Agron TUFA – Elegji (poezi)
Agron TUFA
ELEGJI
Si e kapërdive atë mëngjes vjeshte, babë,
kur truri yt, si sfungjer i thatë thithi mallkimin
e të qenit dëshmitar i dorës së katërt
në këtë panair ekzistence?
E lënduar sedra jote… për një ditë
i plaku shtresa-shtresa
qiejt e rimtë të djalërisë.
Dhe kurrë më s’i ngrite sytë të shihje
rrugën e zhveshur misteresh –
torturën e rrethrrotullimit tallës;
ajo s’të shpinte as afër, as larg,
por ngjeshej pas shputave të tua
si urdhër-arrest në pritje të ekzekutimit.
O ti, i sjellë me pahir në botë,
tash që fundi avitet, kurseja vetes
kërkëllimat e çikrikëve që lëshojnë
e ngrenë lart vetëm kova të zbrazëta…
Ti e dije: sado të thella, të përmatanshme,
puset të shterrura kanë qenë –
të zbrazëta në të dyja botërat.
Dhe midis tyre – vetullat e tua – janë
harqet më të pikëlluara të universit,
poshtë të cilave, më kot rreket
të gjejë ngushëllim, të mos shembet
iluzioni yt i mbramë – yt bir…
1. 07. 2016
BIGLIOGRAFI
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë, Fragmentet e Gjësë, Kafsha apo fantazma, Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës, etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.