HYSNI NDREU – TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

HYSNI NDREU – TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

HYSNI NDREU

TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

1. Hyrje

Letërsia e arbëreshëve të Italisë, pavarësisht rrethanave historike e kulturore, në të cilat është krijuar e zhvilluar, ka mundur të krijojë një profil të sajin, i cili identifikohet me Lekë Matrëngën, Jul Varibovën, De Radën, Seremben, Skiroin, Dushko Vetmon, Vorea Ujkon, Luka Perronen e të tjerë. Në gjuhën që përdoret, në temat e motivet që rimerr, në imazhet që ngërthen e na përcjell, kjo letërsi mund të vlerësohet edhe si një tregues i përpjekjeve disashekullore të shkrimtarëve të atjeshëm për të pohuar, identifikuar e vijimësuar ekzistencën e botës dhe të shpirtit arbëresh.

Që në shekujt XV-XVI, kur u shpërngulën nga vendi i tyre për t’u vendosur në jug të Italisë, arbëreshët u gjendën nën dominimin e një kulture dhe shoqërie tjetër më të madhe. Përkundër një asimilimi tërësor, siç mund të ishte krejt e natyrshme të ndodhte, ata krijuan një ishull, brenda të cilit u ruajtën gjuha, atdheu arketipik, traditat, mitet dhe legjendat. Pra, u ruajt ajo pjesë e atdheut të humbur, të cilën mundën ta merrnin me vete. Të gjitha këto elemente, të transmetuara edhe në rrjedhë të kohëve, e bënë këtë ishull të dallueshëm prej tjetrit, një dallim ky që reflektohet edhe në marrëdhënien me letërsinë.

2. Tjetri si “i huaj”

Në poezinë arbëreshe, tjetri nuk shfaqet thjesht si i ndryshmi. Ai është edhe i huaji, që do të thotë se nuk ka të njëjtin identitet, origjinë apo gjuhë që ka vetja. Vetja gjendet në minorancë si bashkësi, kulturë, gjuhë dhe letërsi, përkundër një epërsie të shoqërisë, kulturës, gjuhës dhe letërsisë së tjetrit, që në këtë rast është shoqëria, gjuha, kultura dhe letërsia italiane.

Megjithatë, tjetri nuk është domosdoshmërisht edhe kundërshtar i vetes. Dallimi ndërmjet tyre është krijuar / krijohet më shumë prej nevojës që ka vetja për t’u identifikuar dhe pohuar si ekzistencë. Ajo (vetja) nuk shfaqet si refuzuese e kulturës së tjetrit, por as si përthithëse tërësore e saj; ruan gjuhën e vet (variantin e arbërishtes a shqipen standarde), por nuk refuzon as gjuhën e tjetrit (italishten); ligjërimi poetik i vetes është i dallueshëm, por edhe në marrëdhënie me ligjërimin poetik të tjetrit. Ky ndërkomunikim midis vetes dhe tjetrit krijon një formë të re ekzistence, ku bashkëjetojnë e bashkëshkrihen dy kultura, dy gjuhë dhe dy sisteme ligjërimore poetike.

Çështjet dhe problematikat që karakterizojnë e nxjerrin në pah ankthin e shkrimtarëve arbëreshë në përballjen me tjetrin janë të shumta. Ndër shqetësimet më thelbësore të tyre mbetet ruajtja e gjuhës, si mjeti kryesor, me të cilin mund të vijojnë të pohojnë ekzistencën. Në dhjetëvjeçarët e fundit, të vetëdijshëm se arbërishtja po shkon drejt shuarjes së plotë, ata i kanë kthyer sytë për nga shqipja standarde, një mundësi kjo edhe për të krijuar lidhje më të konsoliduara me kulturën dhe gjuhën e dheut mëmë.

TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

Aktualisht, pjesa më e madhe e këtyre shkrimtarëve shkruajnë në shqipen standarde, duke ruajtur edhe ndonjë element arbëresh, gjë që në bashkëkohësi u bë edhe më e domosdoshme për shkak të globalizmit dhe një vargu procesesh që e pasuan atë, të cilat nisën ta kanosnin seriozisht ekzistencën e variantit të arbërishtes. Vetëdija e këtij rreziku shprehet edhe në një artikull që hapte numrin e parë të revistës letrare “Vija”, me titull Pse po dalim. Aty theksohej: “… duam ta lidhim kulturën tonë me atë të atdheut, se ndryshe, ne jemi të bindur, ajo do të shuhet dhe të zhduket përgjithmonë, dhe ne do të humbasim. Andaj edhe gjuha që do të përdoret në fletushkën tonë duhet të jetë vetëm gjuha letrare e sotme. Ne mendojmë që nuk ka rrugë tjetër për ta pasuruar dhe ta përmirësuar gjuhën dhe kulturën arbëreshe veçse me lidhje sa më të plota me gjuhën dhe kulturën e mëmëdheut. Copëtimi i gjuhës është copëtimi i kombit dhe copëtimi i kombit shpie domosdo në zhdukje.”(Revista “Vija”, nr. 1, 1967)

2.1. Gjuha ime përballë tjetrit

Çështja e përballjes me tjetrin ndeshet në krijimtarinë e thuajse të gjithë poetëve bashkëkohorë arbëreshë. Giuseppe Schirò di Maggio, ndër më cilësorët e ditëve të sotme, e konfiguron atë nëpërmjet formash nga më të larmishmet. Te vëllimi me poezi “Kopica e ndryshku”(një bisedë shqipe-arbëreshe në trajtë poezie), tjetri zbulohet përmes shëmbëlltyrës së të gjitha elementeve të jashtme, të cilat kërcënojnë zhbërjen e arbërishtes, gjuhës së parë të subjektit lirik.

Kopica e ndryshku janë të pranishme në secilën poezi të këtij vëllimi, herë duke u përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë të tjera duke u nënkuptuar. Ato shndërrohen kështu në simbol të të gjitha dukurive, që i kanë ekspozuar rrënjët e identitetit dhe të gjuhës arbëreshe ndaj pushtetit të tjetrit, ndër të cilat shoqëria e konsumit, martesat jashtë trungut, televizioni, rrethanat ekonomike, mungesa e shkollave shqipe etj..

Titulli i këtij vëllimi poetik, “Kopica e ndryshku”, ka referencë biblike: “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja (lexo: kopica – shënim i imi, H. N.) e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin.”(Mateu 6,19) (Bibla: 2011).Në këtë citim të Biblës, tenja dhe ndryshku paraqiten si kërcënime. Objekt i këtyre kërcënimeve është thesari. Nga kjo bartje ndërtekstore, ku diskursit letrar i shtohet edhe ai biblik, poeti ruan të njëjtën semantikë të kopicës dhe të ndryshkut, por i rikontekstualizon si fjalë për të shenjuar një problematikë të re, atë të rrezikut që po kërcënon arbërishten. “Situatat e vështira ekzistenciale ndërlidhen me ngjarje biblike, për të nxjerrë mesazhe filozofike që transmetojnë dhe shprehin një revoltë karshi realitetit.” (Ndue, U., material online)Edhe poezia e parë e këtij vëllimi hapet me një referencë biblike: Tek është thesari yt / atje edhe do të jetë / zemra jote. (Mt. 6,21) Fjala thesar, e pranishme në të dy citimet e Biblës, e ruan thelbin e vet kuptimor edhe kur përmendet në poezi, duke u mishëruar me të gjitha ato elemente që përbëjnë identitetin e bashkësisë arbëreshe, ndër të cilat, dhe më kryesorja, gjuha.

Referenca të tilla biblike, të cilat i mbishtresohen ligjërimit letrar, krijojnë një analogji të pjesshme ndërmjet dy dukurive të kohëve të ndryshme, që në thelb lidhen me filozofinë ekzistenciale dhe të mbijetesës. Përsiatje të kësaj natyre janë shenja të një prirjeje për të universalizuar dhe rritur ndjeshmërinë ndaj tematikës në fjalë, por edhe për t’i dhënë asaj ngjyresa të shpirtërores.

