JOLANDA LILA – PROFESOR BASHKIM KUÇUKU, PERSONALITET I KRITIKËS LETRARE SHQIPTARE

JOLANDA LILA – PROFESOR BASHKIM KUÇUKU, PERSONALITET I KRITIKËS LETRARE SHQIPTARE
JOLANDA LILA

PROFESOR BASHKIM KUÇUKU, PERSONALITET I KRITIKËS LETRARE SHQIPTARE

Studiuesi Bashkim Kuçuku është profesor i letërsisë shqipe prej vitit 1986 në Universitetin e Tiranës, autor i dhjetëra studimeve dhe teksteve, përzgjedhës i disa antologjive poetike, promovues i veçanësive të autorëve të ndryshëm bashkëkohorë shqiptarë, kritik letrar i qindra artikujve e recensioneve në faqet e shtypit të shkruar dhe një nga emrat më të spikatur në fushën e studimit të letërsisë. Veprat e tij monumentale “Kadare në gjuhët e botës”, “Kombi gjen vetveten”, “Pas eklipsit letrar” etj., kanë risuar mendimin kritik shqiptar në aspektin e të dhënave të përcjella, stilin e qashtër të të shkruarit, metodologjisë dhe të thellësisë së analizës.

Dinjitar në paraqitje, në komunikim dhe në veprat e njëpasnjëshme që u ka sjellë lexuesve ndër vite, profesor Bashkim Kuçuku vijon të kontribuojë për zhvillimin e mendimit kritik shqiptar, në një kohë kur kritika e mirëfilltë thuajse nuk ekziston. Apatisë së institucioneve kulturore dhe akademike për zhvillimin e mendimit kritik shkencor, i kundërpeshon puna e një individi apo e pak të tjerëve të këtij soji, të cilët motivohen vetëm nga zëri brendshëm i vetvetes, që ka si lajtmotiv dashurinë për punën. Privohen nga koha e lirë, që shumë njerëz e kanë me tepri; privohen nga kënaqësitë familjare e shoqërore dhe përhumben në një proces sfilitës, i cili zgjat për orë, ditë, javë, muaj e shpesh, vite të tëra. Duhet forcë e madhe karakteri dhe pasion i jashtëzakonshëm për t’u dalë në krye punëve të tilla, për të cilat mbase nuk shpërblehesh kurrë nga askush, në asnjë lloj forme.

Bashkim Kuçuku, personalitet i kritikës letrare shqiptare
Profesor Bashkim Kuçuku

Në një kohë kur botohet shumë e lexohet pak dhe kur faqet e kulturës promovojnë libra komercialë, të yshtur shpesh nga tematika apo emri i autorit dhe jo nga vlerat e qenësishme të librit, profesor Bashkimi, si një lexues i kultivuar dhe si studiues i sprovuar kundërshton hapur anarkinë e vlerave letrare. Mosmiratues i padijes, i pakompromis në pikëpamjet për veprat letrare, ai me durim të pashembullt, si një dedektor i tekstit ndan “grurin nga egjra”, profesionalizmin nga amatorizmi, talentin nga profanizmi. Fjala e tij në fushën e kritikës është autoritare, e padiskutueshme dhe nuk shihet me dyshim. Kjo ndodh, jo se ai është njeri i pagabueshëm, por sepse karakterizohet nga një vetëkontroll i plotë ndaj situatave, veprimeve dhe ngarendjes për botim. Ai nuk abuzon me fjalën, nuk mbiçmon e as nuk nënvlerëson, por gjithnjë analizon me ftohtësi e objektivitet tekstet.

As në këtë kohë e as gjatë regjimit diktatorial, kur për 12 vjet radhazi punoi si kritik e redaktor në gazetën letrare “Drita”, kurrë nuk e çkuptimësoi fjalën apo mendimin, në emër të përshtatjes me rrethanat apo në emër të “qokave” të rastit për solidaritet kolegjial. Gjithnjë pati vetëm një busull që i udhëhoqi mendimet e shkrimet e tij, pikërisht vlera e mirëfilltë letrare.

Falë seriozitetit të tij në jetë dhe në punë, ai gëzon një profil të lartë publik në imazhin e kolegëve, studentëve të brezave të ndryshëm dhe të lexuesve në përgjithësi.

