HYSNI NDREU – REVISTA KRITIKA DHE INSTITUCIONALIZIMI I KRITIKËS LETRARE
HYSNI NDREU
REVISTA KRITIKA DHE INSTITUCIONALIZIMI I KRITIKËS LETRARE
1. Hyrje
Në historinë e kritikës letrare shqiptare, një rol të rëndësishëm ka pasur shtypi periodik, i cili në vazhdimësi ka qenë një dritare e hapur ndaj zërave të mendimit mbi letërsinë. Periodiku është edhe hapësira ku hasim përpjekjet e para për t’u marrë me kritikë letrare, trajtat e së cilës na vijnë herë nëpërmjet njoftimesh për botimin e teksteve të ndryshme, herë nëpërmjet recensionesh dhe kritikash, e herë nëpërmjet mendimeve teorike në këtë lëmi. Nga ana tjetër, periodiku vazhdon të jetë ende sot, pas më shumë se një shekulli, hapësira ku ruhen e filtrohen vlera artistike, ku promovohen, interpretohen, gjykohen e zbulohen tipare dhe veçori estetike të teksteve letrare.
Përgjatë Rilindjes Kombëtare, kohë kur nisën të botoheshin rishtas periodikët në gjuhë shqipe, fillojnë të duken edhe shenjat e para të kritikës letrare, por pa krijuar një profil të qartë e shkencor në këtë lëmi. Vetëm me daljen e “Albania”-s së Konicës dhe me botimin prej këtij të fundit të “Kohetoré é Létrave Shcipé”,duket se kritika letrare hyn në hulli seriozë dhe mbërrin në nivele krejt të tjera nga ç’ishte më parë.
Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, zhvillimeve të gjithanshme kulturore u përgjigjet me të njëjtin ritëm edhe periodiku. Ky i fundit u zhvillua qoftë nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe nga pikëpamja cilësore. Sasia është e dukshme po të kemi parasysh numrin e madh të periodikëve që qarkullonin brenda dhe jashtë vendit. Cilësia vihet re në natyrën e artikujve që merreshin me kritikë letrare, të cilët vijnë në trajta më të kultivuara nga sa më parë, derisa fitojnë karakter mirëfilli kritik. Në këtë kohë shfaqen edhe metoda të ndryshme të qasjes ndaj veprës letrare, madje shkohet edhe më përtej kur jepen mendime teorike mbi kritikën letrare.
Përpjekja më serioze në këtë lëmi duket se do të vinte me daljen e revistës “Kritika” (1944), e cila botohej nën drejtimin e Arshi Pipës dhe si objekt kryesor, nga numri i parë e deri tek i fundit, do të kishte kritikën letrare. Dalja e saj pati një jehonë te letrarët e kritikët e kohës, të cilët e veçonin atë jo vetëm për shkak të cilësisë dhe veçantisë së punimeve që botoheshin në të, por edhe për shkak të misionit që kishte ndërmarrë. Ajo vazhdon të marrë ende sot vlerësime prej studiuesish të ndryshëm, duke e cilësuar si ngjarje botimin e saj dhe duke e veçuar si të parin organ të specializuar deri në atë kohë.
Te “Kritika” bëhen trajtime dhe interpretime mbi dukuri e vepra të ndryshme letrare; vlerësohet e rivlerësohet prodhimi letrar i kohës dhe ai i kaluar; botohet poezi e prozë shqipe; botohet poezi e përkthyer nga krijimtaria e poetëve të ndryshëm botërorë; bëhen recensione për vepra të caktuara, por, çka është edhe më e rëndësishme, jepen mendime teorike mbi atë çka është kritika letrare. Të gjitha këto do ta ngrinin këtë organ në nivelin e një institucioni të kritikës letrare, pavarësisht jetës së shkurtër që pati.
