ERINA ÇOKU – GRUAJA (cikël poetik)

ERINA ÇOKU – GRUAJA (cikël poetik)

ERINA ÇOKU

GRUAJA (cikël poetik)

APOSTROFË E GRUAS

O lumturi e mospasjes,
zbrazje e drojës e davaritje që nuk ndodh,
grua e imët e shndërruar në gjendje,
në lëndë pa formë, si plazma e ikshme.

O krijesë vetmore
e pashndërruar në rrjedhë,
për të gjitha enët që has e thyhen pa të nxënë,
që gjakosjet ndërmendin e të gjallët të kujtojnë.
O kënaqësi e varfër e udhës së drejtë
ku asnjë zjarr nuk lutet më mirë
se jehona e frymës së një krijese të vetme.

O grua e vogël që dot s’rritesh
e qan pak më shumë se loti vetë.
O liri çjerrëse e gjërave që rrëshqasin mureve si hije
e s’bëhen dot më shumë se dora mbi buzë.
O natë që mbyll sytë e brenda mban zjarrin
që kockat t’i shkrin.

O kafkë e hollë e gruas
më e lumtur se e plota,
dhe më gjysmë sesa një dëshirë e mohuar
qeshu gjer në dhimbë për të paplotën
e mate dimrin me mornicat nën lëkurën tënde të butë.

O stinë e thellë e dorës
që rrëshqet e lëmuar mbi një tjetër dorë
e mban fort atë shi,
që nuk e mbledhin dot vranësirat
dhe nuk e shpërthejnë dot kthjellimet.

O mot i gruas në ahtin e burrit
që nuk të ndodhin përqafimet
e koha të mat me hapa që arratisen pa asnjë vrap.

O dënesë e filizit të thyer
mbjellë në rrugë anësore,
që bartesh si plagë në zverk.
Fjalë që mbillesh në motin mes shpatullës e qafës
e që të ndien lëkura më parë se veshi.

O lumturi e vakët dhe e përjetshme e tkurrjes,
që nuk je krejt çka thuhet, por as e gjithë e pathëna,
ti brejtje hollake e pandërprerë
e gruas brenda gruas.

O mur i vjetër,
me fije nervore që zgjaten e mblidhen
si llastik në terr,
buzë e sipërme mbi të poshtmen
ku puthja zë fill,
o mur i ri, me frymë
që humb si avulli në gur.

O e thjeshtë e hirshme e gjallimit,
dhe e mbarueshme si vdekja,
zë i turbullt që i mvishet trupit
e tingull i tejdukshëm që lëshohet prej mishi.

O jetë e zhveshur prej zhurmave
drejt e në damarë si gjaku,
puls i nxehtë në kyçin që dridhet
e flet për dashuri e frikë,
o shpirt i lakuriqtë e i përhumbur
në dërrasën e epshme të kraharorit.

2015

DASHURIA E GRUAS

Grua mos qaj për dashurinë
zemra thyhet
pastaj krijon një udhë
për vërshimin e ujit
prej shpirtit tënd
drejt e në eter.

Grua mos qesh për dashurinë
trup i vogël i përkohshëm
me ndijime të përjetshme,
pak është kjo jetë,
pak është një zemër
për shpirtin tënd,
por të dytë nuk të gjejmë dot.

Dashuria thua ti,
katër ninëza
një vështrim ndërmjet,
dora mbi dorë
jeta në receptorë sërish,
rrahje e një ritmi
përmes dy palë brinjëve,
dashuria a diçka përngjarë me të.

Grua poemë vetmore
prej cilës brinjë je mbjellë
fillin e tejzave të ta shtjell në shtjellë?

Poemë mos u grith për dashurinë
stinët e tua nuk janë stinë,
por brenga me ngjyra
e gishtat e tu të etur
nuk e shkruajnë dot të vërtetën.

Sa bukur çelet e plas çdo ndijore
kur ti e kapërcen lëndën,
orë e kthjellume
që kohën nuk e mbledh në një.

Lëndë e këputur prej fryme
copëz e së tërës
udhë e përkohshme
sa gjithë të përkohshmet.

Poemë mos u mërmërit për dashurinë
këngët nuk janë krejt këngë,
por ahte që bëjnë një aht
se fundja,
ç’dinë fjalët për jetën vetë?

