YMER SHKRELI – NUK KAM TITULL PËR TY (cikël me poezi)

YMER SHKRELI – NUK KAM TITULL PËR TY (cikël me poezi)
YMER SHKRELI

NUK KAM TITULL PËR TY (cikël me poezi)

DASHURI

E gjeta veten e humbur një herë
në flokun tënd;
tani jam më i ri për një vdekje
po shoh verbët –
dhe shumë më mirë;
i gjeta puthjet që heshtja
i paska shndërruar në peshq
aqë sa edhe akuj
o dreq –
mes mishit e thoit
e gjeta varrin e premtimit:
dashuria s’ka sy
e ka shpëtim –
midis mishit e ashtit
ose duhet përqafuar
fundin e këtij deti të marrë:
bima e dreqit

a të kthejmë në nismë
a të nisemi dikah tjetër
dikah që s’jemi dy
ose të vazhdojmë –
deri në fundin e lojës së vjetër
një herë një

NUK KAM TITULL PËR TY

Nëse ma vononi pranverën
do të kallem flakë –

zi
se
Jan Pallahu;
nëse më vononi pranverën
kurrë më s’u sheh syri
stinë tjetër:
miqtë
e
mi

mbetur

(Pranverë e shtatëdhetë e treshit)

MIKUT PA EMËR

Jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe zë pritën;
nesër mos më thuaj
më shitën stinët vetëm për lule o mik
i natë sime;
lulet s’patën as s’panë duar

ky lum do ta gjejë
detin e vet –
për vetëm një pikë ujë;
ky lum
është mallkuar;
të tillë jemi lum miku
mos ma shih për të madhe
s’e pranoj ndryshe –
s’jam refren i askujt ta them pa hile:
a s’ishte më mirë
mos të takoheshim atë ditë
që të mos shahemi pastaj
kur ndeshëm në urë

jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe ia zë pritën vesës
për t’u venitur
e para
kaq shumë dua të tujgem

(15. 12. 1969)

EJA

Unë
përse paskam lindur –
se harrova
oh
ma sillni botën për ngushëllim
atëherë;
ose do të ju vërshej lumi

a ju thashë:
ma sillni botën për ngushëllim
sepse s’kam lodra;
mbase –
e kam pak kohë në vetull
që bën ditën e natën
e syrit

e gjuha
ku është gjuha –
pse s’flet goja
pse hesht;
goja ma ka ndryrë gjuhën
ah-
t’ishte goja imja

(28. 03. 1971)

Nuk kam titull për ty
Ymer Shkreli
SHPATA

Ajo e ndau ndau në dysh botë time
unë as kal s’kam;
vallë –
për këtë pjerrtësi
a janë të domosdoshme katër këmbë
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë
atje diku është fundi i dorës
dhe nisma e kokës;
atje është lulja
që nuk ҫel –
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë thellë

ajo ndau më dysh botën time
dhe më la pa mua:
a do të kem fuqi

ta provoj edhe një jetë sado të vogël
ose zotin gurë e kam zgjuar
ose
duhet të zbres në katër këmbë kafshe
nga dy këmbë njeriu

(Data e parëndësishme)

VULLKANI

kur flemë të gjithë
zgjohet më në fund
kur zgjohemi prej nesh –
ka ngelur vetëm ai
në gjumë;
ai ka zjarrin
ne kemi hirin

kur flemë të gjithë
ai hesht –
që t’i kopjojë ëndërrat tona
pastaj zgjohet me mëllef:
ai s’ka
as po as jo
zgjohet rrallë –

vdes shumë
ai s’ka komb
ai s’ka fe

ka besim
në vete

na ka ne:
a s’është shumë
plus-
ëndërrat tona

SKENDREBEU

Mbi gurë varresh
drekuan fëmijët e nënat
mblodhën thërmiat;
nga qefinët e bardhë
u ngritën lulet me pjesët tona
e të ditëve plagë –
deri te ashti i kërcyellit të kombit:
mëngjeset i fshinë sytë;
pagjumësia e shekujve
zu pritën në tehun e shpatës së tij
dhe të fjalës sime:
Skenderbeu –
erdh disa herë dhe shkoi përsëri
që të më vijë mbi kokën time
të qelbur të etur për vesën
dhe lulen e hirit
pa u vyshkur
nata e mbrëmshit në kujtimet e irnosura
e pastaj fëmijët me duar të nxira
do t’i shënjojnë gjinjtë e nënave
dhe thërmijat