2. Simotrat që i paraprinë “Kritikës”
“Kritika” nuk doli në një terren djerr e as nuk shkeli në lëmi të palëvrueme më parë. Udha ishte përvijuar tashmë prej disa periodikësh të tjerë, të cilët, për një arsye a për një tjetër, kanë rolin e rëndësinë e vet të padiskutueshme. Shquhet “Hylli i dritës”, jo vetëm prej emrave që e themeluan apo materialeve që botoheshin në të, por edhe për shkak se është ndër organet më jetëgjata e më me ndikim të kohës. Po ashtu, nuk mund të mos përmenden “Përpjekja Shqiptare” e “Leka”, “Bota e re” e “Fryma”, Minerva e “ABC”, “Iliria”e “Shkëndija”. Kjo e fundit, sipas gjykimit tonë ndër më seriozet, dilte nën drejtimin e Ernest Koliqit dhe, gjer tash, mendojmë se nuk i është kushtuar as rëndësia, as vëmendja e duhur. “Shkëndija” i kushtoi hapësirë të konsiderueshme poezisë e prozës shqipe; në të u botua e përkthyer poezi e prozë e huaj; aty gjejmë disa nga recensat e punimet më të mira kritike të kohës, si dhe u shndërrua në organin që grumbulloi disa nga emrat më në zë të letërsisë, folklorit e të kritikës letrare.
Mjaft të përmendim: Sterjo Spasse, Migjeni, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Lasgush Poradeci, Selahydin Toto, Vangjel Koça, Vedat Kokona, Ethem Haxhiademi, Pashko Gjeçi, Namik Resuli, Asdreni, Lazër Shantoja, Kolë Ashta, Nonda Bulka, Viktor Eftimiu, Xhakomo Leopardi, Luigji Pirandelo, Aleksandër Xhuvani, Filip Fishta, Françesco Petrarka, Gëte, Arshi Pipa, Fulvio Kordiniano, Homeri, Bernardin Palaj, Çajupi, Ndre Mjeda, Gasper Pali, Vehbi Bala, Horaci, Oskar Uajldi, Ali Asllani, Alfons De Lamartini etj.
Përveç periodikëve të sipërpërmendur, skena kulturore ish pasuruar edhe me shumë botime të tjera të ngjashme, por të cilat, ndoshta edhe për shkak të rrethanave historike, ishin me natyrë të shpërndarë: gjeje në to publicistikë, shkrime historike, filozofike, psikologjike, religjioze, shkrime me karakter poliedrik etj. Këtu vjen e dallohet vetvetiu revista “Kritika”, si i pari organ me objekt ngushtësisht të qartë: kritika letrare në aspektin teorik e praktik të saj.
3. Dy fjalë mbi revistën “Kritika”
Nisi të botohej në mars të vitit 1944 dhe doli me vetëm katër numra, deri në qershor të po këtij viti. Numri i parë i saj ishte parashikuar të dilte që në janar të vitit në fjalë, por në një shënim të redaksisë mësojmë se “…për arsyena të ndryshme, të cilat nuk asht vendi këtu me i shënue”, kjo revistë po del tre muaj me vonesë. Themeluesi i saj, njëkohësisht edhe kryeredaktor, Arshi Pipa, kishte si synim që ta shndërronte atë në një organ të mirëfilltë kritik, sidomos duke u përpjekur të përvijojë kahet e një kritike të tekstit si të tillë, gjë që është përmbushur më së miri në të gjithë numrat e revistës. Dilte një herë në muaj. Disa nga emrat që botuan në të ishin: Selman Riza, Astrit Delvina, Mitrush Kuteli, Muzafer Xhaxhiu, Andon Frashëri etj.
Nuk dihen arsyet që çuan në ndërprerjen e botimit të këtij periodiku, por duhet theksuar se kjo do të ketë qenë diçka e paparashikuar, pasi në numrin e fundit të “Kritikës”, në një shënim të redaksisë, në faqen e fundit të numrit të fundit, gjejmë njoftimin e mëposhtëm: “Nga mungesa e vendit mbetën pa u-vue edhe këtë radhë recensimet. “Kritika” lajmon se recensimevet do t’u kushtojë tanësisht njenin prej numrave t’ardhshëm.” Siç kuptohet nga radhët e mësipërme, revista ishte parashikuar ta vijonte më tej udhën e vet, por për arsye që, me sa duket lidhen me rrethanat e kohës, kjo gjë nuk u bë e mundur.
4. Revista “Kritika” dhe aspekte teorike të kritikës letrare
Dy janë ndarjet e mëdha, në të cilat është konceptuar mënyra e trajtimit të kritikës letrare në revistën “Kritika”: së pari, në planin teorik, ku trajtohen aspekte të ndryshme teorike të kritikës si disiplinë, dhe, së dyti, në planin praktik, përndryshe zbatimi/aplikimi praktik i teorizimeve, nëpërmjet parashtrimeve që bëhen për poetë e vepra të ndryshme letrare.
