FREDERIK RRESHPJA – DASHURI E HUMBUR (cikël me poezi)

FREDERIK RRESHPJA – DASHURI E HUMBUR (cikël me poezi)
FREDERIK RRESHPJA

DASHURI E HUMBUR (cikël me poezi)

* * *

Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet.

USHTARI I VJETËR

Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

PASQYRIM

Çdo pasqyrë e ka një statujë timen brenda.
Statujat fshihen pas amalgamës.
Ne fshihemi pas statujave.

NATË

Flenë fluturimet mbi drurë
flenë rrufetë në thellësi të reve;
Fusha ul supin te era.

Gjithkush e ka një dhembje ku të mbështesë kryet.
Gjithkush e ka një mall që vizatohet si vinjete
mbi gjumin e botës.

Por vjen ti dhe më zgjon te supi
çdo natë me rrëmbim.
Ah, s’e dija që gishtat e kujtimit
mund të shndërroheshin kështu, në thikë…

Dashuri e humbur
CAKU

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
pa policë trafiku e manekinë mode,
pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
ciasin gomat si në përplasje veturash,
thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
non stop-in rraskapitës me theks modern,
në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
me engjëj marramendës, me djaj rrëshqitës,
sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.

I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur. 

REQUIEM

Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë
Mbi sytë e verdhë në heshtje

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës vënë kujën në dhembje
Me brinjët prej akulli thyer

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë
Qefini me gjethe tharë
O dimri i drerëve me brirët në erë
Kë vjeshtë të qaj më parë?

DRURI I PORTËS

Lulëzoi druri i portës së vjetër.
Ah, druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë,
për mua që të prita deri në vdekje.

Pash ngjyrën e gjakut dhe… lot,
që çelën në të tëra gjërat prej druri.
E kuptova që thika e pritjes më preu në brinje,
kur çela gjethe si palmat.

Të prita, të prita…
Derisa çelën kameliet e mortjes te porta.
Ti mblidhi dhe më bëj një kurorë,
mua, që deri në vdekje të prita. 

Etyd
Dorëshkrim i Rreshpjes
KRONIKË

Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.

Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
Rendën pas shpirtrave që silleshin në ajër
drejt Kashtës së Kumtrit

Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA
mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.

Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
të lira dhe korrekte. Ashtu edhe TV-të

Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja
Ah! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar.

KU ISHE TI?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prapë nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujërave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

AVE, NËNA IME!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam pasur kurrë. Amen!

Dashuri e humbur
PËRGJITHMONË

O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në sterë.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

DASHURI E HUMBUR

Dola nga guernika e kësaj nate
I vrarë egërsisht,
Kali i zi i pikëllimit
Në shtegun e vjetër më priste.

Kali i zi i pikëllimit ç’më rrëzoi
Dhe rashë si në ballada;
Gdhendur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytin e natës.

I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë,
Vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.

ARLEKINËT

Ikën arlekinët e trembur nën çatinë e përrallës
Kur putha për herë të parë.

Qau vajza e vogël; por kush e diel
Ndofta qante fëminia. Në kopsht
Nga dritarja e përrallës, arlekinët
Vështronin të trishtuar, tërë lot.

Nuk desha t’i tremb arlekinët e mirë,
Nuk desha, por nuk bëhej ndryshe
Se nën çdo mollë, bile nën çdo dru
Kurdoherë një Evë më priste.

QIELLI I DJALËRISË

Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
Ra mbi korijen me përralla;
Nga kashta e kumtrit bie dhe bie
Tërfili i artë i qiejve.

Këmbanat e yjeve lëkunden me hare
Prerë nga hëna e majit.
Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
U zhduk pas portës së ylberëve.

Zhduket pas portës së ngjyrave djalëria
Dhe mua trishtimi më mbulon
Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,
Në një botë qe nuk më kupton.

POETI NË SHKRETËTIRË

Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.
Rrallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve
Ikën e hutuar nga peizazhi arabik.

Ai rri aty me kokën në duart e shkretirës.
U bënë me dorë avionëve.
Pret një dallëndyshe që s’ka për të ardhur kurrë.

Foto nga Ervis Dimo
KËNGË LAHUTE

Më zuri gjumi i baladave
Dalin etrit pleq në prag të rapsodive
Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet.

O ti zogu i zi i amanetit,
Për ku vrapon të bësh shi, o zog?
Dy tre shira ranë e u bë dimër,
Dy tre netë u deshëm dhe u harruam.

