BALIL GJINI – SHPURITET MES SHIRASH HARABELI I KUJTIMIT (cikël me poezi)
BALIL GJINI
SHPURITET MES SHIRASH HARABELI I KUJTIMIT (cikël me poezi)
DITËLINDJE
-1-
Gjethe dhe zogj trillesh.
Vargje-vargje
bien mbi këtë pellg të vogël keqardhjeje.
Oh , si qajnë këlyshët e brengës për ty…
Arrëza të verdha në kufinë rrushi të zi.
-2-
As gëk, as mëk. Hardhuca jeshile e ankthit
fshehur poshtë shtufit të murmë të fatit.
Një fantazmë shtatzanë fshihet ulli më ulli…
Arrëza të verdha në kofinë rrushi të zi.
* * *
-1-
Pa shtëpi, si emigrant i kërbunjur,
endet mbi botë këmbëzbathur djalli
O zemër!… Shpirti im kutërbon erë
si kandil i vjetër te koka e një varri.
-2-
Me bizhu, karfica, siç u ka hije
tri metafora dergjen në gropë.
O Zot!… Ndërto sa më parë WC për engjëjt
se vijnë e fëlliqin këtu në tokë.
* * *
Të thashë:
këtë shkrepse shprese
fike pa frikë mes grushtash.
Ndjen erën zogori e zagarëve
me krodha pasthirrmash mes putrash…
Gëzofët me gjemba të neverisë
në muret e shpirtit
i ndera për t ‘i tharrë.
I zi gjaku i iriqit të frikës
dhe barela e keqardhjes: e bardhë.
27 gusht 2008
SHPURITET MES HIRASH HARABELI I KUJTIMIT
Imazhi yt mbi kujtesën e djerrë
si dregëza statujash mbi tokën e belbër.
Mbi dyshemenë e shpirtit ky miell i verdhë…
Ç’mynxyrë paska bërë mola e brengës!
Thellësive të harresës të zbrezësh i kërrusur
dhe të dalësh xhevahir?… Është krejt e kotë.
Sa kollaj bëhen rruaza në gjerdanin e gushës
qengjat e lotëve brenda guvës në gjoks.
Foljet e pandehmave në ujrat të mërisë
hidhen me radhë, krejt lakuriq.
Gjunjëkëputur shpresa tek mali i pamundësisë
(Si s’mori mësime tuneli nga një iriq?)
Shpuritet mes hirash harabeli i kujtimit
Fantazmat hanë me grushte flutura morti.
U bëmë ne dhe u shtirreks filli:
s’mbetën më llamarina në kovaçanën e Zotit.
18 – 19 shtator 2019
* * *
Heshtje. Mure të gjata fjalish që
fundërojnë
me një merimangë të zezë ankthi si pikë.
Hingëllimat e kalit të kuqërremtë të vjeshtës
dhe e kaltërta që qiellit i vdes nën qerpikë.
Si hunj çalamanë me duar në mes
ca fjalë në ujëra kujtese zgërdhihen së qeshuri.
Derri i mërzisë me feçkën e një pyetje
enigma lëndesh kërkon poshtë lisave të kismetit.
Vonë. Në brigjet rërëftohur të ngjarjes
batica ka rrufitur guaskat e zbrazëta me fjalë.
Heshtje. Fjali të gjata muresh që fundërojnë
me një pikë të zezë ankthi si merimangë
* * *
E pe edhe vetë:
brenda plëndësit të kokrrës së vesës
bajga të kaltërta shprese kishte.
Asnjë çudi. Merimangat
gëlltisnin sutjenat e zeza në telat e nderur
dhe thurnin me to rrjetat e kurthit.