Me çështjet e teorisë së kritikës Pipa kishte nisur të merrej qysh herët, kur te revista “Shkëndija” (1941-1942) botonte artikullin “Për nji kritikë letrare”, në të cilin merrte në shqyrtim e jepte përkufizime për aspekte të ndryshme teorike të kritikës letrare. Siç duket, interesi i tij për kritikën letrare ka qenë më i hershëm, por vjen e përplotësohet me daljen e revistës “Kritika”, me anë të së cilës kishte si qëllim edhe tëplotësonte një nevojë që vinte pas një prodhimi të mjaftë letrar. Këtë e shpreh në artikullin me titull “Shpirti kritik”, botuar te numri i parë i këtij periodiku: “Duket luks kritika: por asht nji nevojë. Sot, mbas ma se nji gjysë-shekulli prodhimi të vazhdueshëm, asht nevoja për nji gjykim të vleravet.” (Pipa, Arshi: “Kritika” 1944; 3-4).
Në po të njëjtin artikull Pipa jep edhe gjykime teorike mbi kritikën në përgjithësi, të cilën e vlerëson si “bazë e çdo ndërtimi të sigurt” dhe si “shéji i mendjes së pjekun”. Po ashtu, ai shfaq edhe shqetësimin për mungesën e një kritike shqipe, një mungesë që përligjet prej tij nga mospasja e një prodhimi letrar të mjaftë për t’u kritikuar, njëjtë me Konicën vite më parë. Kjo është edhe arsyeja, sipas tij, që Noli ka komentuar vetëm vepra të huaja. Po ashtu, ndien keqardhje edhe për atë potencial kritik të dorës së parë, që shkoi pa fryt te Konica.
Për Pipën kritiku duhet të përshkruajë, nxjerrë në pah, të shpjegojë misterin e veprës. Po ashtu, edhe të dallojë të mirat dhe të këqijat e saj. Një element i rëndësishëm që duhet të zotërojë kritiku është “shija”, që Pipa e cilëson si një “pajë e veçantë”. Në raportin prodhim letrar/kritikë letrare, të dytën e shihte si orientuese të së parës. Sipas konceptit të tij, fillimisht duhet të kemi një prodhim të bollshëm letrar, që më pas kritika të sjellë në të “rend e dallim”, “masë e qartësi”, “kuptim e vlerë”.
Ashtu si Konica, edhe ky thekson metodën krahasimtare, por të konceptuar krejt ndryshe. Nëse Konica synonte, me anë të krahasimit (metodës pascyrë), të përcaktonte nëse një vepër kishte ose jo vlerë, Pipa krahasimin e koncepton më së shumti si një metodë për të gjetur afritë/përngjasimet ndërmjet veprave të ndryshme, me qëllim afrimin e shkrimtarëve “qi kanë lidhje mes tyne”. Madje, rolin e kritikut e të kritikës e çonte në një cak të mëpërtejmë kur fliste për gjetjen e fillit historik që do të bashkonte shkrimtarët ndër familje të veçanta, e këto familje në një tabelë logjike të plotësuar. Më tej ende, roli i kritikës dhe kritikut është të lidhë historinë letrare me historinë e kulturës së përgjithshme, me qëllim që letërsia të fitojë dinjitetin e vet njerëzor.
Në përpjekjen e tij për të përcaktuar sa më qartë kornizat e kritikës letrare, ai e dallon këtë prej kritikës shkencore apo filozofike. Nëse këto dy të fundit janë esencialisht logjikë, e para është logjikë e diçka tjetër. Madje, përtej kësaj, thelbin e kritikës letrare e përbën intuita, e cila, gjithnjë sipas Pipës, “asht esencialisht poetike”. Si rezultat, kritiku, përpara se të jetë logjik, duhet fillimisht të ketë shijen dhe intuitën e artistit, të jetë vetë artist.
