FATOS ARAPI – ÇAST BUZË JONIT (cikël me poezi)
FATOS ARAPI
ÇAST BUZË JONIT (cikël me poezi)
SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
Si s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.
TI DO VISH
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
…e ti të vish…
TI DO MË DASHUROSH PATJETËR
Ky
qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në
sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej
ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër!
ATA QË DASHUROJNË AKOMA
Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.
JETA
Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.
NUK MBYLLEN DOT
S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë.
ATDHEU
Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – dhe të mban ty – në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e uritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.
Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.
Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.
DITË TIRANASE
Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, –
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, –
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, –
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Është pluhurosur , – kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t’i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy –
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.
ÇAST BUZË JONIT
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin – si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh…
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.
ALARME TË PËRGJAKURA (KËNGA E PARË)
Mbi rrogozin prej kashte,
Ku netëve fle,
Shtrova
Dashurinë time…
Po prapë, brinjët t’i vret toka, plisi,
E prapë i fortë është te koka
Trungu prej lisi.
Hej, vend!
Plot diell e pa dritë!
Pagan dhe fron për perënditë!
Jetojmë nër male të lartë,
Ku qiellin me dorë mund të zëmë
Dhe prapë:
Në ç’humnera kemi rënë!
Hej, vend!
Që ngjyrat e Jonit,
Erërat e portokallit me lule
Mbyll
Në një vorbë fasule.
Dhe ndihesh
I pasur në varfërinë tënde
I lirë në robërinë tënde…
Hej, vend,
Që prej dhimbjes po më bën të çmendem.
GLORIA VICTIS (LAVDI HUMBËSVE)
Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës
I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Është një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Është prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.
MARGARITË MOJ
… Shoqja ime, moj
me dy sy si nata të mëdhenj, të zez,
me bukurinë tonë të virgjër
vdekjen po ushqejmë
se kjo tokë ka ftohtë
mardhi
e ka ngrirë
Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri,
Futemi nën dhè porsi rrënjë ëndrrash,
Që të vijë pranvera,që të vijë behari,
Toka përmbi ne e balta të shkrijë,
Ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari.
Dashuria jonë
Me dy sy si nata çuditërisht të zez,
Nga plumbat armike prerë mes për mes
Dashuri e lindur,
Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare.
Dashuri tragjike
Për botën e madhe.
Margaritë, moj
Motra ime, moj,
Shoqja ime, moj.
AKREONTI RRJEDH PO KARONT NUK KA
Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
E unë rrah brigjet e errëta këtu.
Akeronti rrjedh po karont nuk ka.
Tregomë një va ku te kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
Dhe të arrij.
Akeront rrjedh po karont nuk ka.
Dy fjalë për autorin*
U lind i biri i Tol Stavre Arapit në Zvërnec, pranë qytetit të Vlorës, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i ndoqi në Sofie të Bullgarisë për ekonomi, më pas u kthye të punonte në Tiranë si gazetar dhe lektor për letërsinë moderne shqipe. Puna e tij e parë ishte në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit si Kryetar i Degës së “Artizanatit dhe Industrisë Lokale”.
Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar si mësues i asaj shkolle (Qyteti i Nxënësve) ku dha lëndët: Statistikë, Planifikim dhe Ekonomi Politike. Ai ka punuar pedagog i Ekonomisë në Institutin Bujqësor, po kështu gjatë viteve 1959 – 1966 ka qenë pedagog i Ekonomisë Politike në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës.
Në vitin 1966 u dërgua në qarkullim, në Vlorë, ku punoi si mësues i shkollës tetëvjeçare “Ismail Qemali”, rreth katër vjet (mars 1966 – gusht 1969). Në vitin 1971 ai u emërua pedagog në Fakultetin Histori–Filologji, Universiteti i Tiranës. Në vitin 1973 (pas Plenumit IV) u dërgua në shkollën e mesme të natës “Sami Frashëri”, Tiranë, ku qëndroi 10 vjet deri më 1983.
Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”. U kritikua më 1973 për vëllimin Drama e një partizani pa emër, qëndroi për shumë kohë gati në heshtje deri më 1989.
Në vitin 2008 e fitoi ,,Kurorën e artë,, në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.
Tituj të veprave
- Shtigje poetike, 1962;
- Partizani pa emër, 1962;
- Poema dhe vjersha, 1966;
- Ritme të hekurta, 1968;
- Patat e egra, 1969;
- Dhjetori i shqetësuar, 1970;
- Dikush më buzëqeshte, 1972;
- Poezi të zgjedhura, 1974;
- Drejt qindra shekujsh shkojmë 1977;
- Shokët, 1977;
- Cipa e borës, 1985;
- Deti në mes, 1986;
- Ku shkoni ju statuja, 1990;
- Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995;
- Gjeniu pa kokë, 1999;
- Na ishte një almë, 2002;
- E sajoi reja zogun e furtunës.
Përkthime
- Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981;
- Poezi, Pablo Neruda, 1989;
- Safo, 1990;
- Antologji e poezisë turke të shekullit XX, 2001.
* Marrë nga Wikipedia.