ESAD MEKULI – ANDRRA E VAJZËS (cikël me poezi)
ESAD MEKULI
ANDRRA E VAJZËS (cikël me poezi)
VDEKJA E DITËS
Dielli n’perëndim
N’zjarrin flakrues
U dogj…
Dhe çdo gja u trand,
u pikllue
n’vaj për të.
N’arkivolin e heshtjeve t’muzgut,
n’dhimbje bonjake
sonte,
i dashtuni, i yni,
me lot t’pastër
u vajtue:
Psherëtima e gjethit t’barit
dhe d’nesa e prajshme e erës
me pikllim zemrën e poq…
Dielli sonte
n’zjarrin flakrues
u dogj.
ANDRRA E VAJZËS
Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare
dhe agime t’kaltërta andrrova…
E nëpër kunor lakmish për ‘limtare-
si lulja q’i jep qiellit lulzimin,
rinin ja dhurova.
Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë
të thellë dhe të ndritshm
dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi…
– Sonte shushurutja e leht’e t’panjohtunit
më treti fare
dhe agimet e kaltërta andrrova.
ERA E PYLLI
Erdhi pa pritur. Qielli u nxi, e ajo, furtuna, sulmoi me rrëmbim.
Pylli gjëmoi tmerrshëm. Luhaten drunjtë qindëvjeçarë
thyhen degët e njoma, gjethet e shkoqura, fluturojnë qiellit përpjetë e pastaj bien pingul në tokë, duke u grumbulluar në shtigje dhe duke u zhdukur në lugaja.
Furtuna – si gjithmonë me e fuqishme, më e pamëshirshme.
E harlisur, turret që të shtrijë e të rrënojë çdo gjë.
Por pylli nuk jepet, drunjtë rrënjethellë krah njëri-tjetrit,
qëndrojnë tok.
Tash ajo gjurmë e parë shëndrrohet në klithmë të fuqishme
të detit blerosh të shqetësuar për jetën e pamposhtur.
MALLI PËR T’PAMBËRRIJTSHËMEN
Retë luejnë n’naltësin, si qingjat n’kodrina,
Ndërsa malli për t’pambërrijtshmen ndryhet n’mue:
Dëshirojsha mu kapë n’vallen e reve kuqle
E me fluture në t’shkëqyeshmet naltësina
Me gëzimin e këngës baritore…
E kur hana e luginave ia beh n’shpejti
Dhe toka natën n’dishrim thërret,
Si rrezet e argjendta mbi kalli-
Të shkoj
E t’vizitoj
Skajet e dhimbjes e vendet ku pashë ankthet.
Vaj! Me u kapë n’vallen e reve nkuqlime
Zemra me t’dhanun do t’më dëshironte
Që rinija t’gërthet i herë mâ me gëzime
Dhe mall i zemrës s’vuajtun t’gufonte.
-Por, pse zemra tingëllon përmallshëm
si za drithërim
dhe droja kaplon thellë zemrën e shpirtin tim?!
Kur dëshiroj aq rêtë mbi qytet me i soditë,
Derisa malli për t’pambërrijtshmen, m’kap, m’shafit.
MBRAMJA
Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shami,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë-
flakron përëndimi…Retë mbi krye prorë
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.
…Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,
malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
si të humbet jeta-xho gja u nxi, u zhduk.
N’ajri ndihen klithmat e natës që ra-
drujt pran rrugës era i përkund…
Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund,
shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’lugin me andrrime.
MËNGJESI
Zbehet qielli n’agim dhe retë e purpurta,
Përparëse të kuqe varen n’largësi-
Si n’andërr, dikur… Gurbetqarët ofshajnë, tue dalë
prej birucave n’periferinë e largët e t’piklluemshme
dhe trupat e dërrmueme ua lëmon fresku i vesës,
puhija e parë mëngjesore…
Mëngjesi për ta asht – andërr e shartueme
Në zhgjandër t’zezë e t’mundimshme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut –
qyteteve të largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhët, plot andrrime për bukë,
pse – çdo mëngjes asht mundim i ri, përbuzje e përulje,
dita që ka me sjellë tundime të reja, ma të randa,
shpërthen në mendje si agim’ i purpurt
mbi nënkresën e shkyeme,
si thirrjet e largëta, t’kuqrremta…
Sepse – çdo mëngjes asht nji thirrje e dhimbshme:
– Bukë për sot, o jetë, pse shumë buzë presin prej meje!
