PETRIT NIKA – SHËN PIKËLLIMA
PETRIT NIKA
SHËN PIKËLLIMA
SHËN PIKËLLIMA
(Fejton analitik)
Vitet nëntëdhjetë
s’është e lehtë të sillen ndër mend
divorci apokaliptik
moskokëçarja
bunkerizimi postmodern i qenies
me inerte të rreshkura folklorike
qytetari i ri psiko-social, i cili
me paracetamol dhe pak djathë
shtynte bukën e shtypur të drekës
duke nëpërdhëmbur pasazhe nga Cikli i Kreshnikëve
tek shatërvani në buzë
apo tek ushtari përjetë i panjohur
ndërsa bota vinte rreth e çark nesh
teksa rrekej të zvogëlohej sadopak
për të hyrë klandestine në vendin e shqiponjave
mu në mes të eposit tonë heroik.
S’gjente derman operacioni Pelikan
mbi pelikanë suleshin ngado dhelpra fluturake
kafshonin, zhgërryenin
shkërmoqnin llokma
duke zhdukur gjurmët e krimit
kurse njerëzia vejevinin nëpër stacione
të largëta e të panjohura
duke sjellë bimë shprese
të cilat thaheshin sakaq
nën serën tonë pa fotosintezë
dhe të gjithë çmeriteshin me veten e tyre
sa afër paskemi qenë me lirinë
dhe kurrë s’e kemi ditur
ndoshta një orë me gomone
mbase edhe tre çerek ore
duke matur milje pas milje gjelbërimin
hapësirën përplot me lule rekujemi
nga kepi i Shpresës së Vdekur
deri në bregun e Kepit të Shpresës së Mirë
Vitet nëntëdhjetë
punëtorët e ndërmarrjes tipografike Mihal Duri
para se të linin amanet përvojën e tyre
tek kamerierët – tipografët digjitalë të facebook-ut
tani shtypnin në letër tip
shtypin tipik pluralist
të një pluralizmi tipik
ndërsa rrugëve të Shën Pikëllimës
frynte era e mardhur e lirisë me kusht
dhe Tirana kryesisht mbarështohej
me hormone të huazuara
të cilat prodhonin një spermë sterile
më pas filloi klonimi intelektual
orvatje e zgjuar por pa pikë suksesi
kinse masa e duhur parandaluese
ndaj asfiksisë totale sociale.
Në trotuaret e vjetra
në rrugët magnetike tek ish Blloku
zuri të projektohej Europa e të shtunave
shërbim non stop njëzet e katër orësh
në shtatë ditët e javës
modeli i gjeneratës së re
ironike ndaj dijeve dhe idealeve historike
specia specifike e bardëve ekzotikë të turbofolkut
analistët pluridimensionalë të makiatos
industrialistët e rinj të urës së Lanës
politikanët e rinj gjithë etikë
ende sa pa veshur uniformën e laureatit të Harward-it
gazetarët e poetët e panumërt gaztorë
të cilët vetëm pak vite më vonë
do të uleshin këmbëkryq
midis odës së madhe të letërsisë shqipe
duke i lënë në këmbë, tek dera
të gjithë ata që do mëtonin të hynin paskëtaj.
Dhe ne që kaluam asokohe
përmes kataklizmës së madhe
tani në mesmoshë vuajmë gati të gjithë
nga stomaku i dendur keqas dikur
me çokollata Hilal
nga dhimbja e syve
nga anoreksia sociale pothuaj akute
pacientë pa shërim të rrasur shtrembër si pyka
në spitale endacakësh
pjella pa atdhe, fis dhe origjinë
të presuar nga lavdia e brezave paraardhës
dhe nga pasardhësit tanë koketë e arrogantë
të ngelur pa limfë
si pemë me rrënjë gjysmë të kalbura
në moçalishten e zymtë sociale
që kundërmon sparogë në ajrin e shekullit
të njëzetenjëtë.
3 tetor 2016
REQUIJEMI I SHKRETËTIRËS
Shkretëtir’ e gjorë, hesht përjetë
nën qiellin pa re,
kalojnë stinët mbi të dhe s’i sheh,
kalojnë zogjtë mbi të dhe s’i njeh,
nëpër rërë rreth e rreth shikimin mpreh,
natën ftohet – ngrin dhe ditën nxeh …
Shkretëtir’ e gjorë, hesht përjetë nën qiellin pa
re.