Ai mbetet figura e profesorit dinjitoz, tepër korrekt, i gatshëm kurdoherë për të orientuar në fushën e dijes studentët e talentuar, i prirur për tolerancë ndaj gjithçkaje përveçse ndaj padijes e sjelljes së paqytetëruar. Me timbrin e zërit të qetë dhe me metodikën konkretizuese të mësimdhënies, arrin jo vetëm t’i vërë në punë studentët, por edhe t’ua bëjë të dashur e të bukur procesin studimor. Ndonëse buzëqesh rrallë, prapë se prapë është shëmbëlltyra më njerëzore e profesorit, ku secilit i jep hakun që i takon. Ndërton një klimë bashkëpunuese me studentët, edhe pse nuk krijon familjaritet me asnjërin prej tyre. Gjithçka e kanalizon tek puna dhe është i gatshëm t’i dëgjojë në çdo kohë këndvështrimet dhe problemet e secilit.

 Ai është figura e profesorit dinjitoz edhe përballë kolegëve, pasi ambicia e tij e vetme është arritja e rezultatit maksimal në procesin e mësimdhënies apo të punës studimore, të cilat i sheh të pandara nga njëra-tjetra. Nuk ka pranuar të kandidojë nëpër hierarki drejtuese universitare, apo në poste të tjera politike e publike, sepse i konsideron si punë burokratike, që e shpërqendrojnë nga misioni i tij parësor, por edhe sepse nuk i përshtaten karakterit e natyrës së tij.

I pangatërruar nëpër allishverishet e kthinave të pushtetit, ai ka preferuar që gjithçka ta arrijë vetë, me meritokraci. Siç është shprehur edhe në një intervistë të dhënë në vitin 2009, motoja e tij në jetë ka qenë puna këmbëngulëse, madje edhe në rastet kur nuk ka marrë atë që i takonte. Ndër të tjera, profesori shprehet: “Vetëm me punë këmbëngulëse, pse jo dhe të stërmundimshme, mund të arrihen ambiciet. Me përkushtim kam arritur çfarë kam dëshiruar, sepse nuk kam dëshiruar as jashtë aftësive të mia dhe as tej mundësive që më kanë ofruar rrethanat dhe vetë mjedisi. Nuk kam menduar dhe nuk kam dashur të kërkoj ndihmën e miqve të interesit për të arritur dëshirat. Gjithmonë kam qenë kundër miqve të tillë, dhe as vet nuk pranoj të luaj këtë rol. Me vetëdije nuk kam marrë pjesë në klane për të fituar grada dhe poste të pamerituara. Profesioni im është përputhur me pasionin, dhe, kështu, të bërë njësh që në fillim, kam ndjerë vazhdimisht kënaqësi”.

Si natyrë tepër modeste, profesor Bashkimi nuk flet për sukseset e veta, as nuk reklamohet krenarisht për punët voluminoze shumëvjeçare dhe as për bëmat e tij humane. Thjeshtësia që e karakterizon, pa barriera vanitoze, pa pompozitet, e bën çdo bashkëpunëtor të tij të ndiejë klimën miqësore të çiltër me të. Fjalëpak dhe gjithnjë i përqendruar në thelbin e çështjeve të punës, ai shëmbëllen fisnikëri dhe të imponon pashmangshmërisht respekt të thellë.

Bashkim Kuçuku, personalitet i kritikës letrare shqiptare
Nga dashuria për mjekësinë në pasionin për letërsinë

Profesor Bashkimi, gjatë fëmijërisë së tij në Konispol ushqeu ëndrrën për t’u bërë mjek. I pëlqente misioni human i punës së mjekut dhe kishte rezultate të larta në mësime. Përgjatë rritjes, kuptoi brishtësinë dhe ndjeshmërinë e tij të theksuar, të cilat mund t’i bëheshin pengesë në proceset e përditshme të punës si mjek, prandaj u hodh në një tjetër dashuri po aq të madhe, pikërisht tek letërsia. Arsyet psiko-emocionale e shtynë të hiqte dorë nga mjekësia, por jo nga dëshira për të ushtruar një profesion human siç është mësimdhënia, e cila formëson brendësinë dhe botëkuptimin e njeriut për botën.

Gjatë shkollës së mesme në Konispol, falë leximeve të shumta i bulëzuan edhe këndvështrimet e para kritike, ku me kërshëri zhytej në thellësinë e veprave dhe të jetës së autorëve. Studimet e larta në Tiranë, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë e nxitën akoma më shumë dhe ia mprehën shqisën e zbulimit tekstor.

