MANJOLA BRAHAJ – PORTRETI (cikël me poezi)

MANJOLA BRAHAJ – PORTRETI (cikël me poezi)
MANJOLA BRAHAJ

PORTRETI

(kushtuar babait)

M’ka pëlqye gjithmonë me vështrue
vetëm brenda nji dhome.
E n’atë dhomë
vetëm gdhendjet e heshtuna t’nji kornize.
E brenda saj
vetëm nji ftyrë t’dashtun flokëthijun.
E n’atë ftyrë
vetëm dy sy drejtue kah unë.

E n’ata sy
m’ka pëlqye me pa ngjyrën e tyne,
me ua ndigjue fjalën,
me ua prekë tingullin,
me u zbulue misterin,
me ua gjetë dashninë.
M’u ka dokë se veç
me mue po flasin
e m’doket, tash që nuk jam atje,
se veç mue po m’thrrasin…

NANËS

Nanë!
Ami ato duer të dangosuna prej lodhjes,
t’i puthi me tanë dashninë time prej bije,
të ndjej lodhjen e tyne kur mue më kanë mbajtë
në terr e në dritë, –
– Liman dashnie i mbushun prej vitesh.

Nanë!
Ama at krye tash do vjet të filluem me u thijë,
ama se e due ngat!
Me e pa, me e prekë, me e puthë.
E me e dashtë, e me e dashtë, e me dashtë …
Ma këndo nji kangë nanë e vnom në gjumë.
Due me pushue, e me pushue, e me pushue …
Në krahët e tu.
Ma jep krahnorin të ngjeshem aty –
strofkulla ime ma e nxehtë,
dashnia me të cilën harrohem
kroni ku jam la e jam ngí ujë të bekuam,
nuk më duhen krahë të tjerë,
jam Aguliçe e pranverës së sapoleme mbramë,
due me më lidhë në djep edhe njëherë.
E burgueme qenies tande si e marrë,
jam e strukun.
Sytë e tu i due – dritë parajsash që shpesh s’i shoh.

NANDË QYQET E NATËS

Heshtja u shkye
si nandë qyqet e natës
u lmek e i ra t’fikët
nga klithjet e trupave tanë.
Akullsinë mes nesh
e hangren shtatqin dreqën
e po kullon gjak zjarri
ndezun me drutë e durve tona.
Tingujt e djersës po shkruejn
notat e kangës kurmave tanë.
Terri po ngjyhet sfondit me të kuq
kufij nuk ka tablloja,
fjalët nuk e shprehin krejt
hapësina u shkep
ju këputen pejt.
Shpirt, ua kaluem tanë breznive,
perëndive, lugetërve, ufove,
Adamit dhe Evës,
tanë botës që s’din me dashtë.
Dhe tash n’ag ku terr s’ka ma,
Buzët tona vrragë janë ba.

15 prill 10

KONCERT I HESHTUN

Mes tokës e qiellit duket si me u pasë këputë fielli
Na ndihemi të sigurtë të kapun pas nji fije dylli.

Koha si shpirt i papërcjellun na ka mbetë në dorë.
Po lypë shpagim, jetë a kunorë?!

Pëlhurën e pendimit nuk e kem’ thurë me vakt.
Po na vjen Odiseu pa ia ba yrrnekin pa e matë për shtat.

Veten s’po dimë me e ba a me e zhba?
Kur sytë e pranverës s’po mujmë me i pa.

Varkat po presin për me na çue përtej lumit.
Andrrat po presin me na çue përtej fundit.

Nji kangë e pa fjalë po këndohet për ne.
Nji valle vorresh prej toke në re.

Në Tokë po mbahet nji koncert i heshtun.
Veç shpirti e di me ç’tinguj asht i veshun.

13.04. 2020

Portreti dhe libra te tjere me poezi nga Manjola Brahaj
Libra me poezi të shkrimtares Manjola BRAHAJ
KEM ME DASHTË ME U KTHY

Kem’ me dashtë me u kthy
aty ku na ra lot i parë,
me gaz a me drojë
që dikush të na dojë.

