MARTIN CAMAJ – DREKË MALSORE (cikël me poezi)

MARTIN CAMAJ – DREKË MALSORE (cikël me poezi)
MARTIN CAMAJ

DREKË MALSORE (cikël me poezi)

DREKË MALSORE

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.

MES SHËNGJERGJAVE

Nepër palcin e eshtnave ndij
frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit
tue u mbyllë përpara.

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen ehde duert e foshnjeve
në palaré.

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.

GRUEJA ME MËNGJI

Nësa ishte e re e me burrë
fëmija i thithën palcën e eshtnave:
tash i bien dhambët nji nga nji prej goje.
Pavëmendshëm në kalim
ia shtrydhin gjurmën e teshtijnë
të bijtë
për të mos i ndëgjojnë vajin.

Grueja s’e përdori mëngjinë
me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku
dhe alga
e me ndejë e ndritun në shkamb ari,
pa të bijtë.

DREKË MALSORE
GJARPNI E GRUEJA

Ajo mbramë harroi trupin e vet zbuluet
e në mëngjes e gjeti pikturë të varun
në murin e gjanë dhetë pashë:
e kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
doli prej nëngurit
e iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
veshi këmishën e vjetër e shkoi
me fjetë.

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

DREKË MALSORE
FILL I GJETUN

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET

Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.

ALTER EGO

Një zezak i verbët
me nji qen në mantel lëkure
mjedis kalldremit në qytetin e madh
të USA-s
qëndrojnë palëvizë në kambë.

Njerzia u vjen rrotull
ujë rreth nji curri binjok
në zemër të lumit.

Ujë i larmë përreth plagës
në trupin e nji gjiganti.

MBAS KRYQËZIMIT TË ZOGJVE

Erret nata e fundit e dashunisë
nisë si për lojë:
ai ec në shputa të larme
shpendësh dimnues në Veri
nëpër banesën shum-dritaresh.
Zogëza mat trollin me kambë të zeza
para se me u nisë për Jug:

zanet e jashtme të botës ushtojnë
dhe rruga asht e ndame dyshë,
gjysma akull e gjysma diell.

DALLËNDYSHA

Krahët e zez i rrah
mes flokëve të borës
mbi alpe dallëndysha
mërguese e vonueme
për Jug.
Lufton me flatra gjethi
të vjeshtës së vonë
kundra rrymave t’erës
kah qafa ma e naltë.

Çdokush ka dy shtigje para
e dallëndysha nji:
me u ba e bardhë.

NJI STINË E HUMBUN

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.

MAL I RRËXUEM

Në orën gjashtë t’agimit
i qindronte aty shtërgatës.
Në mjesditë u shkoq pylli,
mollza e faqes, e ra në lumë.

Ra dielli e ndriti dhenë e ri,
rrajë të shkyeme, lisa të përçamë
e sosjen në vetëdijen time.

Banorët e malit përballë pyetën:
vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë
në ballin tand pa lisa?

DREKË MALSORE
Botim i poezisë së Camajt në Gjermani
KALLNORI APO VETMIA

Dhé, brej e bjeshkë randue me borë
e hej akulli.
Bisha n’krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurmë përmbas
me kthetra kthye në lëkurë
nën mish.

Gardhi i rrëzuem mbi shteg
e qafa malesh përreth
të mbylluna me dhambë ujqish
në jerm.

FORMULË MËNGJIE

Lejthia lejthia lejthia
njimijë ngjyra në këtë dhé
faqja e kuqe e grues së bardhë
me lythin e zi në mollëz
nuk më do nuk më do
e kaptë dhimba e kresë
le të vijë e të thotë:
ma largo ma largo!

Lejthia lejthia lejthia
andrrat e mia andrrat e mia
i lumi unë për ty
më le shteg me folë:

Peni u kuq në rremb
e liga larg trupit tand
shkëndija shkëndija në gurë
zemra i plastë sy-grizhës
shkëndija shkëndija n’unur.

Natë e vetmia plastë
mbi malin e thatë
mbi andrrën e keqe!
Lejthia lejthia lejthia
e liga ndër leqe!

SOSJA E VETMISË NË VAPËN E DITËS

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.

I SHTRUEMUN FATIT

Kam lanë përmbas zamarën e blerë,
lëvore frashni,
për brrylat e nji karrige bungu.

Në vjeshtë dhuroj fryte, pjekë në verë,
dhe mbaj për vete
skaj buzës nji rrudhë,
ravën e gazit mbi vete e tjerë.

VEND I THYESHËM

– Fiseve poshtë rreth Drinit –

Mes malit Molç e Qerretit
hapet humnera deri në lumë:
si të kish qenë ajo liqe
n’barka druni palnje ishim endë
mbi të, jeremi.

Kishim ditë përmenç
emna peshku t’ambël e jo
shpendësh rrëmbyes e bimësh
t’egra.

Edhe drita e synit e kaltër
do të ishte e jo e zezë.

N’ujë kishim notue
e jo në re.

TRAJTA

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.

Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh të parrahuna
me kambë ose patkoj.

Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.

Shënim. Poezitë e mësipërme janë marrë prej faqes “Martin Camaj Gesellschaft e.V.”
© Copyright Dr. Erika Camaj


Dy fjalë mbi autorin*

Martin Camaj lindi në Telum të Dukagjinit më 13 korrik 1925. Ishte i biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ëma, ishte nga Shllaku,(Vukaj). Martini lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”[1], ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 20 korrik 1955 duke dhënë provim diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s), ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorë të vjetër të kolegjit jezuit P. Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në vitin akademik 1961-62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987. 

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar[1]. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Martin Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike me dy përmbledhjet e para që i botoi ne Kosovë: “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.

One thought on “MARTIN CAMAJ – DREKË MALSORE (cikël me poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!