RAMIZ GJINI – KATUNDI MES MALESH
RAMIZ GJINI
KATUNDI MES MALESH
Stefan K. sapo qe emëruar nëpunës i thjeshtë në Drejtorinë e projekteve për zhvillim.
Ditën e tretë të punës, atij i ngarkuan një mision: të dërgonte një mesazh të mbyllur në një zarf të madh në zyrën e pushtetit lokal, që ndodhej në katundin Prat.
Ky katund gjendej në një rrafshnaltë mes malesh, shumë larg prej godinave madhështore të qeverisë. Larg në kohë dhe hapësirë. Pa energji elektrike për ndriçim, pa shërbim postar, pa telefon për komunikim dhe pa rrugë automobilistike.
Stefan K. nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për ekzistencën e këtij katundi.
– Është një mesazh i vonuar për shkak të burokracisë,- i tha shefi i zyrës së projekteve për zhvillim.- Një mesazh, që duhej të kishte mbërritur në atë vend shumë e shumë kohë më parë.
Gjysmën e rrugës, që zgjati plot trI orë, Stefan K. e bëri me autobus; pastaj, aty ku rruga e tij ndahej, iu lut shoferit të ndalonte, sepse i duhej të zbriste për të ecur në këmbë.
– Pashë Zotin, djalosh,- tha shoferi, që dukej se nuk qe në fill të mirë,- më thuaj, ku dreqin shkon, që po zbret në këtë stacion?!
– Do të ngjitem në katundin Prat, që gjendet lart mes malesh.- tha Stefan K.- Më kanë dërguar me mision, që të çoj atje një mesazh të qeverisë së re.
Shoferi hapi krahët dhe ngriti vetullat.
Ajri i rënduar lëvizi aty brenda. U hap dhe u shtri si brumë.
– Gjithsesi, ju i dini vetë këto punë,- tha shoferi.
E tha me vështrimin indiferent të hedhur përmes xhamit tej luginës, që ndriçohej prajshëm nga dielli i nxehtë i mesditës, e ku dukeshin bokat e kuqe, të çara si me plug nga rrëketë e shirave të shkuar.
Me të thënë ato fjalë, shoferin e zuri kolla. Një kollë e mbytur, me konvulsione të befta. Diçka e keqe i shpërtheu brenda barkut, ia bëri rropullitë lesh e li, bashkë me fjalët që i dilnin copa-copa.
– Kam tridhjetë e kusur vjet që e bëj këtë rrugë… Dhe kurrë nuk kam parë të zbresin pasagjerë në këtë stacion të shkretë… Gjithmonë vetëm hipin… Hipin për t’u larguar… Dhe kurrë nuk kthehen më kësaj ane.
Fshiu sytë e përlotur me kindin e këmishës, drejtoi trupin, pastaj ofshani; nxorri një firomë me tahmë hudhrash që i kish ngrënë për të ulur tensionin e gjakut.
Nëpunësi Stefan K. nuk ua vuri veshin fjalëve të shoferit. Doli rrëmbimthi mu si ta kishin shtyrë dy duar të fuqishme në shpatulla.
Tashmë para tij shtrihej një peizazh i panjohur më parë.
Bokat e shpatinës nga e djathta kuqëlonin dhe avullonin djersën e vet. I pa gjeratoret e hapura nga rrëketë e shirave përgjatë bokave. I pa dhe lisat me gjysmën e rrënjëve jashtë. Hendeqet ku zinin pusi kafshët grabitqare, humnerat që përpinin hijet e reve bardhoshe si qumështi; dhe shkëmbinjtë në rrëgallën matanë përroit, të gremisur qyshkur që nga maja e malit, dhe që i prushonte dielli i nxehtë me rreze të prajshme. Ndjeu peshën e vetmisë së lugjeve, heshtjen e tyre si ajo që mbjell një vdekje e mënxyrëshme. Qielli, mu si një det i qetë i kthyer përmbys, mbahej mbi katër-pesë re të bardha e të shpupëluara. Vetëm puhiza e vakët që sillte lugina përmes malesh, përpiqej t’i jepte pyllit frymën e vet. Mbi bokat dhe gurët, flinte dhe heshtonte një trishtim i mbledhur kutullaq.
