ZEJNULLAH RRAHMANI: LETËRSIA SHQIPE NUK ËSHTË INFERIORE NDAJ LETËRSIVE TË TJERA

ZEJNULLAH RRAHMANI: LETËRSIA SHQIPE NUK ËSHTË INFERIORE NDAJ LETËRSIVE TË TJERA

LETËRSIA SHQIPE NUK ËSHTË INFERIORE NDAJ LETËRSIVE TË TJERA

(Intervistë me studiuesin, teoricienin dhe shkrimtarin Zejnullah Rrahmani)

Të krijosh apo të reflektosh e gjykosh mbi krijimin, cilin proces parapëlqen Zejnullah Rrahmani?

E pëlqen krijimin. Le ta quajmë edhe proces, si akt i përbërë, ku marrin pjesë shqisat, pasioni dhe logjika, por edhe si kuptim, që është një veprim i përbërë prej kohës. Ose le të jetë ai i teorive klasike: proces në të cilin realizohet një imitim, produkt i të cilit është poesis. Edhe le të jetë proces, i cili për aq sa zgjat, është në mëshirën e perëndive a të muzave. Le të jetë proces i frymëzimit romantik (i gjeniut) ose i frymëzimit realist, frymëzim njeriu! Në të gjitha këto procese e shoh veten komod. Jam aty. Krijoj sipas principit, që rezulton krijim i veprës letrare. Unë natyrën time të shprehjes letrare e kam gjetur në llojet narrative të prozës. Aty është bota ime.

Reflektimi mbi krijimin ka qenë gjithashtu pjesë e formimit tim njerëzor, profesional dhe letrar. Është krejt e natyrshme që, pas leximit, të gjesh vetveten brenda reflektimeve mbi veprën letrare dhe letërsinë në përgjithësi. Natyrisht që reflektimet e para dhe naive shpejt disiplinohen në procesin e mësimit shkollor, siç ka ndodhur edhe me mua, duke ruajtur qasjen individuale dhe duke e plotësuar me dijet që vijnë natyrshëm nga nivelet e studimit dhe, bashkë me këtë, edhe nivelet e meditimit mbi letërsinë. Unë jam përpjekur ta ndjek zërin tim edhe në këtë fushë dhe ai natyrshëm më ka dërguar kah teoria dhe pjesërisht kah estetika e filozofia e letërsisë. Duhet të ketë njëfarë roli, që profesioni im i profesorit të teorisë e ka kërkuar një punë më të veçantë dhe një thellim të vazhdueshëm në këtë fushë. Më duhet të them që, sa më shumë që kam punuar në këtë drejtim, aq më shumë e kanë ndier se në thelb teoria më ka afruar me krijimin letrar dhe shpresoj që, në pjesë të caktuara, edhe vetë teoria ime të ketë elemente të krijimit artistik e letrar, siç i ka edhe krijimtaria ime në prozë. Ndonjëherë e kam ndier që ajo është si faqja e prapme e një letre, ashtu si e kam ndier shpesh që, në krijimtarinë time letrare, teoria e artit është fytyra e dytë e veprës sime letrare. Lexuesit mund ta hetojnë e shohin këtë në shumë prej veprave të mia të të dyja fushave.

Historia e letërsisë shqipe njeh një sërë emrash që, ashtu si ju, zotërojnë njëkohësisht përmasën e shkrimtarit dhe atë të studiuesit. Le të kujtojmë Konicën, Fishtën, Koliqin, Camajn, si dhe mjaft personalitete të tjera të ditëve të sotme. Në anën tjetër, ka një varg emrash që merren vetëm me studimin e letërsisë. Cila prej këtyre dy kategorive mendoni se e gjykon/vlerëson më drejt një vepër letrare?

Që një kritik i mirë, studiues i mirë i letërsisë etj., të jetë i pazoti për të krijuar vepra letrare është e dokumentuar me qindra herë. Thjesht ka shumë studiues, që janë të mirë në profesionin e tyre dhe me këtë janë meritor për njohjen, vlerësimin e sistemimin e saj. Dija mbi letërsinë (shkenca e letërsisë) ofron hapësirë të pafund për kualitetet e tyre të veçanta. Shumë prej tyre mbeten emra të njohur dhe të respektuar dhe dija e tyre kalon në përvojën letrare, madje edhe në përvojën njerëzore.

