VLORA KONUSHEVCI – LAVDI VETES
VLORA KONUSHEVCI
LAVDI VETES
UNË JAM VRA MA SHUMË SE NJI HERË!
(grave të dhunueme gjatë luftës)
Kur jam çkye e jam çnderue n’sy të babës, të fëmijëve
tokën me thoj e kam gërrye
dhambët fort i kam shtrëngue
mos me qitë as edhe nji za.
Kambaduersh me krejt hezin e mbetun
kam gërrye e gërrye
vetit vorrin me ia ba.
Dhimtën teme e paçi n’qafë!
Kur juve ju asht dhanë liria mue më asht marrë
marrja m’ka shtie me heshtë
heshtja shpirtin betonue ma ka.
Kur juve ju asht dhanë shpresa mue më asht marrë
dielli m’asht nxie, fryma m’asht zanë
edhe hijen vetit urrye ia kam.
Veç dekën e kam andërrue e shpirtin lutë me m’ dalë.
Ngujimin tem e paçi n’qafë!
Kur deshta me bëza e me kafshue edhe unë nji copë lirie
prej rrënojave t’mia ju ndërtuet mure rreth e rreth.
Po humnera jeme asht ma e thellë se muret tueja!
Hiçi jem asht ma i madh se lavdia juej!
Rrënqethja ma e zashme se vaji juej!
Unë jam vra ma shumë se nji herë.
E ju?
Heshtjen teme e paçi n’qafë!
ME KÂNË GRUE
Me kânë grue n’Zvicër do me thanë me pasë
parkingun ndamas,
ma të madh se s’je aq e zoja
ose
ma të sigurt se asht afër daljes,
varet prej kandvështrimit.
Me kânë grue n’Suedi do me thanë me kânë
ma shumë se njeri
zot i vetes i vendit
karshi
njerëzve tjerë me kânë gati se perëndi,
varet prej kandvështrimit.
Me kânë grue n’Kosovë do me thanë
me kânë ma pak se njeri
me shërbye
për me shtue farën a për numra,
varet prej kandvështrimit,
por
me kânë grue shqiptare do me thanë
me të përcjellë mallkimi
me shërbye si thes e nishan
në tanë dynjanë
kandvështrim tjetër s’ka
edhe ndoj ditë…
COPA PAQEJE
Në pranverën e vitit ’99 behari
pat harrue me çelë, tjerat mjegullueshëm i kujtoj
veç territ, shiut, të ftohtit e autobombave që
natën shpërthenin në Tophane,
bodrumin e Rakovicëve në fund të sokaxhikut,
sytë e nanës hamall për lugatët dhe
tankun matanë rrugës.
Në nji çantë shpine pata tregtue
copa paqeje në fotografitë që i pata mbledhë
si guacat në bregdet, me ma kujtue veten se lufta thojshin
të ban me harrue kush je.
Bluzës që mbaja veshë nana ia pat qepë dy jastëkë të vegjël
mbrenda tyne numrat e telefonit
të lirisë, me u gjetë se lufta thojshin
fërkemët t’i humb.
Çanta jeme, mbretnesha e paqes, e kunorëzueme
me buzëqëshjet në albumin e fotografive,
shtypej, tërhiqej e shtrydhej vagonëve të trenit
për Bllacë, buklore si nji lule e egër plot jetë,
dimnake e ngulitun mbas meje, sfidonte
ngufatjen në vagona si mburojë beteje,
si streha e Rakovicëve, si dielli flakërues
në ledinën fëtyrënamët
t’kufinit.
Si lahuria që u këndon trimave
gjallshëm mbretnesha jeme u hap
mbasi e pritëm paqen n’kufi
copat e saj i shpuplova
tek ata që
copat e paqes ua kishin djegë,
i ndava
siç i ndan nana kuleçtë e bukës
për të vogjlit e vet.
LAVDI VETES
Arkitektura e vetes asht plot
hije e maska që i lamë pas,
simbas Jungut. Për të rilindë në prill
si perëndeshë e pranverës me Pashkët.
Hijen e parë e kam lanë
në albumin e fotografive të shkollës
së mesme, bashkë me dashninë
e zhgënjimin e nji çike të përhumbun.
Lavdi!
Hija e dytë më ka ra shpejt, kohë
sakrilegjesh kur çdo gja e shejt u kthye
përmbys, shkollat u banë shtëpi
e shtëpia nën tytën
e automatikëve mbeti shkret.
Lavdi!
Hija e tretë ishte ma kambëngulëse
e fortë guaskë me sy fantazme të nji lufte civile.
E provoi shijen e mashtrimit të Trojës
e kuptoi që dashnia asht ma e fortë se deka
shpërtheu si flutur krahëhapun.
Lavdi!
Nuk lindim tabula rasa, trashëgojmë
instikte e modele të paraardhësve tanë,
simbas Jungut. Vargu i gjatë i grave të fisit
më buzqesh n’secilin hap!
Tana paraardhëseve,
tana hijeve të vetes
rilindjeve, rilidhjeve,
shtëpisë së tanësisë së qenies
lavdi!
TUE VRA ATDHEUN
Atdheun kemi vendosë me e vra,
tue e hangër për së gjalli.
Me ikë, me ikë, s’ka jetë këtu
kori gazmor, refreni i shekullit.
Liria ma pelin se robnia.
Me ikë, me ikë, s’ka jetë këtu,
liria s’hahet, e zaptueme
bijon armatë lypsarësh.
Atdheu vrahet
tue ia përzanë andrrat,
tue ia vu lakun n’valvula të zemrës,
shtrëngue fort, astmën trashëgue e ka.
Tue e ba pacient kronik e të përgjumun,
zbehun, shpresën amulli e ka.
Tue i ba bashkë sarhosha, katila, kusarë e rezila
përditë
përnatë
gjakun e bajrakut me pambuk tue ia pi.
Kqyreni shqiponjën qysh e ka ulë kryet,
krahët vetes ia ka shkulë
tue e nxjerrë gjakun me e ly flamurin si Nositi që ushqen të vogjlit e vet.
Shqiponja ka me jua hangër kryet
sa t’forcohet edhe ndoj ditë,
se zullumi veç prej së trashi këputet!
One thought on “VLORA KONUSHEVCI – LAVDI VETES”