(1968)

RELATIVITETE

Nganjëherë
më duket se kam ardhur në këtë botë
me një vete tjetër –
barrë të padukshme të gjykimit
t’i përkëdheli hijet;
nganjëherë
zë në thua në pjatën e parë
të fëmijërisë sime
e përplasëm
për rrum një shekull
dhe pak më duket;
pastaj
përfill baltën unë i zgjebosur
s’e pranoj këmishën
barkcullak –
ngarend nëpër vjetët
hund gurë
pa fshehur dorën:
qeshem si balta e lodhur nga hapat

nganjëherë
s’i përfill as ҫerdhet;
zogjtë lëshojnë kokën time
unë ҫmendem pas lodrave që s’i kam
dhe iki nga lëkura ime –
i sosur

(9. 04. 1967)

DITËT

fundi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
po thellësia e shikimit tim;
pleqëria –
qielli njëherë zbret
toka ngrihet –
vetëm
gurët harrohen e dheu
përtypet:
thneglat i gëzon;

fundi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
ajo vjen –

në katër këmbë e kemi vdekjen;
për jetë –
mjaftojnë dy duar
dhe një kokë e rëndë

(Shtator, 1971)


Dy fjalë për autorin

Ymer Shkreli lindi në Shkrel të Rugovës, në vitin 1945. Shkollën fillore e kreu në Haxhaj, ndërsa atë normale në Prishtinë. Punoi pak kohë si mësues në Rugovë. Studioi Gjuhë shqipe e letërsi në Prishtinë. Shkroi një numër të madh romanesh, dramash e poezish, si dhe një sërë tekstesh për fëmijë.

Nuk kam titull për ty

Ka botuar

Dramat:
   ,,Alter Ego“, monodramë, botoi revista ,,Fjala” nr 9 / 1969, Prishtinë;

,,Hotel Kashta“, komedi, realizoi Teatri Popullor, 1975, Prishtinë;

,,Trilogji ilire“, (tri drama: Pirrua, Teuta, Genci), botoi ,,Rilindja”, 1977, Prishtinë;

,,Kërrasin sorrat mbi qytet“, botoi revista ,,Jehona” nr. 4 – 5 / 1978, Shkup;

,,Meshari“, botoi revista letrare ,,Jeta e Re” nr. 5 – 6 / 1978 dhe 1 – 2 / 1979, Prishtinë;

,,Shthurja“, botoi revista letrare ,,Jeta e Re” nr. 2 / 1982, Prishtinë;

,,Zeka i Zi udhëton për në Babilon“, botoi ,,Rilindja”, 1984, Prishtinë;

,,Teatri plak“, (katër drama: No Pasaran, Roja e shiut, Nëna shkon në parajsë, Teatri i vogël i Deli Ukës), botoi ,,Rilindja”, 1987, Prishtinë;

,,Trilogjia e re“, (tri drama: Ulpiana 516, Shpend Sokoli i Sokol Shpendit, Paradoksi), botoi ,,Rilindja”, 1990, Prishtinë;

,,Heronjtë e kombit“, farsë, Teatri ,,Dodona”, 1993, Prishtinë;

,,Shqiptari me duar në xhepa“, monodramë, realizoi SHTF ,,AKT”, 1997, Prishtinë;

,,Prometheu“, monodramë, realizoi Arnelproduction, 2012, Tetovë.

Romanet:
   ,,Vjeshta e vdekur“, në vazhdime në ,,Flaka e vëllazërimit”, 1971, Shkup;

,,Njeriu në bisht“, botoi ,,Rilindja”, 1975, Prishtinë;

,,Vdekja në ajër të pastër“, botoi ,,Rilindja”, 1976, Prishtinë;

,,Bima e dreqit“, tregime, botoi ,,Rilindja”, 1981, Prishtinë;

,,Pikëpjekja“, botoi ,,Rilindja”, 1982, Prishtinë;

,,Rapsodi kosovare“, (katër romane: Kali i Trojës, Heroi në gjumë, Shpendkeqja, Zeka i Zi), botoi ,,Rilindja”, 1986, Prishtinë;

,,Doracak për tjetër botë“, botoi ,,Jeta e Re”, nr. 4 – 5 – 6 / 1986, Prishtinë;

,,Ura e xhehnemit“, botoi ,,Rilindja”, 1989, Prishtinë;

,,Azgal“, botoi ,,Rilindja”, 1993, Prishtinë.

