NDOC GJETJA – AUTOPORTRET
NDOC GJETJA
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore,
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E majftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar njeri qysh në ditën e lindjes nga nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.
Ndoc Gjetja lindi më 9 mars të vitit 1944, në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Në moshën shtatëvjeçare familja e tij u vendos në Lezhë. Pasi krijimtaria e tij qe bërë tashmë e njohur për publikun e gjerë, ai shtegtoi drejt Tiranës. Kritika e ka cilësuar Gjetjen si poet humanist. “Autoportret” është cilësuar si ndër poezitë më të bukura të letërsisë shqipe.
Në vitin 1971 ka botuar vëllimin e parë poetik me titull “Rrezatim”, i cili u ndoq nga gjashtë vëllime të tjera: “Shqiponja rreh krahët” (1975), “Qëndresa” (1977), “E përditshme” (1982), “Çaste” (1984), “Poezi” (1987), “Kthimet” (1991) dhe “Dhjata ime” (1998).
Poeti Ndoc Gjetja u nda nga jeta më 7 qershor të vitit 2010.
One thought on “NDOC GJETJA – AUTOPORTRET”