Poezitë nuk ngushëllojnë
poezitë janë derte të vogla
pikuar prej një derti të madh
krijesës vetë.

Grua eter i imët
mos qaj për dashurinë,
grua eter në tejza
mos qesh për dashurinë,
dashuria është themeli
dashuria është çatia
e krijesës që je
e krijesës që je.

2017

GRU

Gru
dashnia asht
kah ta shperban
trupin tand
si ran
si bje e rand
e gja s’e man.

Prej kreje
t’shket n’kraharor,
e t’andet ijeve
gjer sa
t’bje n’prehn
‘i rrjedh
e amel,
e xet,
e kendell
t’tana stint.

Gru
dashnia asht
ka t’shkerrmoq trupin
si gruni
n’durt e nji burri
t’dashtun
per natyrn e shpirtit.

Prej supi t’lakuriqt
t’ fryn n’tejza t’qafs
‘i fllad i ngroht
e t’ban muzik
 n’flegra t’hunds
n’misht t’buzve
e prej pejzave t’fytit
mrrin
n’gurgllim t’gjakut
si t’andet
kraharorit,
shpins
e t’bjen prej ijeve
n’prehn
kang e kangve
m’njmij stin.

2017

I THONI GRUAS

I thoni gruas,
për botën,
ujë në gur,
ajër në gur,
zjarr në gur,
gur.
Bota do ta mësojë
kur të bëhet grua
gruaja që është,
gruaja që di,
gruaja që do.

Bota e saj.

I thoni gruas,
se dashuria e saj
lind e para,
vrapon e para,
vritet e para.
Dashuria e saj.
I thoni gruas,
se zemra e saj
mund të thyejë një gur
ose në gur të shkruhet
me asht të thyer.

Palca e saj.

Ajo duhet ta dijë,
përputhjen e universit
mosputhjen e mbrëmjes,
paputhjen e agut,
puthjen e frymës
në një orë të brishtë.

Koha e saj.

I thoni gruas,
se dashuria e saj,
do të jetë e saj,
do të vrapojë aq shpejt,
sa do t’ia shpojë kraharorin burrit
e do të rrokulliset për gur
duke u rritur sa për dy,
duke u shumëfishuar për dy,
gati për të plasur trupin
veç për një.

Zemra e saj.

I thoni gruas,
se dashuria e saj,
një orë vetmie
njëqind orë vetmie
një lak vetmie
një mrekulli e frikshme
njëqind ndjesie
mund të mos jetë e kësaj bote,
mund të jetë e kësaj ëndrre.

Mrekullia e saj.

2018

GRIMË DASHNIE

Jam nji grue si asnji grue
si ty t’don porsi nji grue
veç aspak si çdonji grue
per ma sâkt: si kurrnji grue.

Jam nji grue e vocërr krejt
thrrmijë pa dukë m’kyt qytet
nuk t’due mir, as t’due drejt
nuk t’due krejt, nuk t’due krejt.

Un rri pjerrt e folem drejt
pak t’due, s’jam tu rrejt
se kur bâj nji analizë
del se t’due sa nji qelizë.

Oh, bre sa e vogla asht ajo
me matë sâkt si grueja do,
bre sa grima kalue grims
me matë sâkt filln e dâshnis.

Tash ta marrim sâk kadalë
çka nuk due si duhet dashtë
çka nuk matet jo me fjalë
çka dâshniet metet jashtë.

Ty nuk t’due sy, as buzë
ty nuk t’due kry, as lkurë
ty nuk t’due trup, as zâ
ty nuk t’due bash kurrgjâ.

Syt e errt’, ninzat thik’
kryt tân men, pik’ m’pik’
lkurn e xet m’u ngushllue
zân e ultë m’u ledhatue.

Kto s’jan gjâna me lân mend
po i tham sa per kuvend
se un du me t’bâ me dije
se nuk t’du sikur t’ka hije.

Nuk t’due frymn, as t’due shpirt
as zemren tande, as tanden drit
nuk t’due zjarmn, as t’due gacë
as kangën tande, as tanden fjalë.

Se kto s’jan gjâna mendt me lanë
jam t’i than veç sa m’i thanë
e sall me dije ty me t’bâ
se kto gjâna kushdo i ka.