Tash, sa i përket radhës tjetër: e para gjë që mendoj është se shkrimi diskurziv (kritik, historiko-letrar e teorik) mbi letërsinë i dallon këta autorë nga të tjerët, si autorë të shkolluar, të përgatitur për të diskutuar letërsinë dhe çështjet që i nxit ajo dhe për të cilat flet. Midis tyre ka, vërtet, njohës të shkëlqyer të letërsisë në çdo aspekt, si dhe të raporteve të letërsisë me lexuesin dhe më tej me idetë dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Qëndrimi i tyre dhe tekstet e tyre të kësaj fushe, shpesh mund të lexohen si krijime, ndoshta jo në kuptimin e një poezie ose proze, por të një teksti sivëllakrijimit poetik, që njësoj si letërsia realizohet në gjuhë. Në këto raste, figura e krijuesve të tillë shfaqet më e plotë dhe më komplekse dhe i shpreh nivelet e ndryshme të realizimit të personalitetit të tyre krijues. Fakti që jam në këtë vazhdë, më bën të ndihem mirë dhe, ndonjëherë, e ndiej që një pjesë e artit tim letrar kapërcen pahetueshëm në ato shkrime dhe u jep ngjyrë të veçantë.

Letërsia shqipe nuk është inferiore ndaj letërsive të tjera

Kritiku apo shkrimtari i madh lind ma shpesh?

Në kohën tonë kritikët e shkrimtarët e mëdhenj lindin shpesh dhe nganjëherë janë plot befasi nga mënyra se si shfaqen dhe se si formohen, dhe më në fund, edhe se si realizohen, qoftë në letërsitë nacionale, qoftë në përgjithësi. Të jesh në këto fusha tash është një fenomen global dhe kjo lidhet edhe me zhvillimin e përgjithshëm, po edhe me faktin se njeriu i sotëm është në masë të madhe njeri i shkolluar. Shkrimi është përcjellës në shumicën e veprimtarive njerëzore sot dhe prej aty është edhe një hap që të lindë ambicia për t’u përjetësuar, për të lënë gjurmë prapa në kohë, për t’u shquar, për t’u bërë i falshëm dhe, në fund të fundit, i pavdekshëm. Kam përshtypjen që dinamika e madhe e letërsisë dhe e mendimit njerëzor i bën shkrimtarët të shfaqen më të rëndësishëm dhe më të mëdhenj; ndërsa e njëjta dinamikë i bën më të vegjël dhe më të parëndësishëm kritikët e studiuesit e ndryshëm. Në shekullin e kaluar, sidomos në pjesën e dytë, këta të dytët do të luftojnë fort për status të ri në raport me shkrimtarët dhe letërsinë: do ta forcojnë pozicionin e tyre autorial prej studiuesi dhe do ta minimizojnë pozicionin autorial të shkrimtarëve. Vepra e shumë studiuesve të tillë do të lexohet si një lloj “letërsie”… Kjo garë mbetet të shihet si do të zhvillohet… tek e fundit, letërsia gjithmonë ka ndier edhe sulme nga anash, nga brinjët, dhe gjithmonë ka luftuar për status në shoqërinë njerëzore. Shkrimtarët janë të fituarit në këtë rrjedhë, janë ata që i kanë folur njerëzimit dhe kanë qenë bartësit e idealeve të civilizimit e humanizmit në përgjithësi. Ndoshta çështja na nxjerr te pyetja ‘kritiku apo shkrimtari i madh vdes ma shpesh (ose ma shpejt)?’ dhe në këtë nuk kam asnjë dyshim që shkrimtari i madh vazhdon të jetojë gjatë, besoj deri në fund të njerëzimit, nëse ai fund ekziston, për shkak të universalitetit njerëzor, të cilin vepra letrare e bart, ndërsa kritiku, sado i madh, prapë përcillet prej së veçantës, partikulares dhe domosdo kalon në histori.

Është letërsia që “përcakton” kritikën apo kritika që modelon letërsinë?