Poezitë:
   ,,Ditari i hajnit“, botoi ,,Rilindja”, 1971, Prishtinë;

,,Romanella“, botim i autorit, 1974, Mitrovicë;

,,Febris“, botoi ,,Rilindja”, 1975, Prishtinë;

,,Kërkoj dënim me vdekje“, botoi ,,Flaka e Vllaznimit”, 1978, Shkup;

,,Balcanica“, poemë, botoi ,,Rilindja”, 1980, Prishtinë

Për fëmijë:
   ,,Hana po shkon nuse“, tregime, botoi ,,Rilindja”, 1969, Prishtinë;

   ,,Princesha e Dukagjinit“, poemë, botoi ,,Rilindja”, 1970, Prishtinë;

   ,,Kthema pranverën time“, poezi, botoi ,,Rilindja”, 1972, Prishtinë;

   ,,Princi i Bjeshkëve të Nemura“, poemë, botoi ,,Rilindja”, 1975, Prishtinë;

   ,,Bali Katravella“, roman humoristik, botoi ,,Rilindja”, 1978, Prishtinë;

   ,,Ditari i Lec Pazhecit“, poezi, botoi ,,Rilindja”, 1979, Prishtinë;

   ,,Poezi të zgjedhura“, lektyrë shkollore, botoi Enti i teksteve, 1983/1999/2003/2012/…, Prishtinë;

   ,,Lec Pazheci: Autobiografia“, ditar humoristik, botoi ,,Rilindja”, 1990, Prishtinë.

Radiodrama:
   ,,Bute Bardhi“, Radio Prishtina, 1975;

   ,,Lulja e këputur“, Radio Prishtina, 1978;

   ,,Rrushja e Rexhës në fund të livadhit“, Radio Prishtina, 1979;

   ,,Ekzodus“, Radio Prishtina, 1979;

   ,,Rexha i Lokës në grazhd të kalit“, Radio Prishtina, 1980;

   ,,Lulja e ndryshkur“, Radio Prishtina, 1982;

   ,,Kurtha për një pikë lot“, Radio Prishtina, 1987;

   ,,Letra pa adresë“, Radio Prishtina, 1988;

   ,,Mjegulla“, Radio Prishtina, 1988;

   ,,Shkretëtira“, Radio Prishtina, 1988;

   ,,Fundi i lojës“, Radio Prishtina, 1989 (disa nga këto radiodrama u emituan edhe në gjuhë të tjera).

Për TV e film:
   ,,Turbullira në Bukramira“, lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1977, (regjia: N. Istrefi);

   ,,Ditari i Lec Pazhecit“, serial televiziv për fëmijë, realizoi TVP, 1978, (regjia: F. Imeri);

   ,,Kur pranvera vonohet“, skenar në bashkautorësi me Azem Shkrelin, e realizoi ,,Kosovafilm”, 1979, Prishtinë (regjia: E. Kryeziu);

   ,,Megjithatë, toka është e rrumbullakët“, lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1986, (regjia: L. Daka);

   ,,Maçoku Bum – Bum shetitë botën në gjumë“, lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1981 (regjia N. Matoshi).

Në skenat teatrore:
   ,,Alter Ego“, Teatri gjysmëprofesional, 1975, Prizren (regjia: S. Prekazi);

   ,,Hotel Kashta“, Teatri Popullor, 1975, Prishtinë (regjia: L. Millosheviq);

   ,,Genci“, Teatri Popullor, 1979, Prishtinë (regjia: B. Sahatçiu);

   ,,Turbullira në Bukramira“, për fëmijë, Teatri i Pakicave, 1981, Shkup (regjia: D Vellanoski);

   ,,Roja e shiut“, Teatri Popullor, 1982, Prishtinë (regjia: F. Hysaj);

   ,,Pirrua“, Teatri Popullor, 1983, Gjakovë (regjia: A. Sopi);

   ,,No Pasaran“, Teatri Popullor, 1984, Prishtinë (regjia: F. Hysaj);

   ,,Zeka i Zi udhëton për në Babilon“, Teatri i Pakicave, 1985, Shkup (regjia: F. Hysaj);