I gjithi ky tekst u nënshtrohet raporteve shkak/pasojë. Kopica dhe ndryshku, dy termat kyç të tij, krijojnë metaforën e madhe të shkaqeve. Kjo metaforë zbërthehet e kuptimësohet më tej nëpërmjet trajtash më të vogla, që vijnë përmes elementesh me veprim konkret: pushteti i kulturës dhe i fjalës së huaj, mungesa e shkollave në gjuhën shqipe, konsumi, nevoja për tregti etj.. Në anën tjetër kemi pasojën, e shenjuar nga grupe fjalësh, që bartin ngjyresa negative: ndikime të pandreqshme, humbja e fjalëve tona, dëm i pallogaritshëm, uri e furishme. Raportet shkak/pasojë përvijohen edhe në marrëdhënien midis vargjesh të veçanta:

kopica e ndryshku
të hanë thesarin
kopica e ndryshku
të grijnë të folmen
kopica e ndryshku
të shtrembërojnë identitetin,

(Di Maggio, G., tekst në dorëshkrim)

ku shkaku theksohet nëpërmjet të njëjtit varg, kopica dhe ndryshku, duke u përsëritur tri herë, në formë këmbënguljeje. Vargjet e tjera shenjojnë pasojën dhe jepen përmes grupeve të fjalëve: të hanë thesarin, të grijnë të folmen, të shtrembërojnë identitetin. Në përbërje të këtyre grupeve hasen tri folje, që të gjitha me ngarkesë negative: të hanë, të grijnë, të shtrembërojnë, përkundër tre emrave, që të gjithë me ngarkesë pozitive: thesar, e folme, identitet. Jo pa qëllim, të tria foljet janë të formës veprore, sepse i referohen një veprimi, një procesi që po ndodh dhe jo rastësisht janë vendosur në kohën e tashme, sepse i referohen aktualitetit, asaj që tashmë po ndodh.

2.2. Metafora e zhbërjes

Çështja e bjerrjes së gjuhës bëhet objekt trajtimi poetik edhe në disa poezi të librit tjetër të këtij autori, atij me titull Metaforë, një tekst dygjuhësh, shqip dhe italisht. Poeti krijon këtu referenca konkrete identitare, që shenjojnë vetëdijen historike e kulturore të bashkësisë arbëreshe: Skënderbeu, Moreja, De Rada, Serembe, Varibova, të cilët rreket t’i shndërrojë në kode ndërgjegjësimi e kujtese. Nëpërmjet përmendjes së tyre krijohet një raport i së shkuarës (prejardhjes, rrënjës), me të tashmen konkrete (rrezikut për asimilim), më shumë si kundërvënie, sesa si përafrim. Këto dy përmasa kohore, në poezinë e Di Maggio-s plotësohen edhe me një përmasë të tretë, që është e ardhmja. Ato janë në një takim të vazhdueshëm: e para si thirrje, kujtesë dhe vetëdije; e dyta si shqetësim e ankth konkret, si shkak; e treta si shenjëzim i bjerrjes tërësore dhe humbje e vetëdijes, si pasojë.

Ja se si shkrihen e ndërthuren këto tri përmasa në poezinë “Çervikati” (Cervicati), ku e shkuara vjen metaforikisht nëpërmjet gjuhës së parë (arbërishtes), e tashmja nëpërmjet gjuhës së dytë dhe belbëzimeve të pleqve në gjuhën e parë (bjerrja, asimilimi), ndërsa e ardhmja nëpërmjet paralajmërimit “as edhe pleqtë do të qëndrojnë më”:

Një ditë të erdhi turp
për veten tënde e për fjalët e tua
dhe lipe shkurorëzim nga gjuha jote e parë!
Një perëndi fitimtare veproi mbi ty shndërrimin
e sot ke vetëm gjuhën tënde të dytë.
Mund të mburresh me kaq për ndonjë
pikë qëndrese:
ca pleq belbëzojnë edhe sot
ndonjë shprehje të gjuhës së parë!
Por rri në pritë – ka qenë përherë në pritë –
furtuna e tmerrshme e asaj perëndie fitimtare
një vrundull më të vendosur
e as dhe pleqtë do të të qëndrojnë më.
Por ti mos rri e mërijtur!