E lodhur prej gjithçkaje ti ikje larg, larg…
Lakuriqtë e natës vërtitur në muzg
S’ishin gjë tjetër
veçse fantazma të plakura puthjesh
GJËJA E SHTYPUR
O gjë e nëmur, rritur tek rrëpira e
gabimit,
mes baltës së keqardhjes e ndjesave blana-blana!…
të shtyp, të ve munxat si pjellës së xhindit,
ti qesh, ngrihesh, stolisur me zinxhirë e pranga.
Të gjorat bletë të verbra dëshirash!… Të egra
tek shkëmbi i shpirtit kërkojnë kosheren për mjaltë!…
O gjë e mallkuar: një saksi seksi qenkërka zemra
nga u varkan karafilat e kuq të epshit dhe… kaq.
13 shtator-10 tetor 2013
GJESTI ELEGANT
Eh, sa luspa dhe qime pasthirrmash
kanë rënë që të lindë ky gjest.
Klithmat me kohë u bënë psherëtima
me pupla të kadifenjta dhimbjesh në mes.
Tek gollovezhgat e lotëve zënë emër
gjeste të tjerë jashtë kësaj race dhe sëre.
Vallë sa qirinj u fikën në katedralen e zemrës
(në meshën e zezë të përjetësisë së gjërave)?
Dhe modelet e ngjashëm u shuan me radhë
ovale e trajta vajtën në dreq.
Trupi t’u bë aparat gradacioni me shkallë
për të distiluar helmet dhe lindur këtë gjest.
3 mars 2014
* * *
-1-
Kurthe e gracka ficur në dëborë…
Një hije e lakuriqtë manushaqesh të
egra
kaloi mbi muret e zemrës
ku kullosnin flutura të verbra.
Një pluhurimë malli lëshuan të trembura.
-2-
Nga lëkura aguridhe e pubisit të letrës
Buisin qime të grathëta shkronjash
Që saora bëhen pyll dimëror.
Kurthe e gracka ficur në dëborë.
-3 –
Ëndrra rrecka-pecka. Drurë pasthirrmash
dhe ky shpend i vrarë me një shigjetë pikëçuditëseje.
Ah, kjo dhimbje e mjaltët ardhur prej tyre!…
Pupla e gjak qe fjala luleshtrydhe.
-4-
Një hije e lakuriqtë manushaqesh të egra
kaloi mbi muret e zemrës
gjinjtë e vegjël fshehur nën dorë
Kurthe e gracka ficur në dëborë…
* * *
Më mbruni sërish me argjile, më ujdisni me lecka,
të jem dordolec, kukull kotnasikoti.
Ajo thelë pjepri është thua i prerë kukudhi,
anipse shtirret në qiell si hënë e Zotit.
S’m’i ndieni, vallë, merimangat e zeza të rrezikut
tek tjerrin e shtjerrin mbi avlëmendin e brinjëve?
Ja rrjeta u tund. Flutur me push metaforash në krahë
duvak i bardhë t’u bëftë ky qefin i përhimtë.
Pemët janë buaj, zogj fluturues skëterre.
S’kanë thelb, veç këtë dyll të qashtër mbi plagë.
Dhe femrat shtirren: janë veç hardhi fundvjeshtore
me dy kopanë gjinjsh, lart, në lastarë.
Jam ahuri i shkretë në periferitë e ëndrrave,
ku mblidhen netëve fantazmat e ngrata.
Po shkoj të vjell mbi koritën e klisheve të shenjta
pastaj më ktheni sërishmi te balta.
* * *
Cep më cep këtyre ujërave të fjetura iu bie
shaptorja e shapravitur e shamatës.
Aty ku treten e shuhen fillake do hije
mbytur me shpërgënj zambakësh të kaltër.
Përsipër shkëmbit të fatit gjithë zgëdhela
ca larashë brengash rrinë havadan.
Gjithçka joshet, dehet me gjëra të tjera,
me lule letrash parfumosur në mellan.
Një bulëz ëndrre gjer lart fluturon,
brenda realja e jermi kacafyten përfundi.