Deri këtu Pipa parashtron konceptin e vet për kritikën në përgjithësi, duke na dhënë përcaktime e gjykime teorike mbi këtë lëmi. Por Pipa ishte i ndërgjegjshëm edhe për nivelin në të cilin gjendej kritika letrare shqiptare krahasuar me atë europiane. Prandaj, e sheh të udhës të caktojë detyrat që i binin kritikës letrare shqiptare: të vlerësojë prodhimin letrar të traditës dhe të ndjekë hap pas hapi prodhimin letrar të kohës. Duke qenë se për të, fusha e kritikës letrare, në të shkuarën e në të tashmen, ishte thuajse e djerrë, ai pretendonte se kritika, më së pari duhej orientuar nga kaosi i mendimeve të pakontrolluara ku gjendej tashmë. Për këtë duhej nisur fillimisht nga ajo çka ishte më e ngutshme, më themelore, e që kishte të bënte me vlerësimin e traditës.
Punën e kritikës dhe të kritikut Pipa e shtrin në tri rrafshe: në të shkuarën (në diakroni), në të tashmen (në sinkroni) dhe në të ardhmen, kur thotë se “kritiku i vërtetë nuk shkatërron pa pas ndërtue ma parë”. Ky i fundit, sipas I. Rugovës, lidhet me konceptin e kritikës me perspektivë. Në këtë mënyrë, do t’i shërbehet prodhimit letrar, me qëllim që ky të zhvillohet në vijë të drejtë, pa mungesa, pa copëtime dhe pa shmangie. Siç shihet, Pipa mendonte për një kritikë komplekse, që ta rrokte prodhimin letrar në tërësinë e vet, dhe kjo është përmbushur më së miri te revista që ai drejtonte.
Me parashtrimet e tij teorike, si dhe me shqyrtimet konkrete mbi autorë e vepra të ndryshme, Pipa e ka ngritur mendimin kritik letrar shqiptar në majat e zhvillimit të tij. Në “Sistemi letrar piramidal”, studiuesi Behar Gjoka e shpreh kështu përmasën që përfaqëson revista “Kritika” në arealin e përgjithshëm të kritikës letrare: “Kulmet e veta zhvillimi i kritikës letrare i shënon me revistat “Kritika” të A. Pipës dhe “Shejzat” të E. Koliqit, natyrisht këta kulme përfshijnë brenda vetes gjithë historinë e shkrimit të shqipes, edhe sot e gjithë ditën. Në këtë histori, jo dhe aq të pasur në lëvrimin e kritikës letrare, që gjurmon letraren e jo si prangim i saj (…), A. Pipa dhe vepra e gjerë, e plotë si teoritikë dhe praktikë shkrimore në lamin e vështrimit letrar, përfaqëson nivelin më të ngritur dhe mjeshtrin e kritikës letrare.” (Gjoka, Behar: Prishtinë 2005; 134-135)
E parë si një nevojë për gjykim vlerash, Arshi Pipa do t’i hynte punës për themelimin e një reviste që do të institucionalizonte kritikën letrare. Vlerësia e shumëfishtë e këtij periodiku, përveç anëve të tjera, qëndron në tri argumente, të cilat koha nuk i ka zbehur ende:
Së pari, për herë të parë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqipe kemi një organ që ka si objekt kritikën letrare. Pra, një periodik të specializuar. Pikërisht për këtë arsye ngjet edhe ndryshimi i madh në raport me dukuritë e tjera letrare të kohës kur doli, por edhe në raport me ç’kishte ngjarë përgjatë gjithë historisë së periodikut në gjuhën shqipe.
Së dyti, në këtë revistë, Arshi Pipa institucionalizon mendimin teorik për kritikën letrare, por edhe mendimin e mirëfilltë të trajtimit dhe të interpretimit të teksteve letrare, tashmë të vështruara në arritjet dhe mangësitë e tyre.
Së treti, me parashtrimet e Pipës, sidomos për veprën letrare të Migjenit, për herë të parë gjejmë edhe interpretimin e tekstit si të tillë, të gërshetuar edhe me elemente të tjera të substancës letrare dhe joletrare.
