Dhurata Shehri – LIRIA E VETMISË OSE NJERIU MË VETE E PA TË TJERË

Dhurata Shehri – LIRIA E VETMISË OSE NJERIU MË VETE E PA TË TJERË
Dhurata Shehri

LIRIA E VETMISË OSE NJERIU MË VETE E PA TË TJERË

Njeriu ndalet në një shej vendi në kohë, harron punën e përditës dhe rrëmon në vete për të gjetun fillin e humbun të ndjesive të veta. Ngjan kështu që mbas secilit varg të fshihet nga një grimë ngashërimi që po në atë çast kur autori iua përcjellë të tjerëvet shndërrohet në gëzim – kështu shkruan Camaj në këmishë të kopertinës së botimit “Njeriu më vete e me tjerë”, në vitin 1978.

Gëzimi që të fal arti, domethënë gëzimi i zbulesës dhe i estetizimit të botës, rrallëherë ka prodhuar në letërsinë shqipe kaq shumë liri e vetmi, sa në poezinë e Martin Camajt. Është fjala, mitra e kësaj lirie dhe vetmie. Te Camaj fjala është ndërtuese dhe përshkruese e botës. Është e thellë sa qenia e poetit dhe e gjerë sa bota e tij. Poezia e Camajt i jep një kuptim të ri fjalës, e risemantizon dhe e përdor vetëm atëherë kur është e nevojshme. Në poetikën e tij kundërvënia mes botës reale dhe botës së estetizuar e të esencializuar shfaqet me “mosprani”, që është njëherësh pritje për një të vërtetë të epërme, të vërtetën e artit, dhe habi për zbulimin e saj, thellë brenda vetes. Prandaj ngjarjet e jashtme bëhen gjithnjë e më të pangjashme me veten në këtë botë të re, ku hapësira dhe koha shndërrohen në përmasa psikike. Kjo poetikë e kërkimit të thelbësores te Camaj vjen shkallë-shkallë e hap pas hapi, nga vëllimi i parë deri te dorëshkrimet e fundit. Fjala, gjithnjë e më shumë, merr thellësinë e vetmisë. Raportet mes imazheve nuk kanë ngjashmëri me botën reale. Dukshëm, krahasimet zëvendësohen me metafora të largëta, të vështira për t’u interpretuar, foljet kalojnë në kohë gjithnjë e më të shkuar, fjala bëhet gjithnjë e më aluzive dhe e vetmuar në esencën e vet. Theksimi i kësaj poetike nga vëllimi në vëllim duket që te ndryshimet që kanë pësuar poezitë e përfshira së pari te vëllimi Kanga e vërrinit (1954) dhe më pas në vëllimin Lirika mes dy moteve (1966). 21 nga 47 poezitë e vëllimit Kanga e vërrinit rimerren në vëllimin Lirika mes dy moteve: (renditja është e vëllimit Kanga e vërrinit) 1. Tingujt e parë 2. Kur këcen Dila; 3. Flaka e pishës; 5. Deshta nji vashë; 8. Pa titull; 9. Kanga në mjesditë; 10. Zadja te kroni; 11. Pa titull; 12. Dashtuni e prendume; 16. Tregimi i Vajzës; 17. Kallzimi i Blegës së Vjetër; 21. Nji vjetë; 24. Vjeshtat e Mixhës; 28. Rruga bri lumit; 30. Shpella e shtektarëve; 37. Lahuta e vjetër; 38. Kanga e korrtares; 40. Xhelozija; 44. Rrashta; 45. Andrrimi i korbit; 46. Hija e lisit.