Un ty due me t’kallxue
se t’due ty, e ty nuk t’due
si kurrkush tjetër jo nuk di
si kurrkush tjetër e kurrnjeri.

Pranej veten menoje vetë
se t’perkita lehtë e lehtë
ty kadalë tue t’zdeshë
krejt cullak pa gjâ veshë.

Ah e di, fort je tu drue
me t’zdeshë ty ‘ikshu nji grue
si ty t’don veç sa nji thue
e aspak si çdonji grue.

E di, bre po mos u tut
se kurrgjâ nuk ka m’u ngut
zdeshja veç sa ka fillue
a bân tash m’e mbarue?

Qe t’kam hequn ty çdo petk
qe t’kam hequn lkurn leht’
qe t’kam hequn mish e gjak
qe t’kam hequn asht e palc’.

Durve t’mia met’ veç aht
zanafilla e trupit tând
grima hyjnore eterit râ
grima drits si ty t’ka bâ.

Njat gjâ t’vocerr krejt pa dukë
njat grim t’imt tanden t’kurrkujt
njat gjâ krejt-krejt pa rândsi
e due un si kurrnjeri.

Jam nji grue si asnji grue
si nuk don porsi nji grue
si nuk don si çdonji grue
per ma sâkt: si kurrnji grue.

2018

BLASPOEMA

Ka dal gruja me taku’ Zotin
n’mjêdis t’udhs muzgu râ
me dâ mendt, me mbledh motin
m’i gjet jetes breg e an’.

Grue grue çka po pret
râ n’menime çka po pvêt’?
Po pvêt zotin m’i kallzue
si â mâ mir me jetue.

Prite Zotin se po vjen
ene tâna po t’i bjen
prite hyun se po t’gjen
t’keqen t’merr, t’miren t’len.

Ai vet ka me t’kallzue
si letohet kryet e rând,
ai vet ka me t’diftue
uj, ajer ene lând.

Prite Zoti se po vjen
prej eteri dalkadal,
n’krye t’shtegut tepo t’gjen
me i nrru me ty do fjâl.

Ka dal Zoti me taku’ grun
ka pvêt Pjetrin kah me shkue,
tri her aj ka ngatrru udh’
tri her pvêt kah m’u drejtue.

Heu, ju njerz ç’paski bâ
kurrgjâ n’kamb s’kenka mâ,
kurrgjâ s’asht si e kam lan’
kurrgjâ s’asht si e kam than’.

Fryms n’mue ju perngjâ
me durt t’mia ju kam gatu’
porse dheu lamsh â bâ
nuk njof mal, nuk njof fush’.

Ka dal Zoti me gjet grun
me marr vesh çka e ka gjet’
asht i bindun se m’e nihmu
ka me kên krejt e leht’.

E po vjen kadal ky Zoti
terezin’ pa e prish kurr,
Hijerand si ka kên moti
Hijerand kreshnik burr’.

E gjet grun tu ofshâ
vetun krejt ajo po rri,
diten nata ia ka perlâ
naten dita ia ka perzi.

E njikshu jasht kohe mbet’
gru e Zot si per kuven’
t’dy bashk na jan gjet’
jep e merr dy pare men’.

Gru e vocerr a m’ke thirr?
Pveti aj me za te rand.
Çka po don ti me dit’
ta baj t’leht un fatin tand.

Pse me mue (t’kam vu re)
jep e merr ti mijra fjâl
tu perpush sikunder je
diell me shi e dhê me hân.

Zot i madh a m’ke thirr?
pveti ajo nan zâ leht.
Çka po don ti me dit
n’fjal saora ta permbledh’?

Pse prej meje (kam vu re)
fjal veç fjal ti don me shkêp
dhe pse din (tan mend si je)
se prej shpirti ato i ‘xjerr.

Dhe pse din se n’mish jam fjala
fjala bre si qe e para,
dhe pse din se fjal jam n’frym
bahem zjarm e t’ mbloj me tym.

Njashtu si ti vêt m’ke krijue
n’magjen tande kur m’ke mbrue
e me frym’ m’ke frymue
rrno moj grue, rrno tu knue.

Un veç pytem pa pergjigj’
e pergjigjem bash kur t’pys
se nuk di si me dit’
çka din ti e çka din yjt.