Platoni sigurisht nuk ka qenë ‘kritiku’ i parë që ka kërkuar të modelohet vepra poetike, qoftë edhe duke e censuruar për nevoja pragmatike (të edukimit, të politikës apo të ideologjisë), por ajo që konstatohet lehtë është fakti që vepra e Homerit kish bërë një jetë letrare prej disa shekujve atëherë, dhe pak më vonë Aristoteli do ta kundërshtojë menjëherë kërkesën e tillë. Ato dy pikëpamje kanë vazhduar të zhvillohen përgjatë mijëvjeçarëve dhe të jenë frytdhënëse në fushën e studimeve, deri në ditët e sotme. Jo që njëra do ta mundë tjetrën, po ato lidhen me dy tipa të organizimit shoqëror të njerëzimit: totalitarizmin dhe demokracinë.

Në tipin e caktuar të shoqërisë totalitare, jo rrallë, kritika ka synuar ta ‘përcaktojë’ letërsinë dhe model i qartë i kësaj ka qenë kritika e realizmit socialist, që zotëroi mendimin kritik në Shqipëri deri në vitet ’90, kur u përmbys diktatura komuniste. Ai lloj mendimi, pos që i vendoste platformat politike të byrove politike e komiteteve qendrore në bazë të kërkesave ndaj letërsisë, kish formuar letërsinë e vet dhe i kishte përfaqësuesit e vet të shquar në radhët e shkrimtarëve si Dritëro Agolli e Ismail Kadare, si dhe kish projektuar në shoqërinë shqiptare projektin monstruoz të “njeriut të ri socialist” në vend të njeriut shqiptar. Rezultati më i dukshëm dhe më i dhembshëm i këtij programi është zhdukja nga qarkullimi dhe ndalimi i autorëve që në veprën e tyre kanë vendosur njeriun shqiptar: Fishta, Konica, pjesërisht autorët e hershëm të veriut dhe pothuajse edhe autorë si Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci; në këtë aspekt, e gjithë letërsia e Kosovës, përveç ideologëve të komunizmit, si R. Qosja e ndonjë tjetër, nuk mund të botohej në Shqipëri, dhe për më tepër, lexuesi i edukuar me atë sistem edukimi nuk mund ta pranojë as sot këtë letërsi. Kjo është një nga arsyet e fuqishme përse letërsia e Kosovës mbetet e panjohur dhe e palexuar: letërsia e Kosovës, në variantin e mirë të saj, nuk ka qenë asnjë moment socialiste dhe nuk i është dedikuar formimit të njeriut të ri; përkundrazi, e krijuar si letërsi që afrohet në rrjedhën moderne e bashkëkohore të letërsive evropiane, në qendër të interesimit ka vendosur njeriun shqiptar, fatin e ekzistencën e tij, jetën e tij individuale e përpjekjet për të mbijetuar dhunën e egër dhe ndryshimet marramendëse të realitetit jetësor.

Në fakt, orientimi i këtillë i kësaj letërsie dëshmon që ajo edhe është përcaktuese e modeleve kritike me të cilat është përcjellë. Letërsia i paraprinë dhe, në shkallë të madhe, e orienton kritikën e saj drejt kërkimit të metodave që do t’i bëjnë të mundur qasjen, analizën dhe vlerësimin e saj. Koncepti që dikush (kritiku) mund ta mësojë shkrimtarin është koncept i totalitarizmit dhe në letërsinë e mirëfilltë është absurd.

Cili është statusi aktual i kritikës dhe studimeve letrare shqiptare?

Përkundër përpjekjeve që edhe në këtë terren të flitet për një unitet fushe (shqiptare), duhet të theksoj që i kemi dy degëzime që shkojnë nëpër rrugë të ndryshme dhe vetëm rrallë mund të gjenden elemente të përbashkëta. Në Shqipëri kritika letrare shtetërore (në dash ta quajmë partiake siç ishte) është shkërmoqur në vitet ’90 dhe deri më tash zhvillimi i saj ka qenë i zbetë dhe i paqëndrueshëm. Njësoj vlen për studimet akademike. Ato recidiva të sotme që ekzistojnë nuk mund të bëjnë asgjë në atë drejtim, sepse u mungon kapaciteti shkencor dhe formimi bashkëkohor. Kritika e ditës (gazeta, revista etj.) nuk ka qenë e zhvilluar dhe as sot nuk gjen hapësirën e duhur për të ndërmjetësuar midis letërsisë e lexuesit.