Ngadalë, në nota që vinin e bëheshin gjithnjë e më të qarta, atij i erdhi në vesh baptima e një kopeje kafshësh në ecje. Ktheu kryet dhe pa një tufë të madhe delesh, që u printe një bari i moshuar. E kish ngjeshur kërrabën kurrizit, futur nën dy sqetullat, ndaj i vareshin krahët nga prapa si lavjerrës. Ecte me vështrimin e syve përtokë dhe numëronte hapat e jetës së vet. Të një jete me pak bukë në trajstë e fare pak fjalë të thëna më shumë vetes.
Kopeja e ndiqte nga pas kokëulur, e urtë, e bindur.
Pati pllakosur vapa mbytëse asaj ore, prandaj bariu po e çonte tufën me nge, që të mrizonte për ca orë nën hijen e një rrapi që ndodhej aty pranë. Rrënjët e tij qenë ngulur thellë në tokë si kthetrat e një përbindëshi mitologjik. Ishte freskët aty, nën ato degë të trasha si trungje, që zgjateshin nga të katër anët, mbushur plot gjethe të njoma, që i lëvizte lehtë puhiza e vakët; puhiza që frynte luginës. Po shkonin të uleshin aty. Të pushonin në paqe, të ripërtypnin ushqimin e mbledhur rrëpirave, ku rrëshqiste e rrokullisej gjithshka: edhe yjet kur binin, edhe gurët, që shkëputeshin nga lartësia e majave të thepisura, edhe dilemat, edhe frikërat, edhe dëshirat, si dhe vetë mendimi. Si rrëpirat që mbajmë brenda nesh e që nganjëherë na japin marramendje, na bëjnë të mbahemi fort, që të mos rrokullisemi për të rënë në humnerat e jetës.
Stefan K. e përshëndeti plakun; dhe, si ta bënte me kast për të hyrë në bisedë, e pyeti me të qeshur, se qysh kishte arritur t’i bindte delet ta ndiqnin nga pas.
– Nuk është se i kam bindur,- ia ktheu bariu plak.- I kam ngopur.
Kjo përgjigje e zhyti për pak kohë në mendime nëpunësin e ri të shtetit.
“I kam ngopur”, vazhdonte t’i thoshte zëri i bariut”. “I kam ngopur.”
– Më duhet të ngjitem në fshatin Prat,- tha pas pak ai.- Më thoni, ju lutem, a është pikërishtë kjo rruga që të çon atje?
– Kjo ka qenë…, – ia ktheu plaku.
E tha me keqardhje, mu si t’ia thoshte vetes. Si të qe ai vetë rruga.
Përgjatë udhës së hollë kishin mbirë barishte. Kurse tek-tuk ngriheshin kamare të vogla dheu të shkrifët si t’i kishte hedhë ndokush gjithë kujdes me grusht. Gjithandej shikoje milingona në ecje, që nxitonin mes barishteve në kërkim të ushqimit. U duhej të mbushnin me ushqim hambarët e tyre nën tokë, që ta kishin kur vera dhe vjeshta të ishin larguar duke ecur në majë të gishtave.
– Kjo rrugë duket se ka shumë vite pa u shkelur nga ndonjë këmbë njeriu!- i tha bariut nëpunësi Stefan K. Dhe pyeti:- A duhet t’i shkoj gjerë në fund për të mbërritur në katundin Prat?
– Ndiqe këtë rrugë deri ku të të çojë,- tha plaku ndërsa u printe para deleve.
Nëpunësi i ri i shtetit pati frikë se rruga mund të mbyllej diku. Të gjitha rrugët e kanë një fund, mendoi ai. Ato zgjaten e zgjaten gjithandej, derisa vjen një çast që mbyllen. Aty ku mbyllen pushon vdekja e tyre.