Do të ngrihem e do të marr dynjanë
Por gjumi i baladave nuk më lë.

Dy tre shira ranë e u bë dimër,
Dy tre netë u deshëm dhe u grindëm.

UL KOKËN I LODHUR

Më thërret një mjegull ulur diku
Mbi korijen e fjetur që premton mars
Dhe pikëllimi i dëborës me gjunj te burimi.

Mbrëmja rend drejt qiellit’
Hëna rend drejt një shtëpie resh.

O akuarel i lëvizshëm! Ti mua më thërret
Por më erdhi tepër vonë thirrja jote.

Koka ime e pabindur tek një alarm gjethesh
Që hedh përsipër dy grushta nate!

Dashuri e humbur

Dy fjalë për autorin*

Leu në Shkoder në një familje me origjinë nga Dukagjini, i ati Marku i Sokol Vuksanajt ishte i vëllazërisë Afiej nga Plani ndërsa e ëma Drandafilja nga Xhani. Vatra familjare qe fëmijëshumë, me motrat Antoneta, Pashka, Anunciata dhe vëllezërit Kel e Gjovalin. Fëmijërinë e kaloi në lagjen Mëhalla e Çakajve. Prania me grat e së ëmës e nxiti të mësonte edhe qepjen, në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 nëntori”, studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë. Punoi në gjendjen civile ne Dajç të bregut të Bunës, më pas nëpunës si përgjegjës kulturor pranë Kombinatit të Drurit në Shkodër.

Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhërin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv/ministri Mantho Bala për shkak të qëndrimit të autorit. Arrestohet dhe dënohet “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…” me 4 vjet. Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu ne Sarandë.

Në vitin 1991 Frederiku u bë kryeredaktori i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste të Shkodrës. Ai qe gjithashtu kandidat për deputet nga ana e PS-së në zgjedhjet e marsit 1992. Nga fillimviti i 1992shit shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku u bë themelues e pronar i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese “Europa” dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme e më pas pësoi një hemoragji cerebrale më 2001. Vdes më 17 shkurt të 2006 në Shkodër dhe varroset të nesërmen në varrezat e Rrëmajit.

Vepra

Mësohet se poezia e parë e shkruar prej tij i qe kushtuar s’ëmës, Files – siç e quante. Nga Adriatik Kallulli i botohet përmbledhja poetike “Rapsodi shqiptare” më 1967 dhe vitin tjetër “Tri përralla për fëmijë” dhe “Trimi i fshatit Bardhë”, “Eranda” më 1969. Romanin “Zëri i largët i kasolles” më 1972 dhe dramën “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973, për t’iu rikthyer sërishmi poezisë me përmbledhjen “Në këtë qytet” po atë vit.

Poezia “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës pa botuar ende ndonjë përmbledhje. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare“ – pas një viti u arrestua sërish. Botimet dhe shkrimet ndër të përkohshmet e kohës u pritën mirë nga kritika por kjo gjë nuk zgjati për shumë kohë. Për Primo Shllakun Rreshpja është një rishtar i realsocializmit deri në këtë fazë të krijimtarisë së tij.

Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “”Zëri i Rinisë”” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: “Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (…) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shum녔. Vetmi e trishtim poetik ky që do thuktohej në vëllimin poetik që do të vinte.

Me rënjen e regjimit me hapjen e shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese përfshihet me botimet dhe redaktimet, nxjerr “Erdhi ora të vdes përsëri” më 1994 dhe “Lirika” më 1996. Më 2004 nxjerr vëllimin “Në vetmi” me parathënie, ku në parathënien nga Shpëtim Kelmendi përmendet se çmonte De RadënMjedjënLasgushin edhe Ali Asllanin[14].

Përfshihet në vëllimin “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001” nga Hasan Hasani, mbasandej në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t të 2003. Përfaqësohet me disa poezi në “Anthologie de la poésie albanaise” të Aleksandër Zotos (Chambéry, 1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe – Gjysmëshekulli i artë” të Ali Aliut (Tetovë, 2000) si dhe e rrumbullakson punimin e G. Krasniqit “Poezi. Sprovë antologjike” (Tiranë, 2003). I vendosur ndër shkallaret e arketipit të poetit shqiptar sipas kritikës, kishte komunikim direkt me etnit e poezisë – gjë e cila e bënte t’i kalonte kornizat e kohës, burgut etj..

* Marrë nga Wikipedia.

One thought on “FREDERIK RRESHPJA – DASHURI E HUMBUR (cikël me poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!