Rërë pafund në Nevada,
Sahara, Grand Viktoria,
rrëshqet rëra nëpër rërë si pikë loti,
ndonjë akrep baret jerm kot së koti,
hapësirë e mjerë gjer tek Zoti,
e djeg vapa dhe po aq e ngrin i ftohti …
Rërë pafund në Nevada, Sahara, Grand Viktoria.
Era fryn mbi shkretëtirë
– era fryn e lirë, e lirë…
S’ka asgjë, s’ka asgjë, s’ka asgjë …
Natë e ditë jehon nga toka veç një zë,
si një shpirt i lirë që trupin sapo lë …
Shpirt’ i vdekur pezull rri përjetë mbi të …
Era fryn mbi shkretëtirë – era fryn e lirë, e lirë …
Tetor 2016
BÂN FTOHTË …
Bân ftohtë, por bora s’ka
me râ,
as kët’ stinë mi dhenat e mardhuna gjithkah,
n’jug fryma e detit pa prâ,
mî fushat e gjâna me amzën e Mesdheut hukat.
N’parzëm
nji melankoli sa herë ma bjerr,
krejt paqen e ditve t’panumrueme qi ikin,
i vrazhdë m’fërgllon veriu nëpër terr,
si nji kalë që n’hon me galop e hedh eremitin.
Prej askundit ka me ardhë
sosja tinëzisht,
kur s’e pret, kur s’e di, kur s’ta thonë,
pabesia fle n’urrejtje t’rafinueme krejt urtisht,
pret çasin e saj për me u bâ zezonë.
Nëntor 2016
DIGISPRING
Çelin rrugëve të rrymta lule
sintetike
në amzën e smogut të përdalë;
pranverë digjitale me
limfë numerike,
me fëmijë digjitalë.
Furet mes kaosit me
britma histerike,
qenia e drobitur dhe e çalë;
ndanë udhe kullot
njomishte toksike
mesditës një kalë.
Në fusha buis një florë
ekzotike,
dallgëzohet në erë suvalë;
e djeshmja sajdiset në
vrimën kozmike
e sotmja përpëlitet të dalë.
Pranverë 2017
PËRRALLËZ
Seç rrekesh të stisësh një ngjarje,
dhe furesh ndër udhë vetmitare,
kthehesh në mbrëmje i kapitur fare,
me ëndrrat e ditës bën ndarje;
një hap më shumë për finale.
Natën të rrinë nën
jastëk si gëmusha,
do ëndrra të varura çapraz mbi shelgusha,
nëpër trup të lëvrijnë kërpusha,
baret si i lojtur ndër fusha;
litari të qaset tek gusha.
Përmes gjumit përshkon
një lumë,
në të dyja brigjet – sa zulmë,
e shkuara të fanitet ndër shkumë,
me ngjarjet që vitet përzunë;
litari të ngjitet më shumë.
Dhe fundi yt i sigurt,
vaiset mbi zallin e gurtë,
sheh perëndimin e bruztë,
ndjen erën e hapësirës së drunjtë;
ajme, t’i mbështjell të dy gjunjtë.
Dhe prehesh në një botë
pa halle,
pa ndjerë kapton përmbi male,
dhe shfaqesh tek porta ovale,
shën Pjetri të thotë: Pa dale!
Por engjëjt të ftojnë në valle.
Flauri mes engjëjsh
përfshihesh,
kërkon, por s’ke ku të fshihesh,
dehesh në temjan gudulisës,
por ditët s’të ndahen prej ditësh,
dhe vitet s’të ndahen prej vitesh.
Dhe shekulli s’të ndahet me shekull,
befas pandeh se ke vdekur,
dhe bie mbi treme i mekur,
nga malli për jetën i prekur,
por kurmi mes dherash t’është tretur.
PËRRALLA E EDENIT
Koha i mori me vete te
gjitha,
lulet e gjineshtrës çdo maj çelin në sukë,
por ëndrrat u kthehen në plisa
veç helmi mbeti në kupë.
Nuk mund ta dish. Ti
zanafillë ishe ende,
dhe djalli ende vinte vërdallë,
“molla e mëkatit” nuk ishte në mendje,
tash e gjitha ngjan si përrallë!