5. Aplikime praktike të kritikës letrare
Pjesa më e madhe e faqeve të “Kritikës” u janë kushtuar recensave, eseve, kritikave e studimeve për tekste të ndryshme, kryesisht atyre të letërsisë shqipe. Veprat që janë marrë në shqyrtim i përkasin më së shumti fondit të letërsisë bashkëkohore të periudhës në fjalë, por edhe vepra të fondit të së kaluarës. Realizohet kështu njëri ndër qëllimet që kishte vënë Pipa, kur lajmëronte: “Në recensimin e libravet shqip do të merren para syshë jo vetëm librat e mirë të kohës, por edhe ata, shkrue vjete ma parë, qi kan kalue në heshtje, ose janë përmendë përciptazi. Ato pak vepra të vlefshme qi kemi asht e mira t’i shqyrtojmë e t’i njohim. E ato gati të panjohunat – ka disa prej tyne edhe mjaft të mira – duhet t’i bajmë të njohura.” (Pipa, Arshi, në Kritika 1944:27).
Në numrin e parë gjejmë një punim që i kushtohet poezisë së Mjedës, titulluar “Ndre Mjedja: Juvenilja (Vaji i Bylbylit)”, përgatitur prej Pashko Gjeçit. Në vijim botohet poezia “Zotit”, e Serembes, e përkthyer prej italishtes nga vetë Pipa dhe e shoqëruar prej këtij të fundit me një hyrje të shkurtër, por me interes të veçantë për të zbuluar ndoshta marrëdhënien e parë të tij me poezinë e poetët arbëreshë. Ndër të tjera, këtu informohemi se poezia në fjalë është shkëputur prej vëllimit “Poesie italiane e canti originali”, më konkretisht prej “Këngëve origjinale”. Pipa e paraqet si rizbulim vëllimin e mësipërm, kur na njofton se është gjetur prej tij pas sa e sa kërkimesh, madje kur kish nisur të dyshonte edhe në vetë ekzistencën e tij. Po prej Pipës informohemi se botimi “… asht shum i rrallë e gati nuk njihet fare prej studimtarvet.” Në fund nuk harron të falënderojë Terenc Toçin, tek i cili gjeti vëllimin në fjalë, por edhe që i dha lejen për ta kopjuar.
Në numrin 2 dhe 3 botohet, përkatësisht, një recensë prej ALBUS (pseudonim i ?), me titull “Nji poezi e harrueme”, dhe një recensë prej ARBNI (pseudonim i ?), me titull “Luigj Gurakuqi – Vepra letrare”. Autori i së parës merr në analizë pesë tingëllima të botuara në numrat e parë të “Illyrija”, nën titullin “Për nji puthje të vetme”, me autor Liljan (pseudonim i ?). Varësisht vlerave që i cilësojnë, autori heton ngjashmëri me tingëllimat e Koliqit, “Gjurmët e Stinëvet”, madje i quan imitime të tyre. Megjithatë, ky imitim, sipas tij, nuk ka ndodhur për mungesë aftësie të autorit, “… por pse ka ndjekë instinktivisht at rrymë poetike në të cilën spikatë E. Koliqi.” (faqe 47). Ndërsa autori i recensës së dytë na jep piketa se si mund të studiohet e vlerësohet vepra e Gurakuqit si vjershëtor, duke na këshilluar ta shohim të ndërlidhur figurën e atdhetarit me atë të shkrimtarit. Siç kuptohet edhe nga titulli i recensës, autori vë në fokus jo vetëm figurën e Gurakuqit, por edhe veprën e tij poetike, shpeshherë duke zbuluar elemente biografike, të cilat kanë orientuar tematikën e poezive të tij.
Kontributin më të madh si rencenzent e kritik e ka dhënë vetë Pipa, i cili është marrë me disa nga autorët më të shquar të kohës, të tillë si: Noli, Konica dhe Migjeni. Punimi kritik për Migjenin, Historija e dhimshme e “shpirtit të ri”, i botuar në vijimësi në numrat 3 dhe 4 të “Kritikës”, është ndër më cilësorët, jo vetëm për mënyrën se si i qaset dhe e zbërthen poezinë e Migjenit, por edhe për shkak se aty hasim përpjekjet më serioze për ta parë tekstin si të tillë.
