet mendimi ngase ajo sapo i buzëqesh dhe saora i ul sytë me kori. Burri kujtohet se nuk e ka ndeshur kërkund më parë. Thjesht e panjohura i ngjet portretit të ledi… Cilës? Burri e di se po të sforcohet mund t’ia qëllojë saktë se kujt i ngjan ajo, por nuk e çon deri në fund. Dalëngadalë figura e saj humbet çfarëdo kuptimi për të, edhe pse sytë vazhdon t’i mbajë palëvizshëm mbi portretin e saj, të fshehur në pakujtesë. Për inerci. Burri mendon se i dhemb koka, por e gjen të pavërtetë këtë hamendje. Përbrenda tij zbrazëtira hapet. Burri nuk do ta shikojë, por vazhdon ta bëjë këtë. Për inerci. Burri lejon ta këqyrin. Për inerci. Gruaja karshi nxjerr cigaren e tjetër. Provon disa herë, por çakmaku nuk shkrep. Është mbaruar. Ajo ngre sytë dhe i buzëqesh sërish. Me masë. Duket se ajo e njeh mirë. A ndoshta shtiret? Në vështrimin e saj ndjehet pritja. Dhe ftesa. Megjithatë, burri ynë nuk reagon. Ai ka në xhep një çakmak të markës “Zippo”, por vetëm sa e çon nëpër mend këtë.
Dama e re që ka portretin e ledi…? ngrihet, merr ngutazi çantën, faturat dhe shkon drejt banakut. Hapat e saj janë nervozë dhe ajo rreh ta pajtojë qetësinë e hapave me kthimin nervoz të kokës prapa. Për herë të fundit. Mes lajlesh, në sfondin e çantës së krahut, burrit i bën përshtypje një “L” elegante, qëndisur sipas stilizimit gotik. Burri është, më saktë të themi, gjendet, në pragun e një zbulimi të madh dhe e di: një vel i hollë, sakur membrana që ndan rrotullamet e fletëve të një qepe dhe – portreti i ledi L…? do t’ia shqepë gjithë pejzit e kujtesës.
Megjithatë, burrin e quajtur përjetësisht Martin, prej gjitha llojeve të kujtimeve, e ngërthen vetëm njëri. Më sak, jo kujtimi i ngjarjes në hollësi, por vetëmse ndjesia, apo më e vërtetë të themi – njolla e ngjarjes. Një dhomë konvikti në vitet studentore. Dhomë e vjedhur. Dryni që varet i lëmekur si një llapë e shkulur qeni që ka djersirë deri në fund. Lëvarur dhe tredhur si një gjuhë pa të fshehta. Dhomë e vjedhur nga rrobat deri tek çikërrimat dhe mandej, ajri, – ajri në këtë dhomë. Ai sidomos, – ajri që ndjehet sikur t’ia kenë vjedhur ajthin e vetvetishmërisë dhe vera, sidomos. Një shishe verë e rrëzuar në dysheme. Dhoma e vjedhur me ajrin e vjedhur, janë përqendruar te shishja e thyer që ende derdhet pikë-pikë. Hapësira ka dy cilësi: ajrin e vjedhur dhe zbrazëtinë që hapet si kjo verë e zezë.
Si ta përfytyrojmë? Përse madhështia e krijimit bëhet robinë e boshit? Përse ndihen bosh burrat? Le ta përfytyrojmë në trajta e imazhe, si Soren Kierkegardi. Përfytyrojmë njëfarë gabimi tipografik që i shpëton autorit (ose Demiurgut). Një gabim tipografik i bërë me vetëdije, i cili gjithëqysh, mund dhe s’mund të jetë i tillë, por, nëse e ngërthen me një vështrim gjithë tekstin, ai është njëfarë vize e pashmangshme e kësaj tërësie – dhe ja – me t’u ngritur kundër autorit të saj, ajo me një urrejtje konstante do t’ia ndalonte atij të korrigjohej, e madje do t’i gërmushej atij me një duel absurd:
– Jo, provo të më shuash në ta mban! Unë do të mbetem dëshmitare kundër teje – dëshmitare e asaj që ti, je gjithqysh, një autor kotnasikoti.
Shtator, 2003
Biografi e shkurtër e autorit
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.