(Di Maggio, G.,tekst në dorëshkrim)

TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

Vëllimi në fjalë përbëhet nga 54 poezi. Secila prej tyre mban për titull emrin e një katundi arbëresh. Katundi shndërrohet kështu në kryesimbol, prej të cilit, poezi pas poezie burojnë edhe një sërë simbolesh të tjera: guri, vatra, zjarri, pleqtë, kambana bizantine. Kjo e fundit, si shenjëzim fetar i bashkësisë së atjeshme, bartur e ruajtur që prej shpërnguljes së madhe, është njëri ndër elementet identifikuese ende i pazhbërë nga vetëdija e arbëreshëve. Për Di Maggion ajo është mjeti që i lajmëron botës “titujt e mi të ekzistencës.”

3. Tjetri i brendshëm

Në poezinë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë, trajtat e tjetrit nuk shfaqen vetëm sa i përket përballjes me tjetrin si i huaj. Që prej shpërnguljes së tyre në Itali e deri në shekullin e kaluar (pra, për rreth pesë shekuj), ata e patën të pamundur të komunikonin edhe me trungun amë, Shqipërinë. Si rezultat, kjo bashkësi mbeti e papërfshirë në proceset historike, kulturore, gjuhësore e letrare që ndodhnin në atdheun e tyre të origjinës. Mirëpo, siç shprehet Rexhep Ismajli: “… pamundësia e komunikimit më esencial dhe më të dendur me trungun për më se pesë shekuj ka lënë gjurmë edhe në dallimet midis këtyre meseve.” (Ismajli, R., 1978)

Këto dallime e distanca të krijuara ndërmjet bashkësisë së atjeshme dhe trungut amë, përvijuan atë që Tzvetan Todorov e emërton si “Tjetri i brendshëm”. (Todorov, T., 2015)Në këtë rast, njohja e vetes është e cunguar, e papërmbushur, gjë që shpjegon edhe një lloj joshjeje për ta zbuluar e prekur më konkretisht atë. Kjo lloj joshjeje është një thirrje e brendshme që i bëhet vetes e drejt së cilës shkohet.

TRAJTAT E TJETRIT NË POEZINË E SOTME ARBËRESHE

Kështu, poetin arbëresh e grish një hapësirë tjetër gjeografike: Moreja, Shqipëria, Kosova. Është për këtë që, disa nga poezitë e tyre u kushtohen qyteteve shqiptare, personazheve shqiptare, ngjarjeve me rëndësi historike për Shqipërinë. Kjo joshje për t’u zhvendosur “tjetërkund”, krijon një marrëdhënie të “së këtushmes” (vendit ku jetojnë e krijojnë arbëreshët), me “të atjeshmen” (vendin që e shohin si atdhe, si pjesë e të cilit janë e ndihen), një raport, ku e këtushmja është atje dhe e atjeshmja është edhe këtu. Përveçse në bashkëkohësi, kjo vetëdije ndaj “tjetrit të brendshëm” ka ekzistuar e është shprehur edhe nga poetët e traditës (kujtojmë vargun e Serembes: “Arbëria që është prapa detit/ na kujton se të huaj jemi te ky dhe”).

4. Përfundime

Në krijimtarinë e shkrimtarëve arbëreshë, imazhi i tjetrit zë një vend qendror. Trajtat e tij janë dyformëshe: tjetri si i huaj dhe tjetri i brendshëm. I pari nuk ka të njëjtin identitet, origjinë apo gjuhë që ka vetja, ndërsa i dyti lidhet me pjesën e panjohur të vetes dhe një lloj prirjeje për të shkuar drejt saj, për ta njohur atë.