5.1. Për Nolin
Në rubrikën “Libri shqip”, Arshi Pipa merret gjerësisht me përmbledhjen dhe botimin që Mitrush Kuteli u kish bërë vjershave të Nolit, krijimeve origjinale dhe atyre të përkthyera. Gjithë punën e bërë prej Kutelit e konsideron si një punë të dobishme që pasuron edhe më tej letërsinë shqipe të varfër dhe si shpërblim (Pipa përdor termin “hommage”) që i bëhet figurës së Nolit kundrejt gjithë shërbimeve që ky i ka bërë atdheut të vet. Por kjo nuk e pengon Pipën që ta kritikojë Kutelin, madje edhe ta ironizojë në lidhje me organizimin/kompozimin që i ka bërë vëllimit në fjalë, kur konkludon se e gjithë vepra është shndërruar në një konglomerat punësh origjinale e të përkthyera, të marra, qoftë edhe në mënyrë fragmentare, prej tekstesh e autorësh të ndryshëm. Ndërsa vetë punën e Kutelit e konsideron më shumë si një punë “mbledhsi e radhuesi”. Për këtë arsye, analiza/gjykimi i Pipës shtrihet më përtej poezisë së Nolit, duke e studiuar tekstin në tërësinë e vet. Ai do që të jetë konciz, të bëjë “nji rrugë e dy punë.” Prandaj, ndërkohë që bën kritikën e kritikës së Kutelit, vendos të shprehë edhe mendimet e veta mbi poezinë e Nolit. Për studiuesin Vehbi Mifari, ky tekst “… ruan status të dyfishtë, tekst kritik e tekst metakritik, sikundër që edhe objekti është i dyfishtë: poezia e Nolit, e përfshirë në vëllimin e Mall e brengë, si dhe teksti kritik i Mitrush Kutelit…” (Miftari, Vehbi, Prishtinë 2007:13) Shpeshherë, mendimet e tij bien ndesh me ato të Kutelit, madje dallimet nisin që në titull: “Mall e Brengë” e kish emërtuar shkrimtari i Pogradecit. Për Pipën, “malli” duhet të jetë i Kutelit, ndërsa “brenga” edhe mund të jetë e Nolit.
Në vijim merret me cilësi të tjera që karakterizonin Nolin, madje duke e krahasuar atë me Fishtën e duke na zbuluar të përbashkëta e dallime ndërmjet tyre. Duke i vënë përballë njëri-tjetrit, Pipa na jep edhe përkufizime mjaft interesante të të dyve. Analiza e mëtejshme na zbulon mendimet e Pipës për personalitetin krijues të Nolit, ku nuk ngurron t’i numërojë të metat e meritat, por duke mbërritur në një përfundim befasues: “Poet pa vepra, poet në potencë, qe çka asht Noli.” (Pipa, Arshi, në Kritika 1944:33). Vlerësimin më i madh bëhet për Nolin-përkthyes, madje kritikon edhe Kutelin që nuk është ndalur më gjatë në këtë cilësi të tij.
Prej krijimeve origjinale të Nolit, Pipa veçon si më cilësore dramën “Israilitë dhe filistinë”, së cilës, në faqet në vijim do t’i kushtojë një punim të veçantë (FAN NOLI: “ISRAILITË DHE FILISTINË – dramë me 3 akte, BOSTON, MASS 1907). Ai ndalet kryesisht në të dhëna informative që cilësojnë veprën në fjalë, si vendi e viti i botimit dhe gjeneza e saj; zhvendoset te vlerat e përgjithshme letrare të Nolit, si dhe na informon për thelbin e motivin që mbart “Israilitë dhe filistinë”. E gjithë puna shkon rreth tri faqe, prej të cilave, po të heqim citimet e shkëputura nga pasthënia e shkruar prej vetë Nolit, si dhe pjesët dramatike të përfshira me funksion ilustrimesh, mendimi i Pipës do të mblidhej në shumë pak rreshta. Dhe, meqenëse ky punim, sipas nesh, nuk mund të krahasohet për nga cilësia me punimet e tjera të tij, e shohim të arsyeshme të kufizohemi thjesht në dhënien e atyre pak vlerësimeve, që bëhen nga Pipa për dramën në fjalë: “I mungon sigurisht lidhja dramatike, i mungon studimi i karaktereve (megjithëse ndonji si Samsoni e Rabini, janë gati të plotë); akti i tretë, ku duhet të kulmojë veprimi, asht i panevojshëm dhe e vonon veprimin, tue ja humbë efektin final. E sa e sa të meta tjera do të mund të rreshtoheshin. Por n’anë tjetër, ç’fuqi idenash, ç’hove ndjenjash titanike!” (Pipa, Arshi, në Kritika 1944: 36).