Në Kosovë, kritika, kushtimisht po quaj akademike (ajo që krijohet nga qarqet universitare e akademike), vazhdon të përfaqësojë një degë të fortë të letërsisë së Kosovës në përgjithësi. Kjo punë, shpesh dhe dukshëm influencon edhe kritikën e dijen letrare në Shqipëri, megjithëse nuk ka pranim oficiel dhe as nuk botohet atje në kapacitetin e saj. Ma merr mendja që kjo duhet të ndryshojë. Në anën tjetër, kritika e ditës, format e saj si recensioni, vështrimi kritik etj., tekstet e përshtatshme për botim në gazeta dhe në revista dhe që duhet t’u paraprijnë për shkak të dinamikës që përmbajnë dhe frymës që kërkon risi të vazhdueshme për ta intriguar lexuesin e të përditshmeve ta lexojë letërsinë, ka një rënie të dukshme aktiviteti pas në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit. Letërsia në Kosovë e ka humbur një primat shoqëror dhe nuk është në qendër të interesimeve në një shoqëri që lufton për ekzistencë dhe shtetformim.

Fragmentariteti, rrënimi kohor a pakohësia, marrëdhënia me mitin, intertekstualiteti apo raporti me historinë, janë vetëm disa nga elementet që e fusin prozën tuaj në hullitë e postmodernizmit. Kush i udhëheq teknikat e shkrimit, vetëdija apo nënvetëdija e autorit?

Unë jam i pranishëm me veprën time për rreth 45 vjet në letërsinë shqipe dhe kjo është një kohë shumë e gjatë për t’u vendosur lehtë e mirë në një drejtim letrar, në ndonjë shkollë a tendencë letrare të momentit. Identifikimet e tilla le t’ua lëmë autorëve të rinj që sa nisin punën e tyre në krijimtari. Ndoshta e vetmja gjë e sigurt në një vendosje të mundshme do të ishte të them që nuk kam shkruar kurrë roman realist (që disa i thonë edhe klasik e ku ka unitet ngjarjeje, kronologji, strukturë të fortë, ose syzhe të tillë). Formimi im letrar ka qenë tjetër dhe në veprën time unë e kam dëshmuar. Për më tepër, lexuesi im dhe kritika e studimi i veprës sime, e kanë thënë dhe e theksojnë pothuajse gjithmonë, që romanet e mia janë secili model më vete dhe nuk e ndjekin njëri-tjetrin në aspektin formal, prandaj as në aspektin e narracionit. Vepra letrare ‘shpërthen’ ose ‘buron’ ose ‘rrjedh’ ose ‘del’ nga bota e autorit, por në vazhdim kullohet e vendoset në një shtat të veçantë dhe këtu rolin kryesor e ka vetëdija, dija që zotëron autori për ta formësuar një përmbajtje. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë dilemë që edhe rrjedha e nënvetëdijes organizohet vetëdijshëm në art.

Letërsia shqipe nuk është inferiore ndaj letërsive të tjera

Në shumicën e romaneve tuaja, kufijtë e Shqipërisë konceptohen gjithnjë në bazë të përmasës etnike, gjë që, në vetvete, duket se është një shqetësim i përhershëm i juaji. Ky shqetësim nis me romanin e parë, “Zanoret e humbura”, të botuar më 1974-n, në të cilin emri “ALBANI’ është tkurrur në “LBN”. Sot, pas gati gjysmë shekulli, çfarë shihni ndryshe? Janë gjetur zanoret e humbura?

Tash, prej të sotmes duket e pabesueshme, por në vitet e ’70 në Shqipëri po luftohej për njeriun e ri socialist. Letërsia e saj po i zëvendësonte emrat e njerëzve me emra profesionesh ose idealesh komuniste, po i ndërtonte emrat me rrokje emrash të ideologëve e “idealeve” proletare, po e zhdukte karakterin individual në interes të përbindëshit kolektiv dhe kolektivizimit. E gjitha ajo po përcillej me një dhunë të tmerrshme ndaj çdo gjëje që identifikohej me Europën perëndimore, me dhunë ndaj individuales dhe shpirtërores. Një sistem çnjerëzor po himnizohej me një letërsi, ku individët e saj më të shquar ishin në organet kolektive më të larta të atij pushteti!

