Atë GJERGJ FISHTA – NJI LULE VJESHTET [Fragment]

Atë GJERGJ FISHTA – NJI LULE VJESHTET [Fragment]

Atë GJERGJ FISHTA

NJI LULE VJESHTET [Fragment]

N’ atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,

T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’asht kputë, i cilli bite m’zemer
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!

Ehu! Po; “deka, […] ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun
Hithat e madergona!

‘I Kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’a vu té kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’a zbutë, posë va’jt  t’trishtueshem
Të hutit t’natës, qi neper curra t’malit
Dhimbshem në rreze t’hanës rrin tue gjimue!…

Njai grumull gursh, qi m’vorr t’randon persypri,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’hikë kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’perqethët atë botë i shkon n’per zemer.

Po, a thue, krejt deka n’asgjasend t’perpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’la tjeter? Jo! N’prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’dritë t’qiellvet, ku pushon dishiri
I nierit t’ drejtë, si drita m’sy të kthiellun.

Po, po, se pertej vorrit Shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njiky mendim i ambel
Deken e zbutë e vorrin ban t’pelqyeshem.
Kur zemren fa’i  s’e grisë. Prej ktij mendimi
As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva
Se diqe: Se n’ma  t’miren lule t’motit
E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore; […]

Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket pergja.

S’kjé toka, jo, per ty kjé qiella!

E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’per vrrije t’amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,
Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:

Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi permallshem gurgullon n’per rrâjë e curra, […]
Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé […] – E atë botë mendoj per ty.

E, ku t’a shoh ma t’flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’a késh, e syt m’atë hyll pa da
I nguli, e m’bahet si me t’ pa. Me emen
Un t’ thrras at botë n’per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!…

Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer
E len mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mende t’ onë gjallon.

Mue edhè, qi sheklli e nji dishir lirijet
T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’and t’pervujtun
M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

Permbi vorr t’and, po, xâ të fortë me e majtun
Besen e dhanun – e miqasin e zanme;
Per Fé e per Atme n’ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin
Mos me e gledhue; kur t’jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë syt prej cakut, n’t’cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndersa t’vishtira, qi t’ na sjellin motet.

Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr
Ka me m’kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit, […]
Ai ka per t’ m’ kenun Zana.

E me kangë t’mija ‘i permendar t’madhnueshem
M’ vorr t’and kam per t’ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka per t’a rrahun;
Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,
Edh’ai njashtu do t’jesë nder gjire t’ motit
Qi bumullojn mbi faqe t’ rruzullimit.

E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;

E shtektarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’dihamet,
Kanë me-i kallzue se sa pjesë qiellet vrâni
Deka n’atë vorr. E atë botë i largët shtektari
Të lehtë dhén ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e boren:

E, kur n’male t’veta
T’dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue
Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote
Emnin t’and kanë per t’kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit t’and kanë me jehue.

Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtme veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai Emen:
E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e Emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

NJI LULE VJESHTET

Të tjera poezi nga dhe materiale për Gjergj Fishtën mund të gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!