FAN NOLI – MARSHI I BARABAJT (poezi)
FAN NOLI
MARSHI I BARABAJT
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fè,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
O stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
BIOGRAFI E AUTORIT
Fan Noli është shkrimtar shumë i njohur. Krijimtaria e tij poetike është sidomos e njohur. Lindi në Ibrik-Tepe të Adrianopojës, në një koloni shqiptare neTurqi. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë. Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve.
Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip.
Libri i parë që ka lexuar në shqip ka qenë Dhjata e Re me përkthim të Kristoforidhit. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor.
Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Te punonte atje, iu ngjall dëshira të merrej me dramaturgji.
Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit.
Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forest Hills Cemetery, të Bostonit.
Është i njohur me kryeveprat e tij “Albumi” dhe “Historia e Skënderbeut”, e shumë të tjera. Fan Noli ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1913, dhe ka qenë përkrahës i madh i Ismajl Qemajlit, dhe qeverisë së tij.
Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër.
Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.
Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit. Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.
Fan Noli ka qenë deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923), si dhe kundërshtari politik më i egër i Ahmet Zogut ishte Fan Noli. Ky i fundit mbretin e quante “shakaxhi të përparimit” Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë dënuar njëri-tjetrin me vdekje pas kryengritjes së vitit 1924 kur Noli erdhi në pushtet dhe në dhjetor të atij vitit kur Zogu erdhi sërish në pushtet.
Noli ka lindur një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja, në Turqi dhe ka vdekur në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1965.
Noli ka lindur një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja, në Turqi dhe ka vdekur në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1965.
2 thoughts on “FAN NOLI – MARSHI I BARABAJT (poezi)”