Kosova atëherë kish dalë nga një shtetrrethim ushtarak, nga një aksion masiv dhe i përgjithshëm për çarmatosjen e popullsisë shqiptare, nga një represion epik i organeve të sigurimit shtetëror jugosllav, që kish rezultuar me shumë të vdekur, të burgosur dhe invalidë, me rreth 200-300 mijë kosovarë në Turqi dhe që kish përfunduar zyrtarisht me një Plenum të Brioneve, pas të cilit një numër i madh bashkëpunëtorësh shqiptar qenë gjykuar moralisht nga popullata, një proces që i hapi mundësitë shkollimit në gjuhën shqipe dhe themelimit të Universitetit të Prishtinës. E vërteta ishte që nga ajo periudhe 1945-1996 (unë atëherë i kisha 14 vjeç) kosovarët qenë në teh të zhdukjes! Tre-katër vjet më vonë unë pothuajse e kisha përfunduar romanin “Zanoret e humbura”, të paktën në planin e ideve që do t’i shtroja aty. Në aspektin e strukturës dhe në atë gjuhësor kam punuar edhe disa vite më vonë për shkak se romani nuk u botua pa kaluar edhe disa vite, se nuk mund t’i kalonte ende barrierat politike.

Tash, sa u përket kufijve të Shqipërisë! Ndoshta në veprën time, a në një pjesë të saj, krijohen kufi të tillë imagjinarë? Por nuk jam marrë me kufirin. Historia deri këtu ku jemi ka dëshmuar të vërtetën, që Shqipëria ka vazhduar të funksionojë si një shtet i brishtë dhe tej mase i varfër, me plagë të diktaturës e të ‘revolucioneve demokratike’ me korrupsion dhe kriminalitet.

Kosova, në ndërkohë (në vitet ’90 të shekullit XX) ka ndërtuar qenien e vet përmes idesë së pavarësisë së Kosovës dhe me këtë konstituiv shpirtëror nacional ka bërë një rezistencë të jashtëzakonshme, që ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës.

Në variantin e mbrojtjes së arsimit shqip në kuadër të atij shteti paralel, unë kam marrë pjesë direkt në atë rezistencë (LDK) dhe për tri vjet (1996-1999) edhe e kam udhëhequr atë duke qenë këshilltari për arsim i presidentit Rugova. Ideali im është i përfunduar me pavarësinë e Kosovës. Vendi im, Kosova, është i pavarur dhe i lirë dhe unë jam një qytetar i lirë i këtij vendi. A është përmbushur ideali im shoqëror, kjo është çështje tjetër dhe unë si njeri e si shkrimtar nuk mund të jem i kënaqur me gjendjen ku jemi.

Letërsia shqipe nuk është inferiore ndaj letërsive të tjera

Krahas romanit e tregimit, njiheni edhe si lëvrues i novelës. Në fakt, kjo e fundit duket sikur po kalon kohë të vështira, duke u mpakur përherë e më shumë. Vështirësia për të shkruar apo ndonjë arsye tjetër ka çuar në “krizë” të shkrimit të këtij zhanri?

Ndoshta duhet diskutuar më shumë definomi i koncepteve mbi zhanret narrative dhe të shihet pak me më shumë gjerësi ai i novelës? Në disa letërsi (si dhe në diskutime teorike), novela për të cilën bëjmë fjalë ne kalon në dy zhanret (llojet) e tjera: në roman ose në tregim, varësisht nga anon dhe me strukturën e saj e me elemente të tjera si gjatësia-shkurtësia, numri i personazheve etj. Në disa letërsi, si ajo angleze etj., emërton romanin, pra nëse s’është tregim, është roman. Nuk ka dyshim që ka shumë romane me elementet e përmendura, që nuk dallojnë nga novela dhe ka shumë novela që nuk dallojnë nga tregimi. Ma merr mendja se, duke qenë zhanër i ndërmjetëm, është e natyrshme të priret nga njëri ose tjetri lloj. Përveç kësaj, jemi në rrjedhë të letërsisë nëse themi që në periudha të ndryshme disa nga zhanret konsumohen dhe nuk janë më në frymën e shijes së lexuesve, stërkeqen dhe lihen pak a shumë në harresë.