Dëshira e tij më e madhe ishte që pas studimeve universitare, të punonte në organet periodike letrare të kohës, sepse aty, sipas vizionit të tij të atëhershëm, gëlonin debatet mbi letërsinë dhe zhvillohej mendimi profesional. Dëshira nuk iu realizua, për shkak se nuk pati fare përkrahje e as ndonjë dashamirësi të spikatur nga ndokush, andaj u kthye në vendlindje, ku punoi për disa kohë si mësues i letërsisë në shkollën e mesme në Konispol. Gjatë kësaj periudhe, nuk u mjaftua me mësimdhënien, por u tregua shumë aktiv në faqen e shtypit letrar duke botuar analiza e shkrime të herëpashershme. Artikujt e tij kritikë u vlerësuan nga drejtuesit e gazetës “Drita”, të cilët në vitin 1974 i bënë ftesë që të punonte në redaksinë e kësaj gazete në Tiranë.

“Sa më i madh që është iluzioni, aq më i madh është edhe zhgënjimi” – thotë Balzaku në romanin “Iluzionet e humbura”. Kështu përngjau edhe me gjendjen e profesor Bashkimit, i cili sapo preku nga afër ëndrrën e tij të kahershme, kuptoi se realiteti ishte krejt tjetërsoj. Nuk mund të flitej për debate të mirëfillta kritike dhe për parime të larta intelektuale e njerëzore, por për shkrime jocilësore, deri mediokre të bashkëpunëtorëve të gazetës, të cilat ai ishte i detyruar t’i miratonte për botim në cilësinë e redaktorit të gazetës.

Peripeci të pafundme e shoqëruan gjatë punës në këtë gazetë, ku i duhej të ecte nëpër një terren të minuar, ku asnjëherë nuk e dinte se cili ishte kufiri ku duhet të shkelte për të mos rrezikuar qenien e tij. Në këtë klimë të zymtë, më tepër i guzhmuar prej ankthit sesa i motivuar për punë krijuese, ai punoi për 12 vjet me radhë. Me shkrimet e veta kritike, pavarësisht linjës editoriale të ngarkuar me ideologjizma, mundi të jepte një impuls të ri komunikativ me lexuesit.

Viti 1986 shënoi edhe kurorëzimin e përpjekjeve dhe mundit të tij, sepse pas dy vjetësh si lektor i jashtë, emërohet pedagog në katedrën e letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Puna me studentët dhe me letërsinë në përgjithësi, e ndihmuan që të shpërfaqte aftësitë dhe talentin e tij nga viti në vit. Kuptoi natyrshëm se kjo ishte puna që ai donte më tepër se gjithçka.

Angazhimin në faqet e shtypit letrar e vijoi në pozita më komode pas viteve ’90, pasi tashmë ishte i diktuar lirisht vetëm nga shijet e veta estetike. Përveçse në gazetat “Drita” dhe “Nëntori”, bashkëpunoi edhe me organe të tjera të shtypit, madje themeloi edhe revista të mirëfillta letrare. Kështu, ai punoi si kryeredaktor i revistës “Universi Shqiptar i Librit” (1997 – 2001), në të cilën intervistoi personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Kjo revistë shërbeu për shumë vite si një tribunë e mendimit kritik letrar.

Për shkak të kauzës së tij shpirtërore, ai drejtoi dhe konturoi edhe gazetën “Çamëria – vatra amtare” (1991 – 1995). Përveç punës drejtuese, në këtë gazetë kontribuoi edhe me shkrime me karakter kulturor dhe historik.

Gjithashtu, gjatë karrierës së tij akademike, ka botuar dhjetëra artikuj e studime në revista shkencore e letrare në shqip, si dhe në gjuhë të huaja, ka kumtuar në Konferenca Shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare, në hapësirën shqipfolëse dhe jashtë saj, në Greqi, Itali, Rusi, Bosnjë etj.

Përvijues i letërsisë shqipe bashkëkohore

Emri i profesor Bashkim Kuçukut lidhet pandashmërisht me vetë letërsinë shqipe bashkëkohore, pasi ai është një ndër përvijuesit kryesor të kësaj letërsie, që spikati me analizat e vëzhgimet e tij objektive, qysh në vitin 1974 kur nisi punën si redaktor në gazetën letrare “Drita”. Ai solli një formë tjetër recensioni në faqet e shtypit letrar, pa prirje mbiçmuese për vepra e autorët, por vlerësoi me paanësi vetë tekstin letrar.

Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për hartimin e pasurimin e plan-programeve universitare, që lidhen me letërsinë bashkëkohore shqipe, ka hartuar leksionet e lëndëve “Letërsia shqipe bashkëkohore”, “Historia e romanit shqiptar” etj., si dhe është bashkautor i teksteve shkollore të letërsisë të arsimit parauniversitar.

Prej katër dekadash ka ndikuar në botëkuptimin dhe në latimin e shqisës estetike për breza të tërë studentësh të degës së Gjuhës dhe të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Mendimi i tij kritik dhe analizat e shumta shkencore kanë luajtur rol të rëndësishëm për evidentimin e vlerave të veprave të autorëve të ndryshëm shqiptarë, duke i parë të gjithë njëlloj, si cepa të yjësisë në galaktikën e arealit letrar shqiptar. Pa u ndikuar aspak nga kategorizimet shabllone të tyre të para viteve ‘90, (ku ca ishin të mbivlerësuar e ca të anatemuar), profesor Bashkimi ka rivlerësuar me objektivitet shkencor veprën, për t’i dhënë vendin që i takon gjithsecilit.

Pas viteve ’90 përfshiu në dritën e rivlerësimit jo vetëm poetët e shkrimtarët shqiptarë, por edhe vetveten, pasi tashmë në kushtet e lirisë kishte mundësinë të njihej me tekstet dhe autorët e ndryshëm, të krijonte një bibliotekë të plotë të tyre.

Me një skupulozitetit të jashtëzakonshëm ka kaluar në filtër vepra e autorë dhe ka kontribuuar duke prezantuar krijimet cilësore të secilit, përmes përmbledhjeve të veçanta. Kështu, përmblodhi e plotësoi me parathënie kritike krijimtarinë e shumë autorëve shqiptar në fushën e poezisë dhe të prozës. Vlen të përmendim kolanën e poezive të zgjedhura për autorë të tillë si: Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj. Është hartues i Antologjisë shqipe bashkëkohore, ku krijimtaria e secilit autor është shoqëruar edhe me një studim sintetizues. Kjo antologji u botua më pas edhe në gjuhën malazeze.

Profesor Bashkimi me punën e pandalur kërkimore-shkencore arriti të sjellë për lexuesit materiale të panjohura më parë, siç janë krijimet më cilësore të Bilal Xhaferit të përmbledhura në disa vëllime, si” “Përtej largësive: Prozë dhe publicistikë”, “Kujtime, kritika dhe studime për veprën”; ka studiuar e interpretuar epistolarin e Martin Camajt etj.

Për një kohë të gjatë është marrë me studimin e gjithë korpusit të veprave të Kadaresë, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe atyre në gjuhë të huaja nga ku rezultojnë 1301 botime në 45 gjuhë të botës. Një punë kolosale me tregues statistikor, me analiza dhe interpretime të dhënash, që dëshmojnë vendin dinjitoz që zë letërsia shqipe në botë.

Për Çamërinë, për rrënjët e tij, për nderin e sakrificat e të parëve të vet, ai për vite të tëra u mor me kërkime shkencore, gjetje dokumentacioni dhe faktesh që hedhin dritë mbi të drejtat e çamëve, identitetin kombëtar shqiptar, mundësitë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, integrimi në Europë, një tërësi problemesh qeniesore/ekzistenciale të bashkëkohësisë trajtohen gjerësisht, në librin “Kombi gjen vetveten”. Për shkak të koncepteve të qarta historike, ai është përzgjedhur edhe si bashkautor i librit “Historia e popullit shqiptar IV”.

Recensent i shumë vëllimeve me poezi, romaneve dhe librave studimorë e publicistikë të botuara nga autorë të njohur shqiptarë si: Vath Koreshi, Uran Butka, Luan Rama, Qamil Buxheli etj.

Me përkushtim e vëmendje të jashtëzakonshme, ka udhëhequr punime të shumta doktorale, duke iu kultivuar kulturën e punës dhe duke u mësuar studentëve dhe studiuesve të ardhshëm se dija vlen më shumë sesa certifikimi formal i saj.

I edukuar me kulturën e punës dhe jo të dukjes, profesor Bashkimi ngelet një kërkimtar i palodhur në fushën e dijes, njohës i thellë i historisë e i kulturës shqiptare dhe asaj franceze, admirues i muzikës klasike, pikturës, skulpturës dhe të bukurës në përgjithësi. Leximi mbetet pasioni, profesioni dhe kënaqësia më e epërme e ditës së tij, ndërsa botimi është hapi më i matur i tij. Ai e çmon progresin, prandaj vijon të punojë pa u ndalur për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!