AGRON TUFA – TRIPTIK PËR NËNËN
AGRON TUFA
TRIPTIK PËR NËNËN
1.
Nënë – lavjerrës i turpshëm
mes frymës dhe pendimit!
Nuk guxoj të vij pranë teje,
ndërsa koha kalon
duke shkrirë togje plumbi në tru.
Shirat e para u mundën
dhe gjëma e re ia mbërriti në paqe.
Të vdekurit e tu prapë s’e arrijnë gardhin,
as portën e brerë që parandjen dëborëra.
Ah, bujtës të trishtë!
Ndikoni dhembshurisht,
paqtoni ankimet, diferencat, mërzinë
pa cytur, lënduar kujtesën, vetminë…
2.
O ti rrufe që kridhesh ëmbël
në gjakun tim të pikëlluar,
nën shirat gri
dhe kupën e kripur të verës!
Keqardhje bari i butë vjeshtak
dhe loti – kujtim.
Unë nuk kthehem më…
E di ç’do me thënë i mundur.
Në këtë orë të sinqertë me mure lakuriq
beh ajri gjithë pezm dhe fundi avitet…
Të peshuara janë çastet, të zhveshura
nga barëra e flatra, nga hëna e yjtë.
E qëruar – veç klithma e pastër e erës.
Në këtë orë të sinqertë
qaj pafajësinë tënde –
besimin që t’u tradhëtua në mua
si në një tokë të dobët.
3.
Frymët tona qofshin
pengje të brera kozmike
për mëkate të rënda
që kurrë nuk i bëmë.
Tash neveria e sjell kokën
mbi mishin tim
dhe një rrymë bezdie fryn
mbi ujëra e drunj: janë kot!
Isha një foshnje
më shumë e hutuar
se e lumtur.
Hapësirat që ëndërroja –
të gjitha u tkurrën
një nga një, si iriqë fanatikë.
Por ai imcak që ti e shihje
me sy të picërruar –
ambicie të madhe
kish patur në kocka…
Kot!
Se babëzia e rrugës ia shqeu
kurmin e dobët dhe leckat në trup.
E sheh si pas xhamash treti,
si rrokjet e dobësuara të një kënge
mbi këtë planet të lodhur
me besim e pendesë.
1993
Nga vëllimi “Aty te portat Skeé”, Onufri, 1996
DY FJALË RRETH AUTORIT
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë, Fragmentet e Gjësë, Kafsha apo fantazma, Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës, etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.