KRISTAQ JORGO – KËSHTU NGJITESH TEK YJET ose MBI FISNIKËRINË

KRISTAQ JORGO – KËSHTU NGJITESH TEK YJET ose MBI FISNIKËRINË

KRISTAQ JORGO

KËSHTU NGJITESH TEK YJET ose MBI FISNIKËRINË

– Në datëlindjen e Fisnikut PETRAQ KOLEVICA (11 janar 1934) –

Pati thënë njëherë Viktor Hygoi [këtu e parafrazuar]: “Franca nuk është e gjithë Franca; Franca është Parisi. Jo, Franca nuk është as Parisi; Franca janë 200-300 Shpirtërat më të Ndritur të saj, Fisnikëria e saj. Kjo është Franca.”

Mund të përshtatej një thënie e tillë për cilindo komb, edhe për tonin.

Njëri prej Kalorësve të FISNIKËRISË SHQIPTARE, të atyre që bëjnë atë çka është Shqipëri, ka sot datëlindjen: Fisniku PETRAQ KOLEVICA.

Fisniku është i shenjuar nga disa cilësi që gjindja tjetër nuk i gëzon kurrë të tëra bashkë dhe as me të njëjtin ndriçim:

Fisniku nuk e njeh kompromisin me të ligën;
Fisniku është kurdoherë prijatar;
Fisniku lë gjurmë që nuk shlyhen;
Fisniku dëshmon të vërtetën e kohës së tij;
Fisniku zgjon vetëdijen e gjindjes së tij;
Fisniku profetizon të ardhmen e kombit të tij;
Fisniku është në shoqërinë e të ngjashmëve të vet.

Kështu dhe i tillë e përherë Fisniku PETRAQ KOLEVICA:

Kështu klithi-dëshmoi në kohën e Natës:

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirti im, përse rri zgjuar?
Ç’të ngre kështu në shtrat sa bje.
Sikur me gjemba është shtruar?

Më dhembin plagët, plagët, bre!
Që ditë për ditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar.

Kështu vajtoi-profetizoi për vendin e gjindjen e vet atë çka do të ndodhte vetëm shumë vite më vonë:

Kaq u shtuan poshtërsitë,
Kaq u rritën marrëzitë,
Kaq na mbytën ligësitë,
Sa kam frikë së një ditë,

Kur dhe ne të shohim dritë,
Kur të hapen krejt kufitë,
Oh, kam frikë atë ditë,
Ikjen e gjithë njerëzisë!

Do të lenë mall’ e gjënë;
Do braktisin babë e nënë
E s ‘do kthejnë kokën prapa,
Po do ikin me të vrapa

Larg qytetit, larg shtëpisë,
Larg, më larg prej Shqipërisë;
Larg, më larg kësaj së mjerës,
Sikur ikin prej kolerës …

Dhe kështu buçet me pushtetin zëfortë të një Zarathustre niçean:

Të gjithë ç’jini ju thërras:
Të rinj,
Të vjetër.
Kush mbeti tjetër?
Të gjithëve ju flas.
Si mjerë ju, në më dëgjofshi!
Unë dua shkatërrimin e qetësisë suaj.
Gjumin do t’ju prish.

Do ta fshikulloj gërdallën e vullneteve të kalbur derisa të ecë revan.Gjakun e kuq e të nxehtë të pasionit do t’jua lëshoj e t’ju vërshojë e t’u përmbytë lëndën e hirtë e të ftohtë të trurit.

Po kush jam unë që ju flas?
Këtu, më pak se të gjithë, do të flas unë.
Të tjerët do t’ju flasin.
Të tjerë do t’ju bindin

Këtu, si në një seance madhështore spiritizmi, kam thirrur shpirtërat e ndritur, të vojtur, të munduar, të paepur.

Të varfër kam thirrur, të uritur, të tretur, të sëmurë, lëngaçë, gungaçë, tuberkulozë, të verbër, të shurdhër, të çmendur…

Tërë shpirtërat fisnikë kam thirrur!Dëgjojini tek tregojnë të fshehtat e botës.Ata kanë lëvizur botën. Drejt diellit e kanë shpënë.

Ata i kam mbledhur të na marrin mbi shpatulla e të na shpien drejt Dritës.
Ejani!

Ne tani do shkojmë larg
Atje, mes të lirëve,
Në mes të martirëve,
Në mes të të rënëve,
Në mes të pangrënëve,
Në mes të të fyerve,
Në mes të urryerve,
Flakur jashtë dyerve,
Krejt të papërlyerve.

Po, pse vetëm në shoqërinë e të Ngjashmëve të vet rri Fisniku.

Kështu e zgjodhën Fisnikët e Mëdhenj LASGUSH PORADECI e MITRUSH KUTELI, duke e bërë vëlla të tyre, bir të tyre të besuar në mes qindra, mijëra e dhjetëra mijërave të tjerë Fisnikun PETRAQ KOLEVICA.

Sepse Fisnikët e këtij vendi e të të gjitha vendeve, të të gjitha kohëve këndojnë së bashku me zërin çdonjërit prej tyre. Kështu këndojnë ata, na thotë Fisniku PETRAQ KOLEVICA:

“O jetë e mrekullueshme, ti që krijon martirë me vullnet të ndërgjegjshëm dhe për këtë ata të lavdërojnë, o jetë, mizore e urtë, ti që më të mëdhenjtë i bën skllevërit e tu me vuajtjet, me të cilat ata shpallin triumfin tend!

Klithmën e përjetshme të Jobit, që kumbon përmes mijëvjeçarësh, atë që Zotin e njohu përmes vuajtjesh ti do gjithmonë të dëgjosh, ti do ta dëgjosh edhe këngën gazmore të burrave të danielit, ndërsa trupi I tare ndizet në furrën e zjarrtë…

Të gjithë i ke dëbuar me kamxhikun tend për në përjetësi. O, si triumfon ti tek njerëzit që i le të vuajnë!

Nga nata ti bën ditë, nga vuajtjet bën dashuri, që nga ferri nxjerr ti himnin e shenjtë.

Sepse më i vuajturi është më i urti nga të gjithë dhe ai që të njeh Ty, duhet të të bekojë.

Dhe ai që të pati njohur më thellë, shihe, ai dëshmoi për ty si askush, ai të deshi më shumë se askush.”

Kështu Mjeshtër PETRAQ KOLEVICA.

Edhe shumë vite të tjerë jetë e bekime, Shën Petri i pamposhtur, siç miq ju quajnë me të drejtë.

Edhe shumë vite të tjerë!

Sepse Shqipëria nuk është e gjithë Shqipëria.

Shqipëria ka qenë, është e do të mbetet FISNIKËRIA e saj.

KËSHTU NGJITESH TEK YJET ose MBI FISNIKËRINË
Petraq Kolevica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!