KRISTAQ JORGO – EDHE SKULPTOR, EDHE SHQIPTAR?!

KRISTAQ JORGO – EDHE SKULPTOR, EDHE SHQIPTAR?!
KRISTAQ JORGO

EDHE SKULPTOR, EDHE SHQIPTAR?!

[LASGUSH PORADECI, shtatoret e FATOSËVE TË SHQIPËRISË dhe një zhvillim i çuditshëm i vitit 2020]

Fliste kështu në maj të 1980-s, në mes të Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë, Princi i skulpturës shqiptare, ODISE PASKALI:

“Jemi mësuar t’a quajmë Lasgushin si poet i dashurisë, por Lasgushi nuk është i tillë, ai është poet universal, një artist i math.

Unë do tregoj një episod që më ka lënë mbresa.

Ishte koha kur punonja për Skënderbeun. Tek sheshi në Tiranë poshtë xhadesë ishte ulur një malësor plak me mustaqe dhe rrinte aty këmbëkryq. E sodita këtë malësor për një kohë shumë të gjatë dhe mendova se ai do të shërbente si model mjaft i mirë për Skënderbeun. Ju afrova t’ja thosha këtë malësorit. Ai pranoj dhe vinte çdo ditë në studion time të pozonte. E kisha mbaruar pothuajse fare Skënderbeun dhe skulpturën e kisha vënë në një vënd të dukshëm të studios, që të binte në sy menjëherë. Kjo jo pa qëllim. Por që kur të vinin vizitorët, t’a shikonin dhe të jipnin mendimet, si ju dukej Skënderbeu im.Rastësisht një pasdite vjen në studio Lasgushi. Përnjëherë i del në sy Skënderbeu dhe afrohet afër. “Jo, Odise, nuk është heroik”, më tha. Atëherë unë e sodita me orë të tëra Skënderbeun tim dhe e kuptova se Lasgushi kish të drejtë. E kuptova që Skënderbeu im nuk ishte heroik. Këtë gjë unë nuk mundnja t’a zbulonja vetë megjithëse e ndjenja që diçka i mungonte […] dhe këtë e gjeti Lasgushi vetëm me një vështrim. E ripunova përsëri Skënderbeun…”

ODISE PASKALI
SKULPTOR
Odhise Paskali duke gdhendur monumentin e Skënderbeut

Kthehemi shumë vite pas. Tani është Lasgush Poradeci që flet:

“Më 1937, me rastin e Kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, ishte bërë (në shkollën e vizatimit) ekspozita e skulpturës dhe e dokumentave të Rilindjes. Vinin shqiptarë dhe të huaj për t’a vizituar. Komisioni pregatitës i kremtimeve (në të cilin bënja pjesë edhe unë) kishte ftuar dhe albanologun e famshëm, profesor Norbert Jokl-in. Një ditë shpinim (me Eqerem Çabej-në) profesor Jokl-in në shkollën e vizatimit, për t’a udhëhequr Joklin nëpër ekspozitë. […]“… Artistët e huaj (…) nuk e kishin interpretuar Gjergj Kastriotin në kuptimin shqiptar, në frymën e një Luftëtari shqiptar zotëronjës, dyke shprehur traditën e rrallë shqiptare rreth Gjergj Kastriotit, d.m.th. dyke i dhënë madhësinë dhe madhështinë që e karakterizon. Artistët e huaj vërtetonin me veprat e tyre se nuk e njihnin ndjenjën shqiptare dhe as natyrën e fatosit që përfytyronin. Në vënd që Gjergj Kastrioti të kishte pamjen e një Fatosi zotëronjës të Fatit të atdheut të vet dhe zotërimtar të rezikut armik, ishte, nër të gjithë (…) një tip indiferent (siç ishte indiferent shpirti i artistit të huaj ndaj trimërive, fitimeve, vojtjeve dhe shpresave shqiptare).Kjo mizerje interpretimi dukej jo vetëm në atitudën e përgjithëshme, por dhe në gjestet, në shprehjet, në veshjet dhe në çdo element tjetër interpretimi. Njëri e kish bërë Gjergj Kastriotin si një mumí egjyptiane (të ngurosur), tjetri si një qiri të drejtë (me rasë priftërije), tjetri si një dervish (me gojë të hapur dhe mustaqe rodhe-rodhe), tjetri si një lodërtar (si karagjos me syçka të vogla dhe qesharake), tjetri si një evgjit (me një qeleshe konike dhe mikroskopike mi kokë dhe një trastë të varrur me spango në anën e mëngjër të trupit), dhe kështu të gjithë skulptorët e huaj kishin bërë një karikaturë në vënd të një heroj dhe të një sundonjësi të fatit të një Kombi kundrejt më të madhit armik rezikonjës të botës së asaj kohe.[…] Interpretimet e huaja mi Gjergj Kastriotin ishin të dobëta – sepse një i huaj është shumë vështirë të interpretojë shpirtin e një kombi tjetër. Kjo ishte ideja ime në gjirin e Komisonit, kur u mblodh Komisioni për të shpallur një konkurs për bërjen e një shtatoreje të Gjergj Kastriotit. Unë thesha t’a shpallim konkursin midis artistëve shqiptarë, më një anë për prestigjin kombëtar (…), dhe më tjetër anë se vetëm një shqiptar mund t’a interpretonte Fatosin Kombëtar brënda frymës kombëtare shqiptare. Unë desha kështu, po shumica deshin konkurs të huajsh – dhe kësisoj artistët e huaj e qesharakëzuan Gjergj Kastriotin me shëmtitë artistike dhe psikollogjike që kishin sjellë …”

LASGUSH PORADECI
Skulptor, shqiptar

Kështu fliste Lasgush Poradeci në 1937-n. 83 vjet më vonë, në 2020-n, në botën shqiptare ndodhi një zhvillim i çuditshëm: Dëshira e Lasgush Poradecit është realizuar. Ata që bëjnë shtatore të Gjergj Kastriotit e të Fatosëve të tjerë të Shqipërisë janë shqiptarë.

Mirë, mirë, janë shqiptarë, por nuk janë skulptorë! Po ç’janë? Janë p.sh. berberë! Dhe kur qëllon të mos jenë berberë, por skulptorë, për një arsye misterioze të pashpjegueshme pushojnë së qeni shqiptarë!

Si t’ia bëjmë LASGUSH PORADECI?

Ç’është kjo flamë që na ka zënë O BARD I SHQIPES?

Falënderoj znj. Marie Lasgush Poradeci për ofrimin e materialeve këtu të cituara.

Shënim. Pasazhet e mësipërme i solli për lexuesin, bashkë me komentet e veta, Profesor Kristaq Jorgo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!