RUDIAN ZEKTHI – FILLIM PËR FSHATRAT
RUDIAN ZEKTHI
FILLIM PËR FSHATRAT
Nëpër fshatra hyj gjithmonë
i alivanosur. Më godet
ajo lakuriqësi e gjësë së gjelbër
ajo vdekje dhe lindje,
vdekje dhe lindje
e ajrit mbi çati.
më godet në qelizë
ajo trajtë e lashtë e fshatit,
trajtë muresh e degësh,
oxhaqesh, gardhesh e hudhrash
të dala për një çast vetëm
nga kockat e fshatarëve
dhe veglapunët e tyre.
shkretëtira e kërcënuar pezullore
e mesditës më godet,
trishtimi i praruar
i një kopeje dhish-nëna,
fëmijë mes muzgut
që aq pa zor janë pranë dheut
dhe secili i fortë
rend të kridhet në gjumin e tij
më i sigurtë se kurrë
të kridhet në ringjallje.