HYSNI NDREU – TATUAZHI ALEGORIK I ABDYLAZIS ISLAMIT

HYSNI NDREU – TATUAZHI ALEGORIK I ABDYLAZIS ISLAMIT

HYSNI NDREU

TATUAZHI ALEGORIK I ABDYLAZIS ISLAMIT

Libri me tregime, “Tatuazhe”, i Abdylazis Islamit është konceptuar në tri pjesë, përkatësisht: “Shungullimë”, “Zëri i lashtësisë” dhe “Tregime të hershme”. Në qendër të këtij punimi do të jetë pjesa e dytë, “Zëri i lashtësisë”, në një rrekje për t’u ndalur më gjerësisht te tregimi “Tatuazh”, i cili i ka dhënë edhe emrin gjithë përmbledhjes në fjalë.

Na duhet të themi që në fillim se ky është një tregim alegorik, që do të thotë se duhet të procedojmë me së paku dy nivele leximi për të mbërritur në një interpretim të kënaqshëm: në një nivel të parë, sipërfaqësor, dhe në një nivel të dytë, më të thellë, të cilin mund ta quajmë simbolik apo metaforik.

Sa i përket nivelit të parë, lexuesi mëson për një legjendë që ka ndodhur në një kohë të papërcaktuar. I gjithë rrëfimi vazhdon kështu në një trajtë lineare, plotësuar me një dialog, i cili e përthyen kohën nga e shkuara në të ardhmen, në funksion të asaj që do të ngjasë. Atëherë kur duket se ngjarja po shkon drejt fundit, narracioni shfaqet në trajtën e rrëfimit mbi rrëfimin. Vetë rrëfimtari na informon se:

“Dikush nga fshati Përcë e tregoi këtë ngjarje për themeluesit e fshatit të tyre, por e fshehu se edhe ai i ka takuar këtij fshati të zhdukur. Sillej si të ishte ndonjë njeri i ndonjë vendi tjetër që i ka mësuar këto nga ndonjë fshatar i panjohur i Përcës.”[1]

Vetëm më poshtë na shfaqet narratori në vetën e parë, në rolin e një kalimtari të rastësishëm pranë Varrezave të Krushqve. Po në këtë pikë, nëpërmjet asaj që ai e quan “ajgëtim asociativ në kohë”, pra, analepsës, ngjarja fillon të rindërtohet, tashmë jo nga e para, por “in media res”, pikërisht nga aty ku, me anë të prolepsës së funksionalizuar në dialogun ndërmjet dy dhëndurëve, rrëfimi u shty në kohë.

Sa i përket nivelit të dytë të leximit, ai lidhet drejtpërdrejt me alegorinë. Duke e përdorur legjendën me funksion alegorik, autori projekton njëherësh shkaqet dhe pasojat e një fenomeni që ka ndikuar jo pak në rrjedhën e shoqërisë sonë. Nëse në nivelin e parë të leximit depërtonim drejtpërdrejt te shkaqet, nënteksti që përcillet prej saj na shpie te pasojat.

Ky lloj rrëfimi i alegorizuar e zbeh përjetimin e lexuesit ndaj ngjarjes tragjike të së shkuarës dhe imponon përqendrimin tek e pathëna, duke e shndërruar këtë të fundit gati në izotopi nëntekstuale[2]. Në ndonjë rast, ky kumt nëntekstual i braktis kuptimet e thella dhe vjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, si në dialogun e mëposhtëm, i cili zhvillohet ndërmjet dy nuseve që i kanë shpëtuar vrasjes:

– Ah, sikur ky gjak ndërvëllazëror të ishte derdhur kundër barbarëve të cilët shekuj me radhë na e pinë gjakun duke na e sosur jetën, duke na e këputur gëzimin në buzë!- u shpreh Bega plotë pikëllim.

– Pikërisht këto adete vëllavrasëse na i kanë shartuar në shpirt barbarët. Kështu u vjen më mirë, mbase kështu, kur ne grindemi e zhbihemi në mes vetes, jetojnë më rehat,- shtoi Fazilja.[3]

Dialogët kanë një rol të dyfishtë:

Së pari, nëpërmjet tyre mësojmë drejtpërdrejt mbi mendimet, ndjenjat dhe mendësinë e personazheve, gjë që, tërthorazi, na përvijon edhe mendësinë shoqërore të periudhës për të cilën rrëfehet, pavarësisht mungesës së referencave kohore.

Së dyti, ata përthyejnë linearitetin kohor të narracionit, duke na zhvendosur nga e shkuara në të ardhmen, i pari, dhe nga e tashmja në të shkuarën, i dyti, gjë që e ngjyros prozën e autorit me një ritmikë moderne.

Tatuazhi alegorik i Abdylazis Islamit
Abdylazis Islami

Thamë më lart se rrëfimi në fjalë është ndërtuar mbi bazën e alegorisë. Por, që alegoria të funksionojë si artific artistik, ajo ka nevojë për ndërveprimin e një sërë metaforash e simbolesh, të cilat së bashku të krijojnë një koherencë kuptimore përgjatë gjithë niveleve të tekstit. Në tregimin në fjalë është shkuar më përtej se kaq, pasi simbolet kryesore që ka funksionalizuar autori, rezultojnë të përmbysura, në kuptimin që nuk e bartin më atë vlerën semantike që njohim.