Disa nga tematikat, që pothuajse të gjithë poetët e traditës dhe ata të bashkëkohësisë i shndërruan në objekt trajtimi poetik, dhe që shërbyen sa për t’u dalluar prej tjetrit/të huajit, po aq edhe për të pohuar veten e për t’u afruar me tjetrin e brendshëm, janë: evokimi i atdheut, kërkimi dhe ruajtja e rrënjëve, evokimi i historisë dhe i figurave të saj, rifunksionalizimi i miteve e simboleve, rimarrja e figurave të legjendës etj..

Gjuha vijon të mbetet njëri ndër elementet thelbësore, me të cilën arbëreshët identifikojnë veten, por edhe dallohen prej tjetrit. Bjerrja e saj është shndërruar në një shqetësim thelbësor të poetëve të atjeshëm, gjë që pasqyrohet edhe në një pjesë të krijimtarisë së tyre, siç ishte rasti i Giuseppe Schiro di Maggio-s. Ky fakt përligj edhe një prirje të përgjithshme të shkrimtarëve arbëreshë për të shkruar në shqipen standarde, si një mënyrë kjo edhe për t’u afruar më tej me tjetrin e brendshëm.

Referenca

[1]. Berisha, Anton, Nikë. Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, [Interpretations of Italian Arbëresh literature] Luigi Pellegrini Editore – Cosenza – Italy, 2008.

[2]. Bibla (SHKRIMI SHENJT, BESËLIDHJA E VJETËR DHE BESËLIDHJA E RE), përktheu e shtjelloi Dom Simon Filipaj, botim i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Tiranë 2011.

[3]. Çabej, Eqrem. Në botën e arbëreshëve të Italisë (Përmbledhje studimesh), [In the world of the Arbëresh of Italy (Summary of studies] shtëpia botuese “8 NËNTORI”, Tiranë 1987.

[4]. Di Maggio, G., Kopica e ndryshku – një bisedë shqipe-arbëreshe në trajtë poezie, [Moth and rost – an albanian-arbëresh conversation in form of poetry]. Pa vit botimi. Në këtë punim i jemi referuar tekstit në dorëshkrim.

[5]. Di Maggio, G., Metaforë – vjersha, [Metaphor – poems] botim dygjuhësh, shqip dhe italisht. Pa vit botimi. Në këtë punim i jemi referuar tekstit në dorëshkrim.

[6]. Giordano, Emanuele. Fjalor i arbëreshëvet t’Italisë (Dizionario degli Albanesi d’Italia) [Dictionary of the arbëresh of Italy] Edizioni Paoline – Bari, 1963.

[7]. Ismajli, Rexhep. Rrënjë e fortë (Poezia arbëreshe e ditëve tona), [Strong root (Arbëresh poetry of our days)] RILINDJA, Prishtinë 1978.

[8]. Kamsi, Kolë. Fjalor arbërisht-shqip, [Arberian-albanian dictionary] Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2000.

[9]. Levinas, Emmanuel. Time and the Other [and additional essays], Duquesne University Press, Pittsburgh 1987.

[10]. Levinas, Emmanuel. Totality and Infinity – An Essay on Exteriority, Martinus Nijhof Publishers, Boston 1979.

[11]. Todorov, Tzvetan. Konkuista e Amerikës – Çështja e “tjetrit”, [The Conquest of America: The Question of the Other], përktheu nga origjinali Primo Shllaku, Pika pa sipërfaqe, Tiranë 2015.

Periodikë

“Vija”, [The line] numër 1, Frascineto 1976, revistë e përkohshme letrare, organ i Rrethit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë. Motoja e saj: “Një gjak një gjuhë”. U themelua nga Dushko Vetmo (pseudonim i Francesco Solano-s).

Burime elektronike

Ukaj, Ndue. Diskursi biblik në letërsinë shqipe /on-line/. Shkëputur më 05.08.2020 nga: https://shkodraloce.wordpress.com/2013/07/03/diskursi-biblik-ne-letersine-shqipe/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!