ZIJA ÇELA – UDHËTIM ME RROTULLIM

ZIJA ÇELA – UDHËTIM ME RROTULLIM
ZIJA ÇELA

UDHËTIM ME RROTULLIM

Kisha kohë që rrugëtoja, kur në një shenjë vendi zura udhës një plak. Ec e ec, me ne bashkohet një djalë i ri. Pas një copë here, i them këtij djalit:

– S’po e shoh më plakun.

– Përpara do të jetë,- më përgjigjet me mendjen në hava.

– Të kishte çalltisur përpara, do të ma kapte syri,- i them.

– Po kjo merret vesh,- qesh ai,- plaku u lodh dhe mbeti mbrapa.

Çfarë bën pastaj ky djali? Pastaj më jep zemër mua:

– T’u grahim këmbëve, babëlok.

Në udhë e sipër na arrin një tren. Makinisti e ngadalëson lokomotivën dhe nxjerr kryet në dritare, si për të na pyetur: “Vini me mua?” Pastaj s’e shohim më, ai del nga tymi, ne shkojmë nëpër mjegull.

Ec e ec, hasim një varr. E pyes atë djalin:

– I kujt është?

– I plakut,- gjegjet.

– Po plakun e lamë mbrapa,- i them.

– Çfarë lëmë mbrapa, e gjejmë dhe përpara,- thotë ai.

Në udhë e sipër na arrin një varkë me helikë. Varkëtari ngadalëson shpejtësinë dhe kthen kokën, si për të na pyetur: “Vini me mua?” Pastaj ia shton shpejtësinë motorit, ai del nga mjegulla, ne shkojmë nëpër tym.

Sa më shumë ecim, aq më tepër i ndërron pamja bashkudhëtarit tim. Faqet i kanë vënë gropa, koka po i shflokohet. E vështroj me bisht të syrit dhe i them se ka ndryshuar.

– Veten nuk e shoh,- pranon,- por ti je pasqyra ime.

– Ç’hall të mundon?

– Një hall i madh,- thotë,- kanë kaluar shumë vjet e s’po arrij ta zgjidh. A mos e di, rastësisht, ku mbaron shamata?

Ngurroj të flas, kurse ai nis të ftillohet.

– Kam një makinë e një karrocë, ndërsa me të hollat e kursyera është krejt e mundur që të bëhen tri. Por nuk po biem në një mendje me tim bir: të bëhemi me dy karroca dhe një makinë, apo me dy makina dhe një karrocë.

– Naforën e kishës e ndan prifti, kurse llogarinë kalemi,- i them shkoqur.- I ke pyetur ustallarët e financave?

– I kam pyetur,- thotë,- por këtu është e keqja. Edhe ata vetë habiten, sepse ngado ta sjellësh, hesapi u del hesap. Furgoni merret me rrugët e gjata, karroca me mallrat e tezgave. Fitimi është i barabartë sa nga furgoni, sa nga karroca. Veçse shpenzimet ndryshojnë: karrocieri paguhet sa gjysma e shoferit, kuajt hanë sa gjysma e karburantit. Prapë po të lutem, e di ku mbaron shamata?

– Për shamatën unë vetë një gjë di, ruhu përpara se ta fillosh,- i kujtoj.

– E kam filluar,- ankohet, duke kruar rrashtën.

Në gishtërinj i mbesin ca qime, që i merr era, ndoshta flokët e fundit. Çka bëj unë ahere? Ahere kthehem dhe, siç më kishte dhënë, ashtu i jap zemër:

– Mos u mërzit, edhe ti je pasqyra ime. Mua po më hollohet lëkura e shtatit.

– Shëndoshë shualli i këpucëve,- thotë ai.

Erru natë e zbardhu ditë, ne prapëseprapë në rrugë. Andej ka sallgama, shtylla elektriku dhe, në dherat e kanaleve, ka zhardhokë. Janë zhardhokë të mëdhenj, si krena njerëzish.

Ec e ec, në një çeltinë dikur shohim një varr. Pyes atë tjetrin:

– I kujt është?

– I plakut,- thotë njëlloj.

– Me një mijë dreqër,- më hipin xhindet mua,- po si kështu, ne varrin e plakut e lamë mbrapa?!

– Po plaku tashmë je ti,- thotë ai.- Çfarë gjejmë përpara, e kemi lënë edhe mbrapa.

Më kërkon të përshëndetemi dhe kapërcen kanalin.

Muzgu ka rënë, shndrit një hënë e vocërr sa bebja e syrit dhe mua më vjen keq për atë qyqarin, se nuk kam më gjunjë që ta përcjell. Por që nga rruga, bitis zëri i tij. Dikush e ka arritur, me dikë po hahet në pazar. Më në fund, e shpall vendimin me brohorima:

– Haa-hyyy! I bëra tri, pra!

Ca hingëllima të mprehta dhe një gërvimë rrotash në asfalt, hyjnë në dyzen me ngazëllimin e tij.

Ndërsa unë, teksa fundosem në dherat që çahen dhe më përpin errësira, kujtohem se i biri do të trashëgojë një furgon e dy karroca, madje me njërën prej tyre, karrocën që sapo ka futur në dorë, i ati po vazhdon udhëtimin atje sipër.

(Botimi i parë 1997)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!