Pothuaj të gjitha këto poezi janë rindërtuar në frymën e poetikës së estetizimit dhe të esencializimit e kjo ndihet në krahasimet mes dy varianteve të disa poezive si më poshtë:

Kemi të bëjmë, pra, me një proces estetizues të botës, gjurmët e të cilit duken më qartë se kudo në shndërrimin që ka pasur një cikël i tërë poezish në dorëshkrim, i cili kur botohet del i dendësuar në një poezi të vetme. Poezitë e dashurisë: Pesha, Me ty, Fati, Kështjelli mbi ujë, Gazi i ndalun, Po s’erdhe ti, Ngritja, Agimi i ditës së re, E vetmja dritore që i lidh në trajtë cikli, objekti i tyre, Hera, personazhi i dashur, por edhe disa poezi të tjera dashurie që nuk e kanë personazh Herën: Trupth i vogëlith, Pyetja e prapandjenjës, Pyetje, Kthimi i anijes, Pa lamtumirë, Po të bie një libër, Nji mendim, Uji që janë të së njëjtës atmosferë, estetizohen e esencializohen e ngjeshen në një poezi, në atë me titull Ai mal akulli ndan kohën.

Rrugëtimi drejt esencializmit dhe estetizimit të motivit të dashurisë duket qartë po të krahasojmë poezinë “Moj e mira” (1953) me poezinë hyrëse të ciklit “Hera” (1968) dhe më tej me poezinë “Ai mal akulli ndan kohën” (1978), të tria me të njëjtin motiv dashurie.

NJERIU MË VETE E PA TË TJERË

Largimi nga tradita bëhet ngadalë, shkallë-shkallë, me një hap të matur e të baraspeshuar, por pa e fyer atë. Ky largim nga tradita është, së pari, largim nga vendlindja ose nga vendi (vëreni zëvendësimin vend-vetvete), por duke e themeluar një vend të vetin, vend të të gjithëve, poezinë. Më tej shikojmë si treten nana, baba, vrrini, fyelli dhe në sfond kjo muzikë, poezia (sidomos te Nji fyell ndër male). Krejt ndryshe ndodh në krijimet e para: poeti aty kujdeset më shumë ta fiksojë atë botë e ta marrë me vete nga frika e humbjes, i frikur se me zhbërjen e saj do të zhbëhej edhe ai vetë. Më pas, vetë kujtimi e tëhuajson poetin, por edhe tëhuajsohet. Frika e humbjes së vendlindjes ia zë vendin frikës së humbjes së vetvetes, prej nga do ta rikrijojë edhe një herë botën, edhe të vetën, në një përmallim estetizues për sendet (Emnimi i sendeve), njerëzit, ndjesitë, idetë, frymën. Ajo që fillimisht është një poezi jehonash, që risjell në vetvete jehonat e vendit, sidomos në periudhën e parë te “Nji fyell ndër male” e “Kanga e vërrinit”, shndërrohet më pas në poezinë e qenies estetike, që botën e thelbëson duke e shndërruar në vepër arti.

*

Poezia e Camajt kalon nëpër rrugën e gjatë dhe të vështirë të një largimi të shumëfishtë nga vendi, nga tradita dhe nga poezia bashkëkohëse që shkruhej në Shqipëri. Gabimisht Camaj receptohet sot si tradicionalist, por ai është larguar nga tradita dalëngadalë e shumëfishëm që nga vëllimi i Kangës së vërrinit e deri te cikli i dorëshkrimeve të fundit. Pikërisht te këto dorëshkrime të fundit e gjejmë një të ngjashëm të vet në këtë largim e gëzim drejt vetmisë së krijimit:

Zemrat njerëzore i mbylle
me druj çeliku para vetes
Vetmitar mes njerëzve të tu
shujtoheshe me frytet e heshtjes
e na solle shpinën ftohtas
uue me shokë, pa kend tonin
në nji literaturë.

(Mjedjes)

Rruga e poezisë së tij është rruga e mundimshme e kthimit në atdhe të një autori të penguar nga të gjithë. Ai vjen vetëm, me gjuhën e vet, me gegnishten e larguar nga vetë gegnishtja e ndaluar, me poetikën e vet të larguar nga tradita shkodrane, edhe kjo e ndaluar, me poezinë e tij moderne e vetjake, krejt të huaj për poezinë vokalike, për tërmetin verbal me shumë epiqendra, për poetikën kolektive të realizmit socialist. Në këtë kënd ajo ka karakteristikat e fisnikërisë që Montale i njeh poezisë: plotësisht e padobishme, por asnjëherë e dëmshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!