BILAL XHAFERRI – ATDHEU (poezi)

BILAL XHAFERRI – ATDHEU (poezi)
BILAL XHAFERRI

ATDHEU

E para mjegull e shtatorit
Porsi qefini të mbulojë
Sa shpejt nga sytë atdhe më humbe
Sa shpejt errësira të gllabërojë

Si djersë të ftohta ndrinin natën
Mbi ballin tënd të argjendtë yje
Me tel me gjemba gjoksi yt
I lidhur mbeti në kufi.

Ashtu të lashë i shtrenjti vend
Dhe rrugën mora për këtej
Ku vallë më çon kjo rrugë e largët?
Kur vallë sërish tek ti do të kthej?

Floriri i vargjeve të mia
U shkri për ty me dhembshuri
Tani si hekur shpirti im
Me lot u ndryshk dhe u nxi…

Si djersë të ftohta ndrinin natën
Mbi ballin tënd të argjendtë yje
Me tel me gjemba gjoksi yt
I lidhur mbeti në kufi.

Ashtu të lashë i shtrenjti vend
Dhe rrugën mora për këtej
Ku vallë më çon kjo rrugë e largët?
Kur vallë tek ti do të kthej?

Atdheu

DY FJALË PËR AUTORIN*

Xhaferri ka lindur më 1935 në fshatin Ninat afër Konispolit, i biri i Xhaferr Hoxhës. Babai i tij ishte pushkatuar si antikomunist më 1945. U rrit bashkë me të motrën në internim ku kreu shkollimin. Bëri një shkollë njëvjeçare si gjeometër.

Më 1967 i botohet vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, i cili përmban edhe poezi prokomuniste, por nuk u vu kurrë në qarkullim. Po atë vit konkuroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rasin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman do të botohej në vitin 1993.

Xhaferri në veprën e tij nuk shfaqi kurrë mendime “dekadente” ose disidente.

Më 1968, ai u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit Dasma të Kadaresë, duke e akuzuar Kadarenë për revizionizëm ndaj doktrinës komuniste, një akuzë kjo shumë e rëndë gjatë regjimit komunist që mund ta kishte dëmtuar shumë Kadarenë. Po për këtë ai u qortua rëndë nga Fadil Paçrami. Autoritetet komuniste nuk mund të lejonin që një person me “njolla në biografi”, t’u shkaktonte turbullira, sado që mund të ishte komunist i zjarrtë. Iu hoq e drejta e botimit dhe u internua. Pas një mbledhjeje të Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Rita Markon, u kritikua bindshëm dhe u përjashtua.

Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Më 1970, shkoi në SHBA, në Boston ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht.

Në vitin 1986 vdes në Çikago.

Polemikë

Sipas disa kritikëve Xhaferri nuk ishte fare disident pasi kish shpenzuar kohën e tij duke glorifikuar regjimin komunist, bile ishte ai që akuzoi Ismail Kadarenë se romani “Dasma” kishte denigruar realitetin socialist, për më tepër ai ishte arratisur në Greqi fare kollaj dhe prandaj mendohet që të ishte thjesht një agjent i Sigurimit, dhe se po mbivlerësohet.

Studjuesi Ag Apolloni do shkruante në një artikull te “Gazeta Shqiptare”, të botuar në 19 maj 2013 sesi pikëpamjet e Xhaferrit ishin që “Dasma” ishte një roman që “denigronte gruan shqiptare”, “ishte roman revizionist” dhe pra “ishte i falimentuar”. Këto epitete që Xhaferri përdorte me zemërim, u interpretuan nga disa studiues si “disidencë”. Të akuzoje dikë për “revizionizëm” në periudhën komuniste do të thoshte të paraqiteshe si mbajtësi i parimeve të Partisë së Punës, pasi fjala “revizionist” në doktrinën komuniste përdorej si sinonim i fjalës “tradhtar”.

Pra Bilal Xhaferri e mbrojti komunizmin nga “revizionisti” Kadare, dhe pa të drejtë konsiderohet si disident. Gjithashtu Xhaferri pasi u arratis nga Shqipëria, dhe filloi të jetonte në ShBA, nuk u soll kurrë si disident. Ai jetoi atje deri në 1986 dhe nuk foli një gjysmë fjale kundër komunizmit në Shqipëri.

Ardian Ndoca gjithashtu ngriti pyetje serioze për lidhjet e Xhaferrit me Sigurimin e Shtetit dhe per kontributet e tij në letërsinë shqipe. Në artikullin e tij Pritmet e rreme në letërsi, të botuar në gazetën Drini në 5 prill 2013, ai thotë që miti i Xhaferrit disident ishte fakti që edhe pse i ati ishte vrarë në 1945 si antikomunist, kishte marrë pjesë në takimet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kishte botuar dy libra me poezi para se të arratisej në Greqi.

Më vonë letërsia e prodhuar nga Xhaferri përbëhej nga romane dhe histori të “fragmentuara”, gjithsesi “fragmenti” që e bëri vërtet të famshëm në qarqet letrare të Tiranës ishte kriticizmi i tij në prill 1968 në një seancë të Lidhjes për romanin “Dasma” të Kadaresë. Ka disa studjues e kritikë sot që akoma duan të bindin lexuesin se Xhaferri ishte disident edhe pse publikonte dy vëllime me poezi e gjithashtu botonte në 4 periodikë të superkontrolluar nga Partia e Punës: “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori”, and “Ylli”, e merrte gjithashtu pjesë në mbledhjet e Lidhjes ku kritikonte mungesën e shpirtit komunist të Kadaresë te novela “Dasma”.

Riatdhesimi i eshtrave dhe nderimi

Më 3 maj 1993 Presidenti i Republikës Sali Berisha e dekoroi me medaljen “Martir i demokracisë” (Dekreti 1089) me motivacionin “Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike” dhe “Nder i Kombit” nga Presidenti Bamir Topi.

Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, drejtues i OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare inicoi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në Atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

Më 2014 shtëpia e tij në Ninat të Sarandës u bë Shtëpi Muze, dhe më 2 nëntor u inaugurua busti pranë shtëpisë.

VEPRA
Publicistikë

Në vitet 1962-1963 botoi poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli” etj. dhe debutoi me romanin “Rrugë dhe fate” më 1963. Më 1966 botoi poemën “Balada çame” në faqen letrare të gazetës “Zëri i Rinisë”. Për Ardian Ndrecën, qasja e Xhaferrit ndër këto organe shtypi të periudhës komuniste përbën një kundërshti lidhur me faktin e pushkatimi të të atit.

Bibliografia
  • Njerëz të rinj, tokë e lashtë (tregime, 1966)
  • Lirishta e kuqe (poezi,1967)
  • Dashuri e përgjakur (1992)
  • Krastakraus (roman,1993)
  • Eja trishtim (poezi,1995)
  • Ra Berati (1995)
  • Përtej largësive (1996)
“Krahu i Shqiponjës”

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike etj. Aty botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”.

Vepra të kushtuara

Më 2017 u botua libri i shkruar nga e motra, Antike Hoxha, “As vdekja nuk e shoi dot urrejtjen”, që i kushtohet të vëllait.

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!