Ende s’kishte lindur as
Eva,
në Eden baresnin Adam dhe Lilitë,
pahiteshin nën lulet e verdha,
gjithë jeta ngjante një ditë.
Koha si koha – kalonte
ndërkohë,
(asgjë nuk e ndal dot numërimin),
dhe zuri një dimër i ashpër me llohë,
Lilitë s’ish gati për thëllimin.
Së fundi koha i fshiu të
gjitha,
tani bën ftohtë dhe lule s’gjen më –
gafrruar janë gjineshtrat në driza,
n’Eden s’pipëtin asnjë zë.
26 dhjetor 2017
FARI…
Rrafshinë e shkretuar me të kaftën
që më gërryen deri në kafkë,
Lëkundem përhumbur mes këtij deti të thatë si një far,
Ajme, nuk ka një mol për ta ankoruar anijen
fantazmë – të marrë,
Gjarpërinj e akrepa më qasen vërdallë.
E mjera rrafshinë – e
lirë në shkretimin pa kufi,
Këtu s’ka asgjë dhe liria është thjeshtë – ironi,
Si far lëkundem mes këtij deti mizor në vetmi,
Anija fantazmë përpëlitet mbi detin e kaftë në shkreti.
Fati u shkrua – nuk mund ta lë askund më këtë barrë,
Derisa gjarpërinj e akrepa ta pushtojnë përgjithmonë këtë far,
Më duhet ta nxis ta gjejë molin këtë anije të marrë,
Dhe ora e rrafshinës përjetë të ndalë.
ME KOD ASNJANËS
Ndahet materia thërrimesh në
hapësirë,
Universi s’e njeh dëshpërimin;
Ndahemi dhe ne çdo ditë pa dëshirë,
E zemrës i mëkojmë lëngimin.
Aq copa flaken tej
smogut të errët,
Mes tymit të athët prej yjeve të shuar,
Dhe qenia rrëshqet mbi globin e pjerrët,
gjenezës kahmot e larguar.
Kuqëlon vjeshta kozmike
me gjethe meteori,
Në abys këndon përjetë qyqja e vetmisë;
Një CD kompjuteri rreket sa mezori,
Nën rrezet e drekës një ylber të stisë.
Nuk dihet ç’mesazh mban
ai CD i dergjur,
Në këtë cep të kozmosit që quhet Tokë,
Aq e madhe humbja dhe fitorja e mbetur,
Është veç shpirti që s’e shqitën dot.
Më duhet ta kyç këtë
mesazh për ty,
me kod asnjanës, pa vetë, pa adresë,
kaq vite larg – për dreq jemi dy,
dhe rrëshqasim drejt së resë.
11 shkurt 2020
MISTIKA
Mistika e gjallimit është kjo ujëvarë,
Vjeshtulla e vjeshtës mbi pishë,
Kjo gjethe e rënë nga pema mbi bar,
Varrezat që në mes kanë një kishë.
Rruga që zgjatet pafund
është mistikë,
Hënza që shkon e vjen prapë,
Mistike është ora diellore në mesditë,
Dhe bimsa mbi një pemë të thatë.
Mistikë është kujtimi i sendeve që s’janë,
Kujtimi i njerëzve siç i deshëm dikur,
Metamorfoza e qenies nga murana në muranë,
Shpresa për të hedhur mbi vdekjen një urë.
PARNASIANE
Bie mbrëmja me zilka në fshat,
me pluhur smogu merr frymë bliri,
një engjëll kibernetik në monopat
kurorë thur me gjethe ulliri.
Heronjtë e ditës
braktisin fushëbetejën,
e lodhur shtriqet rruga në fushë,
sekush thur në mendje rrëfenjën,
për fitoret (humbjet s’i përmend askush).
Atje tej në shpleksjen
yjore
ngarend vetmitar përhumbur mendimi,
humbëtirës së kobaltë hënore,
tash bie një vesë e lehtë trishtimi.
Pranverë 2017
* * *
Symbyllas vjen mbrëmja dhe futet në
dhomë,
shtriqet shtëpia e lodhur për gjumë,
në errësirë sendet më ngjan sikur thonë:
“Të prisnim – erdhe më në fund!”
