Xhevahir Spahiu – ZBRAZËTI (cikël me poezi)
Xhevahir Spahiu
ZBRAZËTI (cikël me poezi)
ËNDËRR E RE
Mbrëmë pashë në ëndër një ëndërr të vjetër:
jeta kishte vend për marrëzinë,
marrëzia s’kishte vend për jetën.
Mbrëmë pashë në ëndërr një ëndërr të vjetër.
NË UDHËTIM
Pa ty –
krahët më të dobët nga ç’janë,
udha, sado e shkurtër, peshon si valixhe e rëndë,
plepat buzë detit nuk të hyjnë në sy,
hëna s’ndriçon
as sa një gjysmëhënë.
Me ty –
krahët rriten e rriten gjer tek yjet,
në udhën e gjatë valixhja rëndon sa një shami,
Plepat bëhen udhëtarë, hëna shndërrohet në qiell,
dhe gjithçka, e dashur,
bëhet “ti”.
SA HERË QË…
Sa herë që të them:
– Këta flokë ujëvarë, derdhmi supeve, derdhmi!
Ti ma kthen:
– Do t’i shkurtoj së shpejti.
Dhe sa herë që të them:
– Bah, ç’sy! Në ta është enigma e 365 ditëve!
Ti ma pret:
– Viti u përket të gjithëve.
Po sa herë që them fare thjesht:
– E dashur!
Ti vetëm hesht,
e dashur.
ZBRAZËTI
Më ka marrë malli për fytyra të njohura.
Ku i zë dita?
Ku i zë nata?
Në pasqyrën time dhembin vendet e zbrazëta.
EDHE… EDHE…
Kur më shumë besoja e më pak dyshoja, – e pësoja;
kur më pak besoja e më shumë dyshoja, – përsëri e pësoja.
VAJZË E BUKUR, VAJZË E DASHURUAR…
Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
në kafe “Tirana” hyre,
ti e rralla si dëbora
që në Tirane bie.
Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
qofsh e dashuruar dhe prej meje,
prej syrit tënd
lulëzojnë dhe sendet.
Ekspresi gjallërohet
e gjithçka bëhet sy.
Në tavolinën e fundit
dy pleqve kafja po u ftohet.
Të shikojnë ty.
ORA 6
Akrepat si dy krahë të hapur
po presin.
Ti s’po vjen.
S’po vjen as në 6 e një minutë,
në gjashtë e dy minuta vetmia ish me mua,
unë ish ame vetminë në 6 e tre minuta.
Në 6 e katër bota ishte po ajo.
6 e pesë i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji,
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë.
Ti s’po vjen.
S’po vjen.
S’vjen.
Në gjashtë e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit:
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston.
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika.