KRIST MALOKI – LUTJE E DYTË

KRIST MALOKI – LUTJE E DYTË
MALI KRISHNA (KRIST MALOKI)
(1900-1972)

LUTJE E DYTË

Pushoj natyra, e nër foleza të veta
Ra n’gjumë Gjithësia, mallshëm si nji fmi,
Veç nër andrime rrokullohet jeta
Rreth teje, o Shpirt, rreth teje, Perëndi!

Si hyell i vogël nëpër sfera të marrta,
Kalon dheu ynë kah nata, pa kujtim
Që kandshëm dielli, nëpër rreze t’zjarrta,
E ngreh, e ngroh dh’ e shtyn për rrokullim.

Nga një burim i errt gurgullon një prrue,
Plot mall t’u derdh e plot dishir, i rëmyeshëm
Përshkon humner’ e gjire tue shungullue
E shkrihet në shkumë nëpër shkambij të thyeshëm.

Mandej kah fusha rrjedh plot melodina,
Plot kangë dashtnije, malli e pikëllimi…
Për anë t’tij lulet, lisi e lëndina
Për anë t’tij shkrihen, digjet mbarë blerimi.

E kshtu rrjedh prroni, derdhen mija vija,
Përtej si lum, lumnueshëm deri n’ det…
Ner ta kndon koha, jeta e përjetsia,
E dielli shndrit e hana drithet lét.

E kshtu plot rrjedhje t’andshme nëpër malle,
Andrueshëm lumi i jetës sonë ushton;
Gurgllojn kanglueshëm valzat nëpër zalle,
Gufon një kangë nga fund’ i zemrës sonë.

Si hyell i vogël nëpër sfera të marrta,
Kalon dheu ynë kah nata, pa kujtim
Që kandshëm dielli, nëpër rrëza të zjarrta,
E ngreh, e ngroh dh’ e shtyn për rrokullim.

E pa pushim rreth diellave, nër valle,
Kangplot planetat sjellën në harmoni,
E jeta e jonë, si një udhëtim plot malle,
Rreth Teje- o Shpirt, rreth teje, Perëndi…

1937

Lutje e dyte
Koliqi, Camaj, Maloki

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!