Është mbrëmje shkurti –
kallkan e dyshimtë,
në rrugë fluron e frikur një hije,
më duhet t’i shmangem thelbit të malinjtë,
për hir të mbrëmjes – ta ketë pak shije.
Ajme të dy e shohim si
vdes në vite pritja –
që ti do ta vrasësh – këtë e dimë të dy;
por meqë e dhashë fjalën, le t’vazhdojë soditja,
derisa në varrim të shihemi sy më sy.
Vjen mbrëmja symbylltas
– e ftohtë, e brymtë,
në krip më shpon e vërteta që nuk thuhet;
nuk thuhet me fjalë ajo ditë e zymtë,
për besë – dhe Armagedoni vetë druhet.
23 shkurt 2020
BIRIT TIM TEODORIT
Ti i buzëqesh botës biri im,
Je ende foshnjë – s’mund ta kuptosh;
Nxiton kudo për eksplorim,
po mëson si të dyshosh.
Vjet në këtë kohë sapo në
këmbë,
Mundoheshe të qëndroje;
Sivjet vrapon dhe nëpër dhëmbë
më therret shpesh përmes loje.
Dhe unë nga vjet kam
bërë ndryshim,
Sigurisht tash jam më plak,
Kam më shumë thinja dhe zhgënjim,
Më shumë dhimbje e plagë.
Më shumë keqardhje kam
tani,
Për ty se sa për vete,
Se si do mbrohesh në stuhi,
Pa busull nëpër dete.
Por do ia dalësh biri
im,
Paçka se me shumë plagë,
Nëse tek vetja ke besim,
Dhe jetës s’i lyp shpagë.
KA EDHE S’KA
Eklogë për lirinë dhe idealin
Ka edhe s’ka ideale shkapërdarë në
orbitën e vdekur,
në gjak ka rënë gjumi dhe fle si bretkosa në pellg,
fjala është ngjitur në qiellëz dhe struket e mekur
dhe qenia baret rrugëve në jerm!
Ka edhe s’ka mendimtarë
që shohin më kah ideali,
si i sëmuri në shtresa një qiri që thyen me zor terrin,
liria është një lodër e rrejshme që njerëzimi shpalli,
për të shpëtuar veten nga tmerri,
i kaosit social që varjon kryeneç në shumatore,
me shifra kërcënuese në enumeracionin e krimit,
në krip ideali na është mpiksur si kokore,
e hukatur me brymë nga goja e dimrit.
Dy fjalë për autorin
Petrit Nika lindi në Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Ka punuar mësues në vendlindje për dy vite, mandej në Fier, ku jeton që prej gushtit të vitit 2002. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së përditshme, ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e tregime. Ka një perfshirje aktive në botën letrare shqiptare me krijime poetike dhe tregime, pothuajse gati 20-vjeçare.
Në vitin 1996, kur ishte student i vitit të parë në Tiranë, fitoi konkursin poetik të gazetës “55”, duke u përfshirë dhe në antologjinë përkatëse që botoi gazeta; në vitin 2004 fitoi çmimin e tretë në një audiencë prej 79 autorësh të njohur të poezisë së sotme shqipe që u botua përgjatë një viti nga gazeta kulturologjike “Fjala”.
Veprat
– “Mëngjes në Alpe”, (poezi), sh. b. Toena, 1997 ;
– “Nostalgji apo ankth ekzistencial”, (ese & publicistikë), sh. b. Ymeraj, 2007;
– “Fuga Temporum”, (poezi), sh.b. Tringa Design, Tetove 2009;
– “Qenia brenda enes” (poezi), sh. b. SkanderbegBooks, Tirane 2010;
– “Shtepia e qenies” (poezi), sh. b. Ymeraj 1, Fier 20013;
– “Fyelltari” (tregime), sh. b. Ymeraj 1, Fier 2013;
– “Në gjurmim të tekstit” (publicistikë letrare, recensa, studime), sh. b. Ymeraj 1, Fier 2013.
Libra për fëmijë
– “Gjinkalla dhe milingona”, (vjersha dhe fabula), sh. b. Ymeraj, 2005;
– “Trembëdhjetë përralla pelegrinë”, (përralla për fëmijë), sh. b. Ymeraj, 2006.