Tutje shpatinës, ku pylli bëhej më i dendur, rrugën mund ta kishin pushtuar barishte dhe shkurre. Veç kësaj, mund t’i ndodhte të futej padashje në ndonjë rruginë qorre, nga ato që nuk të çojnë askund. Edhe natyra mashtron po nuk e njohe, mendoi ai. Pastaj çeli gojë e tha:
– Kam frikë se do ta humbas…
– Nëse humbet rrugën, ndiq besimin tënd, djalosh, dhe do të mbërrish atje ku do,- i tha plaku dhe nisi të largohej nën tingujt e këmborës, që tundej e binte sa herë dashi i madh i kopesë hidhte hapin pas të zotit.
Kur tufa qe larguar, flladi i vakët mblodhi pluhurin që la pas kopeja. Mblodhi erën e plehut dhe amën e rropullive të barqeve të kafshëve. I bëri ortek dhe i rrokullisi tatëpjetë shpatinës, ku përroi i tharë ruante zgëqeve jehonën e zhurmës së ujit të shirave, që patën rënë me rrëshek pranverës që shkoi.
“Nëse humbet rrugën, ndiq besimin tënd, djalosh, dhe do të mbërrish atje ku do”, vazhdonin t’i kumbonin në vesh fjalët e plakut.
Anës rrugës së hollë, që gjarpëronte në ngjitje, e shkretë dhe e përdiellur, ai ndjente aromat e lulemineve, dorëzonjave, aguliçeve, shpendrave dhe gjembaçëve me kaptinat e tyre ngjyrë xhivezi. Pastaj filloi ta ndjekë nga pas një zog pendëshkruar me këmbët dhe sqepin e gjatë. Fluturonte dhe ndalej zogu; fluturonte dhe ndalej gjatë gjithë kohës!
Në fillim, Stefan K. e pa me misticizëm marrëdhënien e tij me zogun. Mos ndoshta e ndiqte për t’i paralajmëruar ndonjë ogur të zi?! Por shumë shpejt ai kuptoi që baptima e hapave të tij dhe këmbët e pantallonave që fshiknin barërat, lulet, fieret dhe dushqet, trembnin insektet. Trembnin ndonjë pilivesë, karkalec, flutur apo gjinkallë. Kurse zogu nga pas, sapo i shikonte të lëviznin, turrej fluturimthi pas tyre. I ndiqte lakadredhas, i kapte me sqepin e tij të gjatë, ngrinte kokën lart dhe i gëlltiste.
Pastaj se nga ia behën aty fluturimthi një trumbë gargujsh dhe u vunë në ndjekje të insekteve. Atëherë nisën të ngriheshin kërcimthi më shumë karkalecë, të fluturonin më shumë flutura shumëngjyrëshe, pilivesa e gjinkalla të trembura, që largoheshin në panik për t’u shpëtuar zogjve. Herë-herë, fluturimi i trumbës së gargujve kthehej në një shakullimë. Frushullima e flatrave të tyre në ajër i trembte insektet, i bënte të lëshoheshin në panik përpara, por sulmuesit qenë të sprovuar. Ata i kapnin, i copëtonin me sqep dhe i gëlltisnin duke lënë përtokë vetëm zmeraldet, topazet dhe rubinët e tyre.
Më në fund, pas gati dy orësh ecje në këmbë, hingëllima e një pele të vetmuar, që kulloste në një lirishtë aty pranë, qe i vetmi sihariq që lajmëroi hyrjen në katund të nëpunësit Stefan K., bashkë me një trumbë të madhe gargujsh, që bënin poterë.
Në hyrje të katundit, ai shquajti një ndërtesë të vogël njëkatëshe.
Qe një ndërtesë e vjetër kjo. Një ndërtesë e ndërtuar me gurë, të cilët, koha dhe lagështira i kishte veshur me myshk të gjelbër. Që nga brenda ndërtesës, atij i erdhi në vesh një shungullimë e lehtë, e mbytur. Ishte një mulli bluarje me ujë; kurse në rrugë, pranë mullirit, një djalë i vogël këmbëzbathur, i veshur për ibret, rrinte dhe vështronte si i shastisur.
Kur Stefan K. po afrohej, fëmija ia dha vrapit, dhe, sapo shkeli te shqimthi i derës sa hapur të mullirit, ndaloi e tha:
– Baba! Po vjen një burrë!