Po ku ishe ti ateher
kur un sak t’kam kerku
e nuk çile prag as der
e nji zâ s’lshove per mu?

Ktu n’pakohen e kohs ngrime
ktu n’udhkryqen e dites time
ktu-atje ksaj udhe shkue
ke ardh ti m’u madhnue?

Tash si m’gjete flatrakput’
tash si m’pe zemerthy’
tash si balta jote e but
me lott t’mi asht ushqy’.

Tash çka don ti me ndreq?
m’u bâ ma i miri n’t’mir’?
Çka prej dhêmtes po na heq
çka letohet n’t’vshtir?

Prite Zotin se po vjen
prite tash qe ku erdh,
prite ndije tu t’bekue
zemren tânde tu dashnue.

Bash ‘ikshu shpesh kam thân
syt largpam vijes matân,
por sot ty po t’shoh nan vetull
ti me uj m’ke bâ ‘i ‘gjys-petull.

Sidoqoft mrî s’po t’mbaj
tant jena ne t’tan
un prej teje e ti prej mue
âshtit tand si jam krijue.

E pse ti don me nihmue
n’bes tande jam tu t’kerkue
dy-tri gjana me t’i dhan’
me m’i rujt kur t’shkosh m’at an.

Eja njat mor i bekum
mblidhi bashk t’dyja durt,
maje fort gjithça un t’jap
me marr ti e me çu’ nalt.

Qe urdhno fjalt prej gojet
qe urdhno tana ndijoret
merr zemren s’kam ç’e du’
merre menjen s’asht per mu.

Baje n’dur a baje n’shpin
shpirtin tim, t’rândin shpirt
se s’ gjen shtroj as gjen mbloj’
s’gjen qafim, as gjen mburoj’.

Merri kângt tu kendue
merre frymen tu dashnue
merri teshat me mendafsh
merri petkat ‘xjerri jasht.

Çka po duhen kto stolina
çka po duhen kto marrina?
Shpirti zemra s’duhen gjâ
qe u lehtova pshtova ma.

Prite Zoti se po vjen
se po vjen me t’nihmue
me ec vrap e me jetue
me hedh valle e me knue!

Foli gruja manej heshti
nuk lvizi as qerpik
e çdo gjâ zanin reshti
tuj prit Zotin si po ik’.

Zoti desht pak venit me lujt
grus heshtun me ju avit
as sa grima aj nuk mujt
as me fol, as me lviz.

Pse e rând zemra e grus
durve t’Zotit kisht qellue
pse i thell porsi nji pus
shpirti i saj nis uj me lshue.

E kshu Zoti meti n’ven
fjal-pa-fol e t’u u perpjek
se kjo pun s’i shkoi n’men
gruja gruen po e hjek.

E kshu sŷt tu kryqzue
bashk t’u pâ si â ma e mira
robi i lir, hyu robnue
thirrn fort rrnoft liria!

Qajn-qeshen bashk t’dy
kryqe-lidhun n’zinxhir t’liris
t’lir me ik po mbêt aty
n’pesh t’ândrres e t’dâshnis.

2018

MOS FOL PËR VETMINË

Kështu edhe një ditë, grua
mbi vetmi drita shket
dhe muret larëzojnë heshtje
alfabet mors në shpirt.

Kështu edhe një natë, grua
mbi ty ngadalë erret
dhe muret larëzojnë heshtje
frymë vetmore në fyt.

Mos fol për vetminë, grua
gjiri yt ushqen fëmijën
shpend flurak me krahë mbi re.

Mos fol për vetminë, grua
dora jote qafohet prindit
shpend flurak me krahë në qiell.

Mos fol për vetminë, grua
kurmi yt kapërthehet burrit
shpend flurak me krahë.

Kështu kjo jetë, grua
rrjedh lumë për det
dhe shqisat larëzojnë dashuri,
syve të tu të mëdhenj.

Kështu ti, grua
flurohesh me kohën
dhe dashuria shpërndahet grimcore
frymës tënde të ngrohtë.

Kështu ndoshta dhe për ty, burrë
në kahun tjetër të historisë.

2020

Të tjera poezi nga ERINA ÇOKU mund të lexoni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!