AGRON TUFA – TEH DRITE (POEZI)
AGRON TUFA
TEH DRITE (POEZI)
Një teh lebetitës drite do ta ndajë
qenien tonë të kapur me rrënjë në uzdajë.
Dritë do derdhë qielli – plasaritje shege –
teh brisku siç e pret biskun-syth prej dege;
dritë dhe pse verbon, dhe pse hap të çarë
për një tjetër botë, që s’e kishim parë.
Pupël do pluskojmë si një bashkë resh,
si një rrymë mendimi që buron prej nesh,
si një rrymë dëshire që shtillet pa plan:
“Vallë ku e kam trupin? Këmbët ku i kam?”
Mandej do shtegtojmë me ritmin e ankthit
për ta bërë, disi, alibi të faktit –
Se po shkapërcejmë pragun e një race,
se po lëmë pas shpine masën tonë përtace…
Në një lëng pluskues shpirti ynë naiv
lan njollat e brengave si në negativ,
dhe i shplarë në dritë, ajthi i tumirtë,
i rikthehet kohës, tash i hapësirtë…
Por për inerci, do vazhdojë të ndjejë
kurth reminishencash, që zor t’i rrëfejë,
kur si heshtë drite, tek pulson dëshira
do vijojnë ta ndjekin ndjesi të pështira –
sikur e ndjek prapa, si një kullë ngujimi
mas’ e mishtë banale me shpeshtim frymimi,
Si dikur kur sulej, n’ideal të naltë
(dhe lëvozhg’ e mishtë e linte në baltë),
si dikur kur bunte ku i thosh mendimi
duke abstraguar nga kjo kullë ngujimi…
Ndërsa tash i shkrirë mendje dhe dëshirë,
ndjen se e ndjek prapa e papipëtirë –
po e njëjta lëndë, që prangon e shtyp
mallin pa kufi për në infinit…
Ndaj kthen kokën bef, sikur bën blasfemë,
si t’i ther gjymtyr’ e prerë në gangrenë;
ndaj i klith me mllef, vrer, fytyrëdyll:
“Boll m’u qepe pas! Hiqmu sysh, debil!”
(“Kafsha apo fantazma”, Onufri, 2016)
Të tjera poezi, tregime apo materiale kritike e studimore nga AgronTufa mund të gjeni këtu.