Në letërsinë e shkruar këndej kufirit, vitet ’90 shënojnë një cak, ku poezia fiton hegjemoni të dukshme ndaj prozës. Shihni ndonjë shkak të këtij fenomeni?

Jo, përveç rrethanave të jashtme për letërsinë. Ndoshta thyerja e madhe e viteve ’90, rrëzimi i diktaturës, e ka shthurë edhe rendin e shkrimtarëve e të krijimtarisë letrare në Shqipëri. Shumica, për të mos thënë të gjithë, kanë qenë shkrimtarë të asaj ideologjie dhe kanë përbërë elitën komuniste të Shqipërisë. Krijimtaria e tyre për një natë e ka humbur pozicionin kulturor dhe interesin (përveç disa rasteve të paktë, ku bënë pjesë sigurisht I. Kadare dhe disa të tjerë). Në boshllëkun që ka lënë ai lloj i letërsisë, me gjasë, kanë gjetur fushën më të hapur e më të lehtë krijimet poetike në vargje, poezia. Aq më shumë që në mungesë të një kritike të zhvilluar letërsia do të jetë cak i të gjithë atyre që u mbushet mendja të shkruajnë dhe kanë mundësi materiale për ta përballuar një botim të një libri modest me poezi. Në shoqëritë me letërsi të ‘patronditur’ kështu, dihet që janë bërë dy shekuj që kur proza e dominon krijimtarinë letrare dhe, si të themi, gëzon ‘statusin’ e llojit ëmë të lartë e më me ndikim në krijimtari letrare.

Cilat janë vështirësitë me të cilat përballet letërsia shqipe sot?

Letërsia shqipe nuk ka probleme të veçanta të brendshme. Kjo do të thotë që ajo nuk ka probleme me mosnjohje të strukturave të veçanta të saj, as në tërësi, as në llojet (zhanret) e saj dhe një numër i madh i autorëve zotërojnë dije e shije të mirë artistike. Fakti që në këto dy deceniet e fundit ka një vërshim të paparë të botimeve individuale, të njerëzve që kanë mundësi të përballojnë çmimin e botimit pavarësisht a shitet a jo libri i tyre, flet për faktin se edhe niveli i përgjithshëm kulturor e i edukimit është rritur e zhvilluar mjaftueshëm që të shtrojë e të ndihen nevojat e tilla. Më duket që i vetmi problem real është shteti, shteti i Shqipërisë dhe shteti i Kosovës. Ana e tyre institucionale në këto fusha ka ngecur pre e strukturave dhe institucioneve të vjetra, të cilat vazhdojnë të vegjetojnë në sistemin e ri ekonomik, politik e kulturor. Institucionet e tilla që burojnë nga ministritë e deri tek ato të edukimit po përjetojnë krizën e thellë, të cilën e ndien edhe letërsia dhe sidomos kritika e studimi i saj. Institucionaliteti i këtyre dy vendeve nuk është askund në raport me ato të vendeve të tjera që na rrethojnë ose ku pretendojmë (në Europë) të kyçemi edhe ne.

Letërsia shqipe nuk është inferiore ndaj letërsive të tjera

Letërsisë shqipe, pavarësisht se konsiderohet “një dhe e pandarë”, në të vërtetë i mungon integrimi i mirëfilltë mbarëshqiptar. Autorët nga Shqipëria botohen, lexohen e studiohen gjerësisht nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi apo Maqedonisë. Ndërsa vepra e këtyre të fundit është pak e njohur në Shqipëri. Si e shpjegoni ekzistencën e këtyre “mureve”?