Nolit do t’i rikthehet sërish në numrin 4 të revistës, kur do të shkruajë esenë me titull “Bariu i popullit”. Këtu duket se Pipës i ka rënë në dorë një libër i sapobotuar, me titull “Ligjëron Fan Noli”, në të cilin ishin përmbledhur disa nga ligjëratat e tij më të qenësishme. Duke lexuar këto fjalime, Pipa heton frymën e përbashkët që i karakterizon ato: ideali kombëtar e humanitar i Nolit. Fjalimet në fjalë vlerësohen e çmohen për mënyrën e përdorimit të gjuhës, mesazhet që transmetojnë, por edhe sa u përket vlerave në fushë të oratorisë apo retorikës.
5.2. Për Konicën
“Faik Konica” titullohet punimi që hap numrin 2 të “Kritikës”, shkruar prej Arshi Pipës. Metoda e përdorur për të na dhënë konturet e një personaliteti si Konica, është e njëjtë me atë që kishte portretizuar edhe Nolin, ku gjejmë vlerësim deri në adhurim nga njëra anë, kritikë e goditje nga ana tjetër. Siç ka bërë me Nolin, Pipa do të bëjë dhe me Konicën. Rreket ta rrokë personalitetin e këtij të fundit në tërësinë e vet: edhe si shkrimtar e botues, edhe si aristokrat e përtac, edhe si estet e atdhetar, edhe si “i edukuem e me kulturë”. E çmon sidomos për kontributin që ka dhënë me gazetën “Albania”, si stilistin më të mirë të letrave shqipe, dhe kur e cilëson prozën e tij si konsoliduese e prozës letrare shqipe të jugut. Nëpërmjet punimeve për Nolin dhe Konicën zbulojmë edhe pikëpamjet e Pipës mbi artin në përgjithësi e letërsinë në veçanti, si dhe mbi parimet estetike që gjendeshin në bazë të formimit të tij.
Literaturë
Tekste:
- Boriçi, Hamit: …Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare (1848-1997), Enti Botues Poligrafik “GJERGJ FISHTA”, Tiranë 1997.
- Dado, Floresha: Intuitë dhe vetëdije kritike, shtëpia botuese “ONUFRI”, Tiranë 2006.
- Daka, Palok: Fjalor pseudonimesh (1743-1944), shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë 1998.
- Çiraku, Ymer / Plaku, Elona: Kritika letrare në Shêjzat (E. Koliqi, M. Camaj), Shtëpia botuese ALBAS, Tiranë 2014.
- Gjoka, Behar: Sistemi letrar piramidal – Shqyrtime teorike dhe tekstologjike – , shtëpia botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2007.
- Jorgaqi, Nasho: Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, shtëpia botuese “DITURIA”, Tiranë 2000.
- Kalakulla, Uran: Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra, shtëpia botuese Toena, Tiranë 1999.
- Kamsi, Willy: “Hylli i Dritës” 1913-1944, Bibliografi kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër, 2008.
- Kamsi, Willy: “Shkëndija” 1940-1943 / “Shêjzat” 1957-1978, Bibliografi kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër, 2009.
- Maloki, Krist: Oriental apo Okcidental, shtëpia botuese “PLEJAD”, Tiranë 2003.
- Miftari, Vehbi: Kritika e tekstit – Arshi Pipa –, Ndërmarrja botuese “GJON BUZUKU”, Prishtinë 2007.
- Rugova, Ibrahim: Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, shtëpia botuese “FAIK KONICA”, Tiranë 2005.
- Shala, M. Kujtim: EXPO – Letërsia shqipe në katër pamje, Ndërmarrja botuese “GJON BUZUKU”, Prishtinë 2007.
- Petrota, Gaetano: Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, përkthyer nga Qemal Velija, botimet Almera, Tiranë, 2008.
Gazeta dhe revista
L’Albanese D’Italia (Shqiptari i Italisë), Fjamuri i Arbërit (La bandiera dell Albania), Albania, Kalendari kombiar, Përlindja e Shqipëniës, Hylli i Dritës, Leka, Shkëndija, Fryma, Kritika, Bota e re, Përpjekja shqiptare
5 thoughts on “HYSNI NDREU – REVISTA KRITIKA DHE INSTITUCIONALIZIMI I KRITIKËS LETRARE”