… Dhe vetëm nganjiherë, n’mbrendi, botnat e reja vetojnë
hareshëm: dit’ ma t’lumtuna u bijnë atëherë në t’pame
dhe rrugët bardhoshe, si amë lumenjsh,
shkrihen, burojnë n’vetëdije dhe vizllojnë para syve:
– Bukë do të ketë… dhe punë…- pëshpërisin
buzët e dridhshme.
– Votër të nxehtë për të gjithë! – dhe shikimi
depërton n’thellësi, zbulon botnat e mëshehuna,
dhe dalin para syve –
fushat
qytetet
njerëzit…
Zbulohet jeta e dëshrueme!…
Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr
T’zezë e t’mundishme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut
Qyteteve t’largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhtë, plot andrrime për bukë.
NATA
Lugut t’qiellit fluturojnë retë hijeranda
vedrat e territ tue derdhë mbi rrugët e plasarituna-
Nata e errët horizontet i mbylli…
Qiella tash bahet si çerep’i zi…
Dhe pikat e para t’shiut
hovshëm lëshohen mbi rrugë e pullaze.
… Diku, nji za i piklluem, si ai i nanës mbi kufomën
e birit t’vetëm;
thirrje e prekshme e dikujt, si ofshamë,
në shushurimën e errët t’shiut –
si klithje e fëmisë t’humbun në furtunë…
Bie me rrëshek… Shiu end
pej t’panumërt… Bie pika si plumbi,
si kazmat e randa t’puntorëve…
– O, si me dashtë me shembë çdo gja në ketnatë t’merrshme!
Kujisin bagllamet e ndryshkuna në kapakët
e dritareve ku me hov sulmon shiu,
frushkullon erë e furishme… Lebetisin kunorat e pemëve,
ulurojnë me za vajtues…
E drita e zbehtë dridhet në dhomëzën e errët plot myk,
ku gurbetqarët t’rrasun fishek, ndër skuta ku nuk pikon,
andrrojnë shtretnit e ngroht, trupat e lodhun me i çlodhë…
Era tërbueshëm uluron mbi pullazet e çame t’shtëpive,
dridhen trupat e ngrimë nën leckat e mbulojës në
skutat e errëta t’dhomës,
në vorr për s’gjalli – të dënuem për shfarosje…
Ferri i kësaj bote dorën ua shtrin t’mjerëve
para se me hy ne parajsen e jetes s’amshueme!
NË MËNGJES
Horizonte zbulue me bardhsi mëngjesore
zgjohen…
Dy-tri përvidhen hapsirë,
udhëtojnë,
t’bardha e t’holla
si çarçafë t’lëshuem n’erë…
Fushat pëshpërisin lutje mëngjesore.
Ditën e re përshëndesin
Me lojë kunorash –
Drujt e gjethuem;
në bar kanga e gjallesave t’imta
ende himnin e saj…
Livadhe dhe arave t’vesueme,
zane… Dita po gdhin.
Fushat erënjoma shtrihen
Si trup i gufuem femne…
Endem, si fëmi, n’qetësinë mëngjesore
dhe trupin e ushqej me freski
t’barishtave dhe t’erës;
përkdhel mëngjesin me sy t’mbyllun
dhe thellë n’zemër qetoj,
me harresë mësheh, mbuloj
dhimbjet e shpirtit t’varruem.
POPULLIT TIM
Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
– unë, biri yt besnik dhe-poeti.
PRANVERA
Kaloi dimri, erdh pranvera
me lulëzim.
Erdh lejleku, dallëndyshja
fluturim.
Rritet bari, vishet pylli
me blerim.
Hapet zemra e fëmijëve
plot gëzim.
Dilni, dilni t gjihtë përjashta
pa përtim:
Mblidhni lule malit, fushës
me nxitim.
Po dhe një gjë, o fëmijë
ti e di.
Librin kurrë mos e harro
për mësim.
Libri t’çon në jetë të lumtur,
përparim.
Dija është pranvera jote
e shpëtim.
