Agron TUFA – STREHA IDEALE

Agron TUFA – STREHA IDEALE

Agron Tufa

STREHA IDEALE

Libri më i ri poetik i Besnik Camajt, një nga poetët me seriozë të letërsisë së sotme bashkëkohore me banim në Zvicër, është konceptuar në katër cikle konceptuale si kompozim kantate a simfonie muzikore, përkatësisht “Brigjeve”, “Shtigjeve”, “Majave” dhe “Qiejve”. Vektorit të spirales së qartë metafizike të përjetimeve dhe “pleqnimit më vete” i përcaktohet kahu i lëvizjes nga fundamenti e dizanjimit tokësor drejt vrujimit të ornamentit qiellor. Si në hapje të vëllimit ashtu dhe në fund, libri nis e mbyllet (apo lihet hapur) me nga një poemth të veçantë: në fillim “Republika”, ndërsa në përmbyllje “Poemë për artin”.

Te poemi i parë nuk është fjala për kurrëfarë republike dogmatike, por për një konstrukt abstrakt e lojacak projeksioni të hollë midis ontosit dhe etnosit individual, diçka si shpikje e një “gjë-sendi” gjithpërfshirës që ka të bëjë me ravijëzimin e një raporti individual e transindividual me llojin republikës së Platonit jo si utopi politike, por me turrin e ethshëm të ideve. Sigurisht stërpikja konotative dhe asociative i përfshin, pa i përmendur edhe paraardhësit e poetit (veçanërisht A. Shkrelin dhe A. Podrimjen), por ndryshe nga retorika e kohës së poezisë së tyre të “fjalës prej guri” dhe “gjakut që s’falet”, te Besi kemi kthjelltësinë e një raporti të ndryshëm me ta. Kemi ligjërimin asociativ e ambiguid të simboleve që rriten në similitudë me disa përmendje topos-esh etnonime (“Uji i Ftohtë”, “Syni i Kaltër”, “Burimi i Drinit”), fjalëkrijimet, gjithçka për të themeluar një materie alkimike, Strehë ideale e besnike si në vargjet:

streha ime e dashnisë
edhe matanë
kam me t’mbajtë mbi kokë
mbi vete
derisa të tretem
në kristalet polifonikë
të trupit tand
e të bahesh gati me rimbí
në nji botë tjetër
me ma shumë dashni.

Poemi përmbyllës që e shkëput spiralen metafizike në vrujimet qiellore (“Poemë për artin”) është semantika e nuancave të brishta estetizante, një poetikë që ndërthur hijezimet e mendimit me delikatesën e imazhit, është poetika e lajles, ornamentit, spërdredhkës apo vinjetës, ndonëse ruan një imitim retorik tradicional kauzipërkufizues të tipit “art është…/art nuk është…”.

Ja një shembull ilustrues të këtij modeli:

art nuk asht
as me u ndesh me ariun n’mal
e me e mbytë me mjaltë n’gojë
po me iu afrue me kujdes
e me i thanë diçka t’mirë n’vesh
(që ka me i ra sheqeri)
sa mandej me t’u ngjitë mbas
e me t’lutë për mësime tjera
mbasandaj ti e merr me veti
me gjithë thesar
e ua shpërndan atyne që s’kanë
veç thërmiave të shpresës

Megjithatë midis këtyre sinoreve poemike vëllimi përfshin lirikën e cikleve që përmendëm dhe karakterizuam më sipër si kantatë a simfoni me katër pjesë.

Lirika e Bes Camajt e shkruar në trajtën letrare të gojëfoljes gege nuk është e huaj për asnjë formë tjetër letrare duke krijuar një miksturë organike të shqipës së amël e të rrjedhshme çka personalisht më bind se për poetin gjuha është në funksion vetëm artistik, se sa aftë është ajo të zbardhë/konkretizojë imazhin mendor e emocional. Fatmirësisht ky pozicion është shumë më produktiv dhe poetët shqiptarë kanë mundësi të lëvizin lirisht në zotërimet e tyre gjuhësore të shqipes nga gegnishtja e skajshme te gojëfoljet çame apo arbëreshe, si t’ua thotë hyu i kombinimeve.

Megjithatë lirika e B. Camajt është si në sintaksë, si në leksik tipike gege, e thënë shkurt, është gjuha dhe raportet e poetit që vënë në spikamë individualitetin e tij të dallueshëm. Nëse do t’i përcaktoja një linjë trashëgimie me poetët e shqipes për nga thukja dhe procedimi poetik, Besnik Camajn e shoh tipologjikisht më afër paraardhësit tonë të madh Martin Camajt.

Lirika e Bes Camajt është e kursyer, ritmike, me një kujdes për pauzën dhe muzikën spontane. Efekt të veçantë ka në klaviaturën e tij “intonacioni i papranishëm paraprak”. Me këtë togfjalësh si nocion, kam parasysh që imazhi i poezisë e ka filluar efektin para se me nisë fjala e parë. Poezia e Besit ta mëson këtë art leximi, sapo të jesh familjarizuar pak me strukturën dhe efektet e poezisë së tij (diç e përafërt me një mbyllje sysh) për të kapur fillin e imagjinatës që i paraprin hapjes së saj me fjalën e parë, përsa organiciteti i poezisë nis që në titull.

Prej një morie të tillë poezish po sjell për ilustrim intonacioni njërën:

QË KTHEHESH

e i del ballë-për-ballë
e prek e ndjen e shqyen
zhytesh e mbytesh n’të
këtë e kam mendu
pyet këdo që thellë e ka ndi
ajo s’është gjë tjetër
veç hije e dhimbjes
një çast largimi
nga e këtushmja
ja një shenjë
se si jetohet n’atë anë
ku sa ma ngiat jemi
kambët s’na mbajnë

Postulati filozofik i një prej vargjeve të B. Camajt “Jeta asht pjesa ma e bukur e vdekjes” duket kjartë e shkapërdarë në materien e tan vëllimit në variacione e hipostaza. Mendimi për vetë vdekjen edhe kur hidhet në ura të ajërta metaforash bart si transcendencë vulën dhe shijen e të këtushmes dhe paraqitet si vazhdimësi (ngjyrash, jonesh, ëndërrimi) i të njëjtave pasione e pengje tokësore, si vijimësi e përmbushjes së regëtimave të idelave të këtushme; shkurt, vdekja përvijohet si retiçensë e kësaj jete.Për lexuesit e specializuar të poezisë është një kënaqësi njohja e botës dhe instrumentarit poetik të Besnik Camajt, që në këtë vëllim të kompozuar me art mbërrin një nivel artistik e estetik të përfaqësimit të denjë jo vetëm për veprën e vetë autorit, por edhe të virtyteve me të mira që ka sot poezia bashkëkohore shqipe.

Streha ideale
Besnik Camaj – “Strehë dashnie”, poezi, SHB “OM”, Prishtinë, 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!