Ka shumë faktorë që mund të kenë ndikimin e tyre në këtë çështje. Një pjesë e atyre faktorëve sigurisht që janë historikë: fakti që Shqipëria ka qenë shtet, ka bërë që koncepti kulturor i saj të reduktohet brenda atyre kufijve, aq më tepër që një shteti të tillë totalitar i është nevojitur edhe një letërsi shumë e veçantë utilitariste për planet politike të çmendura, siç kanë qenë ato për krijimin e njeriut të ri socialist ose ‘për krijimin e rendit të ri botëror të proletariatit’, ose krijimit të njeriut ateist etj. Një çmenduri që nuk ia gjen shoqen as nëpër histori, e zhvilluar në një shtet të vogël e të paktë, që vegjetonte buzë mjerimit e urisë. Por njerëzit e kishin ‘pastruar trurin’, apo jo!? Një lexues i tillë nuk mund ta pranojë letërsinë që është shkruar paralelisht në Kosovë, s’mund ta pranojë as atëherë, as sot. Letërsia e Shqipërisë ka dalë në tregun e Kosovës përmes “Rilindjes” dhe i ka gjetur lexuesit e vet, por në asnjë moment nuk ia ka dalë të shtrijë ndikim të dukshëm në letërsinë e Kosovës, e cila ka vazhduar rrugën e vet, sidomos të konstatuar në vitet e fundit të viteve ’60 e fillimeve të viteve’70 të shek. XX. Letërsia e Kosovës (po them me kusht, sepse aty ka gravituar letërsia shqipe e krijuar edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, gjë që sot nuk ndodhë më). Përderisa letërsia e Shqipërisë kish modelet e veta të mbështetura të blloku socialist i Europës Lindore, sidomos modelet e letërsisë ruse (ku ishin shkolluar elita e asaj letërsie), letërsia e Kosovës shikonte përtej Beogradit e Zagrebit, në drejtim të Parisit (në mënyrë të veçantë!) dhe Londrës e Berlinit. Disa prej shfaqjeve të letërsisë evropiane, si modernizmi, ekzistencializmi, romani i ri, drama e letërsia e absurdit, postmodernizmi etj., kishin gjetur jehonë pothuajse të menjëhershme në letërsinë e Kosovës. Nëse, figurativisht, them se ato u shfaqen në mëngjes në Europë, në letërsinë e Kosovës do të gjejnë jehonë nga dreka ose, shumë-shumë, në mbrëmje. Tash , kjo rrjedhë e letërsisë ecën pothuajse një gjysmë shekulli përpara dhe është e vështirë të kapërdihet, e vështirë të lexohet dhe të pranohet, sidomos kur shteti (koncepti romantik i të cilit dominon edhe sot në Shqipëri – si “shtet amë”) shfaq pretendime t’i mbajë në tutelë të tjerët, në këtë rast kosovarët, shqiptarët e Maqedonisë etj., pra letërsisë e tyre dhe t’i trajtojë ato si letërsi minoritetesh.

Duke qenë studiues e shkrimtar njëkohësisht, në ç’raporte cilësore e shihni letërsinë shqipe kundrejt asaj ballkanike e më gjerë.

Letërsia shqipe ka kohë që në këtë aspekt nuk është në pozitë inferiore ndaj letërsive të tjera, ballkanike, europiane apo botërore. Ajo e zotëron nivelin artistik dhe në pjesën e saj të mirë është mjaftueshëm universale sa do të ngjallte interesim të lexuesve të etnive të tjera. Letërsia shqipe është pjesë e një sistemi global të letërsive nacionale dhe, në raste të veçanta, depërton përtej, futet në sistemin e gjuhëve të ndryshme.  Por, kjo tashmë është shumë e qartë, që çështja lidhet edhe me potencialet ekonomike të vendeve të ndryshme, me marketingun dhe aktualitetin politik. Interesimi për këtë letërsi mund të krijohet dhe të rritet varësisht sa investohet në të. Ky investues, për letërsinë shqipe mbetet vetëm shteti, sepse kapitali privat ende nuk e ka kuptuar që industria e librit është njëra ndër industritë më të mëdha të shumë vendeve të botës: në SHBA, sa më kujtohet, ajo industri është e treta apo e katërta! Pra, shteti, nëse do të ngjallej e të përdorte një kapital për ta bërë letërsinë shqipe të lexueshme nëpër botë, do të duhej ta ndihmonte me përkthimin dhe plasimin në atë treg përmes shtëpive të njohura botuese nëpër botë, si dhe përmes rrjeteve të fuqishme të shitjes në internet. Por këto dy vende nuk e shohin librin si mundësi të tillë. Sot për sot këto të dyja eksportojnë njerëz azilkërkues, drogë dhe kriminalitet. Libri dhe letërsia janë çështje elitash dhe ato janë të përmbytura.