Ngul thumba në balonë Dedali e thumbon:
ku je, Ante, o provincial i mjerë katundi?!
Për ibret gjahu e gjuha. Shpërgënj e shtërpënj
ngatërrojnë larashët mes plojës e lojës.
Tashmë vetë luani krifëverdhë është klithmë
që hungërin mbytur brenda shpellës së gojës.
GJËJA E SHTYPUR
O gjë e nëmur, rritur te rrëpira e gabimit,
mes baltës së keqardhjes e ndjesave blana-blana!…
të shtyp, të vë munxat si pjellës së xhindit,
ti qesh, ngrihesh, stolisur me zinxhirë e pranga.
Të gjorat bletë të verbra dëshirash!… Të egra
tek shkëmbi i shpirtit kërkojnë kosheren për mjaltë!…
O gjë e mallkuar: një saksi seksi qenkërka zemra
nga u varkan karafilat e kuq të epshit dhe… kaq.
13 shtator – 10 tetor 2013
ARAKNIA
Një merimangë pandehmë në shpellën e trurit:
araknia që këtë flutur ngjarjeje mezi e pret.
Shtëmëngur fatit. Si poezi, si pikturë,
s’shpall mbi bote prenë, por rrjetën e vet.
Me estetikën e vdekjes huazuar adashes
thur kryqe të zinj me ngjarje të bardha.
Zoti?… o numëron tespijet e rrufeve në sënduq,
o flet akoma i vocër që nga shkurraja.
FUNDVJESHTË
Gjethet e panjave si gëzofë dhelpre,
nderur të kuqërremta në parqet e heshtura.
Brengat: shegë me rropullitë e shqyera,
në kopshtin e optimizmit varen të vdekura.
Bredhin ujërat e turbullta të kujtesës
(e keqja pa diga të bëka veç gjëmë!)
Bredh vetmia në ranishtën e syve të mi
me këlyshët e verbër ndër dhëmbë.
Ato gjëra të zeza janë sylyqoka,
a klithmat e tua në qiejt e dimrit?
Peshq pandehmash me luspat lëbyrëse
hovin përpjetë në cekëtina dëshpërimi.
Dhelpra të përgjumura gjetheve të vjeshtës
më shkelin syrin dhe zhduken ndër hije.
Rrënojave të entuziazmit plori i rutinës
fekstin i bardhë si një zog ironie.
HEREKIA
O hidhi, hidhi, karthia të thara fjalësh
oxhakut blozënxirë të miqësisë.
Unë jam herekja (nënkuptimesh zorrëzbrazët)
ku ti shtrin lerushkun e zi të mërzisë.
Mbi buzë të valëviten dantella të qeshurash
në krehrat e dhëmbëve endur gjithë nur.
Po e di: një mackë egoizmi sajuar me kleçka
te shpellë e ndërgjegjes putron gjithë zhurmë.
Ah!… Si s’u nginj njëherë ajo mackë e zgjebosur
me krotha ndjenjash prej kazanit të shpirtit.
Oh qeshmë!… Jam ai pusi estetikisht i përsosur
gërryer nga urithët e frikës gjatë gjithë vitit….
31 dhjetor 2009
Dy fjalë për autorin
Balil Gjini është poet dhe prozator shqiptar. Ai jeton në Berat. Ka botuar disa libra me poezi dhe me prozë si “Përurim”, “Fantazma ëndrrash”, “Tri gisht nder”, “Mulliri që bluante tëndafilë”, “Engjëlli i nëmur”, “E katërta”, “Melusina”, ” Teqeja e shterpave”. Ka përkthyer disa vepra të autorëve francezë, si Michel Tournier “Mbreti i verishtave”, “Premti ose limbar e Paqësorit”, Emil Cioran: “Për Framcpn”, “Pohime dha Anatema”, Jean Joubert ” Historitë e pyllit tp thellë”, Jean Baudrilkard “Amerika” .