LËNGIMI I DASHURISË – ANONIM ARBËRESH
ANONIM ARBËRESH
LËNGIMI I DASHURISË
Shpirt na hiqte një bir zoti,
Hiqte shpirt, po s’mund të vdiste,
Dashuri’ e kish molisur
Dashuri e s’bukrës tij;
Prandaj e ëma vendosi,
Tek e bukura ajo rendi:
– O ti bushtër, bij’ e bushtrës,
– Im bir po na vdes për ty,
E ti rri e më qendisën!
Sa dëgjoi ashtu e bukura,
Të qëndisurit e la,
Mori shportëzën në dorë
Edhe zbriti mu në kopsht,
Gjithë helm në shpirtn’ e saj
Deg’ ulliri na këputi,
Me të gjith’ ullinj të zinj,
Posi kish syt’ e saj vasha,
E vuri brenda në shportët
Degë ftua na këputi,
Me të gjith’ ftonjtë të bardhë,
Posi kish gjin’ e saj vasha,
E vuri brenda në shportët,
Degë molle na këputi
Me të gjith’ molla t’ëmbla,
Posi kish gojënë vasha,
E vuri në shportët
Edhe shportën plot e mbushi.
Pastaj vash’ u ngjit në dhomët,
Këmishën e hollë veshi,
Ngjeshi brezin e argjendë,
Veshi fundn’e saj të artë,
Me këpucët e mundashta,
Dolli, vate drejt’ e në shpi,
Në shtëpi të të dashirit,
Gjeti priftërinj’ e mjekë,
Priftërinj që po psalnin,
Gra të mbledhura për kujë.
– O ju priftërinj, bujarë,
– T’shkoni më lini, u largoni,
T’shkoj të shoh un’ të sëmuri,
Që ju duket se po vdes. –
Trimit sa i ra në vesh,
Ai zë si një muzikë
I ra n’vesh edhe në zëmbër,
Përnjëher’ i hapi sytë,
E shikoj mir’ vashn’e tij.
Vasha sipër iu livar,
But’ ngadal’ i foli trimit”
– Trim, atë që më ka vasha,
Ja, ty vasha po ta sjell.
Trim, hidhu më edhe ngreu. –
Trimi tha: – O vashë, un’ dua
Që këtu të rrish me mua.
Un’ të lutem, vash’ parraisi,
Të më flaç, të më shikosh,
Je borë që ftoh dhe shëron.
Kritika e studime mbi poezinë e arbëreshëve të Italisë mund të gjeni këtu.