Intervistoi: Hysni NDREU


Një biografi e shkurtër e Zejnullah Rrahmanit*

Zejnullah Rrahmani, profesor, akademik lindi më 1952 në fshatin Ballovc të Podujevës, Kosovë, është shkrimtar shqiptar.

Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Podujevë. Ka studiuar dhe është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.Studimet pasuniversitare i mbaroi në Degën e Letërsisë Shqipe dhe magjistroi më 1984. Më 1985 mbrojti tezën e doktoratës në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Një kohë të shkurtër 1972-s punoi si mësimdhënës në gjimnazin e Podujevës. Rreth katër vite ka punuar në Ndërmarrjen Rilindja, në revistën Fjala. Më 1977 është zgjedhur asistent në Fakultetin e Filologjisë, ku prej atëherë është avancuar në titullin ligjërues, docent (1985), profesor inordinar (1990) dhe profesor ordinar (1995) . Edhe tash ligjëron lëndën Teori e letërsisë, në Fakultetin e Filologjisë. Prej vitit 1992 është profesor i studimeve pasuniversitare, ku ligjëron lëndën Teoritë letrare. Këto studime i ka reformuar e udhëhequr nga viti 1992–1998 në cilësinë e Kryetarit të Kolegjumit të studimeve. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë. Anëtar i Kolegjumit të dekanëve të Universitetit të Prishtinës ishte në periudhën 1992- 1996. Më 1995 është zgjedhur drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Është anëtar i PEN Qendrës Shqiptare. Nga viti 1992 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional të Shqipërisë për programet e letërsisë. Nga viti 1996 deri më 1999 e ka udhëhequr arsimin e Kosovës në cilësinë e Këshilltarit për arsim i kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova. Nga viti 1999 ka qëndruar disa herë në Kanada, përvojën arsimore–universitare të së cilës e njeh. Në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në dhjetor të vitit 2016 zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Jeton në Prishtinë.

Veprat

I. Tekste mësimore

  • Njohuri nga teoria e letërsisë, Tiranë, Libri shkollor, 1996, 1997, 1998, 2000…;
  • Teoria e letërsisë për shkollat e mesme, Prishtinë, 1997, 1999…;
  • Teoria e letërsisë, Fakulteti Filologjik, Prishtinë 1996;
  • Si të shkruhet disertacioni, Prishtinë, 2001;
  • Arti i poezisë, Prishtinë, 2001;
  • Shkrimi dhe leximi, Prishtinë, 2003.

II. Vepra letrare

  • Zanoret e humbura, roman, 1974, 1979;
  • Udhëtimi i një pikë uji, novelë, 1976;
  • Sheshi i unazës, roman, Prishtinë, 1978, Tiranë 1982, Prishtinë 1985;
  • E bukura e dheut, roman, 1987;
  • Udhëtimi arbdhetar, roman, 1992;
  • Mjeshtri i vetmisë, tregime, 1995;
  • Jusufi, roman, 1999;
  • Romani për Kosovën, roman, 1999;
  • 99 Rruzaret prej smaragdi, roman 2006.

III. Vepra – studime

  • Romani ‘Lumi i vdekur’ i Jakov Xoxës, punim i magjistraturës, 1984;
  • Nga teoria e letërsisë shqipe, Prishtinë, 1986;
  • Teoritë letrare klasike, Prishtinë, 2001;
  • Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit, Prishtinë, 2001;
  • Arti i poezisë, Prishtinë, 2001;
  • Letërsia e Mesjetës, Prishtinë, 2002;
  • Ligjërata mbi artin e Renesansës, Prishtinë, 2004;
  • Teoritë letrare moderne, Prishtinë, 2005;
  • Letërsia e Lindjes, Prishtinë, 2005;
  • Gnosis, Prishtinë, 2005;
  • 10 kryevepra poezie, 2007.

IV. Përkthime

  • Teoria e letërsisë , R. Welek – O. Woren, 1982;
  • Historia e letërsisë botërore 4, 1986.

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!