Agron TUFA – Dimri në Dibër

Agron TUFA – Dimri në Dibër

Agron TUFA

Dimri në Dibër

         Në kujtim të të ndjerit, kushëririt H. Z

Me ndryshqe muzgjesh dhe kujën e erës
dimri dibran i avitet katundit;
dhe dielli then qafën mrrolun prej mnerës
si dezertori i fundit.

Vargmalet e Korabit në lindje struken
pështjellë me tambare mjegullash mitike
që vrundull shtjellen kah qielli e duken
si bombë atomike.

Pamja përposh, me fshatrat si zgjonj,
me tymtarë të menduar çative –
i grish çamarrokët e verdhë si ftonj
brenda shtëpive.

Amvisa shtron darkën e varfër, pa fjalë,
shtron shtrojet për pleq e fëmijë,
e jashtë rrëfen me valë e stërkalë
Drini i Zi –

të njëjtën përrallë, monotone, të gjatë,
pa as dhe një fjalë të ndryshuar:
“Lumni e zi ke binjakët në shtrat
që flenë qafuar…!”

“Dalç fare Drin’ i Zi! T’u thaft’ goja plakush!”
mallkon amvisa me mendjen tek burri.
Po askush nuk i thotë: “Ke mbetur vejushë –
vejushë prej qëkuri!”

Askush s’do ta dijë atë natë, pa ispatë;
as pleqtë, as nusja, binjakët:
sall shpirti gjithë pezm gjakon nëpër natë
trajektoren e largët –

me kumtin se burri, babai, vonon,
se ndoshta s’do shihen më soje –
se kockat Otranto përditë ia hollon
si gurë dominoje.

Por, ah, mor Zot, nuk mbërrika në Dibër,
dhe mbetka vjerrë kjo breng’ e vdektarëve!
Veç ernat çatajtë si bishat në dimër
ua ngulin mullarëve –

dhe sulen tërbim në pullaz, dritare,
si Shiva të kota, të etura për shpagë,
si Erini absurde që duan hakmarrje
pa patur një shkak.

Kur zë agsholi të zdritet konturesh
dhe hapet fashë bunacë e pazë –
dhëmbët e thyer të erës pas muresh
i mbledh një nga një;

dhe teksa mes gishtash i sjell këto presa,
kobi amvisën godet si me kazëm,
dhe kutull i shuket në grykë dënesa –
gropa në parzëm;

dhe kap atë kumt që ernat e shprishën,
çka Drini pat folë me gjuhë Ezopi,
çka fsheh i shuar ekrani përzishëm
si sy Ciklopi;

atë që binjakët në gjumë, kruspull –
dy luleshtrydhe korijes pa cak –
do zgjohen jetimë. Dhe hija, si turtull
u shket në gjak;

atë që k’soane hedh shtat dhe mbush
ditët, – vargan qiparisash ndër varre –
dhe fatin e saj, të mbetur vejushë
njëzet vjeçare.

Po kurmin e bukur – lulëkuqen e pamort,
këputur me drapër dallgësh, a thua
ka det që e kalb? Ah, merre o Zot
në Ahiret e tua!

…………………………………………….

Pasdite grahën gjithë ernat e dimrit
me dhurata të bardha prej qiejsh virgjinë…
Dhe gjithë sa ha shigjet’ e vështrimit –
pështjellë në qefinë

bornajash sterile – nga mali në mal.
Po dimri në Dibër të bardhë ka fishekët –
anestezinë e ngushëllimit, vetminë, melekët
e kallur në fjalë…


BIGLIOGRAFI

Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.

Dimri në Dibër
Disa nga veprat e Tufës

Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat SkeeRrethinat e AtlantidësAvangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë, Fragmentet e Gjësë, Kafsha apo fantazma, Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës, etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.

Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!