Autori duket se këtu përpiqet të bëjë një lojë të dyfishtë: nga njëra anë të përdorë emra-simbole, siç duket për të na orientuar në të tjera hulli, nga ana tjetër, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, t’ua shthurë përmasën simbolike, duke na ngjitur kështu në një tjetër nivel interpretimi.

Kjo gjë ka ndodhur me emrat e disa personazheve, të tillë si: Uka, Ujkani, Lisi, Lisana dhe Gjurmali. Në të gjitha këto raste, simbolika që bartin këto emra zhbëhet dhe emrat kalojnë në kuptimin e tyre të parmë, pa ngarkesa të tjera kuptimore. Pra, alegoria këtu realizohet dhe funksionon mbi bazën e simboleve, të cilat vetëm tradita i njeh kështu, por jo konteksti dhe semantika që bartin ato në këtë tregim.

Nga ana tjetër, ndër të paktat simbole që mbeten të tillë, apo që shndërrohen në të tillë, është ajo që autori e quan Varreza e Krushqve, në të cilën janë varrosur dy palë krushq, të vrarë ndërmjet njëri-tjetrit për shkak të një zakoni, të shenjtë atëherë, absurd për këtë kohë. Është pikërisht kjo varrezë, si shenjëzim i mendësisë së dikurshme, që autori e vesh me tipare simbolike të një tradite të së shkuarës, por i shtrin këto tipare në gjithëkohësi.

Varreza është njëkohësisht edhe tatuazhi, ajo çka mbetur nga një periudhë e caktuar, nga një kohë e errët, është simbol i traditës, i ruajtur për të dëshmuar kohën e vet. Tatuazhi shndërrohet kështu edhe në simbol të origjinës, prejardhjes, pa të cilën, një shoqëri është e destinuar të zhbëhet deri në shuarje të plotë:

“Fshati i ri me emrin Përcë u zhduk, por gjëkundi, në një lëndinë të fshatit Katundth, mbetën të ruajtura mirë Varrezat e Krushqve nga fshatarët e kujdesshëm. Katundthasit varrezat i ruajnë me fanatizëm, brez pas brezi, si ndonjë monument të rrallë historik që duhet të ruhet që të dëshmojë për kohën e vet, si tatuazh i një tradite të një kohe të errët.”[4]

E gjithë rrjedha narrative strukturohet sipas një sistemi që na çon herë në të shkuarën e të tashmen dhe herë në të ardhmen, si një përzierje ndërkohore e qëllimshme; herë me një rrëfimtar të distancuar nga ngjarja e herë tjetër dëshmitar i saj; herë duke përfshirë elemente që përvijojnë mentalitetin dhe zakonet e shoqërisë së asaj kohe, e herë elemente nga situatat dialoguese që zbardhin psikologjinë e personazheve të veçanta, të mbrujtura nga ky mentalitet.

Po ashtu, aktivizimi i frazave e frazeologjive të ligjërimit gojor i japin këtij tregimi një përmasë më konkrete e mitike njëkohësisht, por në kontekst ato nuk janë veçse shenja të humusit prej nga ushqehet e gjitha një mendësi e traditë që ka çuar në zhbërje jo vetëm të identitetit individual, por edhe në pasoja asimiluese për një shoqëri të caktuar.

Gama tematike e këtij tregimi zgjerohet edhe me një sërë elementesh që në të shkuarën kanë karakterizuar mjedisin tonë shoqëror (siç është fejesa që në djep), si dhe nëpërmjet marrëdhënies që krijon me folklorin, duke aktivizuar fraza e frazeologji të ligjërimit gojor, por ku spikat edhe përmendja e Orëve, Zanave, Të Bukurës së Dheut etj. Në këtë mënyrë, autori ka mundur të na japë një sintezë të së shkuarës me të tashmen, të shpirtërores me konkreten, të mendësisë së një shoqërie dhe të tragjikës si pasojë e saj.

Në rrafsh të onomastikës, në këtë tregim vihet re një prirje e autorit për të funksionalizuar një sërë fjalësh, të parme e të prejardhura, të cilat mbartin një ngarkesë e vlerë të disafishtë, dhe që ndërlidhen me simbolika që kanë shenjuar vijimësinë ekzistenciale të etnitetit të vetë autorit.

Bibliografi

1. Eco, Umberto, Për letërsinë, shtëpia botuese Dituria, Tiranë 2007.

2. Eco, Umberto, Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, shtëpia botuese Dituria, Tiranë 2007.

3. Culler, Jonathan, Teori letrare: një hyrje shumë e shkurtër, shtëpia botuese Era, Prishtinë 2001. 4. Barthes, Roland, Aventura semiologjike, shtëpia botuese Rilindja, Prishtinë 1987.


[1] Islami, Abdylazis, Tatuazhe, shtëpia botuese “Flaka e vëllazërimit”, Redaksia e botimeve, Shkup 1996, faqe 98.

[2] Sipas konceptit që ka zhvilluar Umberto Eco për izotopinë.

[3] Islami, Abdylazis, Tatuazhe, shtëpia botuese “Flaka e vëllazërimit”, Redaksia e botimeve, Shkup 1996, faqe 99.

[4] Islami, Abdylazis, Tatuazhe, shtëpia botuese “Flaka e vëllazërimit”, Redaksia e botimeve, Shkup 1996, 97-98.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!