   ,,Teatri i vogel i Deli Ukës“, Teatri Popullor, 1986, Prishtinë, (regjia: A. Sopi);

   ,,Nëna shkon në parajsë“, Teatri Popullor, 1987, Prishtinë (regjia: B. Sahatçiu);

   ,,Shpend Sokoli i Sokol Shpendit“, Teatri Populllor, 1990, Prishtinë (regjia: I. Qosja);

   ,,Letra pa adresë“, monodramë, Teatri ,,Dodona”, 1992 (regjia: M. Qena);

   ,,Heronjtë e kombit“, groteskë, Teatri ,,Dodona”, 1993, Prishtinë (regjia: F. Begolli);

   ,,Shqiptari me duar në xhepa“, monodramë, realizoi SHFK ,,AKT”, 1997, Prishtinë (regjia: I. Qosja);

   ,,Zeka i Zi“, Teatri Kombëtar, 2007, Prishtinë, (regjia I. Qosja);

   ,,Prometheu“, monodramë, ARNEL Production, 2013, Tetovë (regjia: E. Xani).

Përkthime e përpilime*:
   D.Eriq: ,,Bilbili e dielli“, poezi për fëmijë, botoi ,,Rilindja”, 1969, Prishtinë;

   S.Mrozhek: ,,Tango“, dramë, botoi ,,Rilindja”, 1977, Prishtinë;

   S.Bellou: ,,Viktima“, roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja”, 1977, Prishtinë;

   G.G.Markez: ,,Kobi i zi“, roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja”, 1978, Prishtinë;

   S.Bullajiq: ,,Shalajko“, roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja”, 1979, Prishtinë;

   E.L.Modoukroft: ,,Dejvi Kroket“, roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja”, 1980, Prishtinë;

   K.Hamsun: ,,Uria“, roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja”, 1981, Prishtinë;

   V.Sarojan: ,,Babë, ti je i krisur“, roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja”, 1982, Prishtinë;

   A.Hoziq: ,,Shoku Kokërrmel“, roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja”, 1982, Prishtinë;

   ,,Përralla në shkallë, dukati në ballë“, 33 përralla shqipe, botoi ,,Rilindja”, 1981, Prishtinë;

   ,,77 përrallat e botës“, botoi ,,Rilindja”, 1982, Prishtinë;

   ,,Nastradin Hoxha“, anekdota, botoi ,,Rilindja”, 1988, Prishtinë.

* të gjitha të përkthyera nga serbokroatishtja.

Shpërblimet:
   Shpërblimi nga Fondi ,,Svetozar Markoviq” i Shoqatës së Gazetarëve të Sërbisë, për serialin humoristik ,,Ngucakeqi nëpër Kosovë” të botuar gjatë verës së vitit 1972 në të përditshmen ,,Rilindja”;

…Shpërblimi për radiodramën ,,Rrushja e Rexhës në fund të livadhit” për tekst burimor në Javën e Radiostacioneve YU – në Ohër në vitin 1979;

…Shpërblimi i ,,Rilindjes” për romanin ,,Pikëpjekja” – si vepra më e mirë e vitit 1983;

…Shpërblimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për ,,Zeka i zi udhëton për në Babilon” – si vepra më e mirë e vitit 1984;

…Shpërblimi i parë në konkursin e ,,Rilindjes” për romanin ,,Zeka i Zi“, në vitin 1984;

…Shpërblimi i Bashkësisë Krahinore të Kulturës për ,,Genci” – vepra origjinale në skenën profesionale, realizuar në Teatrin Popullor të Prishtinës;

…Shpërblimi ,,Hivzi Sylejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozë më të mirë të vitit 1987 – për veprën ,,Rapsodi Kosovare“;

…Shpërblimi ,,Hivzi Sylejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozë më të mirë të vitit 1989 – për romanin ,,Ura e Xhehnemit“;

…Shpërblimi i Parë dhe i Dytë në konkursin për dramë ,,Katarina Josipi” të Teatrit Popullor të Prishtinës për dramat ,,Ulpiana 518” dhe ,,Paradoksi” – në vitin 1989;

…Shpërblimi i ,,Pionierit” për ditarin satirik ,,Lec Pazheci: Autobiografia” – vepra më e mirë për fëmijë, në vitin 1990.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!