Kem’ me dashtë me na dashtë
bash si dikur,
me e ndie peshën e dashnisë
n’shpirt si nji gur.

E kthimi ka me qenë andrra;
për me prekë çka ka ikë,
me jetue për së dyti
deri në t’fundit pikë,
me dhanë mâ shumë se veten,
me marrë mâ shumë se jeten,
se çdo gja na duket pak,
Tash që nuk e kem’ mâ ngat.

Kem me dashtë me u kthy,
me ba atë që na iku,
atë që s’kishim guxim,
atë që na lëndoi e na çoi n’shkatrrim
e do ta bânim prapë,
duke e pa kohën n’sy
duke e pa veten n’kohë,
kem’ me dashtë me u kthy
bash atje ku jem’ njohë.
Ku ka nisë buzgazi,
ku jem ndie gjallë,
ku kem’ dashtë me vdekë
veç për me u çmallë…

Për nji andërr mâ shumë,
për nji shenjë n’buzë
për nji dritë n’sy
ma shumë se kurrë
kem’ me dashtë me u kthy…

KAM JETUE

Kam provue erna lulesh deri sa shpirti m’u ka ngopë.
Kam fluturue qiellnash e dehun e prapë kam ra në tokë.
Kam kapë xixëllonja netësh atëherë
kur nuk e kam ditë çka do të thotë kohë.  
Kam ndie kangë stinësh deri sa veten nuk e kam njohë.

Kam shkelë male e gurë deri sa jam ba udhë.
Kam pi ujë bjeshkësh në kroje të andërrta.
Kam notue ujnash të detit e kam prekë mrekullinë.
Kam përqafue ma të dashtunit dhe e kam ndie dashninë.

Kam jetue suksese e arritje të mëdha në jetë.
Andrrat e dikurshme në duer i kam pasë e prekë.
Jam ngritë mbi veten dhe kam ndryshue.
Kam dhanë për tjetrin dhe kam ndihmue.

Kam përjetue humbje e trandje të randa.
Kam ndie lot e dhimbje të paskaj.
Kam mendue shpesh se fundi ka ardhë.
Kam mendue shpesh se ditë nuk ka me zbardhë.

Kam ndie e jetue jetën në mue
me kënaqësitë e saj.
Kam qenë bijë dhe frymë e kësaj bote.
Po asnji prej tyne nuk i ka ngja kësaj.
Asnji prej tyne nuk asht si era jote.

Kam pi e jam dehë me ndjesitë e jetës në fyt.
Po asnji prej tyne nuk asht si zani yt.  
Jam lutë e përulë për të vetmen të vërtetë.
Po asnji prej lutjeve nuk më ka dhanë kaq jetë.

Kam udhëtue vetëm dhe me të tjerë.
Kam pa e ndie të bukurën me sy.
Po asnjani prej udhëtimeve asnjiherë,
nuk ka qenë as nuk asht si ky me ty.

Asnjani prej tyne çka më dhe ti nuk ma dhanë.
Asnji prej tyne nuk krahasohet me të qenit nanë.

14.11.2019

NË DITËT E MIA

Në ditët e mia plot dhimbje t’kaltër,
po due me qenë nji kokërr rane
e hedhun n’mshirë t’erës,
që përplaset ku e çon fati.
Nji pikë shiu e vdekun
prej kohësh prehistorike,
që zbret trishtueshëm dritaresh t’nji stine t’pafund,
ose pikon strehësh t’shpive t’andrrueme.

Veç me ikë ktyne korridoreve;
plot djersë pamundësish,
plot buzëqeshje t’vdekuna përjashtë vetvetes,
plot pafrume që mburren me etiketa emrash t’çuditshëm,
plot andrrime shtretërish pa frymë.

Veç me ikë ktyne mureve;
që mbajnë ernat e dhimbjeve stinore,
që mbajnë etjet e hijeve n’madhnim,
që na tjetërsojnë andrrimet tona t’ambla,
në përplasje me ftyra t’lyrta,
n’përhumbje para qeniesh t’errta.

Në ditët e mia me andje pamundësish,
due me qenë ajër i ujtë që ti t’më pish,
vetmi e netëve që ti me mue t’rrish,
andrrim i përjetshëm
n’frymën tande që më grish.

09. 06. 2015

LUM I ZI

Jam hedhë që prej lindjes
Në nji lum të zi.
Uji i zi nuk m’shqitet lkure,
Askund nuk pashë gja tjetër veç mure!

Ofeli e çmendun jam n’lumin mistik,
që më merr e m’përpin me krejt çka kam;
pa më pyetë a due!
pa më pyetë çka jam!

Lumë i zi mbi lëkurën e bardhë!
Lumë i zi deri sa nata zbardhë!

Jam hedhë në nji lumë të vrulltë, të çmendun, idhnak;
po më thërrmon e gërryen pak nga pak,
po më dashunon me gjuhë të egër puthjesh,
po më jep jetë me ftohtësi akujsh n’qenësi.
Jam lule që ushqehet e jep shpirt në damarët e tij.
E zbehun dhe e humbun prej rrjedhës,
e andërrt prej shpejtësisë së dallgës
e mpime prej dimnave që kalojnë mbi mue,
e ngurosun prej përjetësisë drejt të pafundmes,
e paprekshme prej tokës as qiellit,
n’ujna trishtimesh pluskoj drejt andrrimit…

LARG

Ne jem’ larg
si dy pjesë të nji trupi të vetëm të ndame
e të vërvituna përtej kufijsh të ndryshëm.

Si dy hana të zbehuna në të njejtin qiell,
që veç netësh tejzgjaten me dritën e tyne deri përtej malesh,
e lahen në det,
e dalin prej detit,
prapë të zbehuna prej mallit.

Na ndan koha që e patëm
dhe menduem se e kemi jetue edhe kur mezi kem pritë me e heqë qafe
si nji barrë të randë të ngarkueme në shpindë,
si nji rrugë të mundimshme që shumë jem’ gëzue kur e kem sosë,
për me nisë rishtas nji tjetër,
e nji tjetër,
e prapë nji tjetër…

Ne na ndan horizonti që përthyet në sytë tanë
në pesë forma të ndryshme;
unë shoh andrrat e mia të bame jetë në mue,
ti sheh formën e kangës tande,
ajo sheh fatin e saj të gjysmuem,
kurse tjetra sheh dashninë e saj të jetësueme,
e tjetra mbas saj sheh andrrimin e kaltër gdhendun n’sytë ulli

Na ndajnë shpikjet idjote të njerëzimit,
dogana,
letra,
sëmundje,
kufizime e pamundësi të zhveshuna,
të cilat naltohen para nesh si mure,
e fizikisht nuk mundena me u përqafue,
rrimë dhe pijmë kafen
bashkë me të zitë e saj helm,
që shpërndahet shpirtit si nji nostalgji e thartë,
tue na kujtue krejt kafet e pime bashkë…

09. 06. 2020

BIOGRAFI

Manjola Brahaj ka lindur në vitin 1986 në Tropojë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, për të vijuar më tej studimet për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës. Së fundmi ka mbrojtur edhe titullin “Doktor” në studime letrare, me temën “Proza e Anton Pashkut mes modernes dhe eksperimentales”.

Në ”Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2010” ka fituar çmimin ”Migjeni” me vëllimin poetik “Vajtimi i Kalipsosë”, si poete debutuese, dhënë nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa në Kosovë është nderuar me çmimin “Rrahman Dedaj”. Poetja Brahaj shkruan dhe boton ese, artikuj dhe shkrime kritike në shtypin shqiptar.
Jeton në Prizren, Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!