RINISË
Zemrat i mbush me bukurinë e përjetshme t’lumnisë,
me harresë t’këndshme vuejtjet i mbulon…
Hap rrug’t e reja – në ditët e territ e t’zisë –
me ravat e thella t’gëzimit rrëgallat e jetës lavron.
Nëpër shtigje t’reja rrugë shpëtimi i çel,
me ato fuqi që ti njeh për bukuri:
çdo ar’e plleshme nga ti asht mbjellë,
prej kah do t’mbijë fara e re me t’reja brezni.
Fuqia jote jeton me shekuj e rritet gjithmonë,
kthjellohet, gufon, vlon – ky burim gëzimi
i jetës së re! – O, e dashura rinia jonë!…
– n’orët e shekujve ndëgjoj at’far’ kumbimi.
Gërshetohet kënga e përhershme mbi t’madhnueshmen rini
– Ty, që ke le bashkë me këtë jetë!
– O, ti gëzim i vetëm i jetës, o ti lavdi,
para lumnisë sate fort n’habi kam mbetë!
SHQIPTARI KËNDON
Shekujt mbi ne
e në ne
e mbushën jetën plot vnere*-
qe pezm,
e zjarri kryengritës
ndër zemrat tona m’u ngri,
që njeriu mos të jetë-njeri:
emri të na zhduket përherë.
Qemë-o njerëz po robe;
pa bukë, liri n’usdaje,
në vatrën tonë
pa shtëpi
në plangun tonë
argatarë!
Qemë-
turq, dreqën me bishta,
qemë-raje
që t’hiqet në vargoj
të mjerimit
të përbuzur-shiftarë**!
qemë…
por koha-luftë
shëron varret çdo ditë:
mbas natës së errët
të shekujve-
hap krahët koha e re…
Po, jemi gjallë!
Dielli dhe për në shndërit…
NË MËNGJES
Horizonte zbulue me bardhsi mëngjesore
zgjohen…
Dy-tri përvidhen hapsirë,
udhëtojnë,
t’bardha e t’holla
si çarçafë t’lëshuem n’erë…
Fushat pëshpërisin lutje mëngjesore.
Ditën e re përshëndesin
Me lojë kunorash –
Drujt e gjethuem;
në bar kanga e gjallesave t’imta
ende himnin e saj…
Livadhe dhe arave t’vesueme,
zane… Dita po gdhin.
Fushat erënjoma shtrihen
Si trup i gufuem femne…
Endem, si fëmi, n’qetësinë mëngjesore
dhe trupin e ushqej me freski
t’barishtave dhe t’erës;
përkdhel mëngjesin me sy t’mbyllun
dhe thellë n’zemër qetoj,
me harresë mësheh, mbuloj
dhimbjet e shpirtit t’varruem.
1934
Dy fjalë për autorin*
Esad Mekuli (Plavë, 17 dhjetor1916 – Prishtinë, 6 gusht1993)[1] ka qenë poet dhe përkthyes shqiptar. Ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Elsie e çmonte si atin e poezisë moderne shqiptare në Jugosllavi[2], dhe ndikimi i tij në Kosovë mbeti i pamatë[3].
Familja e tij në Plavë ishin me prejardhje nga Nokshiqi, i ati i Esadit qe hoxhë. Mësimet fillore i mori në Plavë, në gjuhën serbe[nevojitet citimi].
Shkollimin e mesëm e filloi në Pejë, ku i përfundoi studimet më 1936. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore[4]. Për veprimtarinë e tij politike u arrestua më 1940, u lirua më pas në prill të 1941 me amnistinë që u dha pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave[5].
Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959[2].
Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. N Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.
Vepra
Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera. Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. ë fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane Lirija. Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Podgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas.
Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Përktheu veprën epike malazeze të Petri II Petroviq-Njegosh “Kunora e Maleve”, ndër të tjera[4].
Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.
Veprat
– Për ty – Prishtinë, 1955;
– Dita e re – Prishtinë, 1966;
– Avsha Ada – 1971;
– Vjersha – 1973;
– Brigjet – 1981;
– Rini e kuqe – Prishtinë, 1984;
– Në mes të dashurisë dhe urrejtjes – Tiranë, 1986;
– Dita që nuk shuhet – Prishtinë, 1989.
* Marrë nga Wikipedia.