Mullixhiu doli jashtë që të shikonte.
Qe një burrë rreth të pesëdhjetave, me një shtat të madh e të fuqishëm. Këmbët i kishte të çapëluara, mbase nga pesha e thasëve që pati ngritur. Dhe ishte këllqegjërë. Mbante veshur një palë pantallona të zeza, të lidhura me gjalmë në vend të rripit, si dhe një këmishë hasi të bardhë pa jakë, si ato që veshin ushtarët. Rrobat, flokët dhe vetullat e trasha, i qenë pahitur prej puhizës së ajthit të miellit, por vështrimi i tij qe biramel, si çdo vështrim që katundarët u hedhin rëndom jabanxhinjve.
Nëpunësi Stefan K. e përshëndeti, pastaj pyeti:
– A mund të më thoni, ku ndodhet zyra e pushtetit lokal?
Mullixhiu e vështroi një copë here pa folur, athua se donte të sigurohej për atë që sapo i kishin dëgjuar veshët; pastaj duke bërë me dorë nga mulliri, tha:
– Këtu është zyra e pushtetit lokal.
– Mos doni të thoni që ju e përdorni mullirin edhe si zyrë?
– Po,- tha mullixhiu.
– Unë jam Stefan K.- i dha të njohur ai.- Jam nëpunës i zyrës së projekteve për zhvillim. Kam ardhur t’ju sjell një mesazh të qeverisë së re.
– Hëm!- ia bëri mullixhiu, ndërsa kruante kokën prapa veshit.- Domethënë, ju vini prej lart.
– Po,- tha nëpunësi Stefan K.- Prej lart.
Dhe aty për aty, u bë edhe njëherë më i madh.
– Urdhëroni e hyni, në zyrën tonë të pushtetit lokal,- e ftoi mullixhiu, teksa bënte me dorë nga dera e hapur e mullirit.
Nëpunësi Stefan K. u fut brenda dhe zuri vend në këmbë. Fëmija i vështronte te pragu.
Ato çaste u dëgjua sërish hingëllima e asaj pelës, që nëpunësi Stefan K. e pati parë të kulloste në lirishtë.
– Blin!- i thirri mullixhiu të birit.- Shko merre pelën dhe lidhe nën hije të manit.
– A t’i hip, baba?
– Hipi.
I vogli ktheu shpinën dhe u nis turravrap.
Muret aty qenë prej guri dhe mulliri nuk kishte tavan; kishte vetëm trarë të trashë, jo dhe aq të drejtë, të zbardhur nga puhiza e miellit; kurse çatia ishte me dhoga, mbi të cilat qenë vendosur rrasa guri; edhe ato të pahitura me miell. Një sergjen i sajuar në mur qe mbushur me almiset e punës. Nga e djathta, rrëzë murit, atij i zunë sytë thasë të mëdhenj lini të mbushur me misër. Guri i madh i bluarjes vazhdonte të rrotullohej sipër tjetrit duke hedhë miell ritmikisht në arkën e drurit. Trokitjet e tërkëllimës qenë në harmoni të plotë me zhurmën që bënte guri në rrotullim. Niveli i drithit në koshin në formë koni sipër gurit, binte aq ngadalë sa nuk mund të shikohej me sy. Kurse rrahja e ujit që derdhej shpengueshëm mbi turbinë, qe mu si një zabullimë e madhe jete. Mbi një tryezë të moçme, të shtrembër, gjendej një rregjistër i madh me fletët si të tymosura. Tej, në fund të asaj hapësire të brendshme, e cila ndriçohej zbehtë nga feksi i rrezeve të diellit, që depërtonin përmes dritares së vogël si frëngji dhe derës së hapur, silueta e një burri heshtonte pa lëvizur i ulur në një stol.
– Këtu vijnë banorët për të bluar misër, sepse gruri nuk rritet kësaj ane.- nisi të shpjegonte mullixhiu me zërin e tij një oktavë më lart se zhurma e mullirit.- Bashkë me misrin, ata bluajnë edhe mendimet e tyre. Ulen në atë stolin në qoshen atje tej, dhe, teksa dëgjojnë trokthin e tërkëllimës, zhurmën që bën guri në rrotullim dhe rrahjen e vazhdueshme të ujit mbi turbinë, bien në shestime. Në kokën e tyre, nis procesi i bluarjes së mendimeve. Në një kuintal misër, myshterinjtë lënë si ujem dy kg. miell. Një pjesë e miellit që mblidhet nga ujemet shkon për më të varfrit e katundit. Ndërsa për bluarjen e mendimeve, ata lënë si ujem vetëm urtimat që dalin nga bluarja. Ne i quajmë ato ujeme URTIMA. Këto urtima, zyra jonë, që është edhe mulli, i përdor për komunitetin, që njerëzit të maturojnë punët e të zgjidhin hallet që kanë. Është e vërtetë që ata mund t’i bluajnë mendimet edhe në shtëpi, në rrugë, apo gjatë kohës kur bëjnë ndonjë punë, por mendimet askund nuk bluhen më mirë se këtu në mulli. Pra, çfarë del me vlerë nga bluarja e mendimeve, ata e lënë si ujem të shkruar këtu, në këtë regjistër. Ky lloj ujemi është ndryshe nga ujemi që banorët lënë si pagesë për bluarjen e misrit. Prandaj ky mulli shërben edhe si një zyrë e pushtetit lokal… Pra, ju thatë se keni ardhur këtu si përfaqësues i qeverisë së re, për të sjellë një mesazh…
– Po,- tha nëpunësi Stefan K. ndërsa nxirrte nga çanta e tij e dorës zarfin e madh, që i kishin dhënë me vete.
– Unë ju falënderoj shumë për këtë,- foli disi përtueshëm mullixhiu.- Megjithatë, jam i detyruar t’ju them se, ne, nuk para i përtypim mesazhet që dalin prej mendimeve që nuk bluhen në mullirin tonë. U thoni atyre zotërinjëve të pushtetit që të vijnë e t’i bluajnë këtu në mullirin tonë mendimet e tyre. Pastaj të na lënë si ujem urtimat dhe mesazhet që dalin nga bluarja.
– Të them të drejtën, kjo punë më duket pak si e ngatërruar,- tha si me të qeshur nëpunësi i shtetit.
– Jo!- ia pat aty për aty krejt seriozishtë mullixhiu.- Nuk është as e ngatërruar dhe as për të qeshur. Ju erdhët me qëllimin që të sillnit një mesazh të dalë, jo nga bluarja e mendimeve në mullirin tonë, por nga bluarja e mendimeve në mullinjtë e pushtetit. Pikërisht kjo është punë e ngatërruar. Tani, më thoni, zotëri: a e vutë re me kujdes rrugën që ju solli në këtë katund mes malesh?
– Po,- tha nëpunësi Stefan K.- Kishin mbirë barëra dhe shkurre përgjatë saj.
– Atëherë, u thoni atyre zotërinjëve të pushtetit, që kjo rrugë ka filluar të harbojë, prandaj duhet shkelur.
U afrua për një çast pranë gurit të mullirit që rrotullohej, zgjati kokën dhe vuri re që misri brenda koshit po mbarohej. Atëherë iu lut nëpunësit që t’i jepte fare pak kohë, sa të derdhte në kosh thesin tjetër.
Ngriti thesin, që e kish zgidhur më parë, u ngjit bashkë me të në një shkam, që i shërbente për të mbërritur lartësinë e duhur, e derdhi drithin brenda koshit; dhe si e rrafshoi me një lëvizje të shpejtë të dorës, zbriti e tha:
– Kështu pra, janë punët, or lum miku…
Stefan K. i zgjati zarfin.
– Ju lutem, mbajeni këtë zarf, për të cilin bëra gjithë këtë rrugë. Duhet të jemi në rregull me shkresat.
– Keni të drejtë,- ia pat mullixhiu teksa merrte zarfin, ku ndodhej i mbyllur mesazhi i qeverisë së re.- Por ta dini, që para së gjithash, për ne është mirë të jemi në rregull me punët tona.
I hodhi një vështrim adresës së shkruar mbi zarfin e madh, rrudhi ballin, dhe krejt befas, u murrëtye e u bë vramuz në fytyrë. Pastaj ia ktheu zarfin sërish nëpunësit e me një zë të ftohtë si akulli, tha:
– Më falni, zotëri, por më duhet t’ju them që ky zarf nuk është taksur për zyrën tonë!
– Po a nuk jam këtu në katundin Prat?!- pyeti disi i habitur nëpunësi Stefan K.
– Jo,- tha mullixhiu.- Jeni në katundin Ujzë. Madje unë nuk e di që kësaj ane, ekziston ndonjë katund me emrin Prat.
– Si ka mundësi?!- bëri çudi nëpunësi Stefan K., ndërsa ngriti krahët dhe u rrotullua njëherë marramendthi. Dhe si të kërkonte të nxirrte ndonjë fjalë ndjesëlypjeje, nisi të fliste përethshëm:
– Zyra jonë e projekteve për zhvillim… Dua të them, që shefi im… Ai tha që…
Diçka e ngucakeqshme nën vete i bënte fjalët e tij të binin në tokë siç bien kokrrat e drithit nga një thes i shpuar. Ndërsa fliste kësisoj, erdh’ e u bë apet i vogël.
Mullixhiu bëri përngeshëm tre hapa drejt pjesës anësore të gurit të mullirit, ku u zgjat dhe lëvizi me dorë një si levë druri.
Mulliri u ndal.
Ai u kthye e teksa kullej kujtueshëm, tha:
– Tani po kujtohem, që im atë,- ndjesë pastë, më ka pas thënë, që lart mes malesh, na paska qenë dikur një katund me emrin Prat, por që është braktisur e rrafshuar prej kohësh. Mes rrënojave të mbetura kanë mbirë dhe janë rritur lisa të mëdhenj. Po unë, të them të drejtën, kurrë se kam parë. Nuk jam ngjitur ndonjëherë deri atje, sepse edhe rruga është mbyllur me shkurre e ferra.
– Çfarë?!- memzi bëlbëzoi i tramkosur nëpunësi i shtetit.- Si është e mundur kjo?!
– Duhet të dini një gjë, or mik,- i mëshoi fort zërit të tij mullixhiu.- Çfarë lë pas dore njeriu, është natyra ajo që merret me të.
Nëpunësi i shtetit Stefan K. brodhi njëherë hutueshëm vështrimin aty rrotull, mu si të kërkonte një gjë të humbur; pastaj futi zarfin në çantë dhe u nis të dilte jashtë, i zymtë e i heshtur mu si një murg.
Tjetri e ndoqi njëherë vetëm me shikim. Pastaj, si vendosi apet mullirin në punë, doli në oborr. Mendoi se do ta gjente aty, dhe se nuk mund të largohej pa një tumirëmbeç. Por ia pa siluetën atje tej, teksa ecte përçudshëm tëposhtë rrugës së pashkelur, me trupin tashmë të vogël, duke tërhequr zhakthi hijen e vet të madhe.
Dy fjalë mbi autorin
Ramiz Gjini ka lindur më 1961 në Kastriot të Dibrës.
Më 1992 përfundon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku specializohet si aktor. Pas përfundimit të shkollës punon si redaktor i faqeve kulturore në gazetën “Rilindja Demokratike”. Në vitin 2000 emigron në SHBA, Nju Jork, ku jeton aktualisht.
Ka botuar vëllimet me tregime: “Dush varrezash” (1998), “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” (1999), “Atdheu prej dëbore” (2003), “Mendjet e njerëzve” (2005), “Rrëfime në hije” (2008), “Posta që sjell era” (2010) dhe romanet “Rrëketë” (2004), “Billboasit” (2010).
“Atdheu prej dëbore” (Patria de zapada) është botuar në gjuhën rumune i përkthyer nga Marius Dobresku.
Romani “Billboasit” ka fituar çmim si romani më i mirë i botuar gjatë vitit 2010.
“Pëllumbat e rrugës” është romani që përmbyll trilogjinë e rrëfimeve mbi ‘Bibollin’.
Të tjera rrëfime prej të